Intervista
Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Milaim Fejziun
E hene, 20.09.2021, 08:14 PM
INTERVISTË ME NJËRIN NGA
THEMELUESIT DHE KRYETARIN E PARË TË SENATIT TË UT-SË, PROF. DR. MILAIM FEJZIUN
EKSKLUZIVE NGA VAHIT NASUFI
Universiteti i Prishtinës, që nga themelimi i tij, ka qënë shpresë e
madhe për ngritjen arsimore të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, por, jo
vetëm. Në vitin 1991 autoritetet sërbe në Kosovë, i ndaluan studimet në gjuhën
shqipe në këtë univerzitet. Vështirësitë e shkaktuara në këtë universitet,
ishte një grusht i rëndë për studentët shqiptarë nga Maqedona. Proceset
demokratike hapën shtigje të reje për vazhdimin e studimeve të larta, në univerzitetet
e Republikës së Shqipërisë, por, institucionet e larta të shtetit shqiptar, nuk
mund t`i absorbonin të gjitha aspiratat e studentëve shqiptar nga Maqedonia.
Kështuqë lindi nevoja për themelimin e një institucioni të lartë arsimor në
gjuhën shqipe edhe në Maqedoni. Iniciativa për një gjë të tillë, filloi nga një
grup intelektualësh shqiptarë të rangut univerzitar, së bashku me përfaqësuesit
e asociacioneve të ndryshme dhe subjekteve politike.
Njëri ndër themeluesit e këtij univerziteti është edhe profesori
univerzitar, Prof.dr. Milaim Fejziu, i cili ka qenë njëri ndër politikanët e
plejadës pak më të vjetër. Profesor Milaimi, ka qenë ligjërues në Akademinë
Diplomatike në Tiranë dhe Prishtinë. Ai ka zhvilluar edhe shumë aktivitete
tjera që do t`i lexoni më poshtë. Veprimtaria, dhe kontributi i tij i
jashtëzakonshëm, na kushtëzuan që të zhvillojmë një intervistë rreth themelimit
të Univerzitetit të Tetovës, i cili me kënaqësi pranoi të jetë bashkëbiseduesi
ynë.
VAHIT NASUFI: Përshëndetje z. Fejziu, faleminderit që pranuat të jeni
bashkëbiseduesi ynë, kërkojmë ndjesë për shqetësimin.
MILAIM
FEJZIU: Mirë se keni ardhë nga
Kërçova në Gostivar, faleminderit edhe prej jush, për nderin dhe respektin, që
kësaj here më keni zgjedhur mua si bashkëbisedues. Me ardhjen tuaj, Ju nuk më
keni nderuar vetëm mua, por, edhe vendlindjen time. Sa për shqetësimin mos kini
marek, nuk më shqetsoni aspak.
VN: Faleminderit shumë z. Fejziu. Në fillim për lexuesit e gazetës
elektronike Zemra Shqiptare, në pika të shkurtëra, do t`bëni një prezentim?
MF:
Patjetër. Unë jam i lindur më 18 nëntor 1946, në fshatin Vërtok, (Burim),
të Komunës së Gostivarit. Rrjedh nga një familje arsimdashëse dhe shumë bujare.
Klasën e parë të shkollës fillore, e fillova në shkollën e atëhershme
"Anastas Pandeli", në fshatin e lindjes, dhe e mbarova në Gostivar,
në tetëvjeçaren e atëherëshme, "Mosha Pijade", sot, "ismail
Qemali", pastaj vazhdova mësimet në gjimnazin e Gostivarit. Pasi e mbarova
gjimnazin, edhe pse në kushte të vështira, me insistimin e familjes, u
regjistrova në fakultetin filozofik në Shkup, për gjuhë frënge dhe latine. Pasi
mbarova studimet pasdiplomike, synim të pashmangshëm kisha edhe doktoraturën që
u realizua më vonë
VN: Edhe pse ka kaluar një kohë bukur e gjatë nga fëmijëria juaj, si do
ta përshkruani me pak fjalë?
MF: Si
shumë familje shqiptare të asj kohe, pra, në varfëri. Që kur isha nxënës i
klasës së parë të shkollës fillore, në gjysmën e dytë të vitit shkollor, mua më
vdiq babai, pasi rrethanat ishin të tilla, unë u transferova në fshatin
Pozharan. Me këtë që thash, besoj se kuptohet qartë, se si ka qenë fëmijëria
ime pa njërin prind! Nëse them diçka më shumë, besoj se do të jetë e tepërt!
VN: Z. Fejziu, ju me profesion jeni profesor, a keni punuar në cilsinë e
profesorit dhe ku?
MF: Pasi
diplomova menjëherë u punësova në shkollën tetëvjeçare "Mosha
Pijade", këtu në Gostivar, pas një viti kalova në gjimnazin e këtij qyteti
si ligjerues i gjuhës frënge dhe asaj latine, aty punova deri në vitin 1978,
pastaj fillova të merrem me një varg aktivitetesh të ndryshëm që nuk janë pak.
VN: Profesor, Ju jeni njëri ndër themeluesit e Univerzitetit të Tetovës, si lindi ideja, për të themeluar një
univerzitet në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë?
MF: Kjo
ide është shumë e vjetër, që ka qënë ëndrra e kahmotshme e shumë gjeneratave,
që të kenë një univerzitet në gjuhën amtare, në shtetin ku jetojnë ata, e cila
kërkonte realizues. Unë kisha thënë se ne jemi realizusit e asaj ideje, se sa
ideatorë, edhe pse rruga e realizimit nuk ishte fare e lehtë.
VN: Pavarsimi i ish republikave të RSF të Jugosllavisë, u shtyri që të
mendoni për arsimin univerzitar në gjuhën shqipe në Maqedoni.
MF: Pa
dyshim! Kjo ishte një ngarkesë e madhe për të gjithë ne, dhe duke parë
realitetin e krijuar me arsimin e lartë të shqiptarëve në Maqedoni,
intelektualët shqiptarë të Maqedonisë, pas konsultimeve të gjithanshme serioze
dhe sistematike, më 4 qershor 1994, u organizua një tubim intelektualësh
shqiptarë. Në atë tubim, u diskutua për mundësitë e hapjes të një institucioni
për arsimin e lartë, përkatësisht të një univerziteti në gjuhën shqipe.
VN: Dhe pas mosmiratimit të akademisë pedagogjike, ju filluat një proces
për të themeluar një univerzitet të ri në gjuhën shqipe, dhe Ju u zgjodhët
kryetar i Senatit të UT -së, si organ më i lartë qeverisës në univerzitet?!
MF: Po,
është e vërtetë. Me konstituimin e organeve të UT -së, në krye të Senatit
unanimisht më zgjodhën mua, që unë me shumë përgjegjësi e pranova këtë detyrë.
Për arsimin sipëror - univerzitar në gjuhën shqipe, ne u angazhuam me një
përkushtim të madh për pregaditjen e UT së. Rreth këtij procesi, kemi pasur
edhe shumë mbëledhje tjera, ku u mbështet nga të gjithë subjektet politike dhe
jopolitike - shqiptare, me ç`rast mori edhe karakter relevant, zyrtar dhe
ligjor.
VN: Dhe ju pregaditët aktin e themelimit, dhe ia dërguat Qeverisë së
Maqedonisë.
MF:
Kërkesa me elaboratin për themelimin e Univerzitetit të Tetovës, zyrtarisht ia
dërguam Qeverisë së Maqedonisë. Për kërkesën tonë, ne kishim bazë ligjore dhe e
mbështetëm me ligjin për arsim të orientuar.
Përveç
parlamentit, mund të themelojnë edhe tre kuvende komunale. Me anë të këtij
ligji është themeluar Univerziteti i Manastirit, Komuna e Manastirit, Prilepit
dhe Shtipit. Në të njejtin model edhe ne e konceptuam kërkesën tonë të
mbështetur nga Kuvendet Komunale i Tetovës, Gostivarit dhre Dibrës. Megjithatë
kjo kërkesë u refuzua dhe nxorrën konkluzione për pengimin e aktiviteteve për themelimin
e UT -së, duke angazhuar policinë që të pengojë Kuvendin për themelimin e UT-së
në Tetovë.
VN: Por, ju ishit të vendosur që t`i shkoni deri në fund këtij procesi
dhe të realizoni qëllimin?!
MF: Pasi
vendimi ishte i prerë dhe duke falënderuar disa struktura, ne ia arritëm pa
marrë para syshë problemet që do të paraqiteshin. Ne u pajtuam që të rrezikojmë
edhe jetën. Kur e kemi hartuar këtë projekt, me profesor Fadil Sulejmanin, kemi
parapa që të ketë edhe viktima, që numri i tyre për këtië proces, të arrijë
deri në njëzet, duke përfëshirë edhe vetveten tonë!
VN: Z. Fejziu, jemi kurioz të dijmë se a pat viktima, nëse po sa?
MF:
Fatkeqësisht po. Në moshë të re, më 17 shkurt 1995, Abdylselam Emini, i cili
kishte dalë në mbrojtje të arsimit shqip, u vra në ditët e shenjta të lindjes
të UT -së, i cili nuk do të harrohet kurrë, pasi heroikisht ra në ditët e
lavdishme dhe të triumfit, për arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë.
Abdylselam Emini më vonë shpallet dëshmori i parë i arsimit shqip në Maqedoni!
VN: Profesor, duke pasur para syshë vështirësitë, përballjen me
policinë, ju prapë se prapë e hodhët gurëthemelin e kësaj ngrehine?
MF: Si
iniciativë e shumë intelektualëve shqiptar, të shoqatave dhe asoacioneve të
ndryshme politike, ne e kishim parapa që themelimi i UT-së, të mbahet në sallën
e kuvendit të komunës së Tetovës, më 17 dhjetor 1994. Meqenëse forcat policore,
dy ditë përpara e kishin bllokuar objektin e caktuar, neve na u desht një
alternativë tjetër. Mirëpo, falë atdhetarit, Haxhi Bari Ganiut nga Reçica e
Vogël afër Tetovës, (të cilit sot i këndohet kënga), ne arritëm të
sigurojmë një stre për themelimin e UT -së. Aktvendimin e lexoi profesor Fadil
Sulejmani dhe pastaj pasuan nënshkrimet. Ky tempull i diturisë, pastaj siç
pritej, u pëballë me probleme të ndryshme, por, më në fund doli fitues!
VN: Sa ishte e rëndë mëkëmbja e UT -së,
kushtet, financimi kuadrot etj?
MF:
Problemet ishin të natyrave të ndryshme, por, me rëndësi është se mbijetoi,
duke falënderuar rininë shqiptare, që nëpër këmbët e policisë vinin të dëgjojnë
ligjeratat, familjet që hapën dyert e shtëpive, profesorët e Tiranës dhe
Prishtinës, që vinin të japin ligjerata, përballeshin me probleme të mëdha nga
policia kufitare, por, ata nuk hoqën dorë kurrë.
VN: Z. Fejziu, si ia dolët me objektet apo lokalet për të zhvillur
ligjeratat, zyrat, kabinetet etj?
MF: Shumë
qytetar shqiptarë, nga Maqedonia, kontribuonin në mënyra të ndryshme, përveç
tjerash edhe me mjete financiare, për ndërtimin e objekteve të ndryshme, por,
qeveria e shtetit nuk lejonte që UT-ja, veprimtarinë e vet mësimore - shkencore
dhe administrative, ta zhvillojë në këto objekte. Prandaj qytetarët arsimdashës
të Tetovës, përveç obligimit moral dhe kombëtar, ata vullnetarisht shtëpitë e
tyre ia lanë në dispozicoin univerzitetit.
VN: Ku u mbajtën ligjeratat e para të vitit akademik, profesor?
MF:
Ligjerata e parë ishte ajo e fakultetit juridik, që u mbajtë në fshatin Poroj,
por, para se të shkojmë ne në Poroj, atje ishin stacionuar forca të mëdha
policore, për të penguar mbajtjen e ligjeratave. Komandati i policisë na e
tërhoq vërejtjen, se nëse edhe të nesërmen vijmë prapë këtu, policija do të
intervenojë!
VN: Po ju si vepruat të nesërmen, shkuat në Poroj?
MF: Ne
vepruam sipas planit, shkuam edhe të nesërmen në Poroj, por, kur mbërrimë atje,
policia i kishte bllokuar rrugët. Aty kishin dalë edhe një masë e madhe e
porojasve legjendar, dhe e kishin bllokuar hyrjen e policisë pranë objektit dhe
e mbanin në distancë. Ne u detyruam që nëpërmjet një rruge qarkore të futemi të
mbajmë ligjeratat. Ne kishim planifikuar të mbajmë tri orë ligjerata, por
situata filloj të tensionohet.
Përfaqsuesi
i OSBE -së në Shkup, austriaku Helmut Huter, i cili i përcjellte rregullisht
aktivitetet rreth UT -së, na sygjeroi që të ndërpresim ligjeratat për atë ditë,
për t`i vazhduar në ditët në vijim sipas planit, dhe ashtu ndodhi.
VN: Profesor, keni pasur kontakte me zyrtarë ndërkombëtarë për
zyrtarizimin e UT -së?
MF: Po.
kemi pasur kontakte me zyrtarë të ndryshëm nga Europa dhe Amerika. kemi marrë
pjesë edhe në Kongresin Amerikan. Të gjithë këto aktivitete kanë qenë të
fokusuara për zyrtarizimin e UT së. Disa herë na kanë vizituar, që prej së
afërmi të shohin se si funksionon univerziteti, si janë kushtet, kuadrot,
studentët etj.
VN: Si financohej UT -ja, para zyrtarizimit?
MF: Ne
kishim dy modele të financimit. Në modelin e parë, pruam vendim që çdo banor
shqiptar në Maqedoni duheshte të pagujë nga një markë gjermane të atëhershme
për një muaj. Modeli i dytë ishte, dispora. Ne krijuam fondacione, "Miqt e
UT -së", ku sipas dëshirës, kishin mundësi edhe të huajt të ndihmojnë.
VN: Sa kishit sukses me këta mënyra të grumbullimit të mjeteve
financiare, sa ishin solidarë mërgimtarët tanë?
MF:
Shumë, mërgimtarët tanë u treguan solidarë të jashtëzakonshëm, pasi fondacione
hapëm në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë Itali, Angli dhe në Amerikë. Këta
fondacione luajtën një rol shumë të rëndësishëm. Më duhet ta them për hirë të
së vërtetës, Se fondacioni në Zvicër, ishte ndër më të fuqishmit!
VN: Po njëmarkshi në Maqedoni si grumbullohej z. Fejziu?
MF:
Njëmarkshi në Maqedoni grumbullohej me vështirësi, ngase njerzit frigoheshin,
ata që mbëlidhnin të hollat e kishin akoma më keq, sepse i ndiqte policia. Disa
qytetarë është dashur të përgjigjen para gjyqit pse kanë dhënë një sasi të
hollash, pa marrë parasyshë se sa ka qënë shuma e të hollave!
VN: Nga kjo shihet se ka pasë shumë arsimdashës që vullnetarisht kanë
kontribuar me mjete financiare!
MF: Pa
dyshim, ka pasë shumë vullnetarë, që kanë dhuruar, dhjetë mijë marka, njëzet,
deri në pesëdhjetë mij marka gjermane, dhe nuk kanë dashtë që emrat e tyre të
publikohen! Ne megjithatë, i kemi regjistruar në një regjistër të veçantë, pasi
ata kanë bërë një revolucion duke ndihmuar univerzitetin!
VN: Ju sigurisht i keni evidentuar mjetet e grumbulluara, ishin të
mjaftueshme apo kishit nevojë edhe për ca të tjera?
MF:
Sigurisht se i kemi evidentuar. Ja, do t`ua tregoj një të vërtetë. Në vitin e
tretë ne kemi bërë një bilanc, rreth buxhetit të UT -së, i cili kishte arritur
deri në dy milionë marka gjermane, që mjaftonin pa dyshim, po të mos mjaftonin
jam i bindur se kurbetçarët tanë do të përgjigjeshin për sa të ishte nevoja!
VN: Jemi të vetëdijshim se atëherë ka pasë arrestime dhe burgosje, po Ju z. Fejziu, keni qënë të burgosur?
MF: Po si
jo! Një ditë prej ditësh,ne morëm lajmin, se policia përsëri kishte rrethuar
objektin ku mbajtëm ligjeratat e para në fshatin Poroj, dhe ne menjëherë u
nisëm për në Poroj, unë, Fadil Sulejmani, Ajet Sherifi dhe Arben Rusi. Duke
shkuar rrugës në dalje të Tetovës afër stadiumit fudbollistik, policia e kishte
bllokuar rrugën dhe na ndalën. Pasi na legjitimuan edhe pse na njihshin mirë
neve, na thanë që unë dhe profesor Fadili duhet të vini me ne. Aty u bë arrestimi
ynë dhe pastaj u dënuam me burg efektiv!
VN: Dhe pasi vuajtët dënimin, ju dolët nga burgu dhe vazhduat punën.
MF: Pasi
dolëm nga burgu, ne u këthyem në univerzitet ku u befasuam pasi kolegët tanë
kishin vazhduar punën dhe kishin organizuar për mbajtjen e ligjeratave në
Reçicë të Vogël. Pas këthimit tonë, ne organizuam një fushatë për
ndërkombëtarizimin e çështjes të UT -së, dhe dy javë më vonë, morëm një ftesë
për një takim zyrtar, nga ambasadori i Amerikës në Republikën e Maqedonisë, z.
Robert Komras në Shkup.
VN: Ju e pranuat ftesën dhe shkuat në ambasadë, për çka u diskutua në
atë takim profesor?
MF: Aty
ne e njoftuam ambasadorin amerikan rreth univerzitetit se në çfarë gjendje
ndodhej, folëm për të ardhmen dhe i treguam se cilat janë planet apo vizionet
tona për këtë univerzitet. Në fund ai na pyeti se çka kërkojmë ne nga SHBA -ja?
Edhe pse ne kishim disa kërkesa, por, ne shtruam vetëm një kërkesë, që
përfaqësuesi amerikan, të intervenojë te autoritetet maqedonas, që plicia të
mos na pengojë, e cila i maltretonte studentët, profesorët i merrnin në pyetje,
pra situata ishte shumë e vështirë.
VN: Dhe ambasadori Komras, këtë kërkesë e përcollii te autoritetet
shtetërore, sa pat efekt kjo kërkesë z. Fejziu?
MF:
Kërkesa jonë u realizua. Pastaj ne patëm edhe një takim tjetër në Tetovë me
ambasadorin z. Komras, i cili na tha se policija nuk do të merret më me ju,
por, mos prisni nga qeveria e Maqedonisë që së shpejti do të zyrtarizohet
univerziteti! Ai gjithashtu na tha, se ju jeni nisë një rruge shumë të
vështirë, një projekti shumë të madh, por, cila palë do të lodhet e para, ajo
dhe do të humbi. Kjo për ne ishte një mesazh që të mobilizohemi të gjithë që ky
projekt të mos dështojë, por, të arrijë edhe ditën kur Qeveria do të detyrohet
ta zyrtarizojë.
VN: Dhe më në fund Univrziteti i Tetovës u zyrtarizua!
MF: (Qesh).
Ky univerzitet është dashur të zyrtarizohet më herët, nga subjektet politike
shqiptare. Ai vepronte në mënyrë legale, por nuk ishte i pranuar nga shteti. Ne
nuk pranonim zyrtarizimin që dikush tjetër të planifikojë perspektivën e
univerzitetit. Dhe më në fund, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, sjell ligjin
për themelimin e Univerzitetit Shtetëror të Tetovës. Dhe në janar 2004, ky
univerzitet zyrtarizohet dhe prej ditës së zyrtarizimit quhet
"Univerziteti Shtetërorë i Tetovës".
VN: Z. Fejziu, a keni zhvilluar edhe ndonjë aktivitet tjetër kombëtar të
rëndësishëm?
MF: Po,
kam zhvilluar disa aktivitete, por, në këtë rast do të veçoja aksionin human
për zhdukjen e hakmarrjes, që kam zhvilluar në shumë treva shqiptare. Suksesi
më i madh që ia kemi arritë ka qenë në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, ku janë
falë shumë gjaqe dhe është shtrirë dora e pajtimit. Për këtë angazhim, nëse
mund të them, hodhëm dritë në terr, në vitin 2005, Bashkia e Lezhës më shpalli
"Qytetar nderi i Qarkut të Lezhës".
VN: Profesor, lexuesit tanë sigurisht duan të dijnë edhe për tjerit
aktivitete që keni zhvilluar, sigurisht se kanë qenë të rëndësishëm!
MF: Unë
kisha thënë ta lëmë me kaq, por, nëse insistoni?
VN: Po, po, insistojmë.
MF: Kur u
mbajtë Kongresi i parë mbarëkombëtarë i organizatës pan shqiptare, për
artikulimin e synimeve dhe aspiratat e shqiptarëve në mbarë botën, Lidhjes
Shqiptare në Botë, që u mbajtë në Prizren, mua më ftuan që të marr pjesë në
këtë kongres dhe më zgjodhën nënkryetar i LSHB -së, ku kam shërbyer dy mandate.
Në vitin 1978, më zgjodhën kryetar i Lidhjes Socialiste të popullit punonjës në
Gostivar. LS e Maqedonisë, në organet e Federatës Jugosllave, më propozoi për
postin e sekretarit të konferencës federative të bashkësive vendore të RSFJ
-së, në Beograd, në periudhën 1982 - 86. Në vitin 1986, u zgjodha antar i
kryesisë të Komitetit Qëndrorë të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, ku pa
mbaruar mandatin, më shkarkuan!
Në korrik
të vitit 1990, kam qenë pjesmarrës në Kuvendin themelues të Organizatës jo
qeveritare, "FORUMI DEMOKRATIK", për mbrojtjen e të drejtave dhe
lirive të njeriut në Maqedoni me seli në Gostivar, dhe më zgjodhën kryetar të
organizatës.
VN: Z. Fejziu, nëse nuk është sekrete, a mund të na tregoni pse u
shkarkuat nga KQLK -ja?
MF: Pse jo? Unë mora pjesë në varrimin e
dëshmorit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Xhemil Islamit nga fshati
Raven, i cili nga regjimi i atëhershëm, ishte i përndjekur politikisht. Pasi
këtë ceremoni varrimi, Komiteti Komunal në Gostivar, e konsideroi si manifestim
i nacionalistëve dhe iredentistëve shqiptar, që ishte një pretekst, që pas
gjashtë muajsh, të më shkarkojnë nga posti dhe nga partia!
VN: Profesor, gjithë ky kontribut dhe këto aktivitete , sigurisht Ju
jeni një laureat për shumë çmime, mirënjohje dekorata etj!
MF: (I
shkon buza në gaz). Është e vërtetë se kam marrë një mori çmimesh,
mirënjohjesh, dekoratash dhe kështu të ngjajshme. Të gjitha këto që i përmenda i kam marrë me shumë
kënaqësi dhe secila ka rëndësinë e vet, që në një farë mënyre janë si rezultat
i punës sime. Sa herë që i shoh më këthejnë shumë vjet pas, më kujtojnë
shumëçka. Besoj se ia vlen të ceket çmimi prestigjoz, që ma dha Këshilli i
Aleancës Veri Atlantike i NATOS, "AMBASADOR I PAQES". Pastaj pason
çmimi "QYTETAR NDERI I QYTETIT TË GOSTIVARIT", për vitin 2017 dhe
shumë të tjera.
VN: Tani jeni në pension, si e kaloni kohën z. Fejziu?
MF: Unë
nuk jam mësuar të rri pa punë. Në vitin 2017, kam botuar librin,
"THEMELIMI I UNIVERZITETIT TË TEOVËS",
që është
një hap historik. Jam duke pregaditur edhe një libër tjetër, e kam në plan të
bëj një përmbëledhje kujtimesh, por do t`ia lëmë kohës, le të jenë surpriza.
Sa i
takon kohës së lirë, dal në qytet, takoj miq, shokë të afërm, ulemi diku dhe
bisedojmë për të kaluarën, parashikimet për të ardhmen, e kështu me radhë.
VN: Z. Fejziu, veprimtarija juaj është aq e madhe sa është e pa mundur
të përfëshihet me një intervistë. Kuptohet që ka mbet edhe shumëçka për të
thënë, por, ndoshta ndonjë herë tjetër. Faleminderit shumë për kohën që ndatë
të jeni bashkëbiseduesi ynë, faleminderit për nderin dhe mikpritjen bujare.
jemi shumë mirënjohës ndaj jush. Për fund keni diçka të shtoni?
MF:
Faleminderit shumë edhe prej jush. që një pjesë të kohës suaj ma keni kushtuar
mua. Unë nuk kam se çka të shtoj më tepër, u përgëzoj për punën dhe mundin që
bëni. Ndërgjegja nuk më lejon ta përmbyllë këtë intervistë, dhe të mos
përshëndes personelin e Zemrës Shqiptare, bashkëpunëtorët dhe lexuesit e saj.
Ua them të vërtetën se ndjehem i privilegjuar që u intervistova nga Zemra
Shqiptare, të cilën e lexoj rregullisht!
Intervistoi: Vahit Nasufi - Kërçovë