Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Fati i shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri. Kërkoi kushte jetese, u arrestua dhe internua
E marte, 20.07.2021, 07:56 PM
1957/ Fati i shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri. Kërkoi kushte jetese, u arrestua dhe internua
Nga
Kastriot Dervishi
Regjimi
antikombëtar i Enver Hoxhës konkurronte me regjimin pushtues serb për nga
keqssjellja me shqiptarët e Kosovës. Aspekti antikombëtar, është ana më e zezë
e këtij regjimi, të cilin nuk i mjaftuan eksperimentet e shumta këtu, por nuk
kurseu as vëllezërit tanë që për arsye të ndryshme detyroheshin të braktisnin
vendlindjen e tyre. Vijoj me prezantimin e letrave të tyre, sepse në to dalin
shumë fakte. Ata ende besonin se shoku Enver nuk dinte gjë.
Arif
Hajro, lindur në vitin 1917 në Mitrovicë, i dënuar në vitin 1950 nga
jugosllavët. Më 10.8.1950 me pasaportë vjen në Shqipëri. La në Kosovë gruan e 4
fëmijët. Në letrën shkruar më 26.2.1957, ndër të tjera shkruan:
“Shoku
Enver, po të tregoj vuajtjet e mia në Shqipëri (Shkodër). Së pari vuaj
shpirtërisht për fëmijët e mi. Qysh prej asaj date që jam instalue me banesë në
hotel “Sporti” Shkodër, duke paguar 1200 lekë në muaj. Mbas shumë kërkesash dhe
me ndërhyrjen e trekëndëshit të ndërmarrjes, nuk i kam vënë rëndësi gjendjes
sime, Komiteti Ekzekutiv i qytetit, me gjithë vuajtjet e mija, i kam mbajtur në
mënyrë sekrete, vetëm juve shoku Enver po ua tregoj dhe janë të vërteta.
Familja ime që gjendet në Jugosllavi më dërgoi telegramin më 18.1.1957 ku thotë
që dokumentet e ardhjes i kanë të sakta. Telegramin e familjes shoku Enver, po
ua dërgoj e lexoje vetë. Por unë sot gjendem në gjendje kritike shpirtërore dhe
ekonomike”.
Në
përgjigje të rastit, më 4.7.1957, Komiteti i PPSH-së Shkodër shkruan se i
përmendur ishte arrestuar nga organet e punëve të brendshme dhe ishte dërguar i
internuar në Vlorë. Duke mos u mjaftuar me kaq, ai shkruan një letër më
27.5.1957. Në shënimin e datës 25.7.1957 thuhej se gjendej në fermën “Çlirimi”
në Seman, por ishte dyshuar për tentativë arratisjeje.