Vërtetësi
Agron Tufa: Dy kalorës të vrerosur për “erzin” e vrasëses Diana Çuli
E shtune, 06.03.2021, 06:56 PM
Dy kalorës të vrerosur për “erzin” e vrasëses Diana Çuli
(Fragment
nga introdukta e librit "Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në pasqyrën e
shtypit shqiptar" të autorit Bedri Blloshmi, botim i "Klubi i
poezisë" )
Nga
Agron Tufa
Pas
mbrojtjes së hapur të Beti Njumës (ndonëse krejt të paefektshme), që i bëri
vrasëses së poetëve, nuk munguan në shtyp dhe siluetat pak më të vonuara të hidalgove
të shtypit në mbrojtjen dhimbsurake të Çulit. Ka pasur publikisht mbrojtës të
personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu
ishte koha”, por ka edhe mendje perverse si e një ish-sigurimsi i cili, përmes
një arsyetimi kriminal, këmbëngul në drejtësinë që kishte ai sistem në
pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë (shkrim i botuar në gazetën “Dita”, më
14 mars 2017, me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë).
Mendje të tilla, që guxojnë edhe pas 28 vitesh që ka ndryshuar sistemi, të
këmbëngulin në vrasjen e poetëve, sipas tyre me të drejtë, nuk janë veçse pjesa
publike e djallëzisë për të mbrojtur krimin monstruoz .
Nuk
e kam fjalën për njerëz të prerjeve enveriste, ato dihet, se do t’i mbyllin
sytë me mallkimin e kësaj “prerjeje”.
Më
shqetësojnë hidalgot që relativizojnë çdo rëndësi dhe bien thuajse në të
njëjtat pozita me të tërbuarit e falangave enveriste. Keqardhja është për dy
nga figurat e publicistikës shqiptare, Ardian Vehbiun dhe Mustafa Nanon. Për të
parin, akuza e Tufës është e ekzagjeruar. Dhe pse është e tillë, autori na e
shpjegon kështu: “Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor
dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi
maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që
Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup
armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor ”.
Me
tej Vehbiu pranon, se “Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të
konfirmuar disidencën politike të Lekës”, por analisti nuk pranon se kjo ka
mjaftuar për dhënien e dënimit me vdekje. Vehbiu mendon se për këtë do të duhej
të shprehej ndonjë ekspert me njohuri penale për sistemin e diktaturës dhe e
përfundon relativiziimin e skajshëm të rolit të Diana Çulit në vrasje, me këtë
pasazh: “Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të
shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të
“diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të
pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si
ndëshkim, edhe si sinjal për të tjerët ”.
Përtej
nihilizmave e spekulimeve të këtilla unë e vendos theksin tek
(pa)përgjegjshmëria, kërkimi i ndjesës, përpjekja për t’u shpjeguar e jo për
alibi të pafundme si këto “mbrojtje”, që pse të mos themi, ka shumë mundësi të
jenë të porositura, sa për “t’ia hedhur” edhe njëherë momentit të vështirë.
Sepse, nëse gjithë aktorët e vrasjes fillojmë t’i “amnistojmë” një nga një,
duke e transferuar vazhdimisht pjesën e fajësisë tek dikush tjetër, e pastaj,
të gjithë, t’ia shkarkonin vetëm Enver Hoxhës, atëherë, më thoni, kush qenka
vërtet fajtori? Dihet që fajin nuk e pranon askush. Madje edhe kur poshtë
akteve ka emra me nënshkrime. Po dhe vetë e dini, se në këtë rrugë arsytimi e
shpërrallisjeje përfundojmë në fundin e perspektivës: që fajtor ishte vetëm
njeri: Enver Hoxha.
Pjesëmarrësi
në vrasje, pavarësisht peshës së rolit që ka pasur, quhet vrasës! Doni apo nuk
doni ju. Nuk ka nevojë për asnjë penalist. Sepse asnjë i tillë nuk u bë i
gjallë gjatë gjithë këtyre viteve të postkomunizmit të tejzgjatur. Vrasës,
sipas Kanunit, quhet jo doemos ai, dorësi, por edhe ai që e ndihmon, që e qet
në udhë atë që do të vritet. Dhe Diana Çuli pikërisht këtë bëri: e nxorri në
udhë poetin e pafajshëm Genc Leka, pa arsye, për shkak të disa poezive lirike
për peizazhin, pyllin, pranverën, ciganët, nostalgjinë. Me interpretimin absurd
të lirikave të tij, Çuli e nxorri Lekën në udhë, bash në vendin ku qëndronte
pritësi, vrasësi, me pushkë për faqe e gisht në këmbëz.
Ja
pse më la një shije zhgënjimi arsyetimi i Ardian Vehbiut. Sipas logjikës së tij
diktatura ka shkak vetveten, që duhet ta kërkojmë diku jashtë nesh, e jo brenda
nesh; jo në mendjet e veprimet e zellshme të shërbëtorëve të saj, tullave
parafabrikate në murin e saj.
Duel për nderin e një
vrasësje
Të
tillë mund ta quaj shkrimin e Mustafa Nanos, të cilin nuk e kisha lexuar në
kohën kur e ka shkruar: “duel për nderin e një vrasësje”. Le ta shohim se çfarë
s’ia mbush mendjen Mustafa Nanos dhe se si e shfajëson Diana Çulin ai.
Nano
e quan “fushatë histerike” gjestin tim kundër “Dianës apo Dianave”. Ka parsysh,
me gjasë, replikat e mia të detyruara, më pas. Ç’e shqetëson kaq thellë Nanon,
që më quan “histerik”? Sigurisht gjuha e analistit është këtu pa lidhje
koherente arsyetimi, skizofrenike dhe skizofrenia është një shkallë ekstreme e
histerisë. Nga njëra anë Mustafai minimizon thuajse në një veprim banal
(banaliteti i së keqes, e ka quajtur Hanah Arendt këtë përpjekje të Nanos)
rolin e Diana Çulit në pushkatimin e Lekës, dhe, njëkohësisht, maksimalizon në
ekstrem të drejtën tonë për ta quajtur “vrasëse” shkrimtaren, në bazë të
Akt-Ekspertizës.
Nanos
nuk i duket me peshë argumenti se mendimi i Diana Çulit mbi poezitë do ta ketë
çuar në plumb poetin. Madje Nano e ka zgjedhur fragmentin më të rëndë, sipas
tij, të akuzës: “Autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim;
kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme…, gjë që tregon
se autori ose ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose nuk është i kënaqur
nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është
mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”. Më tej Nano nxiton të
lajmërojë Miletin: “kush ka jetuar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, apo
kush ka njohuri mbi atë diktaturë, e di shumë mirë se askush nuk shkonte në
litar mbi bazën e kësaj analize letrare”. Mirë, po Vincens Prenushi? Po Lazër
Shantoja? Po Trifon Xhagjika? Po Havzi Nela, o Mustafa? Kur nuk lexon, kur
futesh të kullandrisësh punët pa ia patur pikën e haberit, pa hapur asnjë dosje
(zakonisht sëra juaj nuk zbret në arkiva), sigurisht që në cektësi të tilla do
përfundosh. Formulimi i neneve (përzierje nenesh, shpesh për t’i ulur profilin
kundërshtarit) bëhej artificialisht, pa prova, por qëllimi kryesor ishte ai, i
vërteti, rreziku që vjen nga poetët e talentuar që komunizmi nuk i kishte
thyer, nuk i kishte zombifikuar.
Dhe
ne, të shastisur nga ky arsyetim kaq i sipërfaqshëm i themi: “Ore Mustafa, po
ç’prisje ti të bënte më shumë se kaq Diana për një njeri që ishte në zgrip të
greminës? Mjafton një majë gishti, që ta flakje në humnerë! Dhe për çfarë? Të
gjesh simbole armiqësore, nëntekste, tek lirikat e peizazhit, mallit dhe
dashurisë?”. Nuk ka dyshim, se në shkrimin e tij, të porositur miqësisht,
analisti, që niset prore nga premisa të gabuara, ka vendosur ta bëjë “mbrojtjen”,
duke përdorur një metaforë (fushë aspak e tij), atë të “gotës që do dhe një
pikë të derdhet”. Sigurisht, Komiteti i Partisë së Librazhdit dhe Dega e Punëve
të Brendshme e kishin mbushur “gotën” e poetit. E pse duhej, që këtë pikë të
fundit ta lëshonte Diana jote? Pse? Mbrojtës i çuditshëm ky Mustafa Nano...
Thotë se po të isha në vendin e Diana Çulit do të kisha bërë nje mea culpa që
në fillim. Pastaj, Nano, bën një rrethrrotullim dhe këtë pyetje ia bën vetes:
“a do ta kisha bërë unë?”. Dhe përfundon monologun e tij se, për të bërë një
mea culpa duhet “një moral publik i caktuar” dhe, meqë shoqëria nuk e ka një
moral të tillë, një virtyt të tillë, se ajo është një shoqëri që “mezi pret
rastin të presë kokën e falur”, atëherë, sipas Nanos, s’ke pse të kërkosh
falje. Dhe, sipas tij, përftohet mendimi qëndror: Diana Çuli mirë ka bërë që
nuk ka kërkuar falje!
Shokuese!
Por edhe lehtësuese, mendoj unë. Nëse punët qenkan kështu, nëse termometër i
virtyteve dhe moralit qenka vetëm Mustafai dhe ne nuk paskemi të drejtë as të
ngremë gishtin e t’ua themi, së paku, në sy, duke u tundur para fytyrës letrat
që kanë firmosur vetë vrasësit apo pjesëmarrësit në vrasje; meqë nuk jemi në
gjendje të bëjm drejtësi, se piramidën e drejtësisë e kanë zënë po ato vrasës
me bijtë e tyre, që kanë përkrahës edhe në shtyp e TV, atëherë pra, çfarë
mbetet tjetër? Dhe si të sillemi? E vetmja mënyrë, mendoj unë, që përbën edhe
njëfarë lehtësimi, është të veprosh përpikmërisht siç veprova unë: t’u dalësh
ballas me gjeste të hapura, publike, jo kot, por me fakte, me firmat e tyre, me
urnat e hirit të të pushkatuarve, me librat e tyre postumë, me dosjet e tyre që
kullojnë gjak dhe të bësh siç sugjeron Thomas S. Eliot në një varg nga poema
“Waste Land”: “Kam me u kallë tmerrin me një grusht pluhun”. Sepse Mustafai me
shokë, jo vetëm nuk po na ndihmon (nuk na kanë ndihmuar kurrë, në fakt), por po
bëjnë haptazi dhe avokatin e djallit.
Mustafai
me bashkëmendimatarët e tij nuk na lënë asnjë shteg të lirë, nuk na sugjerojnë
asnjë mënyrë sjellje, përveç se ta qepim gojën, të heshtim, e të ndjekim si ai,
- karrierrën marramendëse të vrasësve si Diana - nga shoqatat e gruas e ojq të
tjera, deri në Parlament; të ndjekim se si ajo që mori pjesë në vrasjen e
poetit të ri, të na gjykojë krijimtarinë tonë pambarimisht, në krye të jurive
të ndryshme letrare Kombëtare e Ndërkombëtare (“Ballkanika”, çmimi “Europa”,
etj); të ngrejë gishtin e të caktojë “kush është kush”; të nominohet (se
ç’blasfemi!) për çmimin “Nobel” (Çuli thotë, se akuzat ndaj saj u shfaqën, sapo
emri i saj u propozua nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë për çmimin “Nobel”);
të ketë një emision mbi letërsinë në një Televizion prestigjioz (Ora news) ku
të pagëzojë me lëvdata shkrimtarë servilë, që vdesin për publicitet. Por, të
kishte krijues me vetëdije, kurrë nuk duhet të shkelnin në studion e asaj
vrasësje poetësh. Kjo do të ishte më e pakta. Ajo e ka humbur të drejtën të
gjykojë poetët, aq më keq, të drejtën për t’i vlerësuar ata. Gjyqtarët e kohës
së Mesjetës e kishin zakon, që kur jepnin me shkrim një dënim me vdekje, ata
thyenin majën e penës dhe e flaknin në kosh. Qw ajo penw, tw mos firmoste mw
akte tw tjera dwnimi me vdekje. Për mendimin tim, Diana Çuli duhej ta kishte
thyer “penën” e vet qënë vitin 1977 kur nënshkroi akt-ekspertizën, që rezultoi
fatale për Genc Lekën.
Mustafa
Nano bën çmos ta mbrojë Diana Çulin. Po nga kush? Nga histeria e Agron Tufës!
Çudë, po çudë e madhe! Do të doja ta shihja e të më shihte në sy Mustafai kur e
thotë këtë, sepse shumë gjëra fjalët nuk arrijnë ta transmetojnë.
Dhe
si përpiqet Mustafai ta mbrojë Dianën prej “histerisë” sime? Ai ngre (nuk e di
me sa mundim) një pyetje. Dhe Çfarë pyetje se! Mustafa Nano pyet:
-
“Pastaj, keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën
njëzetvjeçare [kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të
Dianës”?
Dhe,
si të mos jetë i ngopur me herën e parë, e shtron atë sërish, duke i dhënë
nuanca përforcuese:
-
“keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën njëzetvjeçare
[kursivi im] të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës”?
Dhe
ne përgjigjemi: çfarë di ti, Mustafa, për Dianën? Që në formulimin e pyetjes
tënde, ti dëshmon cektësinë, se nuk di asgjë. Sepse jo më kot kam theksuar me
kursiv mosnjohjen tënde të thellë kur thuan “në moshën 20 vjeçare”. Kësaj i ka
mëshuar gjithmonë Diana dhe ti, gjithnjë, priresh t’i besosh asaj. E ja, pra,
se atëbotë, kur Diana nënshkruajti gjithë kënaqësi e përkushtim (cilësorët
“kënaqësi” e “përkushtim” do t’i sqaroj më poshtë) Akt-ekspertizën, ajo, Mustafa,
sidomos nuk ishte 20-vjeçare. E lindur me 13 prill 1951, gjeje tani se sa vjeç
ishte Diana në vitin 1977! A bëjnë 26? Pse priresh t’ia ulësh moshën, duke
mashtruar? Lapsus? Ndoshta, por jo frojdist. Kushedi?
Disa pika mbi “i” për
Dianën, për vrasës të tjerë dhe simahorë të diktaturës
Por
ka dhe më. Meqë Mustafa Nano e merr në mbrojtje vrasësen e poetit Genc Leka,
shpik një “mea culpa”, siç e pohon vetë, për të thënë pastaj, se gjithçka ka
bërë ajo nuk ishte ndonjë big deal, çka do të thotë “mirë ia ka bërë Diana që
nuk kërkoi falje”, ngase ky vend, kjo shoqëri, nuk meriton, nuk është pjekur
për t’i kërkuar falje, dhe si e tillë, kësaj shoqërie s’ke pse t’i kërkosh
falje. E për t’i shkuar gjer në fund, shpik, falsifikon mosha të paqena, duke
synuar minimizimin e domethënies së krimit dhe të drejtën për të mos kërkuar
falje.
Prandaj
nuk është “vetëgënjim” i madh denoncimi i krimeve të komunizmit, siç është i
tillë ai i Dianës. Dhe as rasti më i keq, që sipas Nanos “është një mënyrë për
të mos u marrë kurrë me komunizmin”. Përkundrazi, duke u marrë me vrasësit e
drejtpërdrejtë, me denoncimin publik e me faktë të pjesëmarrësve në krime, po
aq edhe të simahorëve e pasojave të komunizmit si ju, ne bëjmë një hap përpara
nga ndarja me komunizmin dhe me mbeturinat e tij - foljet gjysmëndihmëse, që
ende i shërbejnë. Dhe për këtë, nuk duhet të shkruash shkrime me porosi, por të
kesh një kauzë që rrjedh jo nga paraja, por nga botëkuptimi yt i lirë, i cili
nuk formohet i tillë me mercenarizma e kompromise, me fanatizma e cektësi.
Për
këtë duhet kurajë për të denoncuar, duke e ditur se njerëzit do t’i kesh kundër
sipas postulatit “e vërteta ka çmim të hidhur dhe bën shumë armiq”.
Tani
do shpjegoj edhe dy cilësorët “kënaqësi” dhe “përkushtim”, që përmenda më lart.
Të dy kanë lidhje me Diana Çulin. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin krejt të
kundërt me cektësinë e Mustafa Nanos – që, shkrimtarja Diana Çuli, 26 vjeçare
(jo 20 vjeçare!), redaktore e gazetës “Drita”, harton dhe firmos një
Akt-ekspertizë, qëllimisht përkeqësuese ndaj poetit Genc Leka në vitin 1977,
dhe se kjo Akt-ekspertizë rezultoi “gozhda e fundit” në arkivolin e poetit të
ri. Këtë e kuptojmë kur i refuzohet apelimi për falje dhe ku në motivimin e
dënimit të tij janë përfshirë komentimet negative të poezive të tij, të bëra
nga Diana Çuli.
Unë
kam bindjen time se komentet negative të poezive në Akt-skspertizë, Diana Çuli
i ka bërë “me kënaqësi” dhe “përkushtim”. Pse mendoj kështu?
Së
pari, sepse Diana Çuli i shpjegon kundërnatyrshëm poezitë. Shpik simbole e nëntekstë
armiqësore (politike) në lirikat intime e të peisazhit.
Së
dyti, të gjithë e dinin asokohe, sidomos ata që punonin në Lidhjen e
Shkrimtarëve dhe Artistëve apo në SH.B “Naim Frashëri”, që po ta kërkoi
recensionin e një dorëshkrimi (poezi, tregim, novelë, roman, dramë, ditar, etj)
jo redaktori apo shefi i redaksisë, por një hetues ose operativ i Sigurimit,
ishte e qartë që autorin e dorëshkrimit e kanë arrestuar, duan ta dënojnë ose
me vite të gjata, ose me pushkatim.
Së
treti, (dhe më e rëndësishmja, tek e cila do të ndalem më gjatë), është babai i
Diana Çulit, asokohe Kryetar i Drejtorisë së Tretë (III) në MPB, i Drejtorisë
së Hetuesisë për gjithë Republikën, nga viti 1970 deri në vitin 1982.
I
ati i Dianës, Jorgo Çuli, ish-kamarier, anëtar i PKSH që me 2. 8. 1944,
partizan i orëve të fundit, fap, bëhet persekutor. Jorgo Çuli ka hyrë në
Sigurimin e shtetit në janar 1951. Ka qenë Drejtor kufiri i ndjekjes nga 12. 1.
1957 deri me 1.2. 1967. Prej këtij viti e deri me 15. 3. 1970 ka qenë N/kryetar
i Degës së Punëve të Brendshme Durrës. Ndërkohë, me vendimin nr. 119, datë 2.8.
1969 të Këshillit të Ministrave, oficeri i sigurimit Jorgo Çuli shkarkohet nga
funksioni i Kryetarit të Komisionit Shqiptaro-Jugosllav, për arsye transferimi.
Tani
le të arsyetojmë: kur hetuesi i poetit Genc Leka (të pushkatuar me vonë) Selim
Caka nga DPB e Librazhdit, i kërkon redaktores së gazetës “Drita”, Diana Çulit
26-vjeçare për të bërë Akt-ekspertizën e poezive të një poeti reaksionar, si
mendoni ju, qëndron ajo që ka deklaruar Çuli ne “Top Story”, se po të mos
pranoja ata me prishnin karrierën? Dhe kush ia prishte karrierën? Një hetues
nga Librazhdi, që ishte një ndër vartësit e dorës së tretë a të katërt të
babait të saj!? A nuk mund t’i thoshte e bija në mbrëmbje, për shembull: “Baba,
një nga vartësit e tu, një hetues nga Librazhdi, erdhi sot në redaksi dhe më
kërkoi të bëja një Akt-ekspertizë të poezive të një poeti, të cilin, me sa
duket, do ta dënojnë. Të lutem babi, ma hiq qafe atë, sa më parë!" Dhe
mjaftonte kaq, madje një lëvizje dore, sikur të dëbonte një mizë, dhe hetusi
Selim Caka nga provinca e humbur e Librazhdit të shkonte në esfel! Shkurt,
mjaftonte një telefonatë: “ma leni rehat vajzën, se ju piu e zeza!”.
Për
më tepër, Diana, përveç të atit, që ishte kryeshefi i Sigurimit për gjithë
Republikën, ishte dhe e mbesa e Sofokli Lazrit, ish anëtarit të KQ të PPSH!
Kush mund t’ia prishte asaj karrierën, apo makar ta frikësonte!? Por jo,
Mustafa e ju, gjithë mustafenjtë! E vërteta është se Diana e ka bërë me
kënaqësi dhe përkushtim atë Akt-ekspertizë, nga që, njëmend ka qenë e brumosur
që nga familja me urrejtjen për “armiqtë e pushtetit popullor”, për “klasat e
përmbysura”, “kulakët”. Madje, në vijimësi të urrejtjes për "armiqtë e popullit
e partisë", Diana Çuli shkruajti e botoi romanin me temë sigurimi e
hetuesie "Zëri i largët", e cili fill shërbeu si frymëzim dhe bazë
për filmin "Hije që mbeten pas", e që skenariste është bash Diana
Çuli - një gjë shëmtuar. Sado të grijë lloqe Mustafa Nano dhe gjithë
mustafenjtë e tjerë...