Vërtetësi
Kastriot Dervishi: “Botëkuptimi marksist-leninist” i Rexhep Qosjes dhe disa të vërteta
E diele, 18.07.2021, 07:49 PM
“Botëkuptimi marksist-leninist” i Rexhep Qosjes dhe disa të vërteta
Nga
Kastriot Dervishi
Kohët
e fundit, Rexhep Qosja, në një “studim” të tij, vlerësoi se një prej
terroristëve më të mëdhenj që ka parë Shqipëria, Enver Hoxha, ishte njeri “i
shquar” e me kontribute, baras me Skënderbeun. Por vetë Qosja dikur,
pavarësisht se enverist në bindje shihej me dyshim nga regjimi komunist i
E.Hoxhës, sepse ky gjithë shqiptarët e Kosovës i kishte të dyshuar. Regjimi i
E.Hoxhës kultivoi antikosovarizmin në shoqëri. Shqiptarët e Kosovës tregoheshin
me gisht si të “pabesë”, të “poshtër”, etj. Një politikë të tillë nuk do
zhvillohej kaq mirë nga cilido pushtues të ishte këtu. Vetë Rexhep Qosja që
adhuron regjimin e Enverit ishte në vëmendje të organeve të tij në vitet
1974-1981.
Më
20.12.1974 Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit merrte vendimin për marrjen
në përpunim në Rexhep Shaban Qosjes, lindur më 25.6.1936 në Vuthaj, banues në
Prishtinë, kritik letrar, drejtor i Instituti Albanologjik. Ai konsiderohej “pro titist, kërkon të futë
të renë në art, është ambicioz dhe mendjemadh”, “kundërshton pikëpamjet tona
për periodizimin e letërsisë, mohon sidomos letërsinë e periudhës së luftës dhe
mbas luftës nacionalçlirimtare të popullit tonë. Kërkon të bëjë një diversion
në letërsinë shqipe, duke ndarë atë të Kosovës nga e jona”, “mban qëndrim
denigrues ndaj letërsisë shqipe”, “bën përpjekje për të diskredituar metodën
tonë të realizmit socialist”, “mundohet të bëjë për vete një pjesë të
inteligjencies kosovare”, etj. Në çeljen e përpunimit theksohej se Rexhepi
ishte “kuadër i rëndësishëm” dhe për këtë synohej për të “zbuluar dhe
parandaluar aktivitetin e tij armiqësor kundër vendit tonë në fushën e
letërsisë dhe artit”. Në drejtim të përpunimit të titistit R.Qosja u përpiluan
disa plane.
Rexhep
Qosja qëndroi në Shqipëri më 6 – 28 janar 1970. Në relacionin rreth kësaj
vizite, ndër të tjera thuhej: “Ai pranon se në studimet e tij ka mjaft
naivitete dhe mendime që mund të rrëzohen, por vë në dukje se qëllimi i tij ka
qenë gjithnjë i mirë: të nxjerrë në pah traditat e letërsisë sonë të së
kaluarës dhe të pohojë forcën krijuese artistike të popullit shqiptar në ditët
e sotme. Në studimet e tij dhe në takime me shokë të ndryshëm, ai ripohoi se
“s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist – leninist” se do të mundohet të
zbatojë metodologjinë marksiste – leniniste, pavarësisht se sa ia arrin kësaj
gjëje”.
Për
herë të dytë ai erdhi me rastin e kongresit të gjuhës në vitin 1972 dhe për
herë të tretë qëndroi më 2-10 qershor 1974.
Gjatë
qëndrimit në Tiranë (në vitin 1978) ai ndiqej me nofkën “Gjethi”. Qëndrimi ndaj
Qosjes ndryshoi më 30.11.1981, kur ai u ul nga përpunimi 2A në kontroll
operativ 2B. Gjithsesi dyshimi vazhdoi se ishte kosovar.