Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 1957/Shqiptarët e Kosovës i vunë të punonin fshesaxhinj në Fier
E hene, 19.07.2021, 06:36 PM
1957/Shqiptarët e Kosovës i vunë të punonin fshesaxhinj në Fier
Nga
Kastriot Dervishi
Shqiptarët
e Kosovës që vinin në Shqipëri, regjimi antikombëtar i E.Hoxhës i cilësonte
“emigrantë jugosllavë”. Ai i vendoste ata kryesisht në ferma, në kushte
internimi, duke i denigruar kohë pas kohe. Mjafton të shohësh letrat që ata
kanë nisur për të kuptuar trajtimin e keq dhe zhgënjimin e thellë që ata
pësonin në Shqipëri. Pasi i lanë pa bukë, e mjete të tjera, tre shqiptarë të
Kosovës të ardhur në vitin 1956 i dërguan të punonin si fshesaxhinj.
Jashar
Dacaj, Bardhyl Kelmendi dhe Ibish Kelmendi (i cili më vonë edhe u burgos),
shkruanin Enver Hoxhës një letër të përbashkët (pa datë), e cila protokollohet
në Komitetin Qendror më 5.1.1957. Kishin ardhur në Shqipëri më 30.8.1956. Ata
kërkonin një punë normale ndërsa theksonin se kishin bërë kërkesë për marrjen e
shtetësisë. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Administrative, Vilson Pecani shkruan
se këta kishin “shumë pretendime” se donin të punonin në administratë (një gjë
e tillë nuk del nga letra). Midis të tjerash shkruajnë:
“Kemi
qenë në fermën e Llakatundit ku kemi punue punë krahu pa bë za me gjithë që për
të parën herë punojmë fizikisht. Nuk e kemi përbuzë punën, kemi punue sa kemi
mujtë thotë një proverb popullor. Me urdhrin e ministrisë jemi transferuar te
miqtë. Ne gjendemi te një mik i yni në Fier. Ushqehemi, flemë, na shërben me
çdo mjet që na nevojitet, pa të cilin nuk mundemi... Po ke një njeri jo i pasur
murator, pa tokë, i cili tash nuk punon mbasi s’ka punë. Kurse ai nuk është në
gjendje të mbajë familjet e vet e ku do të jenë me shpenzimet tona. Kemi ndejtë
pa punë një muaj e sa ditë kërkuam punë në komitetin e partisë dhe komitetin
ekzekutiv në Fier. Na është thënë se si shtetas të huaj nuk mund të marrim
asnjë punë zyrtare përveçse punës fizike. Kjo gjë na çuditi. Na u tha se duhet
të na mbajë ai që na ka strehuar me çdo shërbim, por ju cekeni punën e tij se
si qëndron ekonomikisht. Mbas sa ditëve na është dhënë puna fizike në
ndërmarrjen lokale të qytetit ku punojmë nëpër rrugët e qytetit me gjithë që
kemi dhënë një pamje jo të mirë pasi njerëzit flisnin: “Si emigrantët me fshesë
dhe karro të vogël nëpër rrugët e qytetit?! Megjithatë kemi punë dhe me
vullnet. Për shkak të stinës së dimrit tash e tutje punë nuk ka kjo ndërmarrje.
Bien pyetja se ku do të punojmë neve dhe si do të ushqehemi, vishemi dhe
mbathemi mbasi këtu nuk na japin tjetër punë, duke na thënë se nuk keni të
drejtë”.