E diele, 19.09.2021, 10:27 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Divjaka për t’u riparë

E diele, 04.07.2021, 08:43 PM


DIVJAKA PËR T’U RIPARË

Nga Pëllumb Gorica

Udhëtimet gjithnjë ngjallin kureshtje me misteret e madhështisë së Natyrës. Krejt natyrshëm të mbështjellin brenda vetes me asisoj emocionesh, të cilat secili nga ne i ruan së brendshmi si diçka të shenjtë. Për më tepër magjia e së bukurës së përjetuar, në shikimin e natyrës dhe fragmente të jetës, çdoherë është interesante veç të “fluturon” t’i shijosh këndshëm.

* * *

Teksa makina jonë rrëshket mes për mes fushës së gjelbëruar drejt Divjakës, drita e mëngjesit ndjehej mrekullisht bukur në shoqërinë e bashkudhëtarëve të këndshëm. Një ditë plotë diell e dekoruar me disa re të bardha që lëviznin kuturu, pikërisht ashtu siç mendon e dëshiron të jenë ditë të tilla. Hera-herës rruga është e drejtë dhe me shumë degëzime që përhapen fushës, si një kryevepër arti e rikonstruktuar nga koha. Përtej xhamit të makinës, të çmbështillen tabelat e shkruara. Jo aq larg prej aty të ftojnë pikëlat e bardha të vendbanimeve. Dikur ishin vende internimi për “armiqtë e popullit”. Ecën, ashtu, pa thënë asnjë fjalë (siç largohesh më tej), për të shpëtuar një psherëtimë dhimbjeje, kur të bëhet se dëgjon ofshamat rënkimtare të shpirtërave të vuajtur. Po mendja futet më thellë në muzgun e shekujve të shkuar, të kësaj treve, të pasur me histori të lashtë, me ngulmime të hershme, gjetje arkeologjike dhe ngjarje historike. Ja, në anë rruge Çerma Ciflig (e trasformuar në Çermë-Shkumbin). Ndërsa në krah Sulzotaj i freskuar nga lumi Shkumbin, që gjarpëronte drejt detit Adriatik. Këtu si skelet i ndonjë dinosauri, të shfaqen dy këmbëzat e një ure të lashtë, të degëzimit të rrugës antike Egnatia, ndërtuar gjatë periudhës romake. Diku lart, aty ku fillojnë kodrat e Karatoprakut, është Bishtëçukasi. Nga Luc Apusti dimë se përgjatë luftës së dytë iliro-romake këtu është ndërtuar një kështjellë, e cila u shndërrua në një qytezë.

Teksa shihje njerëzit të shpërndarë arave, serave, vreshtave e pemëtoreve, sipas ritmit të punës me veglat e punës në duar, duke iu përkushtuar me trup e shpirt, e aty-këtu tezgat buzë rrugës me prodhime bujqësore, pak e nga pak biseda jonë hyri në hullinë e përditshmërisë këtu, që janë edhe mjeti i të mirave të banorëve. Toka e Divjakës është e njohur jo vetëm për drithërat, por edhe për prodhimtari perimesh: qepë, sallata, shalqi, speca, domate, pjepër, aq të kërkuara dhe mirëpritura nga tregu. I mrekulluar nga gjelbërimi freskia e bukurive dhe pasurive të natyrës mendon me vete diçka prej shkrimtarit rus Çehov, i cili pak a shumë thoshte: se njeriut i duhen jo tre kut tokë, as dhe një çiflig, po e gjithë bota, gjithë natyra, në hapësirat e së cilës ai mund të zhvillojë dhe duhet të shfaqë vetitë e shpirtit të tij të lirë.

I afrohemi Divjakës, që ngrihet tërë dinjitet. Një dorë e bukur e ka përkëdhel, të ndërtojë fizionominë e vet, duke punuar figurativisht dhe ekonomikisht. Megjithëse asgjë nuk e ka të përsosur në atë mozaik stilesh e rrëmujë ndërtimesh, hapsirat e saj e mbushur plotë dritë, të mirëmbajtura, me ndriçim, të shtruara me asfalt, trotuare me pemë dekorative, kosha plehërash, ku binte në sy pastëria dhe rregulli prej projekteve urbane, është shumë larg të qënit një qytet i zhvilluar.

Divjaka (Dyvjaka), nuk është emërtim sllav “Mollë e egër” e as dy vija uji prrenjësh, veç pikëbashkimi i dy degëve të “Egnatias” Dy Viat-Dy Rrugët-Due Vie, të asaj që vinte nga Apolonia (degëzim i Egnatias) me atë të Durrësit. Një hamendje tjetër thotë se Divjaka është emër Norman, një trajtë e devijuar në shqip i emrit Divi-Diall; sepse lumi Devoll kalonte këtu dhe mbathte fushën me aluvione.

Përtej Divjakës marrim rrugën Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta, që të përpin dhe të bën të biesh në dashuri me ‘të. Shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 4200 ha; veçohet si një nga parqet më të bukur (jo vetëm në Shqipëri), duke u bërë një vend çlodhës për çdokënd që e shkel. Sa më i bukur dhe një natyrë të rrallë me të gjithë elementët e vet të jetë një park, aq edhe më shumë nga këto tipare do të kemi ne si njerez, ndërsa nëse shkatërrohet, aq më të zymtë do të jemi së brendshmi në shpirt.

Ndalesën e parë e bëjmë atje, ku çdo vizitor adhuron topografinë e pyllit. Herë pas here gjen diçka tërheqëse, që të bën të hulumtosh me qetësi dhe dëshirë, çdo detaj që të përfshin të tërin; të shkrihesh në gjelbërimin e tij dhe fenomenet, që të kuptosh më shumë atë. Heshtja përhapej e mbështillte gjithçka, duke lënë të dëgjohen hapat me një gëzim të papërshkruar të ndjesisë së qetësisë. Tashmë është vapë e megjithatë ajri, që dukej i shenjtëruar, i bënte drurët dhe gjethet të shushurijnë, teksa fërkohen në degët e dendura e të kapërthyera me njëra-tjetrën. Rrugëzat e ngushta nderen si gishta natyrale të krijuara nga shkeljet e kalimtarëve prej vitesh të tëra. U çapitëm me nge, përmes një udhëze, duke hedhur vështrimin sa andej këtej, si të endur prej grimcash pluhuri rrezëllitës. Dëgjojmë fëshfërimën kërcitëse të halave e më tej sikur dikush shkel mbi bar. Sërish nisëm të shikonim rreth e rrotull dhe më në fund ndaluam te një pishë e madhe. Një lepur (sikur shëtitje të kishte dalë) kaloi vetëtimthi afër dhe iku larg. Ca shpendë fluturojnë mbi kokat tona, të pashqetësuar nga prania njerëzore, duke ndjekur njëri-tjetrin me potere (sa kënga e tyre dëgjohet si melodi e dallgëve të detit, që më bëri të ngre kokën). E përkëdhel veten nga fëshfërima e tyre e të vjen ndërmend periudha, kur këtu mezi shihej ndonjë zog çafke apo karabullak i trembur pas kallamishteve e degëve të pemëve dhe tashmë vështron gjithfarë shpendësh, si rosat, bajzat, dallëndyshet krahëzeza të detit, pelikanët kaçurrel etj, me tufa të mëdha, që vijnë prej largësive në Pranverë dhe ikin në Vjeshtë. Moratoriumi i gjuetisë i ka shpëtuar nga zhdukja, duke u krijuar qetësinë e “ringjalljes” së tyre, sa mrekullohemi me të vërtetë prej shpendëve dhe kafshëve që e popullojnë. Çmenduria e vitit të mprapsht të 1997-ës, dëmtoi peizazhin natyror të saj, me gjueti të paligjshme shpendësh e peshqish. Tashmë kushtohet kujdes, duke i mbrojtur nga prerjet, djegiet dhe zvogëluar nivelin e ndotjes, që linte vend për të dëshiruar, nga grumbuj plehrash, midis të cilave edhe plot shishe të thyera. Vjen pushuesi e kundron pyllin këndshëm, ulet të drekojë me ushqime me vete, birra, raki e coca-cola e mbasandej i le mbeturinat aty.

Nga larg vinin zëra njerëzish, blegërima bagëtish dhe zukatja e pandërprerë e gjinkallave. Ca më tutje një tufë kuajsh që ecnin zdrënkthi, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Dëgjon zhurmat e pyllit me misteret e tij e të duket sikur sheh filmin e bukur artistik shqiptar “Pylli i lirisë”, sipas tregimit të shkrimtarit Naun Prifti. Restorantet gumëzhinin nga njerëz dhe të qeshurat e tyre. Gatimet tradicionale (peshku, ngjala e karkaleca), të ftojnë për t’i provuar në shoqërinë e një gote vere për emocionet e shpirtit, në qetësinë e paqtë e të gjelbërt. Lokali “Ali Kali” qe ngritur midis drurëve të gjelbër. Në sfondin e tij ishte skalitur një kalë i bardhë, që kur e shihje nga afër dukej si ato kartolinat e bukura.Ndërsa brenda restorantit është krijuar një muze arkeologjik, historik dhe etnografik, i mbledhur me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit.

Tej, një urë e drunjtë, si ormanent i domosdoshëm, duke krijuar imazhin e filmave në Amazonë. Sheh gjurmë gdhendjesh me simbole në stola dhe pemë. Varkat dalin nga një vend kallamishtesh dy e nga tre dhe vozisin moçalishteve, me plot peshq, bretkoca e mushkonja përgjatë shtegut fantastik prej 2.7 km. Me sytë ngulur pyllit dhe ujit të errët, që llokoçitej brigjeve të gërryera nga rrënjët e dala përballemi me krijesa ujore e shpendë. Bretkosat “kakuisin” në natyrshmërinë e tyre. Sado larg të kesh shkuar prej këtej arrin afër ishullit të pelikanit, t’i shohësh se si zbardhin në ajër aq vetitës. Mbase ke dëshirë të rrish më gjatë atje.

Ja, më tej një tufë me buaj, këto simbole të kafshëve të fuqishme për parmendë e qerre në Myzeqenë e përbaltur, që të ngjallin Mitin e Sizifit me atë tërheqje të stërmundimshme. Janë mbi dy metra të lartë, të zinj pis si nata, me kokë të madhe dhe të fortë e brirë të trashë, me qafën e muskujve të tendosur, bishtin e ngritur si çomangë, nga buzët u kullonin jargë. Ato pëllitën, sa i trembën flamingot, këto shpendë balerina që kanë shtegtuar nga Afrika dhe kanë qëndruar në Godullën e Ushtarit, në jug të lagunës së Karavastasë. Kolonia e tyre, deri 400 flamingo sqepverdha, mbushin brigjet e qeta, i japin lagunave në çdo çast një magji të parezistueshme.

Shkojmë aty ku është qëndra e vizitorëve për t’u njohur me vlerat e Parkut Kombëtar Divjakë - Karavasta", por edhe për ta vizituar nga afër, duke dëgjuar cicërima zogjsh dhe jo “krra-krra” të thashethemeve ndër tavolina. Ulemi në stolin natyral ku dikur pushoi albanologu i njohur Robert Elsie. Zëra të qeshur dëgjon pak më tutje. Dhjetë hapa para nesh cërriste me një tingëllim të veçantë, një pelikan i bukur e sqimatar. Kthej vështrimin drejt tij, duke u orvatur t’i afrohem. Pelikani të grishte me ojnat teksa endej sa andek-këndej.

Me të vërtetë të dhuron një ndjesi prej tjetër bote, qendra e vizitorëve, që tregon punën e kujdesshme shkencore nga njerëz të përkushtuar, të parkut dhe zonave të mbrojtura të tij. Shpjegimi, zëri i butë i Adrianit, duke ecur në hapsirat e saj, të rrëmbente me të veçantat e të fshehtat.

Në Divjakë një kullë panoramike ka sfiduar pyllin, me dhjetë katet dhe spiralet e shkallëve. Qëndron për një farë kohe në majë të kullës me qasjen vëzhguese trigonometrike të natyrës, aq sa krijon një film me metrazh të shkurtër, ku mizanskenat dhe detajet variojnë këndshëm, duke ndjerë kënaqësi hyjnore që të gurgullon shpirtin. Fotografon dalëngadalë natyrën, duke u zhytur në botën e magjishme të ngjyrave, ashtu si peneli i piktorit që fantazitë i kthen në vepra arti.

Vështrimi mbetet, deri atje ku shtrihej fusha e parceluar, që dikur gjatë vërshimit dhe përmbytjeve të lumit Shkumbin kthehej në kënetë e kërdinë bënte malarja dhe lagështira e cila brente deri në kockë banorët. Më tej shtrihej Kulari, një emër i deformuar që vjen nga latinishtja Kulevi (gjarpëri). Pranë Kularit ndodhet pylli i Pogorrës, me plepa të butë, shelgje dhe dru të tjera, si vidh, shkozë, thanë, mollë të egra e shkurre. Nëpër kohë nga vendasit njihet si pylli midis dy lumenjve, sepse dikur shtrihej midis dy degëve të lumit Shkumbin. Fillesat e tij Kulari duhet t’i ketë rreth vitit 1700, me të ardhur nga Kosova (për hasmëri), por edhe nga Voskopoja pas djegies së parë të saj, kur ata në Myzeqe gjetën qetësi. Shtëpitë kanë qënë primitive, me kallama e kashtë (tjegullat e tullat u futën vonë, pas vitit 1945). Nga përmbytjet, në mesin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar banorët i shpërngulën në Divjakë.

Tregohet se në Kular në vitin 1938 u vendos si i mbijetuar i një furtune detare, nga një anije studimore për florën dhe faunën, një biolog gjerman, i quajtur Franc Trosher, i cili qëndroi si mik i familjeve që e ndihmuan. Për ‘të tregohen mjaft histori dhe mistere. Ai, si biolog, ndihmoi banorët për mjekimin e kafshëve dhe shpendëve. Pikturat që realizoi në Divjakë i niste në Elbasan te një kishë katolike, të cilat u botuan në një libër më vete. Ato kishin mesazhe interesante për zbuluesit gjerman.

Disa ditë para se të pushtohej Shqipëria nga fashizmi u largua për t’u kthyer sërish në shtator të vitit 1943, i veshur ushtarak, që të vazhdonte misionin e tij zbulues. U kap mbas luftës në Peqin me dokumenta shqiptare, por u arrestua nga sigurimi i shtetit shqiptar, sepse ishte kryeagjent i shërbimeve gjermane për Ballkanin, për të cilin ndërhyjnë ato Përendimore për ta marrë, por thuhet se shërbimet e BRSS-së e shkëmbyen me njërëzit e tyre të kapur.

Përtej shtratit të lumit Shkumbin, ngrihen muret e Kalasë së Bashtovës të ndërtuar në vitet 1444-1446.. Kalaja ka formë katër këndore me dimesione 60 x 90 m dhe shërbente si vend magazinimi i drithit, që merrnin mallin e vendasve, të cilin e çonin në tregjet e Italisë së asaj kohe, ku princat arbërorë mbanin marëdhënie tregtare me Venetikun, mbretërit e Napolit dhe Vatikanin.

Pamja e detit Adriatik deri tej në horizont, që dukej i bashkuar me qiellin, të jepte aq shumë kënaqësi, nga dumat prej rëre të imët, nga jonet e jodit dhe të rrëshirës. Me vlerat e mëdha kurative të rërës e bëjnë vend ideal për të pushuar. Rripa toke sikur e thyejnë sheshtirën e bregut, që është larguar aq shumë nga pjesa e plazhit. Ve dylbitë në sy. Në pasqyrimin e tyre sheh qiellin e kaltër, brigjet e detit të qetë, sa duken ujërat e pastra, si një telajo pikture. E përqëndron vështrimin thellë në det se mos dalloja ndonjë anije që lundronte afër. Ndërsa mbi qiell fluturoi gjithë zhurmë e madhështi një aeroplan, që u tret shpejt në horizont. Veç një tufë e madhe zogjsh vërtitej sa andej-këtej.

Karavastaja (nëse duhet të flasim pak për ‘të), të ngjan si ndonjë zanë e porsa dalë nga këneta. Në zhvillimet ekonomike dhe historike ishte pjesë e “drejtëzës”: Manastir i Pojanit, Ardenicës, Kala të Boshtovës, Durrahut etj. Gjashtë kishat kanë hershmërinë e tyre, të stilit bizantin, që “shikonin” njëra-tjetrën dhe “lajmëronin” ngjalljen e Krishtit me qirinj të ndezur në Pashkë.

Më tej Bedati, vend i përmendur në antikitet nga poeti romak Lukiani, që tregon rrugëtimin e Jul Çezarit gjatë luftës kundër forcave romake të Pompeut në vitin 48 para lindjes së Krishtit. Nga limani i Apsusit, Jul Çezari i veshur si skllav, mori një anije për t’u hedhur në Itali, të tërhiqte forca të tjera, të cilat i kishte grumbulluar Mark Antoni.

* * *

Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta”, është një lloj mrekullie, si një pikturë madhështore. Zoti vetë e krijoi me dashuri dhe e bekoi me ujëra e gjelbërim të përjetshëm, si një nuse misterioze. Ne, sikur dasmorët, i gëzohemi bukurisë së saj. Do të kthehemi përsëri për ta parë nurin që marrin nuset në stinët e tjera.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora