Kulturë
Albert Zholi: Larg huazimeve, të kthehemi te kënga jonë e bukur popullore
E diele, 30.05.2021, 02:55 PM
Larg huazimeve, të kthehemi te kënga jonë e bukur popullore
Nga
Albert Z. ZHOLI
Situata
Covid-19 i ka mbërthyer në krizë këngëtarët, edhe pse ata vazhdojnë të krijojnë
dhe të përcjellin në internet këngët e tyre të reja. Por kjo nuk mjafton. Atyre
u mungon aktiviteti i gjallë, takimet me fansat, atmosfera e mbrëmjeve me
këngë, spektaklet, sheshet e mëdha, dasmat, aktivitetet e zhurmëshme. Duket se
muzika shqiptare është në krizë. Por kriza duhet kërkuar gjetiu…Te huazimet,
tallavatë, këngët pa tekste, tekste me dy fjalë, apo tekste pa poezi. Fillimet e demokracisë
sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku s’u dihej fillimi dhe sot s’ka se
si të dihet fundi. Filluan lloj- lloj rrymash të panjohura muzike (këngësh) që
më parë nuk ekzistonin (dhe shumë mirë që dolën në dritë), por u shtua në
progresion gjeomterik numri i këngëtarëve anonimë! Perfeksionimi i metodave të
orkestrimit dhe përmirësimit të zërit në regjistrim, bënë që edhe gjithkush që
kishte një dorë lekë, dhe pak zë që të dëgjohej deri tek shkallët e pallatit,
të mirrte në dorë mikrofonin dhe të
drejtohej në shtëpitë diskografike duke dhënë urdhër: “Dua të bëj një Album!”
(klip). Tregu u mbush me kaseta, disqe apo dhe videoklipe nga më të paparat dhe
më të padëgjuarat, saqë për një dhjetëvjeçar, Shqipëria u rendit ndër vendet e
para në Evropë për numrin e këngëtarëve por edhe të disqeve në treg. Edhe
dëgjuesi, njeriu, klienti i dëshiruar
pas muzikës së mirëfilltë shqiptare, e humbi orientimin në këtë zallamahi të
panumërt këngëtarësh dhe disqesh, sa dukej se ishe në tregun amerikan të muzikës
dhe jo në Shqipërinë me banorë sa një lagje e New York-ut. Për mëse një dekadë
këngët me muzikë shqiptare u strukën nga “frika” e tallavasë, apo muzikës së
huaj të adoptuar me tekste shqip. Dëgjoje dhe dëgjon këngë me muzikë greke,
rumune, italiane, por me teskte shqip! Por mbingopja e tregut, lufta e heshtur mes shtëpive diskografike për
mbisundim duke luajtur në kurriz të muzikës shqiptare, duket se tejkaloi
parashikimet e tyre por sidomos të dëgjuesit, pasi më nuk mund të luhej me
kartën e viteve të para të demokracisë, ku etja për çdo gjë të huaj kishte
pushtuar çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Koha bëri të vetën. Muzika
shqiptare duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Dhe vërtet, pesë vitet e fundit,
në shumë lokale, dasma, evente muzikore, koncerte etj…dëgjohet muzikë shqiptare
dhe vetëm shqiptare. Veshët na u rehatuan, muzika jonë popullore sikur u kthye
nga mërgimi, kthesa në muzikë në emër të muzikës autoktone, mori vendin që i
takon…
Përparësi merr imituesi,
jo këngëtari i vërtetë
Një
fenomen po aq i shëmtuar sa dhe plagjiatura e huaj, një fenomen që po humb
ndjesinë, kontaktin e drejtpërderejtë, seriozitetin, konkurencën e
drejtpërdrejtë, që s’dallon profesionistin nga amatorin, që të lë pa mend nga
gafat në skenë apo në emisione…Pra lindën fenomene të tjera si: superpozim, apo ‘playback’. Në disa spektakle
mbizotërojnë këto lloj instrumente të regjistrimit apo të paraqitjes së këngës,
ku këngëtari në skenë ngjan më shumë si një “klloun cirku”, se sa si një
këngëtar. Kjo mënyrë konkurimi në spekakle të tilla, ka humbur vërtetësinë e
zërit, ka humbur zërin e drejtpërdrejtë, ka humbur komunikimin real me
publikun, ka humbur ndjesinë e vërtetë që të jep kënga, emocionin me ngjyrën e
ëmbël të muzikës shqiptare. Pra kur dëgjon apo mer pjesë në evente të tilla ku
këndohet me superpozim, apo ‘playback’,
është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me qumësht pluhur të servirur
për djathë safi Gjirokastre, apo domaten e serave, për domate të fushës. Këtu
krahasimet mund të bëhen pafund. Pra këto lloj aktivitetesh të rëndësishme të
muzikës shqiptare, përveçse përcjellin një komercionalizëm absolut, kurrsesi
s’mund të thuash se sjellin një risi në këngën apo muzikën shqiptare. E vërteta
është, se në këto manifeste të muzikës sonë të bukur nuk ka një këngëtar të
skenës shqiptare (që merr pjesë), i/e cili/cila nuk ka pasur rastin të këndojë
me superpozim dhe të mos përcjellë tek dëgjuesi të kundërtën e asaj çka përmban kënga, teksti, muzika në tërësi
si magji e qetësimit shpirtëror. Shikon skena gjigande fosforeshente, me drita
verbuese, me hapësira boshe, por vetëm orkestër nuk shikon. Pra çdo gjë duket
një falsitet, e stisur, jo origjinale, jo organike si OMGJ. Shikon këngëtar/e
që i vijnë rrotull skenës, bëjnë lëvizje akrobatike që do t’ia kishte zilinë
çdo akrobat profesionist, kërcejnë si valltarë kualitativë, harxhojnë shumë
energji, por një gjë nuk bëjnë: nuk këndojnë! Nuk nxjerin zë, atë zë për të
cilin shkojnë në skenë. Më shumë duken në skenë si valltarë, akrobatë,
pjesmarrës në sfilatë, si dancist, si top model/e, por kurrsesi si këngëtar.
Zëri i drejtpërdrejtë është ai që të mbush, të emocionon, të ngjeth mishtë, të
motivon, të sjell pranë skenës, duke lënë çdo punë. Pa këtë zë real, të
drejtpërdrejtë jetësor, plot nuanaca që del nga thellësia e shpirtit, pa
improvizim, pa falsitete ka nevojë dëgjuesi i sotëm i këngës së bukur
shqiptare. Pra superpozimi e ka ktheyr këngën nga një magji, në një gënjeshtër.
E ka kthyer në një arenë që mund të futet kushdo dhe të konkurojë. Kënga
shqiptare nuk e meriton një çmim të tillë. Kënga është poezi, është histori,
është qetësi shpirtërore, është energji për të parë më së miri të vërtetën. Me
këto lloj aktivitetesh ajo po shterpëzon dhe humb elegancën e të qenit
vetvetja.
Tekstet e këngëve
Dhe
ajo që i çon më tej falsitetet e superpozimit, apo ‘playback’-ut është dhe
teksti i këngëve. Eshtë bërë e modës që në evente të tilla të gjitha meritat i
marrin këngëtarët. Ata paraqiten edhe si kompozitorë dhe si autorë tekstesh. Në
një këngë, ai që vendoset e/ i fundit është këngëtari, por ai merr 90 përqind
të suksesit. Në gjithë vitet e demokracisë, duhet thënë me keqardhje se,
autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare. Ata lihen në hije si jabanxhinj,
si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i
suksesit. Kur lind një këngë dy janë bashkshortët, kompozitori dhe autroi i
tekstit. Këngëtari/ja është fëmija. Ata të dy e lindin këngëtarin, ata e
zgjedhin dhe i dhurojnë krijesën. Në biseda me autor tekstesh si Jorgo
Papingji, Koçi Petriti, Lirim Deda, etj..mëson se ai që hedh shinat e një
kënge, mund të jetë kompozitori sikundër mund të jetë dhe poeti. Pra kur një
poet krijon një poezi të bukur këkron një kompozitor për bashkpunim ose e
kundërta. Kur ngjizet brenda tyre dhe merr formën e plotë kënga ftohet
këngëtari. Në këngët e sotme shihen tekste pa lidhje. Tekste pa figura letare,
pa mesazh. Teskti i një kënge është poezi. Dhe poezia është krijimtari e
mirëfilltë letare ku fjala ngrihet në art. Poezia bëhet nga poet dhe jo nga
kushdo që ka qef të bëj bejte apo vjersha vetëm që të kërcasë “Bam”, “Bom”.
Shumica e teksteve në këngët e këtyre eventeve janë thirrje, mbledhje fjalish,
mbledhje apo shumëzim i disa vargjeve të këngëve të ndryshme të mëparshme,
(edhe nga vetë këngëtarë), amalgamë fjalësh, fjalish pa lidhje, ku vetëm letërsi
nuk ka. Poezia ka brenda tri elementë si gjini letrare: Anën artistike, anën
estetike dhe mesazhore (mesazhin). Në shumicën e këtyre teksteve nga autorë
anonimë, kurrë nuk mund të gjesh më shumë se dy elementë të domsdoshëm të
krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Tekstet e këngëve nuk të ngjallin emocion.
Ato vetëm poezi nuk kanë përbrenda.