Kulturë
Gjekë Gjonaj: Kulla zëmadhe e bajraktarëve të Grudës, fole heronjsh e heroinash
E diele, 23.05.2021, 01:32 PM
Kulla zëmadhe e bajraktarëve të Grudës, fole heronjsh e
heroinash
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
qendër të fshatit Kshevë jo shumë larg Tuzit qëndron krenare, por e vetmuar, kulla
zëmadhe e bajraktarëve të
Grudës. Kulla është mjaft
e vjetër. Gjenezën e ka të
hershme ,që në shekullin XVIII-të. Ajo
është ndërtuar prej guri të papërpunuar,
të gdhendur dhe të latuar, të ngjeshur
me gëlqere e rërë vendi që janë nxjerrë në Qafë të Blinit në Kshevë nga duart e arta të mjeshtërve më të njohur vendas të asaj kohë.
Kjo shtëpi fortifikuese dykatëshe ka oborrin në dy nivele me një portë të ndërtuar prej guri të zbukuruar, ku është
e vendosur dera hyrëse prej druri dykapakëshe në madhësi prej 2.70 metër, e
mbuluar me tjegulla.
Kjo
shtëpi tradicionale banimi është e
gjatë 10 metra, e gjerë 6.5 metër ,
kurse e lartë 7.20 metra. Ka katër dritare. Tri prej tyre pothuaj kanë të njëjtën madhësi, kurse tjetra është më e vogël. Përjashta ka
shkallët prej guri. Pjesa përdhese nën ahur (ahër) ka shërbyer për mbajtjen e bagëtive. Kati i parë është
një tërësi e përbashkët, ku gjendet
dhoma e ditës dhe kuzhina. Aty sipas traditës
është votra në sipërfaqe prej 12
metër katrorë. Ajo është shtruar me rrasa guri vendas. Përballë saj
është oxhaku tardicional në formë
gjysmë harku i punuar me qemer guri. Në katin e dytë nën pullazë të kullës ndodhet dhoma (oda) e burrave . Kjo dhomë pas arrestimit të Smajl Martinit mbante emrin
e Tringës.
Brenda
mureve të kësaj kullë u mbajtën shumë
tubime dhe u zhvilluan biseda të ndryshme
me krerët më të shquar shqiptarë të kohës. Në këtë shtëpi fisnike,
bujare dhe kreshnike u fol për shumë
ngjarje të lavdishme dhe u sollën
vëndime të rëndësishme historike. Aty bujtën dhe ishin miq personalitete të shquara të kombit shqiptar.
Sot
kur hynë në këtë monument me vlera
kombëtare të renovuar nga pinjollët e
kësaj familje , vëllezërit Gjelosh dhe
Gjeto Ivezaj në vitin 2016, ke çfarë të shohësh. Nën tavan, në mur qëndrojnë të
varura fografitë - portrete të
vizatuara me laps të Smajl
Martinit, bijës së tij Tringës dhe Dedë
Nikës, nga piktori kosovar Albin Elezkurtaj, i cili jeton në Slloveni.
Përveç këtyre aty ndodhen edhe disa fotografi të tjera , Flamuri Kombëtar,
dekorata dhe mirënjohja me rastin e
100 - vjetorit të çlirimit të Shkupit dhe pavarësisë së
Shtetit Shqiptar dhe Flamurit Kombëtar
dhënë Robert Ivezaj , anëtarit të familjes së Tringë Smajles, dekorata e
Smajl Martinit ( pas vdekjes) nga
Presiedenca e Shqipërisë me titullin “ Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, e
cila iu nda me rastin e 110-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe
një shkrim në anglisht nga
Nju-Jork Tajmsi. Hijeshi e vlerë të posaçme kullës i japin edhe eksponatet e vjetra
( orenditë shtëpiake) rreth votrës,
5 stola me tri këmbë, tri karriga të
vjetra afro 100 vjeçare, vargonjtë me kusi, mashicat për zjarr, buljera e dikurshme
shumë e vjetër në sqoll,
ibriku për ujë në mur , i cili ka shërbyer për larjen e duarëve, qypi i
vogël prej dheu dhe tavolina
njëshekullore. Këtu ruhet me dashuri e kujdes
edhe një lahutë 35 vjeçare, një çifteli 40 vjeçare, dy thika pushkësh (
hanxharë) dhe arka e nusnisë së bashkëshortes së Gjokë Dedës – Gjystes e
punuar prej druri me zbukurime. Këtu ruhen edhe dy kandila
vajguri ( bishtukë) , dy lëkura delesh (posta), që kanë shërbyer për ndeja
dhe dueqit e kalit të shalës.
Kulla
ka oborrin e saj në dy nivele dhe
portën. Dera e hyrjes dykapakëshe prej druri, e
gjërë 2. 70 metër është e mbuluar me tjegulla. Në krahun e majtë të hyrjes në oborr ndodhet
pllaka përkujtimore e Smajl Martinit.
Afro 15 metra larg kullës
janë varrezat familjare të
bajraktarëve të Grudës në mesin e të
cilave edhe varri i Tringës. Ajo e ka lënë amanet që në varrin e saj
mos të varroset askush tjetër.
Porosia e saj ruhet edhe sot dhe do të
ruhet edhe në të ardhmen. Thuhet
se ushtria serbe e ka dëmtuar
qëllimisht varrin e Tringës
, me ç’rast është thyer kryqi dhe është plasur
rrasa e varrit. Varrin e saj e ka
renovuar anëtari i kësaj familje Gjelosh Ivezaj, punonjës shumëvjeçar i
dalluar i arsimit shqip në Malësi.
Kulla
e bajraktarëve të Grudës ka një histori të madhe dhe të lavdishme, prandaj mund të quhet me të drejtë edhe historike. Në
këtë votër heroike janë lindur dhe janë rritur
në vazhdimësi , në frymëne e traditës shqiptare burra të mëdhenj, patriotë e liridashës,
trima e trimëresha, si vëllezërit Preç e Bac Vuksani Ivezaj ( princat e Grudës) , të cilët u vunë nën mbrojtjen e Kalasë së Rozafatit, në Shkodër, pastaj Smajl
Martini, njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj që pati Malësia , prijës dhe trim
i vendosur në luftërat e njohura në
Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si
dhe në betejën (kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri
Agë Pashës , sikur edhe Dedë Nika, Zef
Martini e të tjerë. E kësaj derë është edhe vajza e Smajl
Martinit, Tringa e njohur si Tringa e
Grudës, e cila krah për krah me burra
luftoi me armë në dorë për të çliriuar trojet tona shqiptare.
Të
gjithë këta burra të mëdhenjë malësorë
dhe kjo heroinë shqiptare u ushqyen nga prindërit e tyre fisnik me
dashurinë për tokat shqiptare. Këta fatosa të lirisë gjatë gjithë jetës së
tyre vepruan për çështjen kombëtare dhe
ishin në shërbim të atdheut dhe flamurit të shenjtë kombëtar. Ata drejtuan shumë forca shqiptare fitimtare
në beteja të përgjakshme në
mbrojtje të trojeve etnike shqiptare në luftë kundër osmanëve dhe malazezëve për
të çliruar tokat tona shqiptare. Pasardhësit e kësaj derë, të njohur për
trimëri e atdhetari, me zjarrin e
pushkës në luftrat për liri dhe pavarësi të shqiptarëve dhe me gjakun e tyre të derdhur për atdhe
shkruan historinë e lavdishme të
krahinës së vet dhe të Shqipërisë. Veprat heroike të këtyre fatosave të lirisë
frymëzuan shumë rapsodë popullorë, poetë, studiues, e historianë të njohur
vendas dhe të huaj.
Kjo çerdhe apo fole heronjsh e heroinash është
djegur tri herë nga forcat ushtarake turke. Megjithatë ajo i mbijetoi këtyre
kohërave të errëta, sikurse edhe
tërmeteve gjatë kësaj periudhe kohore.
Gjithësesi
duhet thënë se me këtë kullë dhe me këtë
familje bajraktarësh krenohet jo
vetëm Malësia, por e gjithë shqiptaria, sepse ajo nderon kombin shqiptar. Vlerat e saj e kemi për detyrë t’i nderojmë dhe t’i repektojmë përherë e
mot.
Roli
i kësaj kullë, sikurse edhe i të tjerave
në Malësi, është
jashtëzakonisht i madh. Si pjesë
e trashëgimisë së mirëfilltë arbërore
dhe si simbol i traditave të banorëve të Malësisë do të ishte mirë që ato
të kenë një përkujdesje institucionale.
Të evidentohen, të riparohen dhe të
vihen sa më parë në ndispozicion të
popullsisë së vet, por gjithashtu të bëhen të dukshme edhe për vizitorët e huaj si dëshmi e kësaj trashëgimie të paktë kulturore dhe e njërit prej popujve më të vjetër të
Evropës.