Kulturë
Blerim Rrecaj: Xhevdet Bajraj - Me zemër në qese najloni
E diele, 30.05.2021, 08:59 AM
Mbresa për librin e Xhevdet Bajrajt "Me zemër në qese najloni"
Nga
Blerim Rrecaj
Fillova ta rilexoj librin e Xhevdet Bajrajt "Në
zemër me qese najloni". Derisa thonë se poeti përcjell nga vetja, me ta
lexuar pjesën e parë, ciklin me të cilin nis libri, i titulluar
"Vatër", poeti Bajraj jo vetëm që shfaq veten e tij te ne, po na bën
që në këto që ka shkruar të shohim edhe ne përjetimet, ngjarjet e dromcat tona,
nëpër rrjedhën e jetës që kemi kaluar. Të një a disa atdheve. Të një a shumë
historive të trishta e plot dhembje.
Nëse
më lejohet, e mund të veprohet kështu, ciklin "Vatër" do kujtoj ca
dromca të mia prej të riu e adoloshenti, që më vijnë si shirit filmi derisa jam
duke lexuar e duke u thelluar pak më shumë në të.
Në
poezinë "Kosova dhe Shqipëria I", poeti ashtu siç di të rrëfej qartë
, kthjellët e në mënyrë dramatike periudhën e "kohës së rëndë" e kur
"Shqipëria mezi qëndronte në gjunjë", ndërsa "Kosova bëhej gati
të therrej". Si kujtim personal më vije nëpër mendje, një kartolinë
dërguar nga vëllau që kishte mërguar në Gjermani, me një copë të tejdukshme e
plastike në mes me një copë guri të Murit të Berlinit.
Për
të vazhduar me poezinë për Nexhat Dibrën, i cili pasi ishte lirisë nga burgu,
kishte shkuar t'i merrte disa vite burg të të burgosurit politik Metush
Krasniqit, e më pas kishte kaluar ilegalisht në Shqipëri. Përsëri Po përmend
një përjetim personal. Jetonim në lagjen Arbëria (ish-Dragodan), si fëmijë të
vegjël dëgjonim më të mëdhenjtë të flitej për Metush Krasniqin, (një djalë i
tij, vinte në dyqanin tonë familjar për të blerë ndonjë gjë) dhe për vdekjen e
tij, pak ditë pas lirimit nga burgu.
Te
poezia Plaku i Korishës, ku plaku të cilit mjekët i kishin thënë se ka edhe
gjashtë muaj jetë, i telefonon nipit në Gjermani, i cili vjen ilegalisht në
Kosovë për të dalë ilegalisht në Shqipëri, dhe kështu plotësohet amaneti i tij
për ta parë një herë me sy Shqipërinë (ndonëse i verbër) para se të mbyllte
sytë përgjithmonë në këtë botë. Përsëri me një përjetim personal. Gjyshi im e
thonte se duhet bërë diçka për ta takuar nipin e tij që s'mund të vinte në
Kosovë, pas largimit me ata të rinj që i shmangeshin shërbimit ushtarak, (nuk
pat arritur ta shihte), e gjyshja me njërin nga djemtë, kalojnë nëpër liqenin e
Shkodrës për t'u takuar me nipin, për mungesë dokumentesh, pas pesë-gjashtë
vjetësh.
Poezia
"Restoranti Nikolino" flet për kohën kur u pat liruar kufiri, dhe
sjell përsëri përjetimin personal, kur një pjesë e familjes u patëm takuar me
vëllain mërgimtar në qytetin e Durrësit, dhe kalimin e pushimeve të asaj vere
të ngrohtë e me ngjyra malli, e të një Shqipërie që mundoheshim ta njihnim
sadopak...
Poezia
"Restoranti Kumanova" në një park në qendër të Tiranës, ku kryesisht
takoheshin shqiptarët e ish-Jugosllavisë, ku
paraqet bisedën Nexhat Dibrës me mikun e tij (që dikur kishte punuar në
komunë, në Kosovë, me tash plakun nga Korisha e Suharekës)ai që shkon ta
vizitojë Shqipërinë për së gjalli. Përsëri me një përjetim personal. Pas
përfundimit të shkollës së mesme, me kokën plot tym e mjegull, nga robëria e
rëndë, e gjendja e paqartë, m'u pat tekur, pata marrë rrugën për Tiranë me
babanë, u pata regjistruar në Degën e Gazetarisë, pas trazirave të marsit '97,
aty u pata bërë bashkë me tezakun që kishte pak kohë që ishte në Tiranë, me ca
miq të tij studentë nga Kosova, çaste kalonim edhe te "Kumanova". Unë
u pata kthyer pas gjashtë muajsh në Kosovë, (për të gjetur strehë, nëpër Bllacë
e Stankovec, e pastaj në Elbasan me familje)e ata që njihja pas qershorit '99.
Poezia
"Shtëpia e Nexhatit", paraqitet skena kur Nexhati u tregon
familjarëve takimin me mikun e tij të verbër, plakun nga Korisha që kishte
ardhur ta shohë Shqipërinë, djemtë e nuset, thonë se mikut të tij iu paska
tharë truri, ndërsa Nexhati mbyllet në dhomën e tij, pij disa teke raki, e
assesi ta zinte gjumi, pasi ishte i lënduar nga fjalët e djemëve dhe habia e
tyre për aktin e mikut të tij.
Te
poezia "Epilogu" poeti lë Nexhatin për të kaluar vitin 1997 në
Shqipëri, e kthehet në Kosovë për të jetuar dy vitet pasardhëse.
Cikli
"Vatër" përmbyllet me poezinë "Kosova dhe Shqipëria II",
kur çlirohet Kosova, pas vitit 2000, me vizitën e të verbërve të Kosovës në
Shqipëri, organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.
Duke
qenë vëzhgues, vrojtues, e i lidhur pashmangshëm me fatet e atdheut, fatin e
tij e të njerëzve tjerë, poeti Bajraj përshkruan me detaje e hollësi episode të
luftës që shpërtheu, gjurmët, plagët, gjakun e gjëmën që shkakton ajo, të
burgosurit, të plagosurit, të vrarët, të
varrosurit, të zhvarrosurit, bartjet e kufomave nga Kosova për në Serbi, për
fshehje e humbje gjurmësh. Flet për lirinë e ardhur por me urinë që vazhdon të
tejzgjasë, për majmëri politikanësh si
sorra, që s'lënë gjë pa kullot, pasi të nesërmen ia kanë lënë popullit, flet
për familjarë e fëmijë dëshmorësh që vuajnë në liri, për invalidë lufte që
derisa kujtojnë bashkëluftëtarët që edhe në liri u dyndën në mërgim për të
siguruar kafshatën e bukës, vijnë deri aty sa mallkojnë plumbat që i lanë
gjallë, e bashkë me të rënët që me zemër e shpirt rrokën pushkët, por për të
luftuar për një atdhe që do të jetonte në dinjitet, pra për një "atdhe
tjetër" e jo si ky i sotmi në varfëri e maskarallëk. Vargu i gjithë
plagëve, problemeve e çoroditjeve është aq madh, e aq i qartë është zëri i
poetit sa që me shprehje mllefi të forta përshkruan këtë gjendje, siç thotë
Jesus Lopez Pacheco: "Sepse tërë atë që kam parë e mbaj në krahëror dhe më
rëndon shumë nëse nuk e flas", e prandaj po sipas një vargu të një poezie
tjetër të Pachecos, se na duhet e kemi një "shtrëngatë zemërimi dhe
shprese".
Poeti
Bajraj duke parë gjithë ato që sheh, na përkujton "fabrikat për prodhimin
e asgjësë", "fushat e arat e lëna djerrë, e budallakinë që rritet si
bari", "shtëpitë e braktisura", "të rinjtë e papunë",
"ambientin me kodra që hamë, e lumenjë të helmuar", "me linjat
trullosëse mediale, me krime, thashetheme, lakuriqësi, me suksese lojtarësh e
këngëtarësh tanë nëpër botë, etj, etj", derisa vazhdojmë të vuajmë nga
liria që ka ardhur. Ka poezi që në dukje të parë janë edhe formula të
pagabueshme karakteresh të ulëta e të pangopshme por që janë edhe demaskuese,
me shpresë që ndoshta mund të vijë një kohë kur mund t'i kujtojmë si gjëra që
nuk do t'i lëmë të përsëriten, si te poezia >>Qençe>>:
"Është
atdhetar i flaktë/e do vendin qençe/se lirinë e sheh si asht/të vetin".
Ka
përplot deformime të tilla që poeti u bë një skanim të thellë, duke e ditur se
pa u pastruar nga ligësia, hipokrizia, injoranca, korrupcioni e gjitha këto
derivate që na çojnë në theqafje, nuk mund të flasim për një atdhe të mirë e të
lirë. E jo të vërdallisemi si të pakokë
nëpër atdheun ku mund të vrasin pas çlirimit, mund të përbuzin, mund të tallen
me të rënët duke iu bërë kiç-përmendore, e ku masakrohen peisazhe, qytete,
qyteza, vendbanime, ku një grusht vendimmarrësish bëhen bashkë për ta lënë
popullin vetëm... Por në një atdhe që ta ka ënda të rrish, të mirëpërdorësh
lirinë, qoftë duke jetuar brenda tij, qoftë kur ta vizitosh me mallëngjimin që
ke marrë në mërgim, dyerve të botës. Një atdhe ku nuk kanë ftohtë të vdekurit e
të gjallët e nga sikleti nuk i kërcasin dhëmbët. Një atdhe që nuk të mbetet në
fyt. Të gjitha këto i gjejmë te libri i ri i Xhevdet Bajrajt, i cili vjen me
këtë libër-projekt për të prishur "fole sorrash" nëpër pemë, duke
lënë gjurmë mbi një vend (vendin tonë) që kërkon të jetë një vend ashtu siç i
ka hije, pa ngufatjen që ka kohë që po ia zë frymën...