Editorial
Albert Zholi: Dita Kombëtare e Fëmijëve jetimë, apel për çdo qeveri dhe individ
E enjte, 20.05.2021, 09:25 PM
20 Maji, Dita Kombëtare e Fëmijëve jetimë, apel për çdo qeveri dhe individ
Nga Albert
Z. ZHOLI
20 Maji njihet
ndryshe si dita e fëmijëve jetimë, por vitet e fundit kjo është kthyer në
formën e festës dhe ku fëmijëve i dhurohet diçka, por më shumë se dhurata Institucioni
Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë kërkon mbështetje nga qeveria për
të përmirësuar dhe ndihmuar gjendjen ku ndodhen këta jetimë. Nëpër media është
folur shumë, por nisma nuk janë marrë, duke i lënë këta fëmijë në mëshirë të
fatit. Çdo ditë nëpër rrugë të Tiranës dhe jo vetëm, ne shohim fëmijë që
kërkojnë lëmoshë nga kalimtarët. Ndaj dhe 20 maji shënohet si një ditë Apeli
ndaj qeevrisë dhe institucioneve bamirëse apo dhe individëve. Një ditë ku ndoshta pakkush e di dhe pakkush ka menduar të
bëjë diçka për këtë kategori fëmijësh. Pra është dita e atyre që rrallë u gëzon
shpirti, rrallë u qesh buza, shumë rrallë ndjejnë një dorë të ngrohtë mbi supet
e njoma. Aktualisht në Shqipëri ka 31 mijë fëmijë jetimë. Të vetëm në rrugët e
jetës, të vetëm në ditë festash, të vetëm në qarjen e halleve, ata, për të
arritur diçka më minimale kanë sfiduar jetën, kanë sfiduar hallet, duke i thënë
vetes stop, mjaft me ndihmën mjerane të shtetit, të shtetarëve inidiferentë,
por investo vetë për të qënë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë.
Historia e jetimoreve në Shqipëri
Historia e jetimoreve në Shqipëri nis rreth
109 vite më parë, kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë. Siç dihet, Shqipëria
përjetoi trazirat e luftrave ballkanike dhe pastaj të Luftës së Parë
Botërore, kur ajo u pushtua nga ushtritë ndërluftuese: në Shqipërinë e Veriut
dhe në një pjesë të asaj të Jugut u vendosën trupat austro – hungareze,
në atë jugperëndimore ashtria italiane dhe në atë juglindore
(kryesisht në Korçë) trupat e ushtrisë franceze. Të gjithë thonin se nuk kanë
ardhur si pushtues, se i respektonin shqiptarët dhe për të fituar
simpatinë e tyre dhanë ndonjë përkrahje për shkollat shqipe, madje ndihmuan për
të hapur edhe jetimoret e para për fëmijët shqiptarë të familjeve të
dëmtuara nga luftrat.
Jetimorja e parë në Shqipëri
Jetimorja e parë në Shqipëri u krijua më 28
Nëntor 1917 në Tiranë me inisiativën e prefekturës e të bashkisë së
Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në
teqenë e Sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores
ndihmoi kryqi i kuq Amerikan. Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. Në
fakt, sipas dokumentave të kohës, inisiatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës
së Parë Vorfnore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e
shquara të kohës, z. Rauf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit.
Inisiativa për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një
djali jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandermarë
austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të
motrën e tij 4 vjeçe. Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë
të Tiranës, duke ngrënë bar. Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit
therret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’ju
sigurojnë një vend sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe
bukë. Të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5
vjeçar nuk mundi të mbijetoj. Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Rauf
Fico, “më prishi nervat, e më çqetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kasha
djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin
po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe
është letra që Z. Rauf Fico, i dërgon Drejtorit të
Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza. Kështu,
95 – vjet më parë, ra kambana për të ngritur lartë moralin shqiptar. Krijimi i
Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë
të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të
harrojnë kurë bamirësit e mëdhëjnë fisnik, si Themeluesin e Strehës
së Parë Vorfnore Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli, etj.
Aktualisht
Historia e Strehës së Parë Vorfnore nuk do të
ishte e plotë dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato
periudha të mëvonshme po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh
në përhapjen dhe modernizimin e shumë institucioneve të tilla
simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë,
Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, etj. Këto institucione
shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e sotme për edukimin
mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të asaj kategori fëmijësh që për shumë arsye
janë të privuar nga mungesa e prindërve dhe mos pasja e familjes së
tyre biologjike.
Megjithë orientimet e reja që jetimoret të
kthehen në strehë të përkohëshme për fëmijët jetimë e të braktisur, të cilëve
duhet të gjëndet një familje, akoma qindra fëmijë të tillë në Shqipëri janë të
detyruar të rrinë me vite në këto institucione.
Në jetën e shoqërisë shqiptare sot kanë lindur
probleme të mprehta sociale, si papunësia, polarizimi social, rritja e
kriminalitetit, emigracioni, lëvizja e pakontrolluar e popullsisë brenda
vendit,prishja e lidhjeve familjare tradicionale, rritja e divorceve dhe e
numrit të fëmijëve të mëbturë pa kontroll prindëror, tronditja e normave
morale të mëparshme.
Këto dhe të tjera arsye, kanë bërë të mundur
që në dhjetëvjeçarët e fundit në Shqipëri është rritur numri i fëmijëve jetimë,
sidomos i të quajturve jetimë social, ose “të fshehur”. Shaku duhet
kërkuar te vështirësitë e jetesës në shumë familje, te dobësimi i
bazave morale të këtyre familjeve, te ndryshimi në
marëdhëniet me fëmijët. “Në Shqipëri nuk ka ende një interesim aktiv e konkret
të familjeve për mbrojtje e përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë e të braktisur. Të
gjithë shqetësohen dhe rendin pas halleve të ditës, për të kapërcyer
vështirësitë e jetës, për të çarë në ekonominë e tregut, një pjesë
tjetër për të jetuar me komoditete të reja, të tjerë për të
përballuar vështirësi të reja. Një pjesë e
madhe e njerëzve mendojnë se në të ardhmen fëmijët jetimë
duhet të jenë vetëm nën përkujdesjen e shtetit dhe të fondacioneve bamirëse,
dhe vetëm rreth 1/ 3 mendojnë se këta fëmijë duhen birësuar nga familje
shqiptare dhe ato të huaja. Megjithëse dhjetëvjeçarët e fundit ka patur
birësime në familjet shqiptare, ende nuk ndjehet ai humanizëm dhe ajo kulturë e
nevojshmepër ti marrë në mbrojtje dhe për ti trajtuar këta fëmijë, nisur nga
koncepti “pse të rrisë unë një fëmijë kur për të nuk kujdesen prindërit?!”. Në
Shqipëri, ende nuk po zbatohen si duhet format e ndryshme të përkujdesjes mbi
fëmijët jetimë dhe të braktisur, që në vendet e tjera të Evropës Lindore
ekzistojnë që prej shumë kohësh. Shteti sot, realisht i ka të kufizuara
mundësitë financiare për mbështetjen sociale. Por, edhe fondacionet e shoqëritë
bamirëse nuk mund të marrin persipër gjithë barrën e përballimit të këtij problemi.
Nqs në regjimin komunist kishte 25 mijë fëmijë jetimë, sot kemi 31 mijë”,
deklaron z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të
Integrimit të Jetimëve Shqiptar.