E shtune, 27.04.2024, 03:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Ajete Zogaj: Libër i rëndësishëm për përkthimin letrar

E merkure, 14.04.2021, 08:00 PM


LIBËR I RËNDËSISHËM PËR PËRKTHIMIN LETRAR

Nga Ajete Zogaj

Elvi Sidheri, Përkthimi letrar – akt krijues i mirëfilltë.Bisedë me përkthyesin letrar Anton Nikë Berishën. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2021

“Leximi i të gjitha librave të mirë është sikur bashkëbisedimi me mendjet më të ndritura të shekujve të kaluar”. Rene Descartes

Elvi Sidheri, shkrimtar, përkthyes letrar, njohës i disa gjuhëve të huaja, sjell për lexuesin librin me titull “Përkthimi letrar – akt krijues i mirëfilltë”, që është një bisedë me shkrimtarin, studiuesin dhe përkthyesin letrar, Anton Nikë Berishën, përmes së cilës shpalosen mendime të çmuara për letërsinë si art i fjalës dhe sidomos për përkthimin letrar.

Janë pyetjet e përzgjedhura të Elvi Sidherit dhe përgjigjet e menduara e cilësore të profesor Anton Nikë Berishës, të cilat lexuesin e vendosin në nj sfond të hapur, ngjashëm me një amfiteatër fakulteti të mbushur me studentë tek dëgjojnë ligjërimin e profesorit.

Në përgjigjet e veta profesor Berisha ndriçon një varg dukurish, që janë të rëndësishme për të gjithë ata që synojnë të merren me përkthimin e sidomos me përkthimin letrar, për domosdonë e njohjes së natyrës së letërsisë dhe të gjuhës poetike që përcakton vlerën e çdo vepre letrare.Përgjigjet dëshmojnë dhe për dijen e autorit, për përkushtimin, për kujdesin si dhe për durimin që duhet t’i ketë një përkthyes letrar në punën e vet.

Autori i librit, Elvi Sidheri, në bashkëbisedimin me profesor Berishën, siç e thotë në Fjalën paraprake, ka synuar të ndriçojë veprimtarinë e tij në fushën e përkthimit po dhe ta bëjë të njohur përvojën e tij në këtë fushë: “Puna e Anton Nikë Berishës në fushën e përkthimit do t’u shërbejë brezave të ardhshëm të përkthyesve shqiptarë si pikënisje e vyer dhe pikëmbështetje e përhershme për t’u përballur me rrënjët e letërsisë botërore, që nguliten thellë në disa nga veprat e autorëve të shquar të sjella në shqip prej tij, duke plotësuar kështu njëherësh edhe nevojën e lexuesve të tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë për t’i njohur këto krijime në gjuhën tonë amtare” (f.8).

Libri është i strukturuar në katër pjesë: Çështje teorike dhe të përgjithshme të përkthimit letrar, Përkthime veprash të lashta “Epi i Gilgameshit” dhe “Qasje artit poetik” të Aristotelit, Përkthime biblike (përkthimi i “ Këngës së këngëve” i bërë nga shtatë përkthime, dhe i “Psalmeve”) dhe Përkthime të tjera “Këngët e Nibelungëve”, “Mëdyshjet e përkthimit të “Komedisë hyjnore” të DanteAligherit, “Lavdërimi i kryqëzuar” i Domeniko Korradinit H. Brusard dhe Vepra “Këngët e Ali Binakut” të Radovan Zogoviqit, si dhe në pjesën Shtojcë është botuar e përkthyer Kënga e parë “Ferri” e Dante Aligerit.

Ky libri, mbase i vetmi i natyrës së këtillë i botuar ndër ne, të ‘shpjerë’ në çështje të letërsisë e të përkthimit, të themi kushtimisht, të panjohura apo pak të njohura për lexuesin e rëndomtë, por edhe për studiuesit e mirëfilltë të artit të fjalës.

Libër për shumëçka i veçantë

Në librin e Elvi Sidherit Përkthimi letrar – akt krijues i mirëfilltë – Bisedë me përkthyesin letrar Anton Nikë Berishën trajtohen çështje teorike dhe praktike të përkthimit letrar të thëna nga një autor që nuk është përkthyes profesional, por që punën e përkthimit e bën në mënyrë profesionale e më shumë përkushtim, madje shprehet mjaft kritik për disa ‘çoroditje’ e deformime gjuhësore e sintaksore të cilat bëhen dhe nga përkthyes e profesorë universiteti!

Duke bërë fjalë për përkthimin letrar profesor Berisha thekson: “Të bësh një përkthim cilësor letrar nuk mjafton ta njohësh gjuhën nga përkthehet vepra dhe gjuhën në të cilën përkthehet, por kërkohen aftësi mendjeje, pasuri shpirti e ndjeshmëri poetike; kërkohet dije për letërsinë dhe përkushtim i madh krijues në procesin konkret të përkthimit të secilës vepër. Së këndejmi, vetëm një shkrimtar – poet i madh mund ta përkthejë një shkrimtar – poet të madh; vetëm krijuesi letrar i mirëfilltë, i cili e bën punën me përkushtim të pazakontë, do të jetë në gjendje t’i bartë mesazhet poetike (që bëjnë qenësinë e veprës si strukturë gjuhësore shprehëse) nga një gjuhë në gjuhën tjetër”.(f. 14).

Në përgjigjet e tij profesor Berisha përmend dhe shembuj të përkthimit të bërë për sy e faqe, pa ditur qenësinë e shumëkuptimësisë së tekstit poetik e të rëndësisë së mesazheve poetike. Kështu ai përmend përkthimin e një romani nga frëngjishtja, ku me qindra herë fillon fjalia me por, me prandaj ose me sepse!

Mendimet teorike dhe praktike të profesor Berishës, në bashkëbisedimin me Elvi Sidherin, janë të thelluara e të argumentuara, që dëshmohen dhe në përkthimet e tij letrare. Ai thekson se  përkthimi letrar si dhe vetë letërsia si art i fjalës, është një lloj fshehtësie, një lloj misteri: “Secila vepër në aktin e përkthimit kërkon diçka të veçantë; të shpjerë në shtigje, rrugë e dhiare të mëvetësishme e të panjohura; të detyron ta provosh veten, të ballafaqohesh me dijen dhe me padijen tënde, me mangësinë e leksikut e të frazeologjisë; të detyron të kërkosh të shprehurit e bukur, sa më poetik.

Ndonjëherë vetëm për një fjalë duhet të mendosh, të bësh kërkime, të zhytësh nëpër fjalorë, po më në fund të mbetet të vendosësh vetë se si do ta përkthesh dhe në ç’mënyrë disa kuptime që i ka teksti origjinal do t’i bartësh në tekstin në gjuhën që përkthen. Nuk pushon asnjëherë dyshimi se a e ke bërë ashtu si duhet përkthimin. Mos nuk e ke shfrytëzuar edhe ndonjë mundësi tjetër, më të përshtatshme e më përfillëse, poetikisht më të vlefshme?Natyrisht, mundësitë janë të pafundme, po pikërisht zgjedhjet konkrete e përcaktojnë cilësinë e përkthimit.”(f.24).

Sipas profesor Berishës, përkthyesi që nuk di të bëjë dallimin mes gjuhës poetike dhe gjuhës së rëndomtë bën punë koti.

Në bashkëbisedimin e profesor Berishës me përkthyesin Elvi Sidheri shpalosen dhe përvojat dhe puna gjatë përkthimit të “Epit të Gilgameshit” me varg të lirë dhe varg njëmbëdhjetërrokësh, të cilin edhe pse me vështirësi jo të vogla, ia ka arritur mrekullisht ta ‘rikëndojë’ në gjuhën shqipe!

Kryeveprat botërore në letërsinë shqipe

Libri “Përkthimi letrar – akt krijues i mirëfilltë” merr në vëzhgim dukuri teorike e praktike të përkthimit të disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si art, poezi e prozë, përmes të cilave janë pasuruar kulturat dhe qytetërimet, si “Epi i Gilgameshit”,  “Psalmet”, “Kënga e këngëve” ose “Qasje artit poetik (Poetika) e Aristotelit. Për përkthimin e kësaj të fundit autori i librit, Elvi Sidherit, thotë se Anton Nikë Berisha për herë të parë sjell një drejtpeshim më të madh të mendimeve që dalin nga teksti i Aristotelit, një qëndrueshmëri dhe modernitet të nocioneve letrare e teorike, pra të terminologjisë, po dhe për shënimet e shumta që janë dhënë për nocione që përdor Aristoteli, për shprehjet e ndryshme, për variantitetin e kumtimit të fjalive ose pjesëve të tekstit, si dhe për studimin hyrës të përkthyesit, që i mundëson lexuesit të kuptojë disa nga konceptet më kryesore të Poetikës së Aristotelit.

Për të dëshmuar se me çfarë përkushtimi dhe dashurie profesor Anton Nikë Berisha i bën përkthimet, po sjell përgjigjen që ai e jep për përkthimin e “Këngës së këngëve”, duke i shfrytëzuar e krahasuar shtatë përkthime në italisht, të gjitha të bëra nga origjinali hebraisht, si dhe përkthimin në gjuhën shqipe: “Edhe si qenësi mendimi, edhe si art Kënga e këngëve ka vlerë të jashtëzakonshme. Rëndësinë e saj ndoshta e ka shprehur më së miri Rabini Aqiba: ‘Bota e tërë nuk është e denjë sa dita në të cilën ‘Kënga e këngëve’ iu dhurua Izraelit. Të gjitha librat e Biblës janë të shenjta, po Kënga e këngëve është më e shenjta nga të gjitha (Mišnah, Jadayim 3, 5).”(f. 43).

Në vijim të sqarimit të punës së përkushtuar për të sjellë në shqip vepra që cilësohen me vlera të mëdha poetike përkthyesi Berisha thotë: “Mua nuk më përket të them si ka dalë përkthimi, po mund të them se s’kam kursyer as kohë, as mund e as përkushtimin e skajshëm. Nga fjala e parë e deri në fund kam qenë i vetëdijshëm se po përkthej një kryevepër poetike që i duhet kulturës sonë në formën më të mirë të mundshme e jo për diçka tjetër, si tematikë ose si leverdi material” (f. 43).

Lexuesit e këtij libri përmes bisedës me profesor Anton Nikë Berishën, do të kenë rastin të mësojnë edhe për mënyrën e përkthimit të dy këngëve të “Këngës së Nibelungëve”, vepër e cila, siç është e njohur, hyn në rrethin e ngushtë të kryeveprave të letërsisë gjermane dhe të kryeveprave epike të letërsisë së përbotshme, të përcjellë dhe me një punim hyrës. Rreth përkthimit të saj ai thotë: “Përkthimi i kësaj vepre në cilëndo gjuhë paraqet një ndërmarrje sa të rëndësishme aq edhe të vështirë. Them kështu për arsye se vepra i përket një periudhe të hershme të letërsisë gjermane, pra ka veçantitë shtjelluese shprehëse e kuptimore dhe ka një strukturim metrik mjaft të ndërliqshëm, që bartet vështirë në strukturën tjetër gjuhësore pa humbur diçka të rëndësishme.

Katrena (stofra) prej katër vargjesh të gjata, të ndara në mes me një zbrazëtirë, ku vërehen dy pjesë të vargut – me mëvetësinë e theksave ritmikë dhe të rimës së tyre; katër pjesët e para të vargjeve të katrenës dhe pjesa e dytë e vargut të fundit të saj janë të përbërë prej katër rrokjesh të theksuara, ndërsa tri pjesët e dyta të vargjeve prej tri rrokjeve të theksuara […]Strofën prej katër vargjesh të këtij epi, e përktheva me vargun tetërrokësh –me katrenë të dyfishtë […] Përpjekja që këtë strofë, karakteristike për këtë ep, ta përkthej me vargun katërmbëdhjetërrokësh, pra me shtatërrokësh të dyzuar, të cilin varg e përdoren me shumë mjeshtëri Mjedja, Fishta, Poradeci etj., nuk dha rezultatet e pritura. Vargut katërmbëdhjetërrokësh, pos tjerash, i mungonte fryma dhe forca epike, pa të cilën ky ep nuk do të ishte ai që është”.

Një sprovë që e konkretizon synimin dhe punën me përkushtim në fushën e përkthimit të prof. Berishës është dhe përkthimi i Këngës së parë të Ferrit që botohet për herë të parë në Shtojcën e këtij libri.

Libri “Përkthimi letrar – akt krijues i mirëfilltë” i autorit, Elvi Sidheri, dëshmon përkushtim e tij që t’i bëjë pyetje të rëndësishme e të veçanta përkthyesit Anton Nikë Berisha, po dhe përgjigjet e thelluara të profesor Berishës, për artin e përkthimit të një krijese letrare si dhe punën dhe mundin, durimin dhe njohjet e thelluara që duhet t’i ketë një përkthyes. Pra, përmes bashkëbisedimit me studiuesin, Sidheri ka arritur që të shpalosë punën e madhe të Anton Nikë Berishës në fushën e përkthimit të disa nga kryeveprat e letërsisë botërore.

Në qenësinë e vet ky libër, përkatësisht ajo që thuhet në të, të motivon, të nxit dhe të dëfton “flijimin” që duhet ta bëjë ai që merret me përkthimin letrar, po dhe secili që dëshiron të bëjë punë të mirëfilltë e të lërë gjurmë kulture e qytetërimi…

Me pak fjalë,  ky libër – bisedë i Elvi Sidherit me profesor Anton Nikë Berishën, me vlerat dhe mendimet që ngërthen, mund të jetë edhe një doracak i rëndësishëm për njohjet konceptuale, teorike dhe praktike të çështjes së përkthimit, po njëherit dhe për veçantitë e letërsisë si art.

Prishtinë, prill 2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora