Editorial
Xhemal Ahmeti: Topopatët dhe bionikët
E marte, 23.02.2021, 09:08 PM
TOPOPATËT DHE BIONIKËT
Në
mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve topopatë dhe biomaniak
do të vazhdojnë të krijojnë psikoza rreth historisë dhe identitetit të
shqiptarëve. Këta pretendojnë se pula është para vesë dhe atë ende pa
verifikuar se ç’është pula: shpend apo kafshë e egër?! Sipas këtyre del të jetë
kulçedër. Pse Kosova nuk bëri si gjitha shtetet komuniste, të cilat hulumtuan
kohën e tyre nën diktaturën „komuniste“?
Nga
Xhemal Ahmeti
Individuimi
nuk është proces i lehtë. Për tu bërë Subjekt, habitus i afirmuar brenda një
kulturosfere nuk të mjaftojnë as një a dy fakultete të kryera, as gjitha
lidhjet e tarshëguara nga etërit funksionarë; as paratë e përvetësuara të
fondeve ndërkombëtare për t’u bërë kapitalist nuk të iluminojnë për ta parë
botën nga maja e olimpeve. Pa këto përfundon duke pasur mundësi ta shikosh
botën vetëm me njërin sy nga zgafella katakombëse e injorancës. Për tu bërë
Subjekt në vete - pra pa u thirrë e vepruar në sajë të biofijeve, fisit apo
historisë së nahisë - të duhet përpos shpirtit të lirë, vendosshmërisë edhe
dija e thellë, jo dija si informatë nga wikipedia apo duke lexuar kopertina
librash, por ajo dije që të ka rezultuar si refleskion autonom pasi t’i kesh
gëlltit ca tonelata tema, paradigma, ideologji, religjione e shumëçka që ofron
biblioteka gjysmë e djegur e njerëzimit.
Këto
lartë më rranë ndërmend gjersa lexoja shkrimin e Artan Mustafës: „Fadil Hoxha
& co. në botën e post-vërtetës“ në Gazetaexpress. Ishte një reagim
faktografik e i shkëlqyeshëm ndaj pasardhësve të Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit,
Ymer Pulës, Xhevdet Hamzës e kompani. Këta bëjnë çmos që t’i rehabilitojnë
etërit e tyre zyrtarë e jozyrtarë. Jo duke u fsheh pas termeve si „rrethanave
të kohës“, ose pas „mosdijes dhe dobësisë së parardhësve“, të cilët me veprimet
e tyre janë përgjegjës (jo për sistemin ndoshta) për krimet masive në njerëz të
bindjeve e veprimeve ideologjikisht ndryshe dhe për dështimin e shumë proceseve
historike që lanë Kosovën jashtë trungut të saj, por duke thënë se ata ishin në
anën e drejtë të historisë - edhe si organizator vrasjesh masive. Edhe pse të
njejtët ishin sekserët direkt të mashtrimeve jugollsaveshqiptare ndaj
shqiptarëve.
Po
të ishin këta të individualizuar as nuk do ta bënin këtë tendencë: ngase do ta
dinin se historia nuk ndryshohet me gazeta, as me çmime për letërsi, as duke
ligjëruar në ndonjë universitet jashtë, falë lidhjeve të vjetra, të mundësuara
nga koha kur prindët gëzonin privilegjet e ish sistemit. Po të ishin këta
humanoidë me etikë për tu veçuar nuk do silleshin njejtë me topopatët
(lokalistët injorantë) e Gjakovës që po nuk u reagove do ta shpallnin një
injorant pseudokomunist siç ishte Fadil Hoxha të barabartë me Skënderbeun-
vetëm pse ishte gjakovar.
Floska
popullore: „paj nuk mohohet baba“, nuk është infantile, por shumë e drejtë, por
e keqkuptuar rëndë nga ata që jo që s’dijnë universalisht por as lokalisht, nuk
njohin as peshën e thënieve folklorike të pleqve të katundit të tyre. Mosmohimi
i babës nuk është burgu ku ti je i detyruar të kalosh jetën pas grilave. Përkundrazi
është akti nëpërmjet të cilit t’i nis çlirimin - dhe këtu qëndron madhështia e
proverbit , tek klithma hapëse „paj“- ngase ofron kushtin: që ti mos të
falsifikosh qenien e tij, duke mos bërë çmos për ta ekspozuar hsitorinë e
prindit apo gjyshit sikur të ishte ndryshe nga se ç’ishte vërtetë, ngase vetëm
kështu ti mund të lësh shenjat e një indivualiteti të ri, një subjekti të
çliruar nga egotunelet e ulëta para se t’u drejtohesh agorave me urtinë tënde.
Pjesa
pozitive e shqiptarëve në ish Jugosllavi u përkon mësuesve, juristëve,
shkrimtarëve, bujqëve, inxhinjerëve, policëve, por edhe shefave të udb-ës, të
cilët bënin çmos të përfitojnë sa më shumë për ngritjen e kombit të tyre në
nivelin e gatshëm për pavarësinë e mëvonshme, duke mbrojtur e shpëtuar sa më
shumë njeriun dhe vlerat kombëtare nga sistemi. Brenda këtij pozitiviteti
mirëpo nuk bëjnë pjesë assesi funskionarët me krime në trastë, as ata që
ndëshkonin kah ecnin se në çdo vjershë shihnin rrëzimin e sistemit; në këtë
tabor nuk bëjnë pjesë as informantët e urryer të cilëve edhe shefat e udbës ua
kishin frikën ma shumë se shefit të LKJ-së. Këto kategori duhet të studiohen,
atëherë kur shqiptarët të kenë Universitete. Atëherë as këta rehabilitantët nuk
do jenë kështu por ndoshta të çliruar ose të izoluar se qesharak. Kur
shqiptarët të kenë edhe historinë si shkencë e jo si roman idiotësh mbi
luftërat e paqena, atëherë as UÇK nuk do ta njolloste veten aq rëndë duke i
bërë mrashin gjatë varrimit një tipi si Fadil Hoxha dhe kastës së tij. Deri
atëherë duhet demnatuar këtë psikozë të flasifikimit edhe të asaj historie që
ende ka dëshmitarë okular.