Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Krijuesit nuk vdesin kurrë
E hene, 08.02.2021, 10:02 PM
KRIJUESIT NUK VDESIN KURRË, ATYRE EDHE NË ATË BOTË ZEMRA U RRAHË DHE U TROKET PËR TË MIRËN E NJERIUT, PËR KOMBIN DHE PËR ATDHEUN...!
(Kushtuar
krijuesit dhe njeriut të kauzës kombëtare, Rasim Haxhi THAÇIT)
Nga
Sejdi BERISHA
Se duhet dhe është e nevojshme që
njerëzit e mirëfilltë dhe figurat që tërë jetën i janë përkushtuar njerëzores,
fatit të njeriut, kombit dhe atdheut, t’u japim meritat dhe t’i afirmojmë
veprat e tilla, padyshim se jo vetëm që bëjnë një veprim dhe obligim të qëlluar,
por kështu i mësojmë dhe u krijojmë taban edhe gjeneratave të reja për ta
shkruar, afirmuar dhe ruajtur historinë tonë, rrugëtimin tonë i cili në asnjë
periudhë kohore dhe historike nuk ka qenë i lehtë. Dhe, duke qenë kështu,
kujtoj se duhet t’i vëmë në spikamë veprat dhe punën e të gjithë atyre që së
paku sado pak kanë dhënë kontribut në drejtim të asaj që quhet madhështi
njerëzore dhe kombëtare, gjithnjë pa i kategorizuar njerëzit e “mëdhenj” dhe të
“vegjël”. Kështu, jo vetëm se i bëjmë nder atyre, familjes dhe të tjerëve, por e
vëmë nga një gur në murin e historisë në të gjitha fushat e jetës.
Me qëllim i vura këta rreshta sipër
këtij shkrimi, sepse, m’u kujtuan shumë figura, shumë njerëz të devotshëm, puna
e të cilëve shpeshherë ka ngelur apo ngelë nën hije apo edhe e harruar, dhe
kështu edhe madhështia jonë historike mbetet
edhe e varfër por edhe e mangët, e nënçmuar dhe pse jo edhe peng e harresës.
Edhe në fushën e kulturës, letërsisë
dhe të arsimit, deri me tash kemi bërë përpjekje, ndoshta më shumë individuale
se sa institucionale, që t’i përjetësojmë ata që me punë dhe përkushtimin e
tyre u sakrifikuan tërë jetën për ta quar përpara kauzën kombëtare në të gjitha
aspektet.
____________
Njeri me qëndrim
modest e me shpirt të madh, që gjithnjë nderonte dhe respektonte fatin e
njeriut, kurse krijimtaria dhe vargu i tij ngelën dokument i ndritur në letrat
shqipe...
Andaj, njeriu i arsimit, i penës dhe i
kulturës, Rasim
Haxhi Thaçi, i cili ndërroi jetë para afro një viti, respektivisht, me 06
dhjetor 2020, ma provokoi arsyen për t’i vënë në spikamë disa nga kontributet
dhe angazhimet e tij, që duken ndoshta modeste, por e kanë atë thelbin dhe
vulën e veprës së atdhetarisë, por edhe të arsyes e të obligimit që secili
njeri duhet angazhuar për të qenë pjesë e pandarë e mendjes, e kujtesës dhe e
madhështisë shpirtërore për mirëqenien e njeriut të kësaj toke, për afirmimin e
tërë asaj që ka të bëjë me atdheun e kombin, e të cilat virtyte, duke u
informuar për jetën e Rasim H. Thaçi, i cili u lind në fshatin Shkarashnik të komunës së Malishevës, e që pas mbarimit të
shkollimit fillor dhe atij të mesëm dhe shkollën e lartë në Prizren, sikur
mendja, arsyeja dhe shpirti e zemra, plotësisht i ishin përkushtuar punëve që
njeriun e bëjnë të lumtur, që kauzën kombëtare e qojnë përpara, që diturinë e bëjnë
themel për të ecur tutje dhe gjithmonë për të qenë vetvetja, për të ngadhënjyer
mbi të gjitha sfidat dhe barrikadat e problemet tjera që i sjellë jeta.
Sa herë që e kam takuar këtë njeri të urtë por të etur deri në
palcë për fatin e kombit, tek ai sikur gjithmonë e kam vërejtur një mori fjalësh
të pathëna që ia përcëllonin shpirtin, pakënaqësinë për realitetin aktual të
shoqërisë, për fatin dhe përplasjet e kombit!
Në orët dhe takimet letrare, kudo që jemi takuar, e që gjithnjë
ishte me bashkudhëtaren e jetës së tij, kushërirën time, krijuesen, znj.
Sherife (Berisha) Thaqi, me qëndrimin e tij, me shpirtin e tij të urtë por
zjarr, me përkushtimin më të madh e përcillte dhe e respektonte çdo fjalë, çdo
varg poetik, që padyshim thellë i përjetonte, e që po ashtu ia ngacmonin edhe
mendjen edhe shpirtin... Andaj, e ku mos të shkruash për këtë njeri, i cili për
asnjë moment e deri në frymën e fundit nuk kishte prajtur duke dhënë
kontributin e tij, si në letërsi e më përpara edhe në arsim. Por, ai, gjithnjë ishte
modest, kurrë nuk dëshironte të tregohej apo edhe të imponohej për atë që e
realizonte, por atë mirë e njihte dhe mirë e transmetonte si këshillë!
Më duhet të them se ishte e padrejtë ikja e tij, sepse, ende
kishte forcë e gatishmëri për t’i dhuruar kombit, kulturës dhe letërsisë. Ishte
e padrejtë, sepse, ende nuk i kishte thënë të gjitha ato që dëshironte për t’ia
ofruar njeriut për mendim të njëjtë, për unitetin, për bashkimin dhe për
dashurinë e secilit, si forcë dhe madhështi të cilën duhet herdokur ta ketë dhe
përqafojë njeriu dhe kombi ynë ende i pa rehatuar, mbase edhe i shkapërderdhur...!
Ai, jo vetëm si njeri i kulturës dhe arsimit, dha kontributin e
tij edhe në fushën e informimit. Duke e pasur parasysh se informimi me kohë dhe
i drejtë i opinionit dhe i popullatës ka rëndësi jetike për të ecur përpara, ai,
nuk ngurroi për t’u bërë bashkëpunëtorë i shumë gazetave, e më vonë,
kontributin e tij në informim e dha edhe te gazeta “Koha Ditore”, “Kosova Sot”
dhe te “Bota Sot”, ku pothuaj se deri në pension punoi në këtë gazetë.
Pra, kontributi i tij në informimin e popullatës, padyshim se është
kapitull në vete, duke pasur parasysh profesionalizmin dhe qëndrimin e tij prej
gazetarit dhe njeriut të përkushtuar për lirinë, pavarësinë, për mirëqenien dhe
lumturinë e kombit.
Krijimtaria e tij i ka begatuar shumë
antologji, ndërsa, madhështia letrare dhe jo vetëm letrare e tij dhe e
bashkudhëtares së jetës, znj. Sherife Thaçi, ishin fortë të lidhura në mes
vete, si rrënjët e rrapit...!
Ndërkaq, krijimtaria e tij dhe pesha e fjalës së shkruar me
mesazhin shumëdimensional, është përjetësuar në shumë libra dhe antologji, si në
Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, respektivisht, puna e tij letrare dhe krijuese
e tij është përfshirë në më shumë se trembëdhjetë libra-antologji, që për çdo
vit tradicionalisht botohen nga Shoqata për Art e Kulturë “Elena Gjika” në
Suharekë, me titull: “Brerore Lirie”, ku me qëllim të afirmimit dhe të mbështetjes
së krijuesve nga ky qytet, zakonisht përfshihen vetëm krijuesit nga ky qytet.
Është karakteristike të theksohet se në tërë rrafshin kombëtar,
si gjithnjë, pak u kushtohet krijuesve të cilët janë më të dalluar, apo që kanë
dhënë dhe japin kontributin e tyre në afirmimin e vlerave shpirtërore,
kulturore, historike dhe shkencore kombëtare, për çfarë, edhe sot e kësaj dite
ende është i varfër opusi krijues-dokumentar, dhe po ashtu, ende shumë krijues
dhe punëtorë të kulturës janë nën hijen e pakujdesisë dhe të nivelit të
vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit, se vetëm afirmimi i letërsisë, i artit
dhe i vlerave shkencore dhe filozofike e afirmojnë kombin jo vetëm përbrenda
vetvetes, por edhe gjithandej Evropës dhe botës.
Për ta dëshmuar këtë, ka shumë dëshmi por edhe shumë vlera
krijuese të shumë autorëve. Ndërsa, në këtë drejtim, shembulli më i mirë kujtoj
se është edhe rasti i z. Rasim H. ThaçI, i cili edhe pse është i
përfshirë në shumë antologji të niveleve të ndryshme, sikur angazhimi dhe
cilësia e tij krijuese megjithatë ka ngelur bukur shumë e tkurrur, ndoshta
gjithnjë me nivelin e ultë të respektit dhe të përkujdesjes së shoqërisë që krijimtarisë
t’i jepet afirmim gjithnjë e më i madh dhe njëherësh të respektohen edhet autorët,
pa marrë parasysh se prej nga vijnë, nga metropolet apo nga qytetet dhe
krahinat më të vogla.
Por,
tërë këtë konstatim, megjithatë, e demanton puna dhe vepra e këtij krijuesi dhe
njeriut të kauzës kombëtare, z. R. H. Thaçi, e cila u përjetësua në librat-antologji,
si: Antologjia “Korsi e Hapur”, e përgatitur dhe e botuar nga LNPSHA “Pegasi
Albania”, e drejtuar nga prof. Kristaq
F. Shabani – Tiranë. Pastaj, te
Antologjia “Jehona Shqiptare”, që drejtohet nga Kryetarja e kësaj
Shoqate, Mira Korance, po ashtu në Tiranë.
Krijimtaria e tij është përjetësuar edhe tek veprat që
tradicionalisht botohen për çdo vit, si, “Dita e Plisit”, të cilin manifestim e
drejtojnë krijuesit nga Klina me në krye, Ismet Krasniqi Lala dhe Prend N. Buzhala.
Po ashtu, Rasim H. Thaçin, pothuaj se çdo vit e hasim tek antologjitë vjetore të
Bibliotekës Rajonale të qytetit të Prizrenit, e cila aktivitetin vjetor të saj
e rrumbullakon me botimin e nga një vepre-antologji.
Krijimtaria e tij i ka begatuar edhe antologjitë tjera të
shumta, siç është, Antologjia “Albania Shqipëri Natyrale”, të cilën e drejton
kryetari i Shoqatës Kulturore “Zahir Pajaziti”, krijuesi i devotshëm, Rudi
Berisha dhe shumë vepra të tjera.
Dhe, nga e gjithë kjo që e theksova, jo pa shkas, dua të them se
veprat e mira dhe me vlerë, shpeshherë fshihen skutave nëpër raftet dhe sirtarët
e bibliotekave, por ato gjithmonë janë thesar dhe sihariq i kulturës, i historisë,
i mendjes së njeriut dhe i shkencës, që janë si stralli dhe gjithmonë vetëm bëjnë
dritë...!
Ndërkaq, puna e palodhshme e Rasim H. Thaçit, ka qenë e veçuar
edhe në fushën e arsimit, në ç’drejtim ai është angazhuar për sigurimin e
pagave punëtorëve të arsimit, por edhe për mbarëvajtjen e mësimit në shtëpitë-shkolla,
në kohën kur regjimi i armikut i mbylli shkollat shqiptare në Kosovë.
Kapitull
në vete është edhe rrugëtimi jetësor me bashkudhëtaren e vetë, me krijuesen,
znj. Sherife Thaçin. Ata, jo se nuk i ka ndarë dita as nata, dhe pothuaj se
kudo në manifestime kanë qenë së bashku, por krijimtaria e tyre është e lidhur
fortë në mes vete, si rrënjët e rrapit. Dhe kjo, që të dyve, ua ka krijuar madhështinë
e këndimit poetik, të krijimtarisë që buron nga mendja, nga zemra e pastër edhe
e çiltër. Në këtë kontekst, ai e ka dashtë edhe familjen si gjënë më të shtrenjtë,
dhe kështu, ata si pak kush i kanë dhënë kuptim jetës, ndershmërisë, njerëzores
dhe lumturisë...!
Andaj, për këtë arsye, njerëzit e tillë nuk vdesin kurrë. Bile
bile, artistët dhe krijuesit e kanë zemrën e madhe, e cila edhe në atë botë u rrahë
dhe troket për të mirën e njeriut, për kombin dhe për atdheun... U rrahë dhe i
flet tokës e qiellit për gjithçka...!
Dhe në
fund, këtë shkrim do ta përfundoj me mendimin e Sokratit: “Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat
e të drejtëve, e unë them, edhe të krijuesve, janë edhe të pavdekshëm, edhe
hyjnorë...”!
(©S. B.)