Kulturë
Gjekë Gjonaj: Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase
E diele, 31.01.2021, 08:54 PM
Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase
Nga
Gjekë Gjonaj
Duke u nisur nga nevoja qytetare
për të njohur të kaluarën e vendlindjes
sime të
organizimit të saj të vjetër shoqëror , si një
pjesë e traditave historike të popullit shqiptar dhe si një vlerë universale të lirisë
njerëzore po përpiqem të sjell në vëmendjen e lexuesve disa shënime
për institucionin e bajrakut dhe
bajraktarët e Trieshit.
I vetëdijshëm se kjo temë kërkon një studim serioz e shkencor nga historiografia shqiptare, e
cila deri më tani nuk i është qasur asaj thelbësisht, dëshiroj vetëm të përmend disa nga bajraktarët e Trieshit, rolin
dhe rëndësinë e tyre, duke u mbështetur vetëm në kujtesën e trieshjanëve, dhe ndoshta
të nxis kureshtjen apo të zgjoj
interesimin e studiuesve të mirëfilltë të kësaj fushë që në të ardhmen
t’i qasen kësaj temë ende të
pashtjelluar në mënyrë të dokumentuar. Pretendime të tjera s’kam.
Hershmëria e bajraktarëve
Çështja e bajrakut dhe udhëheqja e tij nga
bajraktarët e Trieshit , është aq
e hershme sa edhe në trevat ( malet) e
tjera të Malësisë së Madhe. Mbështetur në kujtesën popullore
ekzistimi i Institucionit të Bajraktarit
apo shqip Flamurtarit në këtë krahinë
malore, e cila shtrihet nga Qafa e
Rozdecit e deri në fshatin Poprat, në kufi me Shqipërinë, duke vazhduar edhe nëpër luginën e lumit Cem,
i cili buron nga bjeshkët e
Kelemendit të shtetit amë, daton kaherë, nga fillimi i shekullit XVIII-të. Prej asaj kohë Bajraku ( Mali) i Trieshit
njihet ndër bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe. Meqë kemi të bëjmë me periudhën e sundimit turk mund të nënkuptojmë se krijimi i
institucionit të bajrakut dhe zgjedhja e
bajraktarëve është bërë me
pëlqimin e autoriteteve të Perandorisë
Osmane, por edhe të vetë banorëve të Trieshit.
Personat që trashëguan këtë pozitë shoqërore
Nga rrëfimet e trieshjanëve të vjetër
flamurtarët ( turqisht
bajraktarët) kryesisht zgjidheshin nga
shtëpia më e njohur, më e fortë, më trime, më bujare, më fisnike, më zëmadhe. Domethënë krerë të bajraqeve zgjidheshin
ata njerëz që shquheshin mbi të
tjerët. Bajraktari ishte një person që e kishte trashëguar këtë
titull, që i lihej djalit të madh nga i ati dhe, në mungesë të këtij,
mashkullit më të afërm nga farefisi. Bajraktarët e parë në Triesh qysh se dihet për këtë titull nga popullsia
vendase janë nga familja e Bonkeqit, Lucaj, prej fshatit Stjepoh. Sa
për sqarim dua të shpjegoj se ky bajrak
i Malësisë së Madhe përfshinë fshatrat: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk, Buxë (
Budzë), Delaj, Poprat dhe një pjesë e luginës së rrjedhës së lumit Cem, që
quhet Cemi i Trieshit. Në Triesh thuhet
dhe tashmë dihet se nga familja
që përmendëm më lartë ( sot barku Glmaçkaj
, bajraktarë brez pas brezi kanë qenë
: Peli, djali i Stojë
Pontit, pastaj Nika , Luca, Bumçi ( Bupç), Ujka dhe Uci. Sipas rrëfimit të pleqve nga vëllazëria Lucaj , Uc
Ujka nuk ishte bajraktari i fundit i
kësaj shtëpie deri me ramjen e Trieshit
nën administrimin e Malit të Zi, por atë e trashëgoi Gjon Maçku . Nga kjo vëllazëri bajraktarë kanë qenë edhe vëllezërit Lucë Gjoni e Martin Gjoni. Më pastaj
këtë titull e trashëguan Nishkë Gila, Gjon Nishk Gila dhe djali i
Nishkut, Gjeka, i cili siç pohojnë pasardhësit e tij, ishte bajraktar i çetës së Stjepohit,
deri në vitin 1904.
Përveç vëllazërisë ( fisit Lucaj, nga sa dimë nga trieshjanët e vjetër
, bajraktarë kanë qenë edhe Nikë Lucë Dokë Ujkaj nga fshati Bëkaj dhe
Baca Nikë Gjeloshi , nga fshati Muzheçk.
Roli që kanë luajtur
Nga brezi në brez përcillen
rrëfime se të gjithë bajraktarët e Trieshit, gjatë veprimtarisë
së tyre aktive prej më se dy shekujsh gjithmonë dhe në të gjitha
rastet ishin në shërbim të interesave të
popullit të vet, e asnjëherë nuk u
nënshtruan të pushtuesve të kohës, të
cilët i sollën shumë tragjedi kësaj popullsie shqiptare gjatë historisë së saj
sa të dhimbshme, aq edhe
krenare. Prej se mbahet mend krijimi i
bajrakut në këtë cep të Malësisë së Madhe, krerët e bajrakut janë dalluar
për trimëri, në mbrojtje të vendlindjes së vet dhe të qenies
kombëtare, nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Nga
goja e shumë trieshjanëve kamë dëgjuar
se bajraktarët bashkë me prijësit
e tjerë të fshatrave në të gjitha
periudhat e mbijetesës së tyre në këtë vend, për mua magjeps dhe të
jashtëzakonshëm, i veshur me kurrize të
thepisura malesh që ngërthen në vete gërdhata,
shpella, qafa, , gryka, e pjesë tjera të relievit të saj të thyer,
kanë luajtur rol të rëndësishëm për kohën patriarkale kur kanë vepruar.
Kontributi i tyre për lirinë e truallit të vet dhe të tokave
shqiptare
Nga ato që kam dëgjuar nga të vjetrit
bajraktarët kanë dhënë kontribut
të madh në radhë në mbrojtjen e popullatës vendase, por edhe
në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e
truallit të vet, por edhe të tokave shqiptare. Këtë e dëshmuan duke
marrë pjesë në shumë lufta të ushtrive të mëdha e mizore të pushtuesve të egër e gjakatarë, osmane,
fashiste, naziste e të tjera, të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si dhe në luftat të tjera më vonë.
Po ashtu nga informatorët e shumtë
kam dëgjuar se bajraktarët në
Triesh kanë qenë shumë të njerëzishëm (
njerëzor) dhe njerëz me dinjitet , të
cilët veprimet dhe vendimet e tyre i sollën në pajtim me kodin kombëtar të Lekë Dukagjinit, sipas
të cilit administroheshin gjatë sundimit
turk, i cili parashikonte deri në hollësi të gjitha rastet e jetës së rëndë të
shqiptarëve në rrethanat e kohës. Në mbamendjen e familjeve trieshjane bajraktarët kanë
mbetur të suksesshëm dhe shumë kontribues për çlirim kombëtar. Ata për
trieshjanët kanë qenë dhe do të mbeten
flamurmbajtës , që me shembullin
e mirë të tyre e “ushquen” këtë krahinë martire me burrëri, me fisnikëri, me drejtësi, me atdhetari dhe me
sakrificë gjatë gjithë zhvillimeve historike të saj.