Speciale
Jusuf Buxhovi: Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës
E diele, 20.12.2020, 09:18 PM
IBRAHIM RUGOVA MIDIS REALITETIT DHE IKONËS
Në vigjilje të 31 vjetorit
të themelimit të LDK-së
Nga
Jusuf Buxhovi
Historia
nuk do të ishte histori po qe se nuk do
t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin
të prekshëm.
I
tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova,
lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të
fuqishmet mbi bazat institucionale dhe
më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura
në vjeshtën e vitit 2000. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund
t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zë vendin që i takon në altarin e të
merituarve të pavarësisë së saj.
Por,
nëse mund të thuhet se Rugova është
pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen
me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë
shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur
rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.
Zaten,
këtu e kanë burimin edhe thyerjet për
dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis
pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë
dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga
bindjet majtiste, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave
ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e
shoqërisë që ende nuk është liruar nga
mentalitet patriarkale, ku
vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.
Shikuar
nga këndvështrimi historik këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet
parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e
kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore,
fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.
Vendosja
e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të
thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së
cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por
viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare
NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh
ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.
Natyrisht,
se pos pastrimit sistematik nga vetëdija
e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht do të ndërmarrin
fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë
perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj
Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që
t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili
sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe
reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së
kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të
Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e
Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e
egër nacionale e Beogradit, e cila deri
në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve
antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.
Edhe
përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i
viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë,
klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankiviqt, e cila
do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e
subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për
kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë
edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i
bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit
stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët, që do të pasqyrohet me kërkesën
për Republikën e Kosovës.
Rugova
mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të
cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi
i kornizave ideologjike të sistemit kah
vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia
dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që
një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet
ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, siç ishte ajo e ngritjes së Kosovës
në Republikë, e artikuluar në demonstrat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e
parë në kontekstet e zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve
të saj, nuk shfaqej si çështje formale, por si pjesë e hapësirës së lirisë dhe
të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa
më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të kalonin edhe në
ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike
shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale,
që ishin të drejta dhe në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e
saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.
Kur
do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa
politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e
tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që
realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet
e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të
fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të
intelektualëve serbë që do të dalë në shesh me Memorandumin e Akademisë serbe
të vitit 1986, do të shtrohet domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike, e cila do të
mbështetej mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në
frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.
Dhe
marrja me politik duhej të kishte një
koordinatë të dyfishtë: lirimin
nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe
kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët
demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para - lirimi nga dhuna
ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë
për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare
ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e
tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin
qëndronte, paraqiste parakushtin e parë
të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes
perëndimor, e ku pastaj, me postulatet civilizuese mund të arrihej edhe barazia
e edhe liria.
Sigurisht
se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të
programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i
prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike
botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të
bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe
bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën
e kishin mbajtur në ethët e luftës së
ftohtë.
Në
këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë:
fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit
federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te
shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.
Si
do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë
hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit
dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të
përfitohej që sa më lehtë të liroheshin
nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim
duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku
do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që
të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i
shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente
ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes
ideologjike.
Por,
lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do
t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin”
e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta
shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të
përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre
muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me
ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste,
por që në atë fatkeqësi kanë qenë të
përfshirë dhunshëm, dhe njëherësh do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre
është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda
hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë
staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e
rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.
Dhe
natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në
përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci
shfaqen si të pakapërcyeshme.
Andaj,
ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të
mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.
Vënia
e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore,
konceptin programor të mbështetur mbi
trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta
kthejë në një filozofi politike, atë të
kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si
pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të
mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do
të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që
agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të
ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që
edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq
dhe përkrahës të shumtë, por një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit
të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të
reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së
cilës ishte në Europë.
Por,
ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të
kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht
ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye
me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte me
dëgjueshmëri të madhe që të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe
Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të
evitoheshin konfliktet dhe të pritej.
Slogani
dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në
konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe
refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar
të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia
atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga
ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!
Pa
hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të
Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato
duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e
shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur
nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes
gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje
të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e
mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka
nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë
fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk
mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur,
ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej
përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.
Këtu,
në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e
konceptit të kundërvënies civile me
pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me
blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të
madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë
dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen
ndaj filozofisë politike të tij
nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin
mbështetur, por që pasi ai të ketë
luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e
dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me
pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia
civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së
cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin
lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet
në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më
shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave
ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë
dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe
nëse përcaktimin antikomunist e
ngatërron me atë ideologjik...
Dhe
për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime
do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën
në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të cilat janë
domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e
historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në
histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe
proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e
dukshme madje.
Me
këtë rast duhet përkujtuar se nga largimi im si pjesëmarrës aktiv në polikë,
por assesi si pjesë e koncepteve kreative të filozofisë së saj - dhe kjo do të ndodh pas mbajtjes së
Kuvendit të parë të LDK-së në maj të vitit 1991, pra atëherë kur do të arrihet shkëputja historike me komunizmin dhe pas dy korrikut dhe shtatë
shtatorit të vitit 1990 në Kaçanik do të aprovohet Kushtetuta e Republikës së
Kosovës me çka u krijuan kushtet për
shkëputje edhe nga Jugosllavia, e me këtë do të jetë mbyllur faza më e rëndësishme e
konstituimit të Lëvizjes sonë
shtetformuese si subjekt i pakapërcyeshëm –
me Ibrahim Rugovën do të kem vetëm një takim, kur ai do të marrë pjesë
në promovimin e pjesës së dytë të
romanit tim “Prapë vdekja” dhe aty do të ndërrojmë disa fjalë për krijimtarinë.
Si
herën e parë, dhe si herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja
shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike
dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i
koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë
nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike - shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë
Perëndimit - t’u përkushtohen sa duhet.
Rreth
kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe
humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së
parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë
koncepti i fitores historike të kohës
sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga
Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit
dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i
cili aq shumë kishte investuar në të.
Por,
t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te
Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e
fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e
forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e
forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën
1244 të OKB-së.
Ditë
më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani dhe si rëndom, ishte “në
kompetencë” të mbikëqyrjes së degës së LDK-së në këtë vend, edhe pse në Bon
Qeveria e Kosovës në ekzil kishte “selinë”, por nga disa mospajtime flitej se
raportet midis presidentit dhe kryeministrit nuk ishin të mira. Meqë, i rrija
larg asaj që quhej skenë politike e Kosovës dhe ngatërresave të saj, dhe për
vizitat e liderëve shqiptarë në Gjermani, informoja vetëm kur ata priteshin
zyrtarisht nga institucionet dhe politika gjermane, nuk kisha ndonjë interes që
të sillesha ndryshe as këtë herë, sado që ndjeja nevojë për ndonjë muhabet intelektual me
Rugovën.
Por,
ditën që do të përfundojnë marrëveshjet e Dejtonit dhe isha si shumë i
përqendruar të dija sa më shumë për to, meqë ishte më se e qartë se pas tyre do t’i vinte radha edhe Kosovës, me anën e një
telefonate nga Ministria e Jashtme Gjermane, ftohesha nga Drejtori për Çështje
të Ballkanit, zoti Hase për një bisedë
të shkurtër. Zoti Hase, me të cilin njiheshim ç’prej më shumë se dy
vitesh, do të më njoftojë se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme
zyrtarisht nga ministri Kinkel dhe, nga ai çast, si tha, për dy ditë lideri i
shqiptarëve të Kosovës do të jetë
mysafir i qeverisë gjermane dhe do të
vendoset në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit. Marrja e Rugovës në
mbikëqyrje nga qeveria gjermane
pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të
Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte
përherë “jozyrtare”. Pasi ma dha kumtesën
për shtyp rreth pritjes së liderit shqiptar nga ana e Kinkelit, e cila
përfshinte disa rreshta, më ftoi në
darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.
Sinqerisht
i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy
vitesh, pra kur isha larguar dhe personalisht ia kisha shpjeguar arsyet,
paralajmërimet e të cilave nga ana ime i kishte pasur që më parë por mendonte
se do ta ndërroj mendjen, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të
tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Urova
që aty të ketë më shumë atmosferë intelektuale nga ajo e pritshmja politike. Në
mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e
madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, do ta takoj Rugovën, të
qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në
zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm
mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një
bashkëpunëtor dhe do të vijë edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të
përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre
thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.
Darka
do të kalojë në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të
zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes
së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e
cila nga ajo pikë dukej impozante, ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë
përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje
rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur
shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja”, që thoshte
se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se
një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim
pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me
romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.
Pas
nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e
ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur
përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të
paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e
kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta
vazhdonim takimin.
“Ka
edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.
Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në
verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte
të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm
aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend
nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin
në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të
mëngjesit.
Nisi
të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe
nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin
në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm
gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës
civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta
me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte
biseda për çështje problemesh, por rreth
ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të
shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut,
referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit
gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me
Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori
ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i
shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që
kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më
tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i
jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa
koniukturave nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë
partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë
popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të
dukeshin vetëm premtime.
Nuk
dija se çfarë t’i thosha tjetër pos t’ia bëja me dije se përkundër asaj që
ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit.
Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në
ujë.
“Nuk
ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa
gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.
Ia
përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990
në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe ai thuajse i
fascinuar ishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që
lëviznin botën...
Edhe
pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët,
megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku
njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të
hetohej, kur sërish do t’i kthehet disponimi dhe do të thotë se ia kishim dalë
të bëhemi interes i Perëndimit dhe kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi
më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:
“Nuk
ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit.
Sikur i kemi fat?... Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe
jo në lindje”.
Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në
maj të vitit 1999 në Bon, do të fillojë ftohtas në një pasdite kur do t’i
drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga
Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon
që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh kur ndodhej në
rezidencën e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e
të panjohurave të Dejtonit.
Në
të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e
rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte
tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe
e atyre që kishte me vete, por edhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin
nga të gjitha anët e Gjermanisë, po edhe nga vendet përreth dhe dëshironin ta
takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma
tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e
djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës
së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.
Ky
takim, megjithatë, ishte tjetër fare nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte
kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e
Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte
munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se
Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte
përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim
nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur
më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me
preokupimin jetik që të mbeteshim në atë
të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga
reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.
Kisha
përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e
thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i
përngjan paranojës.
“I
druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më
shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e
Beogradit.
“Nuk
mund të çrrënjosen bindjet totalitare.
Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj...”
Çfarë
t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai
tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.
Prapë
përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i
famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me
diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu
tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte
dashur të vdiste në Dublin?
Edhe
pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte
nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë,
përgjigjes i bishtnova me atë që thashë
se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.
“Ku
ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.
“Ka!”
m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”
Pas
pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të
rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste
me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?...
“Në
Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh... Nuk e dua
vrasjen në Dublin... Nuk e dua...”
“Kush
do ta donte...?” - ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.
Pak
më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe
kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje
do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.
“Xhojsi
kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej... Kishte mallkimin e
shpirtit...”
Kur
po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të
hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, m’u kishin vu pas dhe po më
ndiqnin nga të gjitha anët...