Speciale
Nikë Gashaj: Pozita e shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër
E marte, 25.08.2020, 08:04 PM
POZITA E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVINË E VJETËR
Nga
Nikë Gashaj
Pozita e shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër është njëra prej periudhave më të rënda në
historinë e shqiptarëve. Më 1918 u bë themelimi i Mbretërisë së Serbëve,
Kroatëve e Sllovenëve. Ky shtet ka qenë unitarist, i mbështetur në marrëdhënie
borgjeze-feudale dhe i rregulluar në parimet e monarkisë e të etatizmit
centralist. Për këtë shkak kjo krijesë shtetërore u bë instrument i robërimit
dhe i eksploatimit të pamëshirshëm social e kombëtar, në rëndë të parë të
nacionalitetit shqiptar
Jugosllavia e vjetër u bë vendi më tipik i shtypjes
kombëtare në Evropë. Kroatët, Sllovenët dhe Malazezët ishin të nënshtruar, Shqiptarët, Maqedonët dhe të tjerë, ishin të
robëruar e të nënshtruar padrejtësive.
Udhëheqësia hegjemoniste serbomadhe, në grykësinë e vet për pasurim, në
krye me mbretin, sundoi 22 vjet Jugosllavinë, krijoi një regjim të xhandarëve,
të gllavnjaçave, regjim të robërimit social dhe kombëtar.
Me çfarë nënçmimi
dhe poshtërimi u trajtuan shqiptarët nga qarqet sunduese të Jugosllavisë së
vjetër mund të shihet mirë nga një raport i komadës së përgjithshme të
xhandarmerisë së Jugosllavisë më 1924, në të cilin, ndër të tjera, thuhet:
“Nëpër shumë rrethe të Serbisë Jugore jetojnë arnautë, popull brutal, i
pakulturë, i pabesë, dinak, i pagjunjëzuar, me norma juridike nga priudha më e
vjetër e zhvillimit të së drejtës penale”.
Në Jugosllavinë e tillë antipopullore, kombësia shqiptare
përjetoi robërim më të rëndë kombëtar dhe social. Ajo jo vetë që nuk gëzoi
kurrfarë të drejtash kombëtare, madje as ato që pakicave kombëtare iu garantuan
me Kushtetutën e Vidovdanit dhe me obligimet ndërkombëtare të Jugosllavisë, por
mbi të u zbatua edhe shtypja totale e brutale, ekonomike, sociale dhe politike,
deri te gjenocidi fizik dhe zbatimi i të gjitha metodave të njohura të
diskriminimit e të robërimit nga arsenali i politikës së metropolave evropiane
në vendet koloniale.
Duke vënë në pah pozitën specifike e më të rëndë të
kombësisë shqiptare në Jugosllavinë e vjetër, Zhivko Avramovski tha:” Në
pikëpamje kombëtare, kulturore, ekonomike dhe politike shqiptarët ishin në
pozitë më të rëndë se cilido pakicë kombëtare” në Jugosllavi.
Pozitën më të rëndë kombëtare të shqiptarëve në
Jugosllavinë e vjetër e vunë në pah në mënyrë të vazhdueshme të gjitha
dokumentet partiake të PKJ, që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare në këtë
periudhë. Duke theksuar pozitën e rëndë të kombësisë shqiptare në Mbretninë e
Jugosllavisë, në rezolutën e Konferencës së Parë të Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar
të Kosovës e Metohisë, që u mbajt kah fundi i vitit 1943, ndër të tjera,
thuhet: “Populli shqiptar në Kosovë e Metohi jo vetëm që u shtyp në pikëpamje
politike, kombëtare e ekonomike, por i qe nënshtruar edhe çfarosjes fizike.
Atij iu mohuan të gjitha të drejtat kombëtare. Përfaqësuesit e tij ishin
agjentë besnikë të klikave hegjemoniste serbomëdha për plaçkitje dhe shtypje.”
Pra, fakte dhe qendrime të shumta nga dokumentet partiake
të PKJ dhe deklaratat e revolucionarëve
Kosta Novakoviq, Mosha Pijade, Josip Broz Tito, Eduard Kardel, Velko Vllahoviq,
si dhe Llasllo Rehak, Zhivko Avramovski etj. Vërtetojnë se pozita e
nacionalitet shqiptar në Jugosllavinë e Vjetër ishte më e rënda në krahasim me
pozitën të të gjitha kombeve dhe kombësive
të tjera në Jugosllavinë e vjetër.
Pra udhëheqësia politike serbe ndaj shqiptarëve në
veçanti ka përdorur metoda koloniale dhe ka bë eksploatimin dhe robërimin e
popullit shqiptarë në Jugosllavi.
Lëvizjet demografike të shqiptarëve
Sipas regjistrimit të popullsisë në Turqinë osmane në viset ku jetonin shqiptarët, kah mbarimi i
shekullit XIX ka pasur rreth 550-600 mijë shqiptarë.Ndërkaq, sipas regjistrimit
të popullsisë më 1921 në Jugosllavi atëherë jetonin 439.613 pjestarë të
kombësisë shqiptare.
Megjithëse regjistrimi i popullsisë i vitit 1921 u bë 3-4
dekada pas regjistrimeve të përmendura turke, megjithëse është i njohur shtimi
i madh natyror i popullsisë shqiptare, prapëseprapë sipas regjistrimit të vitit
1921 numri i shqiptarëve qe radikalisht i paksuar në viset ku jetonin
shqiptarët në Jugosllavi. Kjo është pasojë e shumë shkaqeve:
1.Vetë regjistrimi i popullsisë në vitin 1921 nuk ishte
real sa i përket gjendjes faktike, sepse qarqet sunduese të Jugosllavisë u
përpoqën me qëllim të paraqesin numër më të vogël të shqiptarëve; prandaj në
këtë drejtim bënë keqpërdorime të shumta gjatë regjistrimit të popullsisë.
Kështu, shqiptarët u paraqitën turq ose thjesht myslimanë, duke keqpërdorur
mosdijen ose mungesën e vetëdijes së qartë kombëtare dhe religjiozitetin e
thellë të qytetarëve me rastin e dhënies së deklaratave gjatë regjistrimit.
2. Gjatë luftërave ballkanike dhe në kohën e Luftës së
Parë Botërore një numër i madh shqiptarësh humbën jetën gjatë vetë operacioneve
të luftës ose në masakrat dhe terrorin e njohur që zbatuan ushtritë serbe,
malazeze e bullgare me rastin e arritjes në viset ku jetonin shqiptarët.
Ekziston lista se vetëm me rastin e arritjes së ushtrisë serbe e malazeze në
këto vise në vitin 1912, u vranë 12.777 shqiptarë.
Përveç kësaj, në prag dhe gjatë vetë luftërave
ballkanike, si dhe gjatë Luftës së Parë Botërore edhe menjëherë pas saj, një
numër i madh shqiptarësh iku në shtete të tjera, e kjo solli në pakësim të
posaçëm të numrit të shqiptarëve që u përfshinë në kufijtë e Jugosllavisë së vitit
1918.
Pra, edhe pse ekzistojnë shkaqe të shumta të paksimit të
popullsisë shqiptare sipas regjistrimit të vitit 1921, prapëseprapë me numrin
prej 439.613 pjestarëve të kombësisë shqiptare, kjo kombësi ishte pakica më e
madhe kombëtare në Jugosllavinë e vjetër
dhe, pas serbëve, kroatëve, sllovenëve dhe eventualisht myslimanëvet, ishte
nacionaliteti më i madh në vetë Jugosllavinë e vjetër. Por përkundër të gjitha
këtyre, siç theksuam, shqiptarët në Jugosllavinë e vjetër nuk gëzonin kurrfarë
të drejtash kombëtare, por ndaj tyre u bënë presione totale e të pamëshirshme
në të gjitha sferat e jetës shoqërore
Pozita juridike e shqiptarëve
Edhe pse, siç theksuam, pakica kombëtare shqiptare ishte
pakica më e madhe dhe territorialisht më homogjene në Jugosllavinë e vjetër,
ajo faktikisht nuk gëzonte as ato të
drejtat e pakicës, që ishin të garantuara me Kushtetutë dhe me obligimet
ndërkombëtare të Jugosllavisë, por ndaj saj ushtroheshin presione totale.
Shqiptarët nuk gëzonin as të drejtat e pakicave të
garantuara me Kushtetutën e Vidovdanit të vitit 1921. Në nenin 16 të kësaj
kushtetute proklamohet se “pakicave të racës e të gjuhës tjetër u sigurohet
mësimi fillor në gjuhën e tyre, sipas kushteteve që do t’i përcaktojë ligji”.
Në ligjin e aprovuar më vonë, lidhur me këtë thuhet:” Në vendeet ku jetojnë në
masë të konsiderueshme shtetas të gjuhës tjetër do të hapenparalele të shkollës
fillore për fëmijët e tyre... Mësimet në këto paralele zhvillohen në gjuhën
mësimore të nxënësve”.
Ndërkaq, pakica kombëtare shqiptare u diskriminua sa u
përket të drejtave të përmendura kushtetuese dhe ligjore, sepse gjatë tërë
kohës sëJugosllavisë së vjetër jo vetëm
që nuk u bënë aspak të mundshme mësimet në gjuhën shqipe, por që kjo kombësi të
lëhet analfabete dhe e pa dije, nuk iu bë e mundshme as përfshirja më e madhe e
fëmijëve në shkollat në gjuhën serbokroate.
Edhe sipas traktatave të Sen Zhermentit mbi të drejtat e
pakicave, Jugosllavia ishte e obligueshme të siguronte disa tëdrejta të
pakicave edhe për pakicën kombëtare shqiptare, të cilat përndryshe ua siguroi
disa pakicave të tjera kombëtare në këtë vend. Megjithatë qeveria e
Pashiqit ua bëri të pamundshme çfarëdo
të drejtash pakicës kombëtare shqiptare në Jugosllavi.
Politika e terrorit dhe presionit fizik
mbi shqiptartë
Politika e terrorit dhe e presionit fizik ndaj kombësisë
shqiptare në Jugosllavi ishte praktikë permanente e të gjitha qeverive dhe të
gjitha organeve të pushtetit në Jugosllavinë e vjetër. Në këtë mënyrë synohej
që popullsia shqiptare të detyrohej të lëshonte Jugosllavinë ose, të paktën, të
shpërngulet në vise të tjera të Jugosllavisë, kështu që të eliminohej
homogjenizimi i tyre në territoret përkatëse.
Me rastin e arritjes së ushtrisë serbe më 1918 në vise ku
sot jetojnë shqiptarët në Jugosllavi pati më pak terror, gjenocid fizik dhe
keqpërdorime të popullësisë shqiptare se
në vitin 1912, në saje të pranisë së ushtrisë franceze në ato momente në ato
vise. Mirëpo, pas tërheqjes së ushtrisë franceze, e gjatë qërimit të hesapeve
me popullsinë e shumtë shqiptare, që u arratis në male në radhët e kaçakëve, në
periudhën e viteve 1919-1924 u zbatua një terror i rëndë sistematik dhe
keqpërdorimi i masave të gjera popullore të kombësisë shqiptare në Jugosllavi.
Qarqet sunduese ndërmorën gjenocid masiv fizik ndaj popullsisë shqiptare
sidomos pas kryengritjes masive të shqiptarëve në Dukagjin më 1919, gjatë dhe
pas kryengritjes së madhe në anën e Llapit më 1920, e gjithashtu edhe gjatë
kryengritjeve të tjera që ishin karakteristike deri më 1924. Vetëm gjatë dhe
pas kryengritjes së Llapit u vranë më se një mijë shqiptarë, ndër të cilët
shumë gra, fëmijë dhe pleq.
Përndryshe, ka ekzistuar praktika permanente që zakonisht
në çdo 2-3 vjet të organizohet i ashtuquajturi aksion për mbledhjen e armëve
nga popullsia shqiptare. Në ato raste ushtria dhe xhandarmeria rrihnin në masë
dhe publikisht shqiptarët, gjoja për dorëzimin e armëve, të cilat shpesh
qytetarët nuk i posedonin.
Qëndrimi i administratës shtetërore ndaj
shqiptarëve
Edhe pse administrata shtetërore në viset ku banonin
shqiptarët ishte e ngjashme me atë në tërë Jugosllavinë, ajo prapëseprapë
në këto anë qe specifike dhe u soll në
mënyrë shumë brutale e më mizore ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare.
Në viset ku jetonin shqiptarët, në administratën
shtetërore gati nuk kishte vend për shqipëtarët, e tërë administrata zhvillohej
ekskluzivisht në gjuhën serbokroate, të cilën shqiptarët në shumicë dërmuese nuk e kuptonin. Pati diçka më shumë
shqiptarë në funksione zgjedhore politike, në cilësinë e kryetarëvetë komunave
ose të deputetëve, por këta politikisht ishin bashkëpuntorë të qarqeve sunduese
dhe instrument për manipulimin me organet lokale të administratës shtetërore.
Cilësitë morale e profesionale të nëpunësëve shtetërorë
dhe sjelljet e tyre ndaj qytetarëve, sidomos të kombësisë shqiptare, ishin në
shkallën më të ulët. Përveç disa përjashtimeve, nëpunësit shtetërorë ishin të
ngarkuar me shovinizëm ndaj shqiptarëve dhe, vazhdimisht të nxitur nga qarqet
sunduese të Jugosllavisë së vjetër, silleshin në mënyrë shumë brutale e
jokoshiente ndaj qytetarëve, sidomos ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare. As
në vetë parlamentin jugosllav nuk mund të fshehej ky realitet, prandaj një
deputet deklaroi se në Serbinë Jugore “administrata jonë nuk është e mirë...
nuk mbështetet në ligj, për fat të keq në
shumë raste është e korruptuar”. Në të vërtetë, punonjësit e kombësisë
shqiptare nuk mund të kryenin asnjë punë pa dhënie të ryshfetit ose të të
ashtuquejturit bakshish. Mbasi shqiptarët e varfër nuk kishin mundësi që, si
ata të pasurit, t’u jepnin ryshfet nëpunësve, ata maltretoshin posaçërisht. U
bënë keqpërdorime dhe malverzime të rënda, sidomos me ikasimin e shumfishtë të
tatimeve, të taksave të ndryshme dhe të tagrave shtetërore.
Pra, mund të konstatohet se administrata shtetërore në
viset ku jetonin shqiptarët sillej ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare në
mënyrë gati identike me administratën e metropoleve evropiane ndaj popujve të
vendeve koloniale.
Presioni ekonomik ndaj shqiptarëve
Një prej formave më të rënda të shtypjes së masave
punonjëse të kombësisë shqiptare në Jugosllavi ishte presioni ekonomik bashkë
me format e llojllojshme të eksploatimit të masave shqiptare, e sidomos të
fshatarësisë së varfër, që përbënte pjesën më të madhe të kombësisë
shqiptare. Në këtë drejtim gjëja më e
rëndë qe marrja e tokës prej fshatarëve
shqiptarë dhe kolonizimi i viseve të
tyre. Me qëllim presioni ndaj masave shqiptare në përgjithësi dhe të
shpartallimit të tërësive homogjene shqiptare, prej vitit 1912 u zbatua
politika e të ashtuquejturës reformë agrare, përkatësisht e marrjes së tokave të
shqiptarëve dhe sjedhja e kolonistëve në viset ku jetonin shqiptarët.
Vendosja e kolonistëve të kombësisë serbe dhe malazeze në
Kosovë filloi qysh në vitin 1912, por u zbatua në mënyrë më intensive gjatë
viteve 1919-1924, si dhe atyre 1934-1941. Në atë periudhë në Kosovë u vendosën
më se 39 mijë serbë e malazezë dhe u krijuan 374 koloni, përkatësisht
vendbanime të reja fshatare. Këto koloni u shpërndanë me plan dhe
sistematikisht në ambientet homogjene shqiptare, në viset kufitare me
Shqipërinë dhe në pikat strategjike e komunikative të Kosovës.
Fshatarët e varfër, që u sollën nga Serbia, Mali i Zi dhe
Hercegovina, u mashtruan se në Kosovë do të marrin tokë të plleshme e do të
kenë kushte ideale të jetës, duke i indoktrinuar me patriotizmin e rrejshëm se
vijnë këtu të shpëtojnë Kosovën serbe. Mirëpo numri më i madh i kolonistëve u dëshpruan
nga fakti se ata u vendosën në tokën që u ishte marrë fshatarëve të varfër
shqiptarë ose nëpër mera që iu deshtën vite t’i hapin dhe t’i aftësojnë për
prodhim. Gjithashtu, nuk iu ndërtuan shtëpitë e premtuara dhe ata, edhe vetë të
varfër, u desht të bënin përpjekje shumë të mëdha për strehimin e familjeve të
veta.
Megjithë procesin intensiv të vendosjes në viset ku
jetonin shqiptarët në Jugosllavi, nëpërmjet të kolonizimit dhe të sjelljes së
nëpunësve e të puntorëve publikë nga viset tjera të Jugosllavisë, për arsye të
shtimit të madh natyror të popullsisë shqiptare, struktura kombëtare e
popullësisë nuk u keqësua, por u përmirësua sa u përketshqiptarëve. Duke
konstatuar këtë fakt në një diskutim teorik mbi metodat e eliminimit të
kombësisë shqiptare në Jugosllavi, në Klubin kulturor të Serbisë më 1936, Vasa
Çubrilloviq tha: ” Kolonizimi nuk mund të pengojë shtimin më të madh natyror të
arnautëve ndaj serbëve, sepse qeveria nuk pati kurs të vendosur lidhur me
arnautët dhe nuk u mori atyre tokën të plleshme... të rikapitulojmë, arnautët
është e pamundshme t’i asgjësojmë vetëm nëpërmjet të kolonizimit. Prandaj
rekomandoi që, si tha ai, “kolonistëve tanë, sipas nevojës, t’u jepen armë dhe
në këto vise të plasohet aksioni i vjetër çetnik e të ndihmohet fshehtazi në
detyrat e tij” të ndjekjes së shqiptarëve.
Politika kulturo-arsimore dhe fetare
ndaj shqiptarëve
Me qëllim të pëngimit të afirmimit kombëtar e duke synuar
asimilimin e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare dhe eliminimin e tyre nga
Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër zbatuan politikë arsimore
diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ato nuk lejonin kurrfarë veprimtarie kulturore
dhe arsimore në gjuhën shqipe. Përveç kësaj, që popullsinë shqiptare ta linin
në mosdije dhe në analfabetizëm, qarqet sunduese sabotuan edhe përfshirjen e
fëmijëve shqiptarë në shkollat në gjuhën serbokroate, kështu që më 1936 afro 95
për qind të popullsisë shqiptare ishin analfabetë. Në vitin shkollor 1939/1940
prej afro 120 mijë fëmijëve shqiptarë, që përkah mosha duhej të përfshiheshin në shkollat
fillore, u regjistruan vetëm 21 mijë sish, madje në mësimet në gjuhën
serbokroate. Madje edhe qarqet më të larta ushtarake insistuan që “në
lokalitetet thjesht shqiptare të mos kërkohet që fëmijët të ndjekin shkollën,
përkatësisht të arsimohen”.
Përfshirja e fëmijve shqiptarë në numrin shumë të vogël
të shkollave të mesme ekzistuese në viset ku jetonin shqiptarët ishte gjë shumë
e rrallë , kryesisht nëpër qytete dhe prej familjeve më të pasura. Regjistrimi i shqiptarëve në fakultete dhe në
shkolla të larta gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ishte dukuri shumë e
rrallë. Kështu, më 1939 kishte vetëm 17 studentë pjesëtarë të kombësisë
shqiptare.
Në kohën e Jugosllavisë së vjetër jo vetëm që nuk u lëjua
kurrfarë veprimtarie arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe, jo vetëm që
u ndalua rreptësisht përdorimi i kësaj
gjuhe, por qarqet sunduese zbatuan edhe kontroll të rreptë rreth asaj se mos
përdoret ilegalisht çfarëdo teksti në gjihën shqipe, që eventualisht do të
depërtonte nga Shqipëria. Nëse dyshohej se ekziston ndonjë tekst i tillë,
bëheshin kontrollime e bastisje të mëdha të banesave dhe nëse gjendeshin të
tilla atëherë, pavarësisht nga përmbajtja e tyre, poseduesit e lëndës së tillë
dënoheshin në mënyrë më të rreptë.
Politika fetare e qarqeve sunduese ndaj shqiptarëve ishte
e përqendruar në zhvillimin sa më të gjerë të aktiviteteve religjioze, që
vetëdija e punonjësve të ngarkohej me fanatizëm dhe mashtrime, e kështu të
pengohej depërtimi i vetëdijes kombëtare.
Përveç kësaj, nëpërmjet të klerit të korruptuar, sidomos të lartë e të
mesëm, me zhvillimin e aktivitetit fetar duhej arsyetuar sa më shumë politikën
e presioneve e të keqpërdorimeve ndaj shqiptarëve si të domosdoshme. Për këtë
arsye shteti nxiti ndërtimin e objekteve fetare dhe hapjen e shkollave fetare,
u siguroi pastaj rroga të mëdha klerit të lartë e të mesëm( dr. Hajredin
Hoxha). Qellimi ishte përfitimi i klerit për përkrahjen e politikës së shtetit,
megjihëse ajo ishte në dëm të shqiptarëve si popull dhe kombë.
Pra, politika arsimore dhe fetare e Jugosllavisë së
vjetër ndaj shqiptarëve u shërbeu intresave të qarqeve sunduese për
denacionalizimin e shqiptarëve, për pengimin e depërtimit të vetëdijes
kombëtare shqiptare.
Politika e eliminimit total të
shqiptarëve nga Jugosllavia e vjetër
Duke vazhduar pa ndëprerje
politikën e qeverisë serbe e malazeze qysh nga viti 1912, qarqet sunduese të
Jugosllavisë gjatë tërë periudhës së sundimit patën si qëllim strategjik
eliminimin total të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën
shpërnguljen e tyre në vise të tjera të Jugosllavisë me qëllim të shkatërrimit
të homogjenizimit të jetesës së tyre në territore përkatëse. Gjithashtu,
qëllimi strategjik u përqendrua në procesin e denacionalizimit dhe asimilimit
të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Programin e këtillë të luftës kundër
shqiptarëve qarqet sunduese e realizuan me metoda dhe forma të shumta, ndër të cilat
po përmendim këto:
Qarqet më ekstreme dhe më
reaksionare shoviniste të Jugosllavisë së vjetër synuan eliminimin e
shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë edhe nëpërmjet të gjenocidit fizik. Ky
qëllim u realizua nëpërmjet të masakrimit masiv të shqiptarëve më 1912 dhe prej
1918 deri më 1924, si dhe nëpërmjet të
vrasjes e të likudimit individual të njerëzve deri në vitin 1941. Gjithashtu,
pas sulmit të forcave fashiste kundër Jugosllavisë më 1941 u keqëpërdor ushtria
për masakrimin e shqiptarëve në vise të Kosovës. Përndryshe, gjatë tërë kohës
së sundimit të Serbisë monarkiste dhe të Jugosllavisë së vjetër këto forca
ekstreme zbatuan terror dhe keqpërdorime permanente ndaj popullsisë shqiptare
me qëllim të zhdukjes së tyre fizike.
Pjesët më liberale të qarqeve
sunduese në Jugosllavinë e vjetër shpresuan se shqiptarët do t’i eliminojnë nga
trualli i Jugosllavisë nëpërmjet të denacionalizimit dhe të asimilimit të tyre.
Në këtë drejtim optimisti më i madh ishte Nikolla Pashiqi, i cili më 1918
deklaroi se në periudhën e 25 vjetëve të ardhshme shqiptarët do të eliminohen.
Mirëpo, për arësye të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në rezistencën ndaj
politikës së asimilimit, për arsye të vështirësive të mëdha në eliminimin e
gjuhës shqipe dhe për arsye të kundërvënies së vendosur të masave shqiptare
procesi i denacionalizimit, ky qëllim për asimilimin e popullsisë shqiptare nuk
mund të realizohej gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë së vjetër.
Duke parë se eliminimi i
shqiptarëve me ndihmën e gjenocidit fizik dhe të asimilimit nuk dha rezultate
të dëshiruara, qeveria jugosllave bashkë me shtatmadhorinë inicoi debatin
“shkencor” në Klubin kulturor të Sërbisë më 1936, i cili duhej të gjente rrugë
dhe mënyra të reja për eleminimin e kombësisë shqiptare nga trualli i
Jugosllavisë, ose të paktën për eliminimin e homogjenizimit të saj në
territoret përkatëse të të ashtuquejtura Serbi Jugore. Konstatimi kryesor në
këto diskutime u përqendrua në atë se nëpërmjet të asimilimit dhe të
kolonizimit të deriatëhershëm të viseve ku jetonin shqiptarët nuk mundi të
eliminohej homogjenizimi i shqiptarëve në territoret gjegjëse të të
ashtuquejurës Serbi Jugore dhe se kjo do
të mund të arrihej vetëm me shpërngulen
masive e të dhunshme të shqiptarëve në botën e jashtme, në rend të parë në
Turqi. Shpërngulja e këtillë, sipas debatit të lartpërmendur, kishte me pasë
rëndësi të madhe kombëtare, strategjike dhe politike për shtetin jugosllav.
Alternativa më e pranueshme për
eliminimin e shumicës së popullsisë shqiptare nga territoret përkatëse ishte
ajo e Vasa Çubranoviqit, i cili për këtë diskutim përgatiti studimin më
voluminoz, në të cilin u shkoqitën konkretisht të gjitha metodat dhe
instrumentet që do të duhej të shfrytëzoheshin për eliminimin e shqiptarëve nga
trualli i Jugosllavisë, përkatësisht për shpërnguljen masive të shqiptarëve në
botën e jashtme – në Shqipëri, e sidomos në Turqi.
Duke bërë fjalë për
shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, Çubrilloviqi thotë: “ Duhet përdorur të
gjitha mjetet diplomatike që Tirana të bindet për të pranuar një pjesë të të
shpërngulurve tanë”. Në këtë drejtim, sipas tij, duhej bërë presion mbi
qeverinë shqiptare dhe “nëpërmjet të kanaleve të fshehta të angazhohen
materialisht njerëz të dalluar”. Mirëpo, siç theksoi Çubranoviqi, gjasat për
shpërnguljen më masive të shqiptarëve në Shqipëri nuk ishin reale edhe për
shkak të rezistencës së Italisë ndaj kësaj shpërngulje. Përndryshe, qeveria
jugosllave nuk ishte shumë e impresionuar për shpërnguljen e shqiptarëve në
Shqipëri, sepse këtë nuk e konsideronte zgjidhje të përhershme për eliminimin e
shqiptarëve prej trojeve të tyre nga se përvoja tregoi se ata, për arsye të
afërsisë, ktheheshin përsëri në trojet e veta sapo u jipej rasti historik.
Për këtë arsye Vasa Çubrilloviq
konsideroi se alternativa më reale për eliminimin e shqiptarëve nga Jugosllavia
ishte shpërngulja e tyre masive dhe e dhunshme në Turqi. Duke bërë fjalë për këtë, ai thotë : ” Turqia
është e gatshme që në fillim të pranojë afro 200 mijë të mërguar tanë, por
kushtëzon që, çka për ne është gjëja më e pranueshme, këta të jenë arnautë.
Dëshirën e turqëve duhet pranuar sa më parë me plot vullnet dhe të realizohet
sa më shpejtë konventa mbi shpërnguljen”.
Qeveria
jugosllave, duke vazhduar kontaktet dhe bisedat me Turqinë rreth
çështjes së shpërnguljes së popullsisë nga Jugosllavia, të cilat filluan qysh
në vitin 1924 e vazhduan intensivisht më 1935, arriti nënshkrimin ndërmjet dy
qeverive të marrëveshjes mbi shpërnguljen e të ashtuquejturve emigrantë në
Turqi. Me atë marrëveshje ishte paraparë shpërngulja e 250 mjë emigrantëve,
përkatësisht shqiptarëve në Turqi. Mirëpo, me marrëveshje të fsheftë ndërmjet
Jugosllavisë dhe Turqisë u vendos që në Turqi të shpërngulen afro 400 mijë
banorë të Jugosllavisë.
Në bazë të subvencioneve që i jipte
qeveria jugosllave, pala turke duhej të ndërtonte në Anadolli ndërtesa banimi
dhe baraka për të shpërngulurit. Gjithasht, në Jugosllavi u morën masa që
shqiptarët të shpërnguleshin me dhunë në Turqi. Ndër të tjera, në ligjin civil
u përfshi klauzula se banorëve myslimanë mund t’u lëshoheshin lejet për shpërngulje në botën e
jashtme brenda 24 orësh.
Në kuadrin e presionit të përgjithshëm
mbi masat shqiptare për shpërngulje të dhunshme në Turqi më 1937 u ndërmorën
aksione të reja për marrjen masive të tokës së punueshme shqiptarëve me qëllim
të kolonizimit të ri ose të shitjes së kësaj toke serbëve vendas. Në studimin e përmendur të Çubranoviqit
shkoqiten me precizitet metodat e llojllojshme të presionit mbi masat
shqiptare, duke filluar prej marrjes masive të tokës së punueshme deri te
zbatimi i presionit e të terrorit më brutal dhe gjenocidi fizik. Për këtë
qëllim ai rekomandoi nxitjen e urrejtjes fetare dhe kombëtare ndaj mylimanëve
shqiptarë, si dhe keqpërdorimin, maltretimin dhe fyerjen e tyre permanente në
çdo pikëpamje.
Zbatimit efikas të politikës së
shpërnguljes masive dhe të dhunshme të shqiptarëve në Turqi iu kundërvunë
vendosmërisht masat popullore të kombësisë shqiptare. Ndërkaq, në fillim të
Luftës II Botërore, e sidomos pas okupimit të Shqipërisë më 1939, në mbarë
Jugosllavinë u krijua psikoza e luftës, prandaj qeveria jugosllave nuk mundi të
zbatojë marrëveshjen e arritur me Turqinë rreth shpërnguljes masive të
shqiptarëve dhe për shkak të rezistencës së shqiptarëve ndaj kësaj shpërngulje
si dhe të përkrahjes që iu dha atyre edhe nga forcat progresive të
Jugosllavisë.
Në anën tjetër, qeveria turke nën
ndikimin e Gjermanisë dhe Italisë, nën presionin e inteligjencës shqiptare në
ambasadën turke në Beograd, dhe me
veprimtarinë e forcave demokratike në vetë Turqinë, vështirësoi e madje edhe
sabotoi procesin e realizimit të marrëveshjes së përmendur mbi shpërnguljet nga
Jugosllavia në Turqi.
Pra, megjithë zbatimin e formave dhe të
metodave të llojllojshme të presioneve për eliminimin e popullësisë shqiptare
nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër nuk arritën të realizojnë
këtë qëllim strategjik për shkak të
rrethanave përkatëse historike, shoqërore e politike, për arsye të rezistencës
së vendosur të masave shqiptare ndaj politikës së tillë për arsye të përkrahjes
shumë të rëndësishme që ua dhanë këtyre forcat progresive të të gjitha kombëve
e kombësive të Jugosllavisë në krye me PKJ, Duke iukundërvënë politikës së
mohimit të të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të eliminimit të saj total
nga trualli i Jugosllavisë.