E premte, 29.03.2024, 08:57 AM (GMT)

Speciale

Fatbardha Demi: Gjuha Shqipe - dëshmi e së vërtetës historike

E shtune, 19.09.2020, 05:27 PM


GJUHA SHQIPE -  DËSHMI  E  SË  VËRTETËS  HISTORIKE

Atje lart në ato male , një ditë udhë prej këtu (Shkodrës), njerëzit jetojnë siç kanë jetuar para njëzet shekujsh, para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët. Atje lart ka qytete parahistorike, gjallërojnë legjenda, këngë e zakone që kurrë s´i ka dëgjuar kush. - Francesa Hardi

Nga Fatbardha Demi

Ky frymëzim historik i albanologes Francesa Hardi dhe amerikanes Rose W.Lane u bë shkas i një «kuvëndi » të pazakontë deri më sot në shkencën e Lashtësisë, ku u përballën legjendat popullore të malësorëve shqipetarë të Thethit, me botimet e studiuesve botërorë, mbi popujt e parë të Gadishullit dhe origjinën arbërore apo greke të Aleksandrit të Madh (356  – 323 p.e.r.).

Miket dëgjuan të habitura emrat e 21 mbreterve paraardhës të Lekës së Madh, siç e thërrisnin ata, si dhe  Emadhinë e Mat-it (Shqipëri) ku ai kishte lindur.  Rreth zjarrit të vatrës, plaku i shtepisë së Sadri Llukës, u tregoi se ky bir i dy prindërve shqipetarë, u pais me shumë dituri nga bashkombasi i besuar i Filipit II-të të Maqedonisë,  Aristoteli (384–322 p.e.r.) i fisit të Ajeropit, i vendosur në Maqedoni.

Në qëndër të këtij « kuvëndi » shtrohej problemi i origjinës etnike të figurave historike dhe mitike të popujve  në Gadishullin pellazgjik (ballkanik), që vijon t´i përball studiuesit edhe në ditët e sotme. Duke qënë një problem që lidhet me të VËRTETËN dhe METODËN  në shkencën historike, do të nisim me gjurmimin historik dhe gjuhësor mbi fiset që emërtohen «greke » dhe   « shqipetare ».

Grekët si fise Indoeuropiane

Historia e Lashtësisë fillon me ardhjen e fiseve Indoeuropiane, midis të cilëve edhe fiset             « greke ». Gjuhëtari Francesco Villar (Gli indoeuropei e le origini dell'Europa. Lingua e storia.) pohon se: « Fiset indoeuropiane të etnis greke, janë çfaqur në Greqi në periudhën e Bronxit (...) Këto fise vinin, ka shumë mundësi, nga Epiri dhe Thesalia qëndrore, duke zhvilluar në Greqi  atë që ne e përcaktojmë Qytetrim mikenian, qytetrim që rënohet rreth shk.XII p.e.r , kur , ka shumë mundësi, janë çfaqur në gadishull fiset, gjithëmonë indoeuropiane, të Dorëve ». (1)

Nga 14 teza të shtruara në shk. 19-të e deri në ditët e sotme dhe e para historikisht, origjina e fiseve Indoeuropiane shikohet në Indi, bazuar tek gjuha sanskrite e pranuar si më e lashta. Kjo ide u mbështet nga Gordon Childe (The Aryans,1926) me teorinë e tij, mbi pushtimet e fiseve të ashtuquajtura « arjane » të stepave aziatike, që u përhapën drejt Perëndimit. (2)

Giuseppe Ciardi-Dupre në Enciklopedinë Italiane (1933) sqaron se shprehja « indoeuropian »  duhet kuptuar si « popuj që flasin gjuhët indoeuropiane » (...) Me një fjalë, ka një lloj gjuhësie indoeuropiane, por nuk ka asnjë fis apo racë indoeuropiane. (3) Metoda e ndjekur për tezën « indoeuropjane » ka qënë krahasimi i fjalëve të përbashkëta apo të ngjashme në gjuhët e popujve të ndryshëm, me synimin e zbulimit të histoisë së gjuhëve në Euro-Azi dhe të gjuhës « mëmë »- rrënjë e pemës gjuhësore.

Kjo metode  ka pesë mangësi kryesore :

1. Janë krahasuar gjuhët e vjetra me të rejat , si dhe dukuritë gramatikore, si mbaresat, parashtesat, nyjet, kohët e foljeve, etj. që janë dukuri të periudhave më të vona historike të gjuhëve në studim.

2.Nuk është marrë parasysh historia e popujve, mbi gjuhët e të cilëve behej studimi, levizjet dhe  përzjerjet (sidomos me ato mongole) që kanë pësuar ndër shekuj apo çfaqja e vonshme si popull dhe gjuhë, siç janë fiset sllave të Gadishullit ballkanik.

3. Nuk është marrë parasysh dallimi midis gjuhëve « naturale » (i popujve parahistorik) dhe  atyre të ndërtuara artificialisht ( gjuhët kishtare apo të shekullit 18-19).

4. Mos përqëndrimi tek fiset Atllantido-Pellazge, fiset e para që njeh historia europiane. Emigrimet dhe pushtimet e tyre, për një periudhë shumë të gjatë kohore, kanë lënë gjurmë në popullsinë e Euro-Afro-Azisë. Gjuha e tyre gjallon akoma, e folur dhe e shkruar, dhe me një fond të pasur dialektor dhe folklorik tek pasardhësit e tyre historik.

5. Përjashtimi në studim, i shkencave të tjera ndihmëse si Besimi (emrat në teologji dhe mite, emërtimet e riteve, objekteve fetare, etj.), Historia, Arkeologjia (epigrafet), Gjeografia (emërvendet), dhe sidomos Dialektologjia e gjuhës shqipe, të cilat kanë lidhje me lashtësinë e gjuhëve dhe të popujve. etj.

Mangësinë më të rëndësishme në metodën e Gjuhësisë krahasuese dhe historike e zbulon Petro Zheji « Shqipja dhe Sanskritishtja » duke theksuar se  : gjuha e cila e shpjegon kuptimin gjuhësor të fjalëve në gjuhët e tjera (që përputhet tek emrat edhe me mitin - shën im), që ato vetë nuk e arrijnë ta bëjnë, është më e lashta. (4)

Poshtë kemi tre shëmbujt, një i mitit pellazg (grek, sipas Historisë botërore) dhe dy fjalë nga mitet budiste në gjuhën sanskrite.

Emri më i rëndësishëm i mitologjisë Dodonase –Zeusi, sipas Pitagorës shqiptohet      « Zan ». Mbas shumë kërkimesh, pohon Dr.Arif Mati, në studimin e gjuhëve europiane, e madje të ashtu- quajtura « indo-europiane »(të vjetra dhe të reja),vetëm gjuha shqipe arrin ta bëj të kuptueshëm atë, nëpërmjet dialektit geg të Shqipërisë : Zan, Zani që do të thotë - zë, zëri. E kjo përputhet plotësisht me  vetë kultin e Zeusit në tempullin e Dodonës (orakullit të përmëndur  në të gjithë Lashtësinë parahelene dhe arkaike).Të kujtojmë, se Pitagora rridhte nga një familje me origjinë tirrenase (Tirrenët ishin etni të afërta me Pellazgët) dhe ka gjasa, që ai ta mbante akoma mënd gjuhën prindërore. (5)

Satya Loka (Sans.) – shpjegohet :Vëndi i pastërtisë dhe mënçurisë së pafund. Në gjuhën sanskrite fjala « lok » nuk tregon «vënd », ndërsa në dialektin geg të shqipetarëve edhe sot kjo fjalë përdoret për vendin.

Trilokhana (Sans.)- Emri i perëndisë më të rëndësishme në Indi-Shivës. Këtu kemi tre fjalë të pastra shqipe : tre (dial çam- tri)+lok/vënd+Hana = vëndi i Zotit/Hënë, e cila në besim simbolizohet me numrin 3. (6)

Sipas mitit, syrit i tretë i Shivës ndodhet në ball dhe shpreh vendin e « energjisë krijuese » të Zotit- Hëna (dial.geg Hana), të cilën e mban mbi kokë.

Të tre rastet e marra nga shkrimet e sanskritishtes dhe greqishtes, që mbahen sot si gjuhët më të lashta, dëshmohet se vetëm gjuha shqipe arrin t´iu jap kuptimin e saktë gjuhësor. Duke marrë në shqyrtim fjalë jo rastësore, por të përsëritura të sanskritishtes, pohon Petro Zheji : « Arrijmë në përfundimin se gjuha shqipe është më e lashtë se sanskritishtja »,(7) rrjedhimisht, Atllantido-Pellazgët ishin fiset me gjuhën më të lashtë në historinë e Euro- Azisë. Vincenzo Gioberti (1801-1852), një prej figurave kryesore të Rilindjes italiane, pohon se gjuha shqipe përmban gjurmë të gjuhëve që qarkullonin në Greqi, para pushtimeve deukalioniane, dmth para formimit të popullsisë që emërtohet « hellene ». (Primato, Bruselles 1844T.II, p.133) (8)

E trajtuar gabim, nuk është vetëm teza « indoeuropiane » e shk.19, por edhe përcaktimi i drejtimit të emigrimeve parahistorike. « Është e qartë se nuk mjafton të nxjerrësh përfundime vetëm nga gjuha ! - pohon Lidio Cipriani (Creta e l´origine  mediterranea della civiltà), i cili grumbulloi fakte mbi popullsinë e tre kontinenteve që rrethojnë Mesdheun - Në këndvështrimin e antropollogjisë, edhe sot Kreta dhe jo Greqia, dikton nevojën e një përmbysje të plotë të tezës së drejtimit të valëve emigrimuese zanafillore të qytetrimit të sotëm europian: Jo nga Azia drejt Mesdheut, por prej tij në Azi; jo nga Veriu në Europën Jugore (teza « kurgan » e Maria Gimbutës-shën im), por nga Mesdheu drejt Europës Veriore ». (9) Ishin pellazgo-ilirët, vëren Xh.Katapano, që duke kaluar nëpër Kaukaz, i janë ngjitur vargmalit të Himalajave që në epokën e Gurit. (10) Nga këto marshime drejt Lindjes, grykat shkëmbore të maleve të Kaukazit, në lashtësi emërtoheshin « Portat e Albanit ». (11)

Fiset Pellazge dhe Dardano-Iperiote, siç dëshmohet në një material të më përshëm (F.Demi Nga Dodona në Tibet) patën një ndikim të fuqishëm mbi popujt aziatik. Mjafton të kujtojmë se « syri i tretë » i Shivës, emërtohet me foljen e gjuhës shqipe « bindu »  dhe në ritet e tij përdoren simboli i shqiponjës dhe i dhisë. (F.Demi , Bindu –emri që i dhanë Arbërit Perëndisë) Këtë ndikim të fiseve shqip-folësve e ka ndjerë edhe  Egjipti, fakt i përmëndur nga Platoni (12) dhe trajtuar për herë të parë shkencërisht prej eruditit arbëresh Xhuzepe Katapano (Thoti fliste shqip).

Ngjashmeritë gjuhësore (jo gjithëmonë të trajtuara shkencërisht) të popujve europian, me gjuhën priftërore sanskrite, burojnë nga PUSHTIMET e fiseve pellazge, ndërsa me popujt e tjerë, sidomos të hapësirës Kaukaziane dhe  Azisë së Afërme, nga NGULIMET e fiseve të tyre gjatë lashtësisë (fakt që nuk merret parasysh kur flitet për huazimet gjuhësore).

Për rrjedhojë: Kanë qenë fjalët e gjuhës pellazgo-shqipe apo rrënjet e huazuara prej saj, shkaku i ngjashmërive midis gjuhëve të Lashtësisë Euro-Aziatike.

U zgjatëm jo pa qëllim mbi këtë tezë, sepse në shk.18-19 u ndërtua origjina më antishkencore e popujve dhe gjuhëve europiane, veçanrisht kur flitet për « fiset idoeuropiane greke » apo «protogreke », për të cilat nuk  dihet gjuha që kanë folur, besimi, ritet, mitet apo traditat e vëndit (të panjohur) të origjinës, të sjella me vete në « atdheun e ri ».

(13) Kjo duket qartë edhe në pasqyrën e hartës, e bazuar tek gjeografët e lashtë, përveç rasteve kur  emërvëndi Megàle Hellàs (Hellas i Madh) për Siçilinë dhe kolonitë e Gadishullit italik, të shkruesve  latinë të shekullit të 3-të, nga autorët moderne u zëvëndësua me « Magna Graecia » (Greqia e Madhe).

Bizancio thotë se popujt e Greqisë (e jugut të Gadishullit Pellazgjik dhe Anatolisë -shën im) kanë qenë : jonët ,aveadi, beotët, eololët, kaonët, lakonët dhe kolonitë e tyre si pontiçi, bithini, trojanët, arjanët, kariet, lyçi, panfili, çirenei etj.  Homeri në Iliadë i quan athinasit Jonë, së bashku me kolonitë e tyre, ndërsa maqedonët dhe epirotët si fise Akeje. (14)

Historia e fiseve që e emërtuan veten - Shqipetar

Në tryezat akademike, sot vijojnë të trajtohen dy teza për origjinën e këtij emri : Disa e nxjerin nga folja « ai që flet shqip » (që kuptohet qartë), ndërsa shumica e studiuesve, si Maksimilian Lambertz, Rilindasit, Eqerem Çabej, etj. nga emri i shqiponjës. Por , të gjithë bashkohen në përfundimin se, ka filluar të përdoret në periudhën e mesjetës, në shekullin e 15-të gjatë luftës së Skënderbeut kundra turqve.  Trajtimi i origjinës së emrit « shqipetar » ka nxjerrë në pah, mungesën e njohurive të gjuhëtarëve të shk.19 dhe studiuesve të sotëm, për rolin e botkuptimit besimtar të fiseve zanafillore, në formimin e fjalëve dhe të emrave.

Në fillim qe FJALA, pohon Petro Zheji, e cila, si një relike e gjallë bart në vetvete urtësinë njerëzore ndër shekuj , në lindjen dhe zhvillimin e saj historik dhe prehistorik, një relike e gjallë që është e aftë të shpjegojë vetveten , mbasi ajo përfaqëson njeriun , është vetë njeriu me forcën e pamposhtur – mendimin. (15) Në gjuhën e njeriut të Lashtësisë, këto cilësi i mbartin EMRAT dhe veçanërisht emri i shqiponjës në gjuhën arbërore-shqipe.

Mitet dhe arkeologjia dëshmojnë se shqiponja ka shërbyer si simbol i Krijuesit, siç e pohonte edhe Sami Frashëri (Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet): « Kombi i tërë ka marrë emrin Shqipetar dhe vendi ynë emrin Shqipëri, fjalë të bëra prej shqipes, Zogut të bekuar të Hyjit, që i faleshin prindërit e vjetër tanë dhe që e kemi në flamur. » (16) Historiani i Aleksandrisë, Filone (30 p. e.r.-45 pas e.r.) në (Quaestiones et Solutiones in Genesis) pohonte se, në besimin e lashtë, Shqiponja përfaqësonte : Zotin e dytë dhe Mënçurinë e tij. (17) Emrin e saj vijon ta mbaj popullsia Shqipetare e shk.21, një dëshmi e pakundërshtueshme e lidhjes etnike me banorët e parë europian : Atllantido-Pellazgët.

Simbolet e shqiponjës dhe të « bijve të saj » - shqipetarëve të lashtësisë - ndodhen në muzeumet më të famshme të Botës, njëri prej të cilëve ka qenë edhe Ramsesi II.

(18) Në fig.1 të Ramsesi II-të, shprehet simbolikisht Hëna e plotë (Zoti/femër pellazg) mbi gjoksin e shqiponjës (përfaqësuesja e saj në tokë), e cila qëndron mbas fronit të tij duke treguar natyrën hyjnore të faraonit. Gishti i drejtuar nga goja, shpreh me gjest, se fjala e tij është « ligj »  hyjnor. Në fig.2 shikojmë kokën e mumjes së Ramsesit II, ku dallohet forma rrumbullake e kafkës dhe hunda - krrabë (me kurriz), tipare tipike të shqipetarëve si e Gjergj Kastriot Skëndërbeut në fig.3.

Emri Faraon [fara+(e) +(j)on ? nga raca e jonë] e tregon etnin e tij në gjuhën e sotme shqipe,  e përdorur  edhe  nga Aleksandri i Madh « Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, (…) pinjoll i Farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujvë të tjërë të së njejtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qëndrore të Thrakës…». (19)  Edhe sot shqipëarët thonë « jemi farefis »  për një familje të zgjeruar.

Fabre d´Olivet : Histoire Filosophique du Genre Humain , vell.I, f. 306, shkruan: « Nga fragmenti i Manetonit, dimë se i famshmi Seti (dinastia XIX) nuk ishte aspak me origjinë egjiptiane, pasi ai si mbret nuk mbante titullin Faraon, por atë Larthe , pra titullin që mbanin mbretërit etruskë. Dimë se Setit i zuri vëndin i biri Ramseti (ose Ramsesi) II, ndoshta më i madhi i monarkëve që sunduan Egjiptin ». Sipas Zef Katapanos « Prej Hermi, dimë se Etruskët janë Trojanë dhe Trojanët janë Hititë dhe se këta janë Ilirë Shqipetarë, si rrjedhojë: Ramsesi dhe Mojsiu janë shqipëtarë ». (20)

Emri « shqipetar » nuk figuron në dokumentet e lashtësisë, por gjuhëtarët mund ta vërtetojnë lehtësisht duke zbuluar rrenjën e tij në dialektin e Çamërisë – Ipe (shqiponjë), e cila ka formuar emrin e lashte - Iperi  (Shqiperi), i përmëndur edhe në hartën e mësipërme. Emri Epir apo Pieri (tek N.Ketta në shk.19 dhe Adamit Frasstari/Frashëri në shk.20) është i shkruesve , ndërsa në folklorin popullor të Çamërisë njihet me emrin Iperi.

Si përfundim, emri  «shqipetar », në ndërtimin e tij gjuhësor dhe historik, mbart mitin e lashtë besimtar, të krijimit të NJERIUT nga ZOTI. Me qënëse  kjo tezë është trajtuar në botimin            « Sellenizmi, besimi që sundon Botën » (f.102-104), nuk po zgjatem më tej.

Le të vijojmë gjurmimin e së Vërtetës (trashëgimia historike gojore  apo librat historik), i pari për nga tematika në historinë e debatit shkencor…

Origjina mitike e fiseve « greke »

Burimi i vetëm i Historisë së Lashtësisë dhe i origjinave të popujve europianë ishin Mitet, ku kryesonin veprat e Homerit dhe të ndjekësve të tij të mëvonshëm. Të bazuarit vetëm tek mitet nga ana e studiuesve ka rreziqet e veta, vëren mitollogu Aristidh Kola : « Dhe nënvizoj përsëri se me përparimin e qytetrimit grek dhe me ardhjen e filozofëve e të profetëve profesionist , të ashtuquajturit - himne homerike (shumica,  të paktën, janë krijime të kohës Helenistike), urtësia e miteve të vjetra harrohet e nuk kuptohet. Mitet klasike ose pas-klasike kanë një dozë të madhe budallallëku, e as që mund të krahasohen me mitet e vjetra » . (21)

Kjo vlen sidomos për tezën tonë . Megjith faktin se për emrin « grek » nuk njihet ndonjë mit, dokument  besimtar parahistorik apo i  lashtësisë dhe nuk është zbuluar ndonjë simbol arkeologjik në Euro-Azi që ta përfaqsojë atë, ai nënkuptohet nëpërmjet tre modeleve që afron Historia moderne e shk.19 -21:

1. Nëpërmjet mitit të Hellenit.

2. Emigracionit të fiseve Dore apo Akeje.

3. Qytetrimit mikenian.

Le t´i marrim me rradhë.

[1] Në një bllok mermeri i njohur si « Parian Chronicle » i shekullit të 3 p.e.r. i zbuluar në ishullin Paros, sipas studiuesve, shkruhej se Pthia ishte vëndorigjina e Hellenëve, emër me të cilin quheshin më parë Grekët. (22) Sipas Ecateo dhe Ellanico nga Mitilena (shk.5 p.e.r.) për Hellenin mitik janë thurrur shumë origjina, por historianët preferojnë mitin e Deukalionit sepse lidhej me Epirin, dhe nga ana gjuhësore e afronte me emrin e Sellenës dhe priftërinjve të Dodonës  « sellë ». Në mitologjinë «greke » (pellazge), Helleni njihej si udhëheqës i tribuve Hellene në Pthia dhe djalë i Deukalionit dhe Pirrës. (23)

Emrat  e marra nga ky mit, mbi origjinën e emrit « grek » dhe të vëndndodhjes - Pthia, duke  gjurmuar faktet shkencore historike, do të kemi pasqyrën e mëposhtme :

Hellen - në zanafill (Sellen), emër i një mbreti të Lashtësisë i cili kryente edhe detyrën e kryepriftit të  perëndeshës Sellena në tempullin e Dodonës, emrin e së cilës mbante, krahas priftërinjtve « sellë », të përmëndur nga Homeri. Emri  i njeriut –Hellen, shpreh emrin e besimit të pellazgëve - hellenizmin, (si emri i simbolit Kryq , [dial.çam-kriq] emërtoi besimin e kristianizmit dhe të Krishtit). Këtë e dëshmojnë edhe predikimet e Shen Palit (Atti degli Apostoli ) ku «hellenë » përdoret si emër i besimit të kundërt me atë të hebrejve (24)

Aristoteli e vendos vëndin e besimtarëve të Sellenës-hellenëve, Hellasin e lashtë në Epir, midis Dodonës dhe brigjeve të  Achelous-it, vend i Sellëve (Aristotle,  Meteorologica,  1.14). Në kujtimet e tij, François Pouqueville, konsull i Napoleon Bonapartit në Janinë shkruan (Voyage de Grece VI,35) se « me emrin Epirot , historianët emërtojnë shqipetarët ». (25).

Dhimitër Kamarda (1821-1882) pohon se, gjuha epiriote (shqipe-shën im) në fondin e saj themelor, i afrohet më bindshëm me dialektet e shumta të fiseve më të lashta, të cilat në kohët historike formuan popullin hellenik. Në Epir, sikurse edhe në pjesën tjetër të Greqisë , Shqipetarët dhe Ellenët nuk kanë asnjë dallim , përveç faktit që të parët ishin më energjik. (26)

Shkruesit e lashtësisë, sikurse ndodh edhe sot, si pasojë e përdorimit të dialekteve apo gjuhëve të ndryshme, jo rrallëherë i kanë deformuar emrat. Kështu, tek Iliada , në pjesën kur Akili i drejtohet Zeusit pellazgjik të Dodonës (Hom.II, 16,233) përmendet emri i priftërinjve të Zeusit - Selloi, tek Scholiet përdoret Elloi , ndërsa Pindari do të shkruaj     « rreth teje banojnë Helloi ». (27) Ky ndryshim i emrit me origjinë nga Sellena e Dodonës, nuk do të ndikonte në studimet mbi Lashtësinë, por duke patur parasysh se, në shk.19 nuk  njihej besimi hënor i Atllantido-Pellazgëve, sikurse edhe sot, pati pasoja katastrofike :  E gjithë mitollogjia e Titano- Pellazgëve ju fal « grekëve të vërtetë ». Sipas Enciklopedise Britannika, lexojmë, Helleni mbret i Pthias, djalë i Deukalionit , djalit të parë të titanit Promethe,  ju dha emrin të gjithë Grekëve të vërtetë, që për nder të tij u emërtuan Hellenë.(28) Për këta « grekë të vërtetë », deri më sot, nuk kemi asnjë fakt apo studim shkencor.

Deukalion - Emri i tij kuptohet me besimin pellazg dhe gjuhën shqipe : (Deu/Zoti+kali/rrënja   « ka »? energjia krijuese (Zoti) +on/jonë = Krijuesi ynë). Nikoll Ketta (Nicolò Chetta, Tesoro di Notizie su de´Machedoni ) shkruan se : Prometeo (pro/i pari+the/foli = i pari u tregoi zjarrin/dijen) i quajtur edhe Epimetho (epi/ipe/shqiponjë + më + the/flet = orakulli/prift që flet në emër të shqiponjës ), të cilin Deodori e quan një nga emathiotet (fis pellazg), ishte i jati i Deukalionit, që e zgjeroi mbretërinë e tij nga Maqedonia deri në Kretë. Deucalioni ishte  mbret në Thesali (Virg.G1,62, Ovid. M.1,318 ; 7,356), ku banonin fiset iperiote/epiriote (shqipetare). (29)

Pthia (it.Ftia) - në mitologjine « greke » (pellazge) ishte qytet i Thesalisë, fiset e së cilës kishin emigruar nga krahina e Thesprotisë së Iperisë (Epirit) , pra ishin fise Iperiote (shqipetare).

Epir – emër i deformuar në shkrimin greqisht, i krahinës së lashtë të Iperisë (Ipe, në dial.çam-shqiponjë), e përmendur nga Homeri në Iliade si atdheu i Mirmidonëve, i  themeluar nga  Aiaksi (Aeacus-Eacus),bir i Zeusit. Ajaksi ishte gjysh i Akilit (Hakilit/që merr hak) i cili kishte baba Peleun (pelë-kali femër), nënë Thetin (Deti, perëndesh e detit) dhe nip Pirron (shqiponjë/shqipetarin). Pelopsi (i jati i Akilit) ishte i pari nga heronjtë pellazgë, sikurse Zeusi ishte i pari i zotave pellazg. (30)

Pirra- emër që, krahas atij të Pirro Burrit (shqiponjë +burr = shqipetar trim dhe luftëtar  «burrë ») dhe i vëndit Iperi (Epir), e kanë origjinën nga emri i shqiponjës në dialektin çam.

Dodona- Tempulli i lashtë i Pellazgëve ku shërbenin priftërinj Sellë, sipas emrit të Sellenës. Straboni (Geography,p.285,bookVII,chapter7) shkruan: Ky orakull, sipas Eforit (historian  405-330 p.e.r), u themelua nga Pellazgët që pranoheshin si populli më i hershëm i Gadishullit. Poeti shprehet : « O Lord Zeus, Dodonas , Pellazgjik » 457. (...) Në kohët e lashta, Dodona ishte nën zotërimin e Thesprotëve; sikurse edhe mali Tomarus464 apo Tmarus, në këmbët e të cilit ishte ndërtuar tempulli. Të dy poetët tragjik së bashku me Pindarin, e quanin « Dodona Thesprote ».(31)

Përsa më sipër, emri HELLENË është i miteve të etnive pellazgo-shqipetare, që ndiheshin BESIMTARË  të Zotit- Hënë të Dodonës dhe pranoheshin si « sellenë / hellenë ».

Këtë fakt e kanë ditur të gjithë shkruesit e lashtësisë, shqipetarët dhe priftërinjtë ortodoks të shekullit të 19-të, por edhe filozofët ortodoks të ditëve të sotme. Sipas Diodorit të Sicilisë, Leka (Aleksandri) i Madh, si aiakas i devotshem ndaj Dodonës, para se të vdiste, kishte caktuar një sasi të madhe ari (1500 telente, afro 4 kuintalë) për ndërtimin e një faltoreje tjetër të Zojzit (Zeusit) pellazg në Dodonë. (32) Në qeleshen e tij ai mbante simbolin e besimit “sellenik” Hena/Ylli si e mbretërise së Arbërve të mesjetës.

[2] Akej – Dorët dhe fiset e tjera

Për origjinën pellazge të familjes së Akilit , emrin e të cilit e morrën fiset e mbretërisë së tij,       « aleanca ushtarake » kundër Trojës dhe krahina (Akaia), na e sqaron Herodoti dhe Pausanja (Hdt.7. 94 ; Paus.7.1) :  Banorët autokton të Akaisë thuhet se ishin Pellazgë dhe thirreshin Aegialeis (?????????), emër i lashtë i vendit. (33) « Nuk ekzistonte asnjë dallim etnik, fetar apo kulturor midis akejve dhe trojanëve », dëshmon Dr. Arif Mati. (34) Ky fakt shprehet në mitin e perëndisë së Detit. Ishte Posejdoni , që së bashku me Apollonin i ndërtuan muret e Trojës mbretit Laomedon ( 35), ndërsa Homeri përshkruan zëmërimin e Posejdonit,  babait të Akilit, i cili mbështet trojanët kundër ushtrisë akeje.(36)

Homeri ishte i pari që përmëndi (një herë) emrin « panhellenë » për fiset e aleancës Akeje në Luftën më të famshme të lashtësisë, për Hellenën e bukur , pasurinë e Trojës dhe pushtimin e udhëkryqit më të rëndësishëm Lindje-Perëndim. Studiuesit modern janë të bindur se ky emërtim është përdorur prej tij si sinonim, për të nënvizuar etninë e përbashkët « greke » të tyre, sipas formulës : Panhellen = të gjithë Hellenët = të gjithë Grekët.(37)

E vërteta është se, emri Hellen është historik dhe në lashtësi emri shprehte edhe rolin (funksionin) e qënjes së cilës i ngjitej : Selleni (Helleni) ishte mbreti / kryeprift që mbante emrin e perëndeshës Sellena. Homeri , nuk i dha shumë rëndësi emërtimit « panhellenë ». Ai e përdori thjesht për të dalluar ushtrinë akejase e cila vinte nga  hapësira ku ndododhej tempulli i Dodonës, prej fiseve që mbështetën mbretin Priam në Azinë e Afërt, pra për një dallim gjeografik, jo etnik.

  emri « panhellenë»  lidhet me besimin e përbashkët, e përshkruan Tuqiditi ("Histories", I, 132) : Për të përjetësuar fitoren e shkelqyer mbi Persianët dhe meritën e Pausanias, Kryekomandantit të Hellenëve, në tempullin e Delfit ju skalit një përkushtim. Ndergjegjësimi i një bashkësie «panhellenike » u mbështet prej festave fetare, veçanërisht të Mistereve eleusine.(38)

Emri Hellen, i cili në mite lidhet me paraardhësin e fiseve Akeje, Dore dhe fiseve të tjera, gjëndet edhe në kampin e trojanëve. Helleni, djalë i Priamit të fiseve Dardane, i cili sikurse motra e tij binjake Kasandra, kishte dhuntinë të zbulonte profecitë. Ai u tregoi sekretin e orakujve palës kundërshtare se, Troja mund të pushtohej nese djali i Akilit, Neoptolemeu do bashkohej me ta. Helleni ndërtoi Butrintin - Trojën e re - në Iperi (Epir), ku sipas Virgjilit (Eneide, III), e gjeti Enea. (39) Duke e ditur rëndësinë e madhe që kishte emri në lashtësi, si mundet një pinjoll i familjes mbretërore dardane të huazonte emrin e tij nga fiset etnikisht të huaja , sipas historianëve modern, atyre « greke »? Fakti që mbreti/kryeprift i akenjve dhe ay i trojanëve kishin emrin me origjinë nga Sellena e Dodonës (pra të besimit hënor), verteton edhe një herë, se fiset «akeje », « dore » apo ato «panhellene », së bashku me fiset trojane i përkisnin etnisë pellazgo-arbërore.

Flitet shumë për fiset Dore si “greke”, ndërkohë që shkruesit e lashtë pohojnë të kundërtën: Sipas Herodotit nga Halikarnasi dhe Strabonit, eolët dhe akejtë ishin pellazge. Studiuesi gjerman Dorfmüller vëren se edhe dorët ishin pellazgë dhe  me emrin ”dore” për herë të parë u quajtën në Peloponez, ndërsa në Pind ata quheshin Maketë (Maketai). Nga emri i ilirit nga Pindi - Maketa dhe Maketai u formua emërtimi për popullin pellazgo (thrako)-ilir Makedonia. (40) Ndërsa tek Dh.Kamarda lexojmë se studiuesi Ferrari (Costumi d'Europa) ka treguar se zakonet e popullsisë shqipetare (albanesi) të rikujtojnë qartësisht Maqedoninë dhe Dorët e lashtë. (41)

Nuk mund ta quajmë një lajthitje rastësore të Historisë botërore, e cila vijon të mbështetet tek formuala pa asnjë fakt: Hellen = Grek, kur shkruesit e lashtë dhe modern,sidomos eruditet arbëresh (shk.18-19) të Italisë, theksonin se “Është e qartë që Historia, jo më pak se Gjuhësia, dëshmojnë në çdo periudhë, lidhjet e ngushta të tribuve iliro-maqedono-epiriote me ato ellene, që janë eolo, doro,jonike. (...) Një shumicë fjalësh të dialektit dorik, nuk mund të kuptohen mirë me anë të greqishtes, ndërsa mund të kuptohen fare mirë me anën e rregullave të gjuhës ilire”.(Hans Krabe) (42).

[3] Qytetrimit mikenian

Sipas Fjalorit historik të Enciklopedisë Treccani (2010), ky emërtim i është vënë nga emri i qytetit të lashtë «grek » në Argolide ,Peloponez, i cili pati gjatë shk.15 -12 p.e.r., shkëlqimin më të madh të «qytetrimit mikenian ». (43) Ky qytetrim u lidh me zbulimet e pallateve madhështore në ishullin e Kretës dhe u njoh si qytetrimi më i famshëm i Lashtësisë. Sipas studiuesit të gjuhës «indoeuropiane », Francisco Villar « Ishte ardhja e Grekëve-Indoeuropianë që zhvilluan në Greqi atë që ne e përcaktojmë si Qytetrim mikenian ». (44)

Por studiuesi i mitollogjisë së lashtë, Francis Vian, vëren se : Do të ishte më e drejtë të flitej për qytetrim  «akejas » që të zëvëndësonte mbiemrin  «mikenas » i cili ka vlerë gjeografike.(45) Ky emër dhe ky qytetrim janë fabrikuar fund e krye nga arkeologët modern, veçanrisht nga Heinrich Schliemann , vëren Dr.Arif Mati (Mikenët=Pellazg), pra është krejtësisht i parregullt. (...) Nga zbulimi i tabelave prej argjili në Pilos (v.1250 p.e.r. ) me një shkrim të mbiquajtur Lineari B , që u dëshifrua nga Michael Ventris dhe më vonë John Chadwick, u nxorr hipoteza se ishte një formë e « greqishtes arkaike » që përdorte gërmat e alfabetit kretas (Linearin A), duke shpallur se bëhej fjalë për gjuhën e Mikenëve, ndërkohë që Pellazgët ishin zotër të vëndit. (...) Pra si mund të trajtohet një gjuhë paragreke se është gjuhë greke, ndërkohë që grekët nuk ekzistonin ? (46)

  qytetrimi  « minoik » dhe  « mikenian » ka qenë i fiseve shqip-folëse e dëshmojnë edhe emërvendet. Në Kretë ndodhet një ultësirë e rrethuar prej masive malore Ida, Asteroussia dhe Dikte, e quajtur shqip Messara (mes + ara = ara/toka që ndodhej në mes [të maleve]) ku ndodhej qyteti Phaistos, banorët e të cilit morrën pjesë në Luftën e Trojës.(47)

Kretasit messapë, sipas Tuqididit , në vitin 413 p.e.r. mbështetën qytetin e Athinës në luftën e Peloponezit në emër të traktateve të lashta të miqësisë të quajtura palaia philìa”, shqip : pal /bëhen palë/ bashkohen +(ph/f)fill = palët që lidhen me marrëveshje.(48)

Gjuhëtari dhe mitollogu Niko Stillo (Etruskishte-Toskërishte) pohon se: Mikenet, apo më saktë Eneskët mikenej, flisnin gjuhën jonike dhe konkretisht dialektin çam, të shqipetarëve të Iperisë (Epirit) (49)

Në mitet e lashtësisë ai njihet me emrin e Minotaurit, i cili përbëhet prej : Mino+taur dmth Mino/ kau dhe sipas N.Stillos bëhet fjalë për  mbretin e Mikenës - Mino, i njohur edhe me shumë emra të tjerë. (50) Për rrjedhojë, Qytetrimi të cilin historia botërore e njeh si e « grekëve të lashtë », ka lulëzuar në mjedisin e fiseve më të famshme pellazge, ato Iperiote, fakt i fshirë tinëzisht nga Historia botërore.

Pra qytetrimi « minoik » dhe « mikenian » ka qenë në fakt qytetrim i fiseve që flisnin gjuhën e  Shqipetaro-Arbërve të sotëm.

Adamit Frasstari (Les Pelasges et leur descendants les Albanais,1902) vëren se, në kohën e qytetrimit « minoik » e « mikenian » dhe të miteve olimpike të Homerit, VËND KRYESUES dhe të dokumentuar nga autorët e lashtësisë, e zinin fiset e Epirit.  Epiri, në Albaninë e jugut (Shqipërinë e lashtësisë-shën im), ishte qëndra e racës më të mirë të Pellazgëve hyjnorë të Homerit. Mollosët, Myrmidonët, Sellët apo Hellët, apo Graeci (siç i quanin romakët fiset iperiote -shën im), të mbledhur përreth oraklit të Dodonës pranë malit Tomor, janë përmëndur prej autorëve të ndryshëm , sidomos tek Iliada si ushtarë të Akilit (...).Si rrjedhojë, ishte gjuha pellazge ajo, me të cilën këndoheshin odet e Olimpit, të Orfeut, të Thamyrsëve (Çamëve-shën im) etj. gjatë festimeve të Muzave të Pierisë (Iperisë/Epirit), perëndive pagane dhe  heroizmave të Herkulit. (51)

Një tjetër fakt i rëndësishëm historik, u paraqit para Akademisë Egjiptiane (1902) prej A.Frasstarit (Frashërit): « U desh të kalonin shumë shekuj luftrash dhe emigrimesh të ngadalta, që KJO RACË EPIRIOTESH ARRITI TË ASIMILOJË të gjithë popujt e tjerë TË NJË GJAKU , të Beotisë, Attikës, etj. Një orakull i ri i Dodonës u ngrit në Thesali sipas shëmbullit të atij në Epir. (...) në lartësinë e malit Orthys, Deukalioni themeloi një orakull tjetër të famshëm, tempullin e Delfit, i cili do ta zëvëndësoj emrin  Pellazg me atë Hellenë ». (52)

Siç u sqarua edhe më lart, emri Hellenë, shprehte besimin e fiseve autoktone, sikurse edhe ai Pellazg, prandaj nuk bëhet fjalë për « asimilim » etnik sepse të gjithë ishin « të një gjaku », por për pushtime të trevave të Europës mesdhetare dhe detyrimin e banorëve tu bindeshin ligjeve besimtare dhe civile të mbretërve Pellazgë, Iperiot apo Dardan, që sunduan në Iperi (Epir).

Që në historinë e lashtë të Iperisë ka patur edhe mbretër dardanë, e dëshmon edhe historia. Në tempullin e Delfit « hellenik » adhurohej Perëndia Apollon, i cili emërtohej « mbiverior » (prej veriu)  jo vetem nga Hesiodi , Pitagora, por edhe Olini, i përmëndur nga shkruesit e vjetër si poet hymnesh për Apollonin. (53) Edhe në qytetin e famshëm të Athinës, vëren Aristidh Kola, pjesa më e  madhe e fiseve, këmbëngulnin se e kishin prejardhjen nga lapët (labët), dhesprotët (çamët), molosët dhe dardanët, që njihen si fise pellazge.(54)

  arenën historike të Gadishullit Pellazgjik, megjith « suksesin » e botimeve mbi Lashtësinë për t´i fshirë bashkësitë e mëdha fisnore Atllantido-Pellazge, faktet dëshmojnë se ishin IPERIOTËT dhe DARDANËT, faktorët kryesorë qytetrues të  Euro-Afro-Azisë. « Nga të gjitha fiset që shtriheshin në  lashtësi, nga Danubi deri në Azinë e Vogël (pohon studiuesja e shkrimeve pellazge-Nermin Vlora Falaski) më të zhvilluarit ishin ato që perfshiheshin në trojet nga Kosova deri në Çamëri ». (55) Në kundërshtim të tezave akademike për  parahistorinë, nuk ka patur asnjë kolinizim apo asimilim, etnik, gjuhësor apo qytetërues « mikenian » prej fiseve me një emërtim, larg të qënit historik, « helleno-greke » apo qytete “koloni greke”.

Emri besimtar Pellazg shpreh periudhën e matriarkatit, kur u hyjnizua Dheu , kur Atllantido-pellazget e shpallën veten « bij të Tokës ». Emri besimtar Hellen, shpreh periudhën e mëvonshme të olimpikëve me mbret Deukalionin, kur u hyjnizua njeriu tokësor - Sellena, e njohur si Diona apo Menes dhe emra të tjerë. Të njejtin fakt e përmënd edhe Tuqididi se, « Para helenit Deukalion ky emër (Hellas) aspak nuk ekzistonte, popuj të tjerë veç e veç, dhe populli pellazgjik i dhanë vendit emrin e tyre në një gjerësi të madhe ». (Thuqididi, lib.I, KAP.3) (54)

Por fiset autoktone, duke qënë shumë fanatik ndaj trashëgimisë së të parëve, si emërtim etnik gjithëmonë kanë privilegjuar emrin e ndërmjetësit (orakullit) më të lashtë të besimit të tyre – atë të Shqiponjës, IPE (shqipetar), i cili i shoqëroi gjatë të gjithë historisë së tyre qindramijë-vjeçare deri në ditët e sotme.

Problemi i fundit që u ngrit në « kuvendin » e Maleve ishte ay i Metodës, në trajtimin e figurave historike: Ku qëndron e VËRTETA e origjinës së Aleksandrit të Madh, sipas trashëgimisë gojore  apo botimeve botërore akademike ?  Për të gjukuar për këto dy burime, duhet të sqarojmë fillimisht rëndësinë e tyre …

Historiografia e lashtë – Historia e parë

Sipas Enciklopedisë Britannica, « Gjatë dhjetra-mijë vjetësh, njerëzit e kanë treguar të kaluarën pa shkrim. Historia gojore akoma është e rëndësishme në çdo kënd të Botës , e cila dëshmon se njerëzit, edhe në mungesë të të shkruarit mund ta kenë një ndjenjë të sofistikuar historike ». (55)

Në shkurt 1806 konsulli francez Pukëvili kalon nëpër Tepelenë. Plot pas 2004 vjetësh, kujtesa e vëndasve mbante mend manovrën rrethuese të Tit Kuinkt Flaminit kundër Filipit V. Pukëvili dëgjoi aty stratagjemën e bariut, dërguar nga tradhëtari epirot Haropi tek gjenerali romak, dhe e shënon atë dëshmi të kujtesës popullore , vërtet mahnitëse, në librin e vet (1821) (56)

Në kulturat e të gjithë popujve flitet për të kaluarën, mbi bëmat e të parëve, mbi perënditë, kafshët e shenjta dhe ngjarjet natyrore dhe njerëzore, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e shumë brezave. Të gjitha këto mbresa janë përcjellë gojarisht në popull, siç e përmend udhëtarja amerikane Rose W. Lane për tregimin e malësorit analfabet : « këtë tregim e dëgjova në Thethin e Epërm në pranverën e vitit 1921» :

« Leka i Madh ka lindur në Emadhinë e Matit. Atë kohë ka pasur dy kryeqytete të mbretërisë së bashkuar, ka qenë Pela mes Selanikut dhe Manastirit dhe Emadhia, kryeqyteti i vjetër që shtrihej në luginën që tani quhet Mat. Në Pela dhe Emadhia, Filipi II-të kishte shtëpi të mëdha (...) Por e vërteta është se, para se të lindte Leka i Madh , e ëma iku nga Pela dhe u kthye në qytetin e Emadhisë dhe Leka i Madh u lind aty (...) Ai i hipi kalit për herë të parë kur vajti në Pela (...) nga kali, Leka i Madh e pa për herë të parë të atin ».(57)

Vërtetësia e tregimit të malësorit dhe në përgjithësi, tregimi popullor, bazohet tek fakti, siç e sqaron Enciklopedia Britannica se, « të gjithë personat për të cilët flasin, kanë jetuar dhe ngjarjet e përshkruara kanë ndodhur në të kaluarën. Historianët nuk mund të thonë asgjë mbi njerëzit dhe ngjarjet, po të mos mbështeten nga të dhënat e dokumentave ». (58) Por, në asnjë dokument nuk janë paraqitur faktet mbi jetën e Aleksandrit, të mbledhura nga mbresat që ka lënë tek njerëzit ku u lind, u rit e që e ndoqën  deri në Indi. Ai u përshkrua në « historinë » e tyre ashtu siç ishte në jetë, pa paragjykim, shtrëmbërim apo hyjnizim, thjesht i parë nga syri njerëzor.

Se sa e vërtetë është kujtesa gojore e Kombit shqipëtar e dëshmojnë gjurmët arkeologjike dhe emërvendet në trevat e tyre. « Në verën e v.1922 ,vizitova Matin , e shoqëruar nga Annette Marquis dhe Rrok Perolli (...) , pohon R.Lane. Në vëndin e qytetit Emadhia (pranë Bulqizës së sotme-shën im) hasëm në gjurmë që na u dukën me siguri të mbetura nga puna e dorës së njeriut. (...) Fshati i sotëm gjëndet në shpatin e malit ku ka qenë qyteti. Fshatarët thonë se kanali është ndërtuar nga Filipi II-të (...) fshatarët e anës së Matit shpreheshin lirshëm për « qytetin e moçem të Emadhisë » dhe « vëndlindjen e Lekës së Madh ».(59)

Për të VËRTETËN në kuvëndin e malësisë së Thethit, na ndihmon edhe Heroi i Kombit tonë - Gjergj Kastriot Skëndërbeu në letrën drejtuar Princit të Tarantos, ku me një gjuhë krenarie pohon : « Fiset tona madhështore ishin Epirotët prej të cilëve e ka origjinën Pirro (...) në se do thuash që Albania (Shqipëria) është pjesë e Maqedonisë , del se paraardhësit e tyre ishin akoma më  fisnikë, të cilët nën udhëheqjen e Aleksandrit të Madh arritën deri në Indi, duke nënshtruar të gjithë ata që me vështirësi ju kundërvunë ». (Cf.Pompilio Rodotà Storia del rito greco in Italia, I,III,2) ( 60)

Lidhur me problemet aq të rëndësishme të qytetrimit europian, në shkrim u sollën shumë prova shkencore ( të trajtuara edhe nga studiues të tjerë, shqipetar dhe të huaj ), të cilat dëshmuan se : Historia e Lashtë e Europës mesdhetare, në botimet akademike është keqtrajtuar dhe nuk pasqyron të VËRTETËN. Me këtë mendim pajtohet edhe malësori i moshuar i Kuvëndit të Thethit, kur dëgjoi miket e huaja të tregonin se çfarë shkruanin librat mbi Aleksandrin e Madh : « Nëse zonjat amerikane duan të dinë se ç´na kanë thënë të parët tanë, që e kanë mësuar nga etërit e tyre dhe ata nga gjyshërit, do t´iu tregoj. Të gjitha këto (histori) janë shumë të moçme dhe asnjë nuk shkruhet në libër, ndaj janë të vërteta ». (61)

I takon shkencës Albanologjike detyra, ta njohë  « historinë  gojore »  shqipetarëve dhe t´u ndriçojë me fakte shkencore, Institucioneve akademike botërore të VËRTETËN, se : Aleksandri i Madh nuk ishte  « grek» e as  « sllav» i Maqedonisë, por farë e trojeve Arbërore.

Fatbardha Demi (fatbardha_demi@yahoo.com)

10. 09.2020



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora