Mendime
Gjekë Gjonaj: Mësuesit e artë të shkronjave shqipe
E premte, 16.10.2020, 08:01 PM
Mësuesit e artë të shkronjave shqipe
Nga
Gjekë Gjonaj
Thirrja
mësues nuk është e lehtë ashtu siç mendon dikush. Ky profesion është plot e
përplot me vështirësi. I ndërlikuar dhe i përgjegjshëm. Profesioni i mësuesisë është profesion me
përgjegjësi të madhe shoqërore. Me të drejtë pedagogët klasikë kanë thënë se:
“Thirrja mësues është thirrja më e bukur, por njëkohësisht është edhe thirrja
më e rëndë”. Është njohur se çdo thirrje (profesion) i ka specifikat e veta,
por profesioni i mësuesisë, në krahasim me të tjerët, është më i ndërlikuari.
Në të përgjegjësia është më e madhe, sepse është profesion që punon me lëndë të
gjallë. Nuk thuhet kot se vlera e mësuesit
dhe pesha e qiellit nuk maten
kurrë. Është shumë e vërtetë kjo thënie për vlerën e peshën, punën e
përkushtimin, si dhe misionin e shenjtë të mësuesit. Mësuesi, dikur vlerësohej
e konsiderohej si qenie hyjnore e mitike, sa që ishte krijuar përshtypja, e
bëheshin pyetje se a thua ”a ha bukë mësuesi? ” Pra, në të kaluarën është çmuar
e vlerësuar shumë mësuesi, sa që ai gëzonte respektin e autoritetin më të madh
të kohës. Ishte koha kur nevoja për mësimdhënës ishte e madhe për hapjen e
shkollave shqipe në çdo vendbanim me shqiptarë. E shqiptarët
i respektonin dhe ishin bujarë me mësuesit, i ftonin
në gëzime familjare. Ky nderim ishte një vlerësim i punës së tyre, për
thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar dhe për t’u hapur sytë fëmijëve. E
autoriteti fitohet me punë, me përkushtim, me pasion për profesionin, me durim, çiltërsi e sinqeritet, dashuri e
respekt.
Trieshi
është vatër e burim i pashtershëm i mësuesve të dashur, tashmë veteranë të
arsimit shqip në Mal të Zi, të cilët me punën e tyre shumëvjeçare kudo kanë punuar e nderuan jo vetëm shkollën shqipe, por edhe kombin në
përgjithësi, Kosovën dhe Shqipërinë. Numri i tyre është i madh, por po përmendim
vetëm disa nga mësuesit e parë të artë të asaj kohë nga kjo trevë të cilët vendosën gurin themeltar
në arsimin shqip në Mal të Zi, e që janë: Gjon
Gjeka Lucaj, Kolë Preloka Gegaj, Preloc Marku Lekoçaj Tomë Leka Lucaj,
Kolë Gjoni Gjokaj, Nikollë Zefi Prenkoçaj,Lucë Doka Lucaj, Preloc Marku
Marglaj, Nikollë Sokoli Ujkaj, Gjon Marku Gjonaj, Vasel Marku Margilaj, Prelë
Marku Gegaj, Gjergj Marashi Hasanaj, Ndue Nikolla Lekoçaj, Gjergj Gjoni Gjokaj,
Gjon Marku Margilaj, Pjetër Toni Gjuravçaj, Zefë Doda Gegaj, Pjetër Zefi
Micakaj, Fran Ndue Gjokaj,Dodë Marashi Margilaj, Katrinë Toni Gjuravçaj, etj. Ata dhe shumë mësues të shkëlqyer nga Trieshi nuk ishin vetëm mësimdhënës të mirë, por edhe
atdhetarë të vendosur të cilët me zemër
e adhuronin kombin. Ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk
ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte
një frymë mahnitëse shqiptare. Për këtë arsye , ata, si të gjithë mësuesit e tjerë shqiptarë atdhetarë,
ishin të përndjekur gjatë shekullit XX dhe
konsideroheshin të rrezikshëm për pushtuesit e shumtë të trojeve e
atdheut tonë. Disa nga ata u
persekutuan dhe u internuan nga regjimet e huaja apo totalitare. Por edhe
u dekoruan me meritë me
medalje e dekorata më të larta në fushën
e arsimit në Mal të Zi dhe në Shqipëri, si mësues të dalluar,
njerëz të veçantë, të rrallë e me
ndikim të madh në shoqërinë e atëhershme shqiptare.
Përpjekja
e këtyre mësimdhënësve përparimtarë shqiptarë për zhdukjen e analfabetizmit në trojet
e varfëruara etnike
shqiptare që nga viti 1916, kur edhe filluan të çelen shkollat
shqipe në Mal të Zi , ishte po aq e
madhe sa dëshira e tyre për të përhapur
dije dhe dashuri që kishin për profesionin e tyre fisnik. Vitet kalojnë , por nuk do të harrohet
durimi, këmbëngulja, vështirësitë për
përballimin e jetës nëpër fshatra, rreziqet e regjimeve, shqetësimet e
vazhdueshme për ambiente të përshtatshme,
mungesën e mjeteve të domosdoshme pedagogjike, frekuentimin e nxënësve dhe
mbarëvajtjen e mësimeve.
Për kontributin dhe meritën e
jashtëzakonshme të mësuesve
të artë të shekullit XX, të cilët me ditar në dorë vazhdimisht
punuan me përkushtim dhe dashurinë më të
madhe, pa u lodhur e pa u ndalur në
rrugën e dritës dhe diturisë së popullit të vet , mendojmë se
do të ishte mirë që t’u ngritët
një pllakë përkujtimore në qendër
të Trieshit, në oborrin e Shkollës
Fillore “ Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”. Kjo pllakë eventuale
përkujtimore bashkë me përmendoren e heroit tonë kombëtar Skënderbeut do të hijeshonte dhe do të fisnikëronte edhe më shumë oborrin
e bukur të shkollës nëntëvjeçare.