Kulturë
Eshref Ymeri: Dy fjalë për Traktatin shkencor të Zonjës Vilhelme Vrana
E diele, 11.10.2020, 09:49 AM
Dy fjalë për Traktatin shkencor të Zonjës Vilhelme Vrana
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
PARATHËNIE
E nderuar dhe e respektuar Zonja Vili!
Veprën tuaj shkencore “Autoktonia e Shqipërisë
Jugore, Enigma e shekujve”, e lexova me shumë kënaqësi. Ju keni bërë
një punë kaq të lodhshme dhe kaq të vëllimshme, saqë zor se mund ta përballonte
edhe një sektor i tërë i Institutit të Historisë.
Ju keni nxjerrë në dritën diellit shumë të vërteta për
autoktoninë e shqiptarëve, për prejardhjen e tyre pellazgoiliriane dhe për
lashtësinë e gjuhës shqipe, si themeli i gjuhëve evropiane. Të bën përshtypje
fakti që kontrubuti i dijetarëve të huaj për të vërtetën rreth prejardhjes së
shqiptarëve, për shtrirjen e trojeve të tyre etnike dhe për gjuhën shqipe,
është shumë më i madh se i dijetarëve shqiptarë. Por, për fatkeqësinë tonë
kombëtare, Shqipëria, pas vitit 1912, por sidomos në kohën e mbretërisë
(1925-1939) dhe në periudhën e diktaturës komuniste, nuk i ka vlerësuar me bëma
konkrete, nuk i ka dekoruar me medalje të larta ata dijetarë të huaj. Kjo
dëshmon për dukurinë e pahijshme të mosmirënjohjes që na karakterizon ne,
shqiptarët, dukuri që është e përjetësuar në mjaft shprehje frazeologjike të
gjuhës shqipe.
Mbreti i Prusisë Frederiku II
(Friedrich II- 1712-1786 )ja si është shprehur për
mosmirënjohjen:
“Është e turpshme të jesh
mosmirënjohës”.
Mirënjohjen ndaj dijetarëve të huaj, natyrisht, duhej ta
shprehte me bëma konkrete klasa politike. Por ajo, fatkeqësisht, ka pasë qenë
dalluar për mercenarizmin dhe servilizmin skandaloz para politikanëve të huaj
dhe jo për mirënjohjen ndaj dijetarëve të heshtur të shkencës së madhe.
Mirënjohjen për dijetarët e huaj nuk mund ta shprehte as
klasa politike pas vitit 1990, sepse kjo klasë ndërtoi modelin e demoshëmtisë
apo modelin e demoanarkisë, e cila, veçanërisht në vitet e Rilind(Rivdek)jes
Ramiane, po na nxin faqen para mbarë kontinentit evropian.
Në këtë vepër shkencore të përmasave të një Traktati të
nivelit akademik, plotësisht të denjë për mbrojtjen e doktoraturës, ju keni
nxjerrë në spikamë të vërtetat tragjike për krimet e grekosllavizmit, i cili na
ka grabitur historinë. Madje jo vetëm që na ka grabitur historinë, por edhe ka
pasë hartuar platforma për shfarosjen tërësore të popullit shqiptar. Vetvetiu
shtrohet pyetja:
“Ku janë rrënjët e kësaj tragjedie që na ka shkaktuar grekosllavizmi? Si është e mundur që një popull
rrënjës në Gadishullin Ilirik, siç është populli shqiptar, është kërcënuar me
zhdukje nga ardhacakët grekosllavë?”
Përgjigjen e kësaj pyetjeje, e nderuara Zonja Vili, duhet
ta kërkojmë në traditën tonë të lashtë pellazgoiliriane. Sepse atje është
zanafilla e tragjedisë sonë kombëtare, e cila i ka rrënjët në mikpritjen
karakteristike dhe nderimin e tepruar që u kemi bërë të huajve. Madje mbi bazën
e kësaj mikpritjeje, e cila, duke i kaluar caqet e lejuara ka ardhur e ka marrë
ngjyrime servilizmi, në gjuhën shqipe, që kryeherazi, është krijuar shprehja “shtëpia
e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”. Pra, shqiptarët, që së
lashti, derën e kanë pasur të hapur për miqtë dhe për shtegtarët fqinj. Por
rezulton se këta të fundit, në rrjedhën e shekujve, nuk janë treguar aspak
mirënjohës ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, mikpritjen e shqiptarëve ata e kanë
vlerësuar si kompleks inferioriteti dhe na e kanë shpërblyer me rrëmbimin e
trojeve tona, duke na i rrëgjuar në një
mënyrë tragjike. Dhe shqiptarët, si etnia më e madhe e
Gadishullit Ilirik, në vend që të bashkoheshin fort me njëri-tjetrin dhe t’i
mbronin me vendosmëri trojet e veta, ata vetëm janë tërhequr para furisë së
pushtimeve të fqinjve tanë “miq dhe shtegtarë”.
Kësisoj, shqiptarët, duke e zhvendosur te të huajt
gravitacionin e mikpritjes dhe të nderimit deri në servilizëm, gjatë shekujve
kanë pasë krijuar një boshllëk të ndjeshëm për ngjizjen e unitetit brenda
vetvetes, çka ka krijuar truall për përçarjen tragjike që i ka karakterizuar
brez pas brezi.
Tek po hidhja në kompjuter këto radhë, menjëherë më erdhi
në kujtesë një libër interesant, me autor zotërinë Sokol Braha, shqiptar
nga Kosova që jeton në Zvicër. Ai, duke trajtuar natyrën e marrëdhënieve të
shqiptarëve me serbët, shkruan:
“Shqiptarët përshëndetin, nderojnë, urojnë, përgëzojnë, presin e përcjellin
me krenari, sepse i kanë në traditën e tyre këto dhe i ruajnë me krenari. Edhe
pse këta komshinj nuk i ftuam ne, por na erdhën si miq të paftuar! Por unë pyes
veten: a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt?
Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”.
Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).
Duke i nderuar të
huajt deri në atë shkallë, saqë të mos respektosh dinjitetin personal, domosdo
që do të fitosh jo simpatinë, por mungesën e respektit nga ana e tyre, i cili,
me kalimin e kohës, vjen e merr përmasat e shpërfilljes, duke u ngritur ca nga
ca deri në nivelin e neverisë dhe të urrejtjes së hapur. Pikërisht kështu ka
ndodhur me shqiptarët. Duke u treguar mikpritës me ardhacakët grekosllavë, me
të cilët u treguan bujarë, ilirët i
lejuan të bëheshin zotër në tokat e Ilirisë. Me kalimin e shekujve, ardhacakët
grekosllavë i zhvendosën ilirët rrënjës shekull pas shekulli, derisa trojet ua
katandisën në një shoshë vend. Në këtë mënyrë,
duke i respektuar tej mase ardhacakët grekosllavë, ilirët, siç u theksua
më lart, fituan neverinë dhe urrejtjen e tyre, e thelluan përçarjen brenda
vetes dhe erdhën duke u shndërruar në një popull vetëvrasës.
Skënder Sherifi, shkrimtar dhe gazetar frankofon me origjinë shqiptare, i
njohur sidomos në rrethet letrare në Belgjikë dhe në Francë, në një intervistë
që i ka marrë zotëria Gjovalin Kola këtu e ca vjet të shkuara, ka
nxjerrë në pah “… një prirje vetëshkatërruese që manifestojnë shqiptarët,
njëfarë vetëvrasjeje kolektive. Kur i sheh me realizëm të shkuarën dhe
zhvillimet e sotme, arrin në përfundimin se ky komb është armiku më i madh i
vetvetes. Këtu ka një urrejtje, xhelozi e mëritë tepruar. Nuk dimë ta
vlerësojmë tjetrin. “S’të njoh, s’dua të të njoh, s’dua të di çfarë meritash ke
ti”. Kështu arsyetohet, pak a shumë, te ne” (Gjovalin Kola. “Ky komb
është armiku më i madh i vetvetes”. Gazeta “Shekulli”. 03
tetor 2006).
Pikërisht vetëvrasjes
kolektive, për të cilën tërheq vëmendjen shkrimtari dhe gazetari Skënder
Sherifi, një personalitet politik i viteve të luftës, ish-ministri i brendshëm
Kol Bib Mirakaj, i ka kushtuar një libër të tërë, me titull “Vetëvrasja e
një kombi”. Botimet “Fiorentina”. Shkodër 2014.
Pak a shumë të
njëjtën linjë arsyetimi ndjek edhe publicisti dhe moderatori i njohur televiziv
Artur Zheji në një material që ka botuar në internet ca
muaj më parë:
“Një vend që s’ka bërë asnjë luftë me të tjerët, është
dreqosur nga lufta e pamëshirshme dhe pa kufi me vetveten, si një gërryerje, si
një acid vrasës, si një ligësi për të parë të dërrmuar më të dobëtin, më të
pafuqishmin dhe këmbërrëshqiturin në humnerë” (Artur Zheji. “Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe
historia jonë…”. Faqja e internetit: “VideoWap.Net”.
30 korrik 2019).
Prof.dr. Mehdi Hyseni,
akademik, në një artikull të paradokohshëm, citon zotërinë Enis Shatri:
“Sikur shqiptarët të ishin treguar
kaq mizorë me armiqtë shekullorë, sa ç’janë treguar me njëri-tjetrin, kufijtë
tanë do të shtriheshin deri atje ku kanë qenë, deri në Pargë e në Prevezë”.
Dhe më poshtë profesori vazhdon:
“Ky paradoks provon sheshit edhe sot gjendjen
tonë të mjeruar dhe të robëruar nën tutelën kolonialiste të disa
shteteve fqinje sllave të Ballkanit (Greqia, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Mali
i Zi). Ky paradoks qartazi provon edhe aksiomën e qëlluar të
Rilindësit tonë, Faik Konica, se “armiku i shqiptarit është vetë shqiptari”. Ky
paradoks historik, politik, kombëtar e atdhetar dëshmon se populli
shqiptar nuk ka ngelur rastësisht dhe vetëm si pasojë e armiqve të huaj, i
copëtuar, i aneksuar, i kolonizuar, i shtypur dhe i robëruar
nën thundrën tiranike shekullore të sllavëve të
Ballkanit, por fajtori më i madh është vetë shqiptari, që me shekuj, që nga
Hamzai e deri te Adem Jashari, e tradhton, e vret dhe ia fut thikën pas shpine
shqiptarit, jo armikut!” (Prof.dr. Mehdi Hyseni. “Ndryshe”.
Faqja e internetit “Albaniapress”. 19 maj 2019).
Në romanin tuaj me titull “Amanti i Arbërisë”,ju
keni zbuluar me art ca të vërteta tragjike në ecurinë shumëshekullore të
etnosit shqiptar në Gadishullin Ilirik:
Ilirët nuk kanë pasur perëndi të luftës. Nga
bashkëbisedimi i dy heronjve të romanit - Amantit dhe Vranos - del në pah
arsyeja se pse ilirët nuk kishin perëndi lufte. Amanti i jep këtë shpjegim
Vranos:
“ - Nuk ka ç’na duhet Perëndia e
luftës. Populli ilir ka qenë dhe është liridashës. Ne nuk e duam luftën dhe nuk
i biem askujt në qafë”.
Kjo e vërtetë tragjike ilire zbulon një mendësi
paradoksale: ilirët nuk kanë pasur absolutisht prirje për
ekspansion. Po si ka qenë i mundur një paradoks i tillë, përderisa
rreth e qark tyre, etnoset e tjerë etjen për ekspansion e kanë pasur si yll
karvani në luftën e tyre për mbijetesë? Sa ishte sipërfaqja e etnosit grek në
vitin 1831? Në vitin 1913, brenda 80 vjetëve, u trefishua pikërisht në
dëm të sipërfaqes së etnosit shqiptar. Sa ishte sipërfaqja e etnosit serb në
vitin 1878 dhe ku arriti në vitin 1913, në dëm të sipërfaqes së etnosit
shqiptar?
Mungesa e prirjes për ekspansion, si trashëgimi fatkeqe
që nga koha e Ilirisë, ku e katandisi Shqipërinë? Në një sipërfaqe sa një “fushë
tenisi”.
Një tjetër e vërtetë tragjike që zbulohet në romanin
tuaj, është përçarja që ka mbretëruar në botën e lashtë ilire. Pyetjes së
Amantit, drejtuar Bukuroshes së Durrësit për njerëzit nëse janë ziliqarë, ajo i
përgjigjet:
“ - Po, po, kanë smirë për këdo që i
shkojnë punët mbarë, mundohen dhe bëjnë të pamundurën që ta shkatërrojnë
tjetrin”.
Kjo smirë tragjike vazhdon traditën e vet që nga koha e
Ilirisë dhe deri në ditët tona.
Në vazhdimësi, ju nënvizoni edhe një tjetër të vërtetë
tragjike për kombin shqiptar, të trashëguar që nga lashtësia ilire. Kur po
bisedojnë për ngritjen e kalasë së Shkodrës, për ndërtimin e së cilës dy
vëllezër prenë në besë vëllain e vogël, Hyu i Jezercës i thotë Amantit:
“Ndër tre njerëz, vetëm njëri është i
drejtë. Ndaj nuk bën hair ky truall, biro!”.
Për shkak të
përçarjes që kanë pasë trashëguar që nga pellazgoiliria, shqiptarët, aty nga
mesi i shekullit XIX, në vend që ta kuptonin rrezikun e madh që u kanosej nga
grekosllavizmi përmes “Megaliidesë”dhe “Naçertanies”, u hodhën në kryengritje kundër taksave që
u vendosën me Reformat e Tanzimatit, pa pasur absolutisht si qëllim që të
luftonin për pavarësinë e vendit nga perandoria otomane.
Asokohe kombi
shqiptar ishte numerikisht më i madhi në Gadishullin Ilirik. Grekët numëroheshin
në 1 milion e 100 mijë, serbët - në 600 mijë, kurse shqiptarët - në 1 milion e
600 mijë. Por përçarja ndërshqiptare dhe mercenarizmi i parisë së tyre ishte
pengesa kryesore për forcimin e unitetit aq të dëshiruar. Pikërisht
mercenarizmin e parisë shqiptare e përmend edhe Ivo Andriçi në elaboratin e
vet, çka citohet në librin “Shtëpia e Verdhë” të akademikut Flori Bruqi:
“Në territorin shqiptar është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet nesh
dhe Italisë. Italianët atëherë iniciuan çështjen malazeze e maqedonase, si dhe
idenë e Shqipërisë së Madhe deri në Kaçanik. Ne kundër tyre zhvilluam herë
aksione të fshehta, herë të hapura, duke i bërë për vete me para fisnikët
(parinë) shqiptarë dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe
“Ballkanin popujve të Ballkanit” (f. 28).
Përçarja
ndërshqiptare në ditët tona ka marrë përmasa të frikshme. Ajo është trualli më
i përshtatshëm i mercenarizmit, i servilizmit ndaj të huajve dhe i
vëllavrasjes. Këtë e dëshmon më së miri numri i madh i partive politike. Në
trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup figurojnë 92 parti politike, të
regjistruara në gjykata.
Shpërfillja dhe
neveria që ushqejnë serbët për shqiptarët, mishërohet fare hapur në kërkesën
skandaloze të kryeministres serbe, drejtuar kryeministrit Rama dhjetorin e
vitit të kaluar. Në faqet e internetit asokohe u bë i njohur informacioni i
mëposhtëm:
“Serbia është aq e guximshme, saqë edhe Shqipërisë i kërkon tërheqje të
njohjes së Kosovës, raporton KTV. Por, këtë kërkesë të kryeministres së Serbisë
Ana Brnabiç, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri
Ramush Haradinaj e quan të turpshme (Citohet sipas:“Serbia i kërkon Shqipërisë ta tërheqë
njohjen e Kosovës, reagon ashpër Haradinaj”. Faqja e internetit “time.al”.
25 dhjetor 2018).
Kërkesa e kryeministres serbe është me të vërtetë e
turpshme, por ajo e ka një bazë ku mbështetet - pikërisht te përçarja
ndërshqiptare. Pikërisht kjo përçarje e mallkuar është arsyeja e heshtjes së
Tiranës zyrtare para institucioneve ndërkombëtare, deri edhe para Tribunalit të
Hagës, për krimet e rënda që Serbia kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Ato
krime ishin konkretizim i urrejtjes mbinjëshekullore që shovinizmi
serbokriminal ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë ndaj kombit shqiptar, urrejtje
që përbën një enciklopedi më vete.
Shovinizmi evropianoperëndimor, në bashkëpunim të ngushtë
me shovinizmin rusomadh, e njihte mirë psikologjinë përçarëse që karakterizonte
mbarë etninë shqiptare, prandaj edhe copëtimin e trojeve tona amtare e nisi në
Kongresin famëkeq të Berlinit dhe e kurorëzoi me Konferencën edhe më famëkeqe
të Londrës. Ato dy copëtime vërtetuan në praktikë se shqiptarët, megjithëse
përfaqësonin etninë më të madhe në gadishullin tonë, përçarjen vetëvrasëse e
kishin në gjenin e tyre.
Pikërisht për shkak të përçarjes ndërshqiptare, në
raportet me grekosllavizmin, shqiptarët kanë mbajtur një iventar mjaft të pasur
të krimeve të tij kundër kombit tonë. Kurse iventari i hakmarrjes sonë kundër
krimeve të grekosllavizmit është shumë-shumë i varfër, për të mos thënë i
paqenë.
Kur e mbarova së lexuari këtë vepër tuaj shkencore, mua,
zonja Vili, më erdhi menjëherë në kujtesë titulli i librit të Kosta Çekrezit,
bashkëkohës i Nolit. Një libër ky mjaft interesant që i kushtohet përçarjes
tragjike ndërshqiptare edhe në diasporën shqiptare këtu në Amerikë. Libri
titullohet “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë” dhe është botuar në
Vashington në vitin 1951.
Në mbyllje,
dëshiroj t’ju përgëzoj me gjithë zemër për këtë punë kolosale që keni
përballuar për përgatitjen e këtij Traktati me vlera të jashtëzakonshme njohëse
për historiografinë shqiptare.
Ju uroj shëndet
dhe mbarësi!
Prof. Dr. Eshref Ymeri, akadmik
Santa Barbara, Kaliforni
06 mars 2020