Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: 'Me kombin nuk bëhet demagogji'
E hene, 07.09.2020, 03:41 PM
“Me kombin nuk bëhet demagogji...”
Nga Ndue Ukaj
Duke i lexuar interpretimet e shkreta politike që bëhen ndër
shqiptarë rreth marrëveshjes që u nënshkrua këto ditë në Shtëpinë e Bardhë - në
shtëpinë më të fuqishme politike në botë - m’u ndërmend një intervistë e
Ibrahim Rugovës, e vitit 1991, dhënë
gazetës Ora, ku ai thoshte:
“Ne me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë
demagogji, siç bënin komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e
shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi
kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të
interesit kombëtar, por të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë
rreth këtij interesi dhe të angazhohet konkretisht për të.”
Demagogjia me kombin vazhdon, ndaj Rugova na flet edhe sot,
për shumë çështje të hapura politike, për natyrën e politikës, identitetin
kombëtar dhe interesat kombëtare në rrjedhat globale. Kështu, mendimet e tij politike janë
dritëdhënëse për të krijuar kulturë politike.
Si nxënës të këqij të historisë, ne kemi ngelur prapa në
shumë procese dhe tani, ndonëse Amerika dhe Europa janë me ne dhe këtë gjë e
kemi provuar, ne vazhdojmë të çirremi dhe të krijojmë atmosferë të rëndë
kombëtare, duke tentuar mjerueshëm të hedhim hije të zeza mbi këto raporte. Krejt kjo bëhet për shkak të inateve,
trilleve dhe intrigave të brendshme dhe natyrisht të mungesës së theksuar të
kulturës politike.
Kurse, kur jemi të kriza identitare dhe çështja e
religjionit, për çka po bëhet zhurmë këto ditë, përsëri Rugova na flet dhe na
ngroh si diell. Ai nuk kishte dilema e as kriza identitare, siç kanë
demonstruar shumë politikanë shqiptarë gjatë viteve të fundit, që zgjoheshin si
perëndimorë, bënin jetë ditore si orientalë dhe binin në gjumë si kozmopolitë.
Rugova ishte oksidental dhe postulate themelor politik dhe
kulturor i tij ishte oksidentalizmi, ndaj ai nuk rropatej e as nuk tundej nga
erëra të lehta.
"Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale
me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese
evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces
të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje."
(Ibrahim Rugova, 14, gusht 1991)
Ne kemi sendërtuar shumë aspirata politike, por pak mendojmë
politikisht kur bëhet fjalë për interesa kombëtare. Mjerisht, për shumë
shqiptarë, patriotizmi është turp, ndërkaq, për Rugovën ishte virtyt dhe virtyt
e konsiderojnë thuajse të gjithë popujt e emancipuar.