E enjte, 01.10.2020, 09:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Zejtaria dhe tregtia në Preshevë

E marte, 18.08.2020, 07:27 PM


ZEJTARIA DHE TREGTIA NË PRESHEVË

Shkruan: Xhemaledin SALIHU, profesor

Hyrje

Zanafilla e zejeve dhe vjetërsisë së tyre në Preshevë, sipas kërkimeve dhe shënimeve arkivore të gjetura daton që nga shekulli XVI apo më konkretisht që nga regjistrimi i vitit 1570. Atëhërë për herë të parë u regjistrua një zejtar-farkatar i quajtur Damjan.

Poashtu në këtë shekull, Presheva pas Vranjës, por para Vllasinës dhe qendrave të tjera në këtë rajon ishte qendra më e zhvilluar zejtarie dhe zejtarësh në rajon. Nga zejet në Preshevë, farkataria ishte më e zhvilluara. Por nuk mungonin edhe zeje të tjera. Kështu në Rahovicë u regjistrua një qurçija/kurekçi-gëzoftar/, ndërsa në Norçë u regjistruan 3 terzi /rrobaqepës/.

Shkrimet dhe udhëpërshkrimet e shekullit XVI flasin se Presheva nuk e kishte aq të zhvilluar zejtarinë dhe ishte regjistruar një numër i vogël zejtarësh. Poashtu edhe në fshatrat e Preshevës, aty këtu lajmërohet ndonjë zejtar i regjistruar si në Rahovicë e Norçë. Po sigurisht se ka pasur edhe të tjerë të cilët nuk janë regjistruar si zejtarë, por punën e zejes e kanë krye nëpër shtëpi, për t’i ikur tatimeve të mëdha të atëhershme.

Presheva dhe rajoni më gjërë sipas regjistrimit 1519 kishte të zhvilluar edhe punën e mullinjve. Kështu në Preshevë, në këtë vit u regjistruan 10 mullinjë, por pronarët nuk ceken.

Poashtu vlen të ceket se duke hulumtuar zejet dhe zejtarët e vjetër në shekullin XVI hasa në shënime arkivore se panagjyri i Preshevës ishte më i vjetër se panagjyri i Vranjës, i cili u lajmërua në regjistrimin e vitit 1519, bile thuhet se panagjyri n% Preshevë mbahej edhe me herët se viti 1519, për Preshevë dhe për rajonin Leskovc-Shkup. Panagjyret mbaheshin 1 herë në vit. Më vonë, në Preshevë lajmërohet pazari /tregu/javor, i cili sëpari mbahej të hënave, ndërsa më pas, në shekullin 19 mbahet të shtunave dhe kështu mbetet deri më sot.

Çarshija e Preshevë ishte qendër pazari, ku zejtarët, tregtarë, prodhuesit e pemeve, perimeve dhe tëtjera i eksponojshin në Çarshi, sidomos në pjesë veri-perëndimore të saj, kah Kafja e Tozë, kah Xhamia e Vjetër e Preshevës. Pazari ndodhi rregullisht aty deri në vitin 1950, kur zbriti në vendim ndërmjet rrugë Sava Kovaçeviq dhe Boro Vukmiroviq, te Shtëpia e Ali Tuxharit, e cila familja u shpërngul dhe sot jeton në Turqi. Ndërsa më 18 mars 2008 tregu-pazari u bartë në rrugën Qemal Shehu dhe atu qendron ende. Tregu i kafshëve u bartë në rrugën e Vorrezave të qytetit, teposht kah bunari i Haxhi Muharremit dhe Haxhi Maliqit në lindje.

Edhepse në Preshevë ishte e zhvilluar zejtaria qysh në shekullin XVI e më vonë, e cila është bazë e zhvillimit të industrisë, Presheva mbeti shumë pas në zhvillimin industrial, shumë komuna të këtij rajoni e kaluan përkah zhvillimi industrial : Vranja, Leskoci, Bujanoci, Vlladiçin Hani, Surdulica.

Çdo punëtori zejtarie/ duqan/ kishte kryemjeshtrin, kallfën dhe shegërtat. Shegërtat mësonin 3 vite zeje, gradoheshin në kallfë dhe pastaj në kryemjeshtër.

Në Preshevë dyqanet ishin përgjatë dhe në fillim të rrugës të sotme të Gjilanit, përskaj lumit dhe përgjarë rrugës Marshall Tito, bile aty ishte qendra ku më vonë  mbahej edhe pazari.

Dyqanet ishin me qepena /kapakë/ të cilët shërbenin edhe si vend ku ekspozoheshin prodhimet zejtare.

Emërtimet e mëhallave në Preshevë : Hallaçët, Berberët etj. flasin  shumë se në Preshevë ka pasur zhvillim të zejeve të ndryshme, në mesin e tyre edhe hallaçë, të cilët qepnin mintana, ndërsa zeja e berberëve-rrojtar ishte e përhapur mjaftë dhe në

traditën e kësaj mahalle u ruajtë deri në ditët e sotme. Kështu sipas Ferid Selimit ishte i njohur zejtari Selim Berberi i po kësaj mahalle. Tek mahalla e dodallarëve ishte i njohur Hysen kasapi. Më vonë lajmërohen edhe shumë të tjerë.

Ndoshta edhe emërtimet e mëhallave : pamukët, horosanët duhet kërkuar në punimet e zejeve në Preshevë.

Zejtaria në shekullin XIX në Preshevë

Shënime për zejtarinë gjatë shekullit XVII dhe XVIII nuk kemi gjetur, andaj edhe po shkruajmë për zejtarinë e shekullit XIX.

Edhepse zejtaria në Preshevë daton shumë herët, më shumë zhvillohet decenieve të fundit

të shekullit XIX. Në realitet, zhvillimi i saj lidhet me themelimin e Kazasë së Preshevës, në sanxhakun e Prishtinës dhe Vilajetin e Kosovës. Atëherë, Presheva merr fryme më çlirshëm dhe pas Kongresit të Berlinit, nën Otomaninë Turke, ajo me jetën qytetare fillon të tërheq zejtarë të ndryshëm nga viset të tjera.

Pozita e volitshme gjeografike e Preshevës, rrjeti i rrugëve të saja, kushtet ekonomike, sidomos pas ardhjes se Turqëve, si dhe  kushtet e ekonomisë natyrale e mos zhvillimit të prodhimit bënë që në Kazanë e Preshevës të mos kishte ndarje në mes të zejtarisë dhe tregtisë, sepse zejtarët prodhimet e tyre i shitnin me pakicë dhe me të madhe. Kështu zejtarët në panagjyre, pazare, tregje vende i ekspozonin prodhimet zejtare edhe aty i shitnin, por shpesh ndodhte që prodhimet t’i dërgonin edhe më larg për shitje.

Deri më 1878 kishte ndarje të zejeve, me të cilat merreshin të krishterët dhe myslimanët(turqit, shqiptarët, Romët)

Myslimanët mereshin në qytet me zejet: berber, këpucëtar, saraç, duhanxhi, dyfekçi, pantoflaxhi,nallanxhi, dhe nallban.

Të Krishterët merreshin me zejet: litarbërës, samarxhi, kazanxhi, farkatar, qerraxhi, kacapunues, argjentar, rrobaqepës.

Zejet tradicionale barten nga gjenerata në gjeneratë dhe janë traditë familjare në raste të shumta. Kohëve të fundit kjo traditë familjare zejtare humbet, mbeten vetëm zejtarë familjarë që e bartin zejen në gjeneratat e reja.

Pas Kongresit tw Berlinit, sipas Haxhivasileviqit, Presheva kishte 640 shtëpi dhe 30 dyqane tregtare dhe zejtarie. /Jovan Hadzivaljevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj.2, Beograd, 1913, f. 33/

Poashtu popullata merrej me vneshtari. Vreshtat me te mire të punuar ndodheshin ë Preshevë dhe Norçë. Rrushi i Preshevës dergohej në shitje në Shkup, Kumanovë, Gjilan e gjetiu.Ishte i njohur rrushi : Pazarxhiku i Preshevës./E njëjta, f. 35,83/

Sipas Vukanoviqit, në fund të shekullit XIX ishin shquar këto zeje :

Zhgunar /abaxhi/ : 1 punëtori ; Rrojtar /berber/: 3 punëtori ;Çanakpunues /bludarë/ : 1 punëtori ; Mullinxhi : 14 mulli ; Ekmekxhi : 3 punëtori ; Jogurtxhi : 2 punëtori ; Kazanxhi : 3 punëtori ; Kallajxhi : 3 punëtori ; Kasapë : 4 punëtori ; Kafexhi : 3 punëtori ; Vozgarë /kacaxhi/ : 2 punëtori ; Qepabxhi : 4 punëtori ; Qeleshepunues :1 punëtori ; Farkatarë :10 punëtori ; Zeje qerresh : 5 punëtori ; Këpucëtarë : 4 punëtori ; Mehanxhi : 3 punëtori ; Mumxhi/ balsamosje/ : 2 punëtori ; Mutavxhi /çergepunues/ : 3 punëtori ; Mbathtarë /nalban/ : 5 punëtori ; Nanullxhi : 6 punëtori ; Opangaxhi : 5 punëtori ; Sahatçi : 2 punëtori ; Samarxhi : 2 punëtori ; Teneqepunues : 3 punëtori ; Armëpunues : 3 punëtori ; Havanxhi /enë/  : 2 punëtori ; Hallvaxhi : 2 punëtori ; Hamamxhi :1 punëtori ; Çibukxhi : 1 punëtori .

Gjithësej  :                                                           105 punëtori

Të gjitha këto zeje janë klasike, punohet zeja në punëtori. Prej këtyre zejeve të vjetra kanë vdekur zejet : Zhgunar /abaxhi/, Çanakpunues /bludarë/, Kazanxhi,Qeleshepunues, Mumxhi, Mutavxhi /çergepunues/, Nalbanxhi, Nanullxhi, Opangaxhi, Samarxhi, Havanxhi, Hamamxhi dhe Çibukxhi.

Prej zejeve të përmendura, Shqiptarët më së shumti kanë kultivuar këto zeje : Zhgunar, Berberë, Mullinxhi, Kasapë, Qeleshëpunues, Këpucëtarë, Çergepunues, Nanullxhi, Opangaxhi, Zejeqerresh, Saraç, Teneqepunues, Armëpunues dhe Çibukxhi.

Krahas zhvillimit të zejeve, në Preshevë është zhvilluar edhe zeja shtëpiake, sikur qilimpunuesit dhe jorganxhitë.

Zejtaria dhe tregtia në Preshevë para Luftës së Dytë Botërore

Me themelimin e Jugosllavisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve shumë u vështirsuan kushtet e punës, sidomos ishin të vështira kushtet e hapjes së punëtorive të zejeve dhe tregtive, prapseprap Shqiptarët qenë të detyruar t’i pranojnë edhe ato kushte vetëm e vetëm për të ushtruar ndonjë zeje apo të merren me tregti, me të cilën ata i mbanin familjet e tyre dhe siguronin ekzistencën vetes dhe familjes.

Kështu, në Preshevë kemi një zhvillim të zejtarisë dhe tregëtisë, sepse pozita gjeografike / hekurudha, rrugët me karakter rajonal e nderkombëtar/  ia mundësonte plasimin e prodhimeve zejtare dhe tregëtare në Preshevë, rajon e më gjerë.

Në atë kohë pati shumë punëtori zejesh e të tregtisë. Po i përmnedim :

Izeir Ahmeti i Kajallarëve, më vonë zejen ia mësoi djalit Ahmetit dhe Faik Liça ishin berber /rrojtar/ të njohur në Preshevë.

Farkatarë të njohur ishin : Ibrahim Hoxha i Gollomehëve, Shukri Shabani, poashtu i Gollomehëve, Arifi i Shehlerëve, Haxhi Avdija, Jashari, Asllani, Demiri, Ferati dhe Nazifi.

Nallbanë të njohur në Preshevë ishin : Ejup Sylejmani i Budumëve, i cili zejen ia mësoi djalit, Xhavit Sylejmanit, Hebib Norça, i cili zejen ia mësoi djalit Vaxhid dhe Abdurrahmani i Mutishëve, i cili ia mësoi zejen djalit, Xhavitit.

Dukuria e vazhdimësisë së mësimit të zejes, gjeneratë pas gjenerate e gjejmë të përhapur në Preshevë.Rastet e zejeve të berberëve, farkatarëve, nallbanëve qartë flasin për këtë dukuri të përhapjes dhe të mësimit si dhe amanetit për gjeneratat e reja.

Në atë kohë sipas të dhënave gojore të pleqëve nuk pati zdrukthëtar nga Presheva, por ishte i njohur Idrizi i Bilaçit-zdrukthëtar.

Saraçë të njohur ishin : Riza Miftari i Norçës dhe Hasipi.

Disa zeje ndër shqiptarë nuk ishin të ushtruara dhe të punuara, andaj po i cekim serbët e Preshevës, të cilët ushtruan dhe punuan këto zeje : Efremi Kallanxhija, Mane dhe djali Petri Kallanxhija.

Rexhep Qerimi i Preshevës dhe Jusufi i Hysenëve në Preshevë ishin këpucëtarët më të njohur në Preshevë. Bile, Jusufi i Hysenëvë la traditë në familje dhe shumë gjenerata të ardhme të Hysenëvë e ushtruan këtë zeje-këpucëtari.

Rrobaqepës të njohur ishin : Hysi i Esat Agës, nga i cili zejenë e rrobaqepësisë e mësoi djali i tij Esati, Sutkiu i Bilaçit dhe Aleksandar Dejanoviq, nga i cili zejen më vonë e mësoi djali, Voja.

Zejenë e rrallë : Nallënxhi e ushtroi Ajeti i Nesalcës së Bujanocit, dhëndër Presheve dhe Azizi i Mutishëve.

Zejenë e havanxhisë /enëve/ e ushtruan më tepër serbët :  mjeshtri Dimçe, vazhdojnë familja Nikoliq, në rrugën 15 nëntori dhe Velimiri në rrugën M.Tito.

Autotaxi i parë në Preshevë ishte Alisahit Sahiti i Majancalive, vëllau i Jashar dhe Rexhep Sahitit të Majancës, për të cilin lidhet një anegdotë e ikjes së tij në Shqipëri : një ditë duke punuar taksi, duke zbritur nga kisha në rrugë i del një i ri serb i sëmutë nga epilepsia dhe ky e shkelë. Duke e ditur mentalitetin e serbëve për hakmarrje, ai u detyrua të ikë në Shqipëri dhe më nuk është këthyer në Preshevë.

Arabaxhi të parë në Preshevë ishin : Hysen Doda, Abazi i Kamberëve dhe Hetemi i Kajallarëve.

Zejen e bukëpjekësit në Preshevë e ushtroi, së pari në Rahovicë e pastaj në Preshevë Ejup Rexhëbeqaj nga Gjonajt i Hasit, nga i cili zejen e mësuan thuajsë të gjithë fëmijët e tij dhe të culët këtë zeje e ushtruan në Preshevë dhe në shumë vende të tjera të ish-Jugosllavisë.

Furra e Bacit Jup dominoi për kah kualiteti i bukës shumë kohë në Preshevë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Tregëtare-shitore tekstili në Preshevë ushtruan : Haxhi Qazimi te Namja e  Preshevës, Haxhi Abdulla Veliu, për të cilën thuhet se ishte tregëtar, por i ndershëm dhe ndihmëtar i familjeve të varfëra. / Autorit të shkrimit i ndodhi që të shkojë në Shkup për të blerë plisa për SHKA “Abdulla Krashnica”, në shitoren e plisave në Bit-Pazar hasi në shitësin Meçaj nga Gjakova, i cili e pyeti nga vjen o djalosh, iu përgjigja nga Presheva. Ai mori frymë thellë dhe tha : Presheva ka burra të mirë, ndër ta është Haxhi Abdullah Veliu, tregtar, por i ndershëm. Këto fjalë autori ia përcolli djemëve të Abdullahut : Veliut dhe Farukut të ndjerë/, pastaj Hafëz Beqiri me djemtë Mehmetin dhe Shaipin, Fahredini i Rrahmonëve, Emin Seferi, Hetem Gjakova dhe Manasi Qopa.

Me tregëti-pemëshitës apo shitore me mall të përzier u morën Kadri Gollomehu dhe Osman Zellça.

Këto të dhëna gojore i kallxoi Nazmi Jonuzi i Binajve të Preshevës, ndërsa i sistematizoi dhe për shtyp i përgatiti autori i shkrimit.

Nazmi Jonuzi është i lindur në Preshevë, më 1917 dhe jeton ende në Preshevë.

Duke marrë parasysh zhvillimin dhe laryshinë e zejeve, konkludojmë se Presheva para Luftë së Dytë Botërore kishte zejtari dhe tregëti të zhvilluar që në botën e vendeve perëndimore ishte parakusht për zhvillimin industrial. Në Europën Përëndimore nga zejtaria dhe tregëtia e zhvilluar lindën industri të zhvilluara, ndërsa në Preshevë ndodhi e kundërta nga një zejtari dhe tregëti e zhvilluar, Presheva pas Luftës së Dytë Botërore mbeti komuna më e varfër në ish-Jugosllavi.

Në Preshevë, zejtaria ishte e zhvilluar deri në vitin 1912-1913, prej këtyre viteve deri vitin 1941 kemi një stagnim të zhvillimit të zejtarisë po edhe të zejeve shtëpiake.

Sipas Kadri Halimit qeleshepunuesë ka pasur edhe në Preshevë. Shqiptarët e Bujanocit dhe Preshevës, të Kumanovës dhe të Shkupit me rrethinat e tyre mbanin kësula të zeza, të prera e të qepura prej bezi të blerë. U thonë kapuça dhe këta shpeshherë janë të qëndisur me qëndisma shumë të bukura, me ornamente të ndryshme. Para kapuçave kanë mbajtur plisa të bardhë. Kësulat e këtilla kushtonin shumë lirë.Deri vonë, kësulat janë bajtur në Malësi të Preshevës. Andaj edhe kjo zeje ka vdekur në këto vise shumë herët dhe nuk është kultivuar.

Zejtaria dhe tregtia pas Luftë së Dytë Botërore

Me zeje janë marrur më shumë meshkujt , në raste të rralla edhe femrat, sidomos para Luftës së Dytë Botërore, ndërsa pas saj merren edhe femrat, sidomos me rrobaqepësi etjerë.

Në Preshevë zejen e farkatarit më shumë e kanë kultivuar romët, janë të njohur farkatarët romë, por e kultivuan edhe serbët, ndërsa më pak shqiptarët.

Më zejen e gurëgdhendës mereshin me shumë serbët, ndërsa me drugdhendje shqiptarët.

Zejen e muratorit më herët e kultivuan serbët, ndërsa më vonë, sidmos pas viteve të 60-ta të shek. XX e kultivuan edhe Shqiptarët. Tashti me këtë zejë në Preshevë kryesisht merren shqiptarët.

Nga Regjistri i Shërbimit komunal të Preshevës /Regjistrin e mora në Shërbimin e komunës së Preshevës dhe punëtorët e këtij Shërbimi i kanë vetëm emrat e regjistruar të zejtarëvë nga viti 1946, ndërsa më herët nuk kanë kurrëfarë evidence dhe shënimi  si dhe lejet e tyre janë në Arkivin Historik në Vranjë.

Nxorra emrat e këtyre zejtarëve :

Në vitin 1946 janë të regjistruar këta zejtarë : 1.Vllada Stojmenoviq nga Presheva, qerrepunues, 2.Zejnulla Duraku nga Presheva, farkatar, 3.Cvetko Stojanoviq nga Presheva, enëpunues dhe 4.Miodrag Cvetkoviq nga Presheva, qerrepunues.

Në vitin 1948 është i regjistruar Asllan Ramadani nga Presheva, farkatar.

Në vitin 1949 është i regjistruar Dragutin Filipoviq nga Presheva, qerrepunues.

Në vitin 1951 janë të regjistruar këta zejtarë : 1.Rufat Bahtijareviq nga Restelica, ëmbëltorist dhe 2. Hasan Kurtishi nga Presheva, teneqepunues.

Në vitin 1952 janë regjistruar këta zejtarë : 1. Muharrem Jakupi nga Rahovica, berber dhe 2. Destan Nebiu nga Miratoci, berber.

Në vitin 1953 janë regjistruar këta zejtarë : 1. Aziz Ahmedi nga Presheva,ëmbëltorist, i cili këtë zeje e ka punuar që nga viti 1938 dhe 2. Qemal Kadriu nga Presheva, këpucëtar.

Në vitin 1954 janë regjistruar këta zejtarë : 1. Halim Sylejmani nga Presheva, teneqepunues, 2. Ramadan Idrizi nga Presheva, berber dhe 3. Lubomir Stankoviq nga Presheva, zdrukthëtar.

Në vitin 1955 janë regjistruar këta zejtarë : 1. Tefik Hyseni nga Miratoci, berber, 2. Arif Ahmedi nga Presheva, zdrukthëtar dhe 3. Vaxhid Rashiti nga Presheva, nallban.

Në vitin 1956 është regjistruar Faik Sherifi, berber.

Në vitin 1957 është regjistruar Sylejman Jahiu nga Presheva, berber.

Në vitin 1959 është regjistruar Mehmet Sadiku, nallënxhi.

Nga viti 1960 deri në vitin 1970 janë regjistruar këta zejtarë :

Abaz Mushka nga Restelica, ëmbëltorist, 2. Ismail Veliu nga Presheva, mullinxhi, 3. Asllan Asllani nga Rahovica, rrobaqepës, 4.Ejup Rexhëbeqaj nga Gjonaj , Kosovë, bukëpjekës, 5.Fehmi Jusufi nga Presheva, këpucëtar, 6. Bejtulla Musliu nga Presheva, nallënxhi, 7. Mexhid Sahiti nga Presheva, bravëpunues, 8. Hydaverd Sherifi nga Presheva, sodaxhi, ujëgazozi, 9. Ahmed Ahmedi nga Presheva, berber, 10. Musa Musahu nga Presheva, zdrukthëtar, 11. Ekrem Kamberi nga Presheva, teneqepunues, 12. Nehat Haziri nga Presheva, ëmbëltorist, 13. Ibrahim Latifi nga Presheva, orëtar, 14. Muharrem

Emini nga Presheva, zdrukthëtar, 15. Dobrivoje Stoshiq nga Presheva, zdrukthëtar, 16. Vojisllav Dejanoviq nga Presheva, rrobaqepës, 17. Vasfi Aliu nga Rahovica, rrobaqepës,

18. Hajredin Rexhepi nga Presheva, farkatar, 19. Jusuf Nasufi nga Presheva, këpucëtar, 20. Muharrem Salihu nga Presheva, berber, 21. Zijadin Destani nga Presheva, teneqepunues, 22. Nuredin Aliu nga Presheva, zdrukthëtar, 23. Hulusi Kamberi nga Presheva, teneqepunues, 24. Zijadin Jusufi nga Presheva, këpucëtar, 25. Zejdi Jahiu nga Presheva, berber, 26. Qemal Maliqi nga Presheva, jorganxhi, 27. Muzafer Sherifi nga Presheva, punëtori mekanike-biçikletave, 28. Etem Duraku nga Presheva, kasap, 29. Shefket Ismaili nga Presheva, berber, 30.Talat Haziri nga Presheva, ëmbëltorist, 31. Qamil Ramadani nga Presheva, berber, 32 Jahi Shabani nga Presheva, bukëpjekës, 33. Rauf Miftari nga Presheva, ëmbëltorist dhe 34. Ramadan Sahiti, berber.

Poashtu me rëndësi është të ceket se gjatë viteve 1968-1970 janë regjistruar edhe këta taxi-autotransportues të mallërave :

1. Selim Hasani nga Presheva, 2. Selajdin Hasani nga Presheva, 3. Avni Shabani nga Presheva dhe 4. Jahi Bajrami nga Corrotica.

Shumë jam i vetëdijshëm se këto shënimë nuk janë të plota mbi zejtarët e Preshevës, se të gjithë zejtarët nuk janë përfshirë në këto lista.

Shënimet janë marrë nga:

1.Arkivi Historik i Vranjës

2.Regjistri i Shërbimit komunal të Preshevës

3.Bisedë me njohës të lëmisë/informator/ nga Presheva



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora