E premte, 27.11.2020, 07:58 PM (GMT)

Kulturë

Sinan Gashi:’’Burgu’’ letrar i një krijuesi

E marte, 14.07.2020, 07:19 PM


“BURGU” LETRAR I NJË KRIJUESI

Nga Sinan GASHI

Në fillim ishte krijuesi

I lënë në harresë ose herë i lavdëruar së tepërmi deri në adhurim e herë i skejuar deri në heshtim, krijuesi Haki Stërmilli (1895-1953) është ai që la dëshmi shkrimore më se tetë vepra që kanë komunikuar me lexuesin (“Dibranja e mjerueme”, dramë historike katër pamjesh, Mbrothësija, Tiranë 1923, “Dashur e besnikëri”, dramë historike gjashtë pamjesh, Mbrothësija, Tiranë 1923, “Agimi i lumnueshëm”, dramë historike pesë pamjesh, Tirana, Tiranë, 1924, “Burgu”, Tirana, Tiranë 1935, “Sikur t’isha djalë”, roman, Ora, Tiranë, 1936, “Trashëgimtarët tanë”, 1950, “Shtigjeve të lirisë”, “Shtigjeve të lirisë”, ditar, N. Frahëri, Tiranë 1957 dhe “Kolorësi i Skënderbeut”, roman, Naim Frashëri, Tiranë, 1967), për ta radhitur ndër krijuesit karakteristik të përcaktimit kohor të viteve ’30. Fati e shpuri në vende të ndryshme të Evropës, më shumë për bindjet e tij politike dhe tundimet e përjetuara në shoqëri. Në Dibrën e Madhe pa jetën së pari, ku edhe mori mësimet fillestare, pastaj në Manastirin shqiptar mori njohuritë e mesme shkollore, kurse i përmbylli studimet e larta në Selanikun zëmadh të kohës. Shtegtoi në vende të ndryshme, herë nga qejfi e herë nga derti. I pasigurt në vendlindje nga sllavët arratiset fillimisht në Elbasan, pastaj në Durrës. Më pas në Mat, ku shërbeu sekretar i nënprefekturës, kur shkoi mirë me mbretin Zog. Ishte mësues edhe i motrave të tij. Më vonë ndërron bindje dhe konfrontohet dhe detyrohet të shtegtojë dhe vajti në Itali e Francë, në Bashkimin Sovjektik dhe së fundi në Austri, nga Vjena ku veproi si gazetar e veprimtar tashti kundër mbretit Zog. Në Manastir arrestohet më 19 mars 1929 nga policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare, duke mbajtur burg më se pesë vjet. Për këtë burgosje kishin reaguar për lirim personalitete të shquara të kohës, si: Anri Barbys, shkrimtar francez, Albert Ajnshtajn, fizikan, Teodor Lesing, filozof gjerman e të tjerë. Vepra interesante dhe e rrallë në letrat shqipe “Burgu” u shkrua gjatë vuajtjes së dënimit.

Vepra “Burgu”: ditar + roman + kronikë

Në përcaktimin e zhanrit letrar, në kuptimin klasik të teorisë së letërsisë, vepra “Burgu” e Haki Stërmillit të vë para një pikëpyetje. Jo pse vepra letrare nuk janë shkruar në këtë formë, qoftë në letërsinë e huaj ose në atë shqiptare, por se ai “rrëshqet” nga përcaktimet krijuese, që nuk mund të mos arsyetohen me vendin përkatësisht rrethanat e krijimit të tij. Ai, shikuar nga ana formale, vërtet është ditar e asgjë më shumë as më pak, por teksti brenda tij, pra teksti brenda një dite krijuese nga dita tjetër ka qasje të ndryshme, herë krejt letërsi ndjenjore, herë shqyrtime socio-psikologjiko-politike në mos edhe etnografike e nganjëherë edhe vetëm zbret në një kronikë të rëndomtë, që i di, i sheh dhe mund t’i thotë akëcili që fati e shpie në ato situata.

Arsyetimi i parë tekstual:

“18 Mars

Zbardhi drita. Bashkë me dritën e mëngjesit nisi me më argëtuese nji farë shprese. N’ora tetë u hapën dyert për me dalë n’oborr. Ndërkohë më thirrën në zyrë të burgut ku kishte ardhë polic Nikola. E përshëndeta, por ai nuk m’u përgjigj dhe filloi me m’i marrë shenjat e fytyrës. Mbas shum pyetjeve e lutjeve denjoi me më thanë Javeri i Serbis se do t’udhëtojsha, po për ku? Nuk tha gja dhe iku.

Do të m’internojnë ndokund, thashë me vete, por edhe ky mendim s’pajtohesha me logjikën, sepse s’kishte arsye të më burgosin po të dojshin me m’internue. Kot u mundova për me e zbulue këtë tinëz.

Zhurma e prangave dhe poterja e të burgosurve ma shtojshin shqetësimin. S’isha mësue me atë jetë. F.13

Arsyetimi i dytë tekstual:

“3 Gusht

U dënova me pesë vjet burgim. Por bashkë me mue vjen prej vedit, u ndëshkue edhe familja e eme e pafajshme që të vuajë e të vdes nga pabuksia. Më pëlqen të mos dënohem, të paktën, për me mos e kënaq Romën e Beligradin.

Me të vërtet kam qenë kundërshtar i këtij regjimi. Këtë nuk e mohoj, por kurrë nuk kam qenë i anmiqve të vendit tonë. Për këtë arsye dënimi  që më dha shteti, përfaqësues i këtij populli mu duk i ashpër, i rëndë dhe si një shuplakë e pameritueshme. f.82

Arsyetimi i tretë tekstual:

“11 Qershor

N’ora pesë të mëngjesit u zgjova sot nën përshtypjen e një andrës që  pashë. I thoshja Mbretit, n ‘andërr, se isha fajtuar para Personit të Tij, mbasi e kam luftue ashpërsisht. Ndërkohë u zhgreha në vaj. Ai ma muer kryet ndër duer dhe nisi me m’argëtue me shumë dashuri. Unë vazhdojsha të qaj me dënes dhe i thojsha: Jam fatkeq. U shkëputa, ma në fund prej tij dhe ngarenda drejt nji rruge që të shkojsha në qytet. F.264

Duke qenë vendkrimi letrar tepër specifik, qelia e burgut, kushte tejet të disfavorshme për thënien e bukur, Stërmilli, sado të ngazëllejë ndjenjash, si dhunti e lindur artistike, ia lëbyrë sytë realitetit rrethues tepër banal e i vrazhdë, aq më shumë për një shpirt të ndjeshëm artisti, sa edhe tërthurohet mendimesh si pasojë e ideologjizmit teorik të tij, me raportet shoqërore, të cilat edhe e kishin shpënë në këtë pozitë. Kështu, po të mundnim ta bënim një shprishje të tekstit tërësisht, do mund të radhisnim tri tipe veprash që janë ngërthyer njëra ndër tjetrën, me radhë, dhe kishin marrë formë bishtaleci: do dilnin shprehje tepër lakmuese letrare-filozofike, mendime socio-psikologjike dhe politiko-intelektuale.

Ndarja teknike e veprës “Burgu”

Teknikisht vepra “Burgu” e H.Stërmillit është e ndarë në katër pjesë, përkatësisht në aq vite sa kishte vuajtur dënimin dhe bërë shkrimin. Nis më vitin fillestar të përjetimeve të dallgëzuara 1929, pastaj 1930, 1931, 1932, 1933 dhe 1935 që është një burg i serishëm, por i shkurtër, për shkaqe sigurie. Nga fundi e fillimi këto janë me përjetime të njëjta dhe vitet në një formë formojnë kaptina vetëm të natyrës teknike të librit, përndryshe njëtrajtshmëria përjetuese dhe përshkruese - përjetuese është pothuajse e njëjtë, duke përjashtuar ndonjë digresion emocional, që hetohet me vështrimet e skandaleve njerëzore aty brenda, deri në çoroditje, deri te pederastia, hajnia, shpifja e të tjera.

Përndryshe, kronikizmi dhe mbështetja reale në fakte, autorë, që tashti këtu kanë trajtën e personazheve, është mjaft reale. Autori sikur me këtë “veprim” krijues bën një akt të harresës së vetes, në mos edhe të një përjetimi të njëhershëm në jetën e tij. Aty takohen me tërë tipat e jetës që bëjnë realisht një garniturë të personazheve më shumë negative se pozitive, të cilët kanë në shpirtin dhe qenien e vet një mëkat, një krim, të madh a të vogël, familjar a shoqëror, për të cilët në të shumtën edhe rrëfen, sa për lirim shpirtëror kur veç janë në fund të ferrit. Dihet, kriminelët ordinerë janë të shumtë, ndër më të ndryshmit, asish që kanë vrarë, vjedhur, mashtruar, por edhe asish të bindjeve politike. Duke jetuar bashkërisht, në kthina të njëjta, ata veçsa indinjojnë njëri-tjetrin. Aty tashti krijohet një rend i ri jetësor, veç rregullave zyrtare të burgut. Aty jepen e merren vese në mos edhe krijohen e sillen sëmundje ndër më amoralet. Duke bërë jetë specifike, jashtë mundësive të përjetimeve të jetës më kërkesa të dhuruara nga Zoti, njeriu fillon të marrë trajtë deformimi moral e fizik, që autorin e bëjnë të ndihet tepër i shqetësuar. Edhe aty luhet bixhoz, dhe aty kërcënohen deri në asgjësim të burgosurit në batakun veprues, edhe aty stërkeqin ndjenjat seksuale, në mungesë të kontaktit me femrën, për të lindur pastaj sëmundje më të ndryshme, sa i dërgojnë disa edhe në vdekje.

Autori ka kohë të mendojë. Madje vetë lirinë e të menduarit e ka të mjaftueshme kur i vjen stivë-stivë tërë bagazhi i njohurive që i kishte fituar gjatë jetës së tij qytetare e intelektuale. Edhe këtu, në këtë skutë të errët dhe mes njerëzve që çorodia i kishte bërë më të vështirë, ai reflektonte fatin e tyre, tërë shoqërinë shqiptare. Madje – madje, kur mësonte “bëmat” e të burgosurve për ta fituar këtë dënim, ai njëhej me pjesëza të tragjikës shqiptare, të cilat e linin mbrapa, pas kombeve të civilizuara. Njëri thoshte se e ka vrarë gruan për tradhti, e më vonë, kur është ftohur ndjenjash, është bindur se nuk ishte realitet tradhtia, por krimi kishte mbetur peng; tjetri kishte vrarë vëllanë, njëri ishte ngatërruar me pushtetarët, dikush kishte vjedhur bankat e shtetit, një i radhës e kishte profesion vjedhjen, që edhe këtu e manifestonte ligsht, duke pasqyruar karakterin e tij, e kështu me radhë.

Përballë tërë kësaj katrahure fund e krye të veprës, është aparati shtetëror përkatësisht përfaqësuesit e tij, si drejtori i burgut, gardianët, gjykatësi, berberi i burgut e tjerë, që silleshin konform ligjit të kohës. Në raste edhe përshkruhen kushtet bizare në burg, i cili e shtonte edhe më gjendjen e rëndë shëndetësore dhe përjetimin trishtues të autorit të veprës, përjetuesit. Edhe pse me vizitat e familjarëve mundohet të futet pak dritë në vepër nga jeta e lirë, ajo mungon se familja përjetonte mangësi materiale e sigurisht edhe përbuzjen e rrethit.

Ajo që e afron këtë vepër kah një kronikë, janë faktet zyrtare të vendngjarjes si dhe personazhet që i njeh historia, ata të ngjyrimit politik, si…ose real dhe të tjerët fatkëqij që kanë rënë në këtë humbellë. Autorit - përjetues, Stërmillit, i mbetet vetëm një: shiko-përjeto e shkruaj e asgjë më shumë. Në raste edhe ndonjë fije meditimi për shoqërinë shqiptare si dhe dhënie e lirisë së mendimit për kahjen e së ardhmes, synim i ecjes përpara.

Krijimi letraro-kronikues i Stërmillit nuk është rezultat i dhembjes personale, ai veprën e krijon për hir të letërsisë, kurse ngjyrosjen e saj emocionale e bën për hir të përjetimit të thellë. Kurse, sa i përket anës “teknike” të veprës, ai kështu e ka më të lehtë, se shkëputja tekstore – kohore, është e vetmja mundësi e rrethanave krijuese. Mbase copëzat krijuese, siç janë ato të ditarit, gjasojnë me plasaritjen në pjesëza të shpirtit të autorit.

Edhe pse konsiderohej se ai ishte kundër shtetit, këtu në rrëfimet e shpeshta, e lavdëron dhe e arsyeton praktikisht këtë pushtet për vendimet, por jo edhe për mënyrën e trajtimit, infrastrukturës së varfër. Sado që subjekti njerëzor e social i akëcilit mund të jetë i njëanshëm, për çka edhe vjen deri te reagensi, herë edhe i tepruar e pa arsye, subjekti krijues gjithnjë e synon të përgjithshëm, të madhështoren, duke harruar vringthi përcaktimin e ngushtë dhe duke synuar hapësirat e gjera, tejkohore, njerëzore. Kështu edhe autori - kryepersonazhi i “Burgut” rropatet mes fatit të vet dhe asaj që është kombëtare e dëshiruar deri te ajo e hapësirave më të gjera – njerëzorja.

Kryepersonazhi ose psikologjia e ndrydhjes

Haki Stërmilli, jo si krijues por si kryepersonazh këso radhe, përjeton një ndrydhje të dyfishtë: muret e burgut me lirinë e ngushtuar deri në absurd në njerën anë dhe, e dyta, që del më e vështirë, është ndrydhja psikologjike e përjetimit të rrethanave të brendshme, qoftë nga njohuritë e individëve tragjikë, qoftë edhe nga veprimet e tyre banale. Ai, i gjendur, mes dy të këqijave, shpesh mbështet për muri, si lehtësim skejimi sesa në afrim e pranimit shpirtëror dhe praktik të veprimeve e gjesteve të kolegëve të burgut. Disa nga personazhet reale, fatkeqësisht, janë për dhimbë njerëzore (vdiq sot në burg një njeri që kishte vjedhur një kalë!), kurse të tjetrës, të krimeve ordinere ishin fundërria e shoqërisë shqiptare, që autorit shpesh ia terrastiste sytë.

Prof. Skënder Laurasi, kapter, Syla, Jusuf Çami, nëpunës i doganës, nënfrefekti Stavro Xhaho, Demir Dersniku, sekretar i Policisë, zyrtar, Fazli Frashëri, Xhafer Preza, komisar i policisë Ali Çaslli, nënkomisar Abedin Hoxha, sekretar i zyrës sekrete të Ministrisë të P. të Brendshme etj. Janë disa nga bashkëvuajtësit, përkatësisht ata që plotësojnë me pozitat dhe veprimet e tyre këtë galeri tipash, karakteresh që, vetëm kështu nxjerrin fakte interesante jetësore e filozofike.

Rrëfimet janë aq të ndryshme, aq të larmishme, sa do krijonin vëllime të tëra. Autori gjen evidencimin si dëshmi të një realiteti socio-psikologjik dhe si shpëtim nga hutimi i përjetimit të thellë që çon kah shkatërrimi. Madje, secila ditë, veç ngjarjeve të vockëla, që gjasojnë në veprimin e rrethit vicioz, kanë edhe risi rrëfimtare, tepër me interes.

“25 Prill

Këtu kemi një fajtues që deri diku i gjason Edmondit të Monte Kristos s’Aleksandër Dymait. Ky është nja 35vjetësh. Ka dy sy të grupuem e të thelluem për mbrnda dhe dukën si të kapitun prej shiqimit të pandamë. Ballin e ka të qitur jashtë si barku i një kungullit të verdhë, i ndriçon si ndonjë enë rame që i ka dalë kallaji.

(…)

Ai, në vend të Abatit Farje, ka pasë për mësues një numër të burgosunish qe janë zavendësue njëri tjetrin kohë e mbas kohe.

(…)

“6 Maj

Më fhonë se një i burgosur, disa kohë më parë, paska vendos me e shkurorëzua bashkëshorten e vet, për shkak se qenka dënue rëndë për një vrasje dhe drueka se mos e trahton e shoqja. Paska dashtë i dënuemi se nuk do të mundesh me durue e shoqja, për  shum vjet, pa ardhë në kontakt me mashkullin dhe, e rrëmbyeme nga vlët e senceve mund të gabohesh e mund të dhunohesh. F. 60

(…)

“15 Maj

Një djalosh 19-20 vjetësh ka shpue me thikë një djalë tjetër që nuk qenka bindë me u dhunue. Ky pederat i ri është si një këpurdhë që bin ndër lëgata apo si një bimë helmatuese.  F.62-63

(…)

Ndalimi i të burgosunit nga farimi me gruen e tij ndjell edhe kobe tjera e të reja: Shpesh herë kemi konstatue se bashkëshortja e të burgosurit e nxitun nga pasioni, është shtrëngue të vij në afrim ilegal me një mashkull të huej dhe s’janë të rralla rastet që ajo është mbarsë e ka pjellë. F.67

Kryepersonazhi i veprës dhe i përjetimit të realitetit të hidhur, i pajisur me njohuri të thella për shoqërinë, njerëzimin, raportet shoqërore, si edhe mbi të gjitha i pasjisur me dhuntinë e krijimit letrar, ngjarje dhe fakte të shumta të kësaj natyre vetëm tragjike, e torturojnë shpirtërisht, sa gati vazhdimisht harron gjithçka të tijën, edhe familjen që fare pak e përmend së paku në vepër, dhe rikaputullon për të satën herë këtë jetë brenda, fare tragjike dhe të ngushtë si hapësirë, por e shpie mendimin edhe jashtë birucave te shtrirja tjetër, për të fantazuar së paku horizontet e së ardhmes.

Fundja, po të mos ishte tema e madhe bosht, e rrallë dhe e vetme e trajtuar kaq realisht në letërsinë tonë, vepra do të zbehej si interesim vetëm letrar, vetëm kreacion artistik. Gjithsesi vepra është e rrallë, e vetme dhe mjaft karakteristike që do t’i mungonte historisë së letrarve shqipe po të mos ishte.

Veç tërë asaj që u mundua të thuhet (se veprat që vetëm njëherë shkruhen, pra vetëm njëherë botohen për të mos shpresuar që më të ribotohen, për shumë arsye), duke përimtuar veprën “Burgu” gjejmë edhe mjaft mendime filozofiko sentenciale, në mos rezyme shkrimi, që vijnë si konstatime që u shërbejnë kohëve, pasqyrojnë thellësinë e mendimit autorial dhe forcojnë qëndrimin e gjatë të jetëgjatësisë së veprës.

1.Lumnia, ma fort se kurdoherë, kuptohet kur je i mjeruem dhe liria kur je i ronuem.

2.Parathënia e këtij libri ish kot erdhe, përmbajtja vuajtje e mjerim dhe mbarimi kot u lodhe.

3.Veç kësaj unë nuk duhem ta urrej vdekjen aq tepër, mbasi nuk isha e nuk jam i kënaqur prej jetës.

4. I kapërceva caqet e ushtelit të vdekjes dhe u hudha në prehnin e jetës së voksueme me shpresa e ëndrra të kandshme.

5. Shpresoj dhe uroj që të qëndrojmë naltë moralisht nën sulmet e urrejtjeve të pafrenueshme, me që s’pajtohen me burrnin.

6. Andrrat dhe përrallat paskan vlerë të madhe në burg, për shkak se këto e mbajnë gjallë fuqinë morale të të burgosurit.

7.  Ai që thotë se nuk mërzitet në burg o asht kafshë e nuk ndin gja ose i rren të tjerët edhe e mashtron vetëvetën.

8. Që ta përkul mërzin kam nisë me bamun festë trush.

9. Qenka e vështirë me gjetë shokë të mirë në burg, për shkak se nuk pajtohen karakteret.

10. Puthja e zemrave, sikundër dihet, shprehet me anë të buzëve, por ajo e shpirtnave me anë të vështrimit.

11. Njeriu, me të vërtetë, asht i çuditshëm: Në lumni nuk don të ketë as ndonjë pjesëtar, por në mjerim ose në hidhërim don ta bajë shok gjithë botën.

12. Në qoftë se duhet të matet jeta e njeriut me veprat që ka bamë e jo me kohën që ka rrnue, lypset t’a pranojmë se shumica e njerëzve vdesin në çast që lejnë.

13. Mund ta luftojmë korrupcionin, padrejtësinë e të ligën, por me mjete t’urta e legale.

14. Veç kësaj unë besoj se violenca e brutaliteti nuk mund të jenë mjete t’afta për me bindë e me e afrue kundërshtarin politik.

15. Për mue jeta është  tri pjesësh: Ajo që bëhet në liri, ajo që bahet mbas vdekjes dhe aj oë bajmë ne këtu (në burg).

16. Kush e ban burgun shkollë

Kush e ban burgun shpi

Hyn gomar e del ari.

Në raste krijuesi letrar sublimon pjekurinë e vetmisë filozofike e jetësore të autorit që këtu, i mbyllur në botën e vet, e thumbon realiteti dhe i dalin ato gjëra të verifikuara, këshilldhënëse për tërë kohën e kohëve.

Fare në fund

Vepra tepër karakteristike e Haki Stërmillit si dhe e vetmja e këtillë e letërsisë shqiptare, plotëson mozaikun tematik e artistik të krijimeve letrare tonat, paçka se ajo për sot pak do komunikonte dëshirueshëm me lexuesin e raporteve tjera të jetës dhe të kërkesave extra letrare. Vepra do e kishte vlerën e ribotimit vetëm për ta plotësuar kërshërinë e lexuesit të pasionuar ose të studiuesit fanatik të letërsisë shqiptare, veçanërisht të atyre që studiojnë romanin si zhanër.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora