Kulturë
Atdhe Geci: Kujtesa e përlindjeve
E shtune, 11.07.2020, 07:17 AM
KUJTESA E PËRLINDJEVE
Nga
Atdhe Geci
Nëse
dimë të jemi të zotët e vetes dhe të historisë, populli ynë kurrë s’do të
kërcënohej më nga fqinjët pushtues. Ne s´bën t’i ndahemi kurrë aleatit tonë
shpirtëror dhe strategjik SHBA-së, dhe shteteve që përkrahin çështjen tonë
kombëtare. Historia, letërsia, arti dhe shkencat shqiptare, me krenari bartin
të kaluarën dhe të tashmen e popullit tonë. At´krenari përlindëse, duhet ta
plotësojmë dhe ta rishkruajmë me të dhëna të reja e për së mbari. Ëndërritjet e
vullnetit s´pushojnë, lëvizin!
Vendlindja
ime, Rogana është e moçme sa fjalët e gjuhës shqipe; bukë, ujë, tokë, prush,
zjarr, diell, hënë, nënë, vëlla, motër, dashuri, liri e tjera e tjera. Duke
bërë këtë shkrim për jetën dhe veprimtarinë e prindërve të mi, Limon dhe
Naxhije Gecit, jo rrallë dora më dridhej, dhe zemra më kullonte gjak, nga ato
kujtime plotë vuajtje, mundime dhe beteja. Jeta nën sundimin serb, ishte jetë e
të shtypurit, jetë e të poshtëruarit, jetë e krenarisë së plagosur.
Veprimtaria
e Limon Gecit, por edhe e patriotëve të tjerë të fshatit, ishte nën ndikim të
burrave të shquar të Roganës. Babai im kishte mësuar shumë nga Zymer Rrudhani,
një ish ushtar në oborrin e Sulltanit turk, e që ishte arratisur nga oborri
“sulltanor” i turkut. Zymeri ishte edhe luftëtar edhe i ditur.
Popujt
e vegjël s’shuhen nga lufta, por nga heshtja, e thoshte shpesh Balë Geci.
Ardhja e Abetares në Roganë ishte një ngjarje për dijësit. Udha drejt lirisë
nuk bëhet pa gjak, pa shkronja e libra i pat thënë gjyshi, prindit tim në një mëngjes
tek po pinin kafenë.
Luftërat
e pashkruara janë lufta të harruara. Naxhije, i thoshte babi mamas sime,
shkronjat ma kanë marr gjumin. E ndiejë veten të palumtur që nuk e pata fatin
të shkollohem si fëmijët tanë. Natën kur të gjithë flejnë, i thoshte babai
nënës, unë bëj luftën time, luftën e pasosur të kraharorit. Luftën për lirinë e
munguar dhe prapambetjen me popujt tjerë.
Kjo
luftë, i thoshte nënës sime babai, nuk di se kur do të mbaron. Por, kur vajta
në Shkodër të bleja libra për fëmijët, libërshitësi i Shkodrës më pat thënë: -
Mik, 7 shkronja në Abetare janë vetimë dhe kushtrim, ndërsa shkronjat e tjera,
bashkëtingëlloret, janë bubullima të së tërës, të palujtshme.
Nuk
ishte e lehtë, rrëfente im At, ta bëje dorën grusht, ose t’ia ngresh këmbëzën
qarkut të pushkës kundër armikut. Rreth 60 mijë kilometra katrorë të tokës
shqiptare ende i kemi nën qiell e sundim të huaj. Limon Geci ishte një njeri me
formim kombëtar. Pemët që i kemi në kopsht, thoshte im at, kurrë s’flejnë, ato
s’i lë të bëjnë gjumë rrënja, uji i thellësive, erërat, agimet plotë diell, dhe
shirat. Mirëpo, ne njerëzit e këtij vendi s´guxojmë të jem të urtë si pemët.
Babai
dhe nëna ime e njihnin artin e bujqësisë, ata thoshin se kjo tokë e përjetshme
është fati ynë. Kjo tokë na e jep bukën, andaj, kësaj toke duhet t’i dalim zot.
Nuk ka mësues më të mirë sesa vetëdija, përvoja dhe guximi. Asnjë jetë nuk
kalon pa pikëllime. Tek njeriu forca fizike plaket, ndërsa forca psikike nuk
njeh mplakje.
Drejtimi
i ekonomisë shtëpiake për bujkun, Limon Gecin, nuk ishte aq i thjesht të
qeveriset. Në luftën për liri shprehej im at, shkopin ma të rëndë që mund ta
pëson një popull, mund ta ketë nga historia e konferencave, dhe nga raporti i
marrëdhënieve me fuqitë e mëdha. Kosova kurrë s´ka qenë pa burra të mençur, dhe
trima kryengritës. Limon Geci dhe Naxhije Geci ishin një shembull
bashkëshortësh të dashuruar në epikën e tokës së tyre. Toka e vë në provë atë
që punon. Kodra e Brijës dhe pylli në vazhdim, gjatë gjithë verës janë kullosa
të mira për të gjithë fshatin. Ai pak ujë është një jetëdhënës për ne.
Patrioti
dhe veprimtari, Limon Geci, lindi më 03. 04. 1911, në Roganë të Dardanës. Limon
Geci shkollë fillore nuk kreu, por e ndjeki një kurs për shkrim-këndim, dhe
Matematikë. Kjo pak shkollë prindit tim i ndihmoi shumë në jetën e tij. Falë
atij pak shkollimi, Limon Geci e mësoi shkrim leximin, matematikën, dhe
historinë, dhe u aftësua ta lexojë e kuptojë për së mbari shkollën e jetës.
Rogana dhe historia kryengritëse e Roganës qenë frymëzim për qytetari dhe
veprimtari patriotike. Im at, dhe ime mëmë, ishin të dashuruarit e tokës së
tyre. Babit tim i pëlqente shumë stina e mbjelljeve, ndërsa mamit stina e bukur
e pjekjeve, pranvera dhe vera. Të gjitha hyrjet nëpër stinë I ndjenin
shpirtërisht.
Naxhije
Geci, ( bashkëshortja e Limonit ) u lind, me 25. O3. 1917, në fshatin Breznicë,
të Krahinës të Mollës së Kuqe. Ajo ishte intelegjente edhe pse nuk ishte e
shkolluar. Ajo shkrim-leximin e kishte
mësuar nga fëmijët e saj. Nëntë poezi të rilindasve i kishte mësuar përmendësh
dhe i recitonte bukur në pauza punësh, (veçmas kur thurte me kërrabëz ) dhe
nëpër dasma grash.
Naxhije
Geci këndonte shumë bukur. Ajo kishte krijuar edhe disa poezi të saj, por unë e
kujtoj vetëm këtë poezi; O zog që këndon në pemë / Udhën mos e humb kah shtëpia
/ sigurisht edhe ti ke motra e vëllëzër / që të duan dhe janë të përmalluar!..
Në ato vite të pushtimit të egër serb, Serbia ia kishte vënë thonjtë në fyt
Kosovës, dhe donte ta mbyste me tatime, kërcënime, varfëri, analfabetizëm dhe
gjakmarrje.
Lufta
për të mbijetuar herë-herë, ishte e pashpresë. Por, i mbijetuari i ka çastet e
tij heroike. Në ato vite të rënda nën pushtim jo njëherë, por disa herë, në
këmbë rrëfente prindi im, kam udhëtuar, Roganë-Prishtinë-Gjakovë, Shkodër dhe
Shkodër Gjakovë-Prishtinë-Roganë, për të siguruar, kripë, stof dhe libra. Ne e
dinim thoshte im At, se dielli nuk digjet, as ajri, as qielli, as toka nuk
harxhohen. Ne duhej të përpiqeshim vetë që të lëviznim përpara. Kështu ne ia
shtonim detyrat vetes. Vetëm të shkolluar, dhe me arsim të mirëfilltë, shprehej
babai, Kosovën mund ta bëjmë më të begatë e të rehatshme për të gjitha kohërat.
Liria
jonë shprehej Limon Geci, nuk është larg, dhe as s´mund të jetë larg. Por,
kalimin duhet ta bëjmë nëpër udhë të vështira, nëpër ngushtica kohërash. Njohja
e historisë, thoshte im at, është mësim i domosdoshëm, mësim i së ardhmes.
Prindërit e mi, Naxhija, dhe Limoni, ishin prindër të zgjuar. Ata i lindën
shtatë fëmijë, 5 djem dhe 2 vajza; Shabanin, Bajramin, Kadriun, Hajrien,
Hysnien, Rrustemin dhe Azemin. Limon Geci ishte patriot i flakët, arsimdashës i
dëshmuar dhe njeri me autoritet në fashat.
Djali
i tij i madhi, Shaban Geci, ishte profesor letërsie dhe mjek. Shabani, doktoroi
në shkencat e mjekësisë në rrethana tejet dramatike. Limon Geci në Roganë ishte
i afërt me të gjithë fshatarët. Në kohën e Rinisë së tij, ai bashkëvepronte me
Balë Gecin, Hamdi Behën, Metush Krasniqin, Mon Qehajën, Shefki e Haki Kallabën,
Rasim Rrudhanin dhe bashkëpatriotë nga fshatrat përrreth.
Limon
Gecit nuk i pëlqenin mitet e rreme, dhe as mashtrimet që ia bënte armiku
popullit. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Betejat kundër telallëve të pushtetit, im
at i fshikullonte. Limon Geci dhe Metush Krasniqi njiheshin shumë mirë. Me
Metushin Gecët ishin miq shtëpie. Vëllai i Limonit, Metush Geci, e kishte
vajzën për nipin e Metushit, Ramiz Krasniqin, profesor historie. Im at dhe
Metush Krasniqi pajtoheshin për një lëvizje këndër pushtimit serb. Brezi ynë
shprehej Metush Krasniqi, (rrëfim i Limon Gecit ) ka fuqinë e këngës dhe çdo i
aftë që di të këndojë është i aftë të bëjë çlirimtarin, të tërheq këmbëzën e
pushkës. Patrioti Metush Krasniqi, edhepse ishte shumë më ri se babai im, ai
nderohej dhe respektohej, për idetë dhe aktivitetet e tij çlirimtare.
Në
Aksionin famëkeq të armëve, popullata shqiptare në Kosovë, po edhe ajo në
Roganë u rrah dhe u ndëshkua me shkopin e xhelatit nga Udbashët e Rankoviqit.
Gjëma e aksionit të armëve në Roganë, por edhe gjithandej Kosovës ishte
tmerruese. UDB-ja po ndëshkonte me shkop në dorë krenarinë e burrave të
Roganës, dhe krenarinë e popullit për liri. Kemi shumë detyra për të bërë
thoshte Metush Krasniqi. Burgjet janë të mbushura plot me ne. Ne luftë
ne do bëjmë luftën tonë.
Limon
Geci i mbante në mend ato ngjarje të përjetuara në kurrizin e tij. Ngrirja e
nënës së Metush Krasniqit në borë (në kohën e aksionit të armëve) dhe e një
gruaje tjetër me të, e kishte zemëruar së tepërmi popullatën shqiptare. Metushi
ishte i mençur, ne do të luftojmë, dhe do të fitojmë, por, jo në çastin kur do
armiku.
Në
një mbrëmje dimri, në një debat familjar mamaja ime i bëri një pyetje të fortë
babait; O Limon, kështu e thërriste ajo babain, a bëhet historia e lirë
ndonjëherë, pse historia nuk vjen në
Roganë për ta pare popullin se si po jeton. Motra ime e madhe Hajria ju hodh në
krah mamasë dhe e përqafoi fortë për atë debat të fortë me babanë. Naxhije, - u
përgjigj babai, - historia është këtu, por fëmijët tanë, këta duhet ta gëzojnë
e ta shkruajnë. Që t’i arrijmë qëllimet tona, u shpreh im At, është e domosdoshme
mëkambja ekonomike, arsimimi i popullatës, dhe lufta e pakompromis kundër
armikut.
Veprimtari
Limon Geci kryesisht merrej me bujqësi dhe tregëti. Ekonomikisht qëndronte
mirë. Ai kryesisht merrej me tregëti, dhe jo rrallë shkonte në Shkup, Shkodër
dhe Tiranë. Në çdo vajtje-ardhje Limon Geci sillte në shtëpi për 3 djemtë e
tij, dhe 3 djemtë e vëllait të tij, libra nga historia, gjeografia, matematika,
dhe monografi nga lashtësia.
Kam
qenë në klasen e katërt të fillores, kur babai im e merrte bashkë me farën e të
mbjellave, (në duqi), librin e Barletit, “Skënderbeun”, për ta lexuar në pushim të lavrës, duke e përjetuar hyjnueshëm kohën e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë jetë, ofshante babai im, kam shumë pyetje, por,
si t´ia marrë përgjigjjen.
Është
interesant të thuhet se Limon Geci, në arkivin e Ushtrisë Jugosllave, në dosjen
e tij, figuronte i vrarë nga forcat
serbe të sigurimit serb. Me këtë dënim të fshehtë, Limon Geci, jetoi 3o vjet,
“si i vrarë nga sigurimi serb“. Njëzet vjet pa vdekë, babait tim, këtë lajm ia
tha Bejtë Teneqexhiu, nga fshati Roganë. Bejta i kishte treguar, se Shërbimi
sekret i Ushtrisë Jugosllave, ishte interesuar shumë për Limon Gecin, duke u
thënë oficerëve rezervë në Roganë, se Limon Geci, është i vrarë, nga forcat e
sigurimit, dhe mos u habitni, nëse ai një ditë do të gjendet i vrarë.
Bejtë
Teneqexhiu kishte reaguar, por, reaguar kishin edhe të tjerët, duke shprehur
habi para eprorit të sigurimit dhe duke e pohuar se Limon Geci është njeriu më
simbol në fshat. Majori i sigurimit kishte heshtur për një çast, dhe duke e
parë reagimin e tyre, u kishte thënë, ndoshta do e shtymë vrasjen e tij. Sepse
dënimi i Limonit me dënim kapital, ka të bëjë me të kaluarën e familjes Geci.
Të gjithë ishin shtangur nga habia i kishte thënë Bejta, reagimi ynë qe i
ashpër dhe kundërshtues. Oficeri heshti dhe tha se ka mundësi që ta shtyjmë
vrasjen e Limonit. Shërbimi i UDB-së, u gjente punë spiunëve. E mbaj mend edhe
unë, (autori i këtij shkrimi ) se në çdo festë kombëtare, shtëpia jonë, ishte e
rrethuar, dhe në vëzhgim të përhershëm nga spiunët e fshatit, dhe të qendrës.
Më duhet të them se shtëpia jonë ishte plotë libra, revista dhe gazeta, që
ishte gjë e rrallë në atë kohë. Vëllai im, Shaban Geci, studionte
Allbanalogjinë në Beograd, dhe për nevoja të studimeve, Ambasada e Shqipërisë
në Beograd, u kishte dhënë libra, nga se ai studionte letërsinë shqipe.
Më
duhet ta them se, shtëpia jonë mbrëmjeve ishte si shkollë. Meqenëse ne ishim 7
fëmijë, plus dhe 8 fëmijët të xhaxhait, bëheshim 15-të dhe jo rrallë, bënim
gara me njëri tjerin, cili po lexon ma shumë libra, cili po reciton dhe këndon
ma bukur. Motrat e mia Hysnia dhe dhe Hajria, po dhe kushërira jonë Makfirja,
këndonin jashtëzakonisht bukur. Ato shpërndanin këngë patriotike, nëpër dasma,
dhe “promovime” nusesh. Edhepse dukjet ishin të vogla, Kosova lëvizte përpara.
Në shkollë kishte atmosferë garash. Nxënësit e shkëlqyeshëm respektoheshin
shumë nga fshatarët. Këtë terr shprehej babai im, ne vetë duhet ta mbysim. Nëna
ime, Naxhije Geci, kishte plot elan për punë dhe nuk ia shkonte kush as në
punët e kuzhinës, as në punët e fushës dhe ishte një krah i fortë për bababin.
Në
atë kohë gruri korrej me drapër. Jeta e Limon Gecit ishte e veçantë. Ai ishte
rritur jetim, pa njërin prind. Limon Gecit, babait tim, prindi ju kishte vra
ushtar në Suboticë, në Luftën e parë botërore. Ndërsa, tre vëllëzërit e gjyshit
të tij, Rrustem Geci dhe Azem Geci, qenë pushkatuar ma vonë nga Rexhimi i
Krajlit, njëri në Burgun e Prishtinës, kurse Azemi në pusi nga Çetnikët serb të
Krajlit, ndërsa Ramë Geci, mbeti përjetë i pagjetur. Duhet të theksoj s´e Azem
Geci, bashkë me Murat Kryeziun, ishin Organizator të kryengritjeve për
Anamoravën e Hogoshtit, dhe të Karadakut. Azem Geci, dhe Murat Kryeziu,
njiheshin mirë me Bajram Currin. Ata u njohën në Luftën e Shkupit.
Nga
Rogana në atë luftë, mbetën të vrarë 18 luftëtarë. Në Shkup, Azemi dhe Murati
marrin detyra të reja, nga vet Bajram Curri. Rogana në historinë e saj 100
vjeçare, lirisë së Kosovës i dha 75 luftëtarë në beteja të ndryshme. Në
Masakren e serbëve në Gjilan, nga Rogana u pushkatuan 25 burra, kryengritës të
lirisë.
Im
at në moshën 3 vjeçare mbetet pa prindin e tij, Bajramin. Sipas rrëfimeve të
tij ai nuk e mbante në mend prindin e vet. Hanife Geci, (një nënë luaneshë)
diti t´i rris fëmijët e saj, Limonin dhe Metushin, duke mos lënë të thahet pema
e gjakut të burrit të saj. Nëna Nifë, siç i thërrisnim ne gjyshes tonë, 15 vjet
i qëndroi pretendentëve të fshatit, derisa u burrëruan, Limoni dhe Metushi.
Dramat
familjare të plagëve të luftës, janë të pashpirt. Ato gërryejnë dhe groposin
pjesët më të lumtura të jetës. Rruga drejt së vërtetës nuk ecën pa gjak. Popujt
e vegjël, - thoshte babai im, - nuk shuhen nga lufta, por nga heshtja dhe
mosbërja gjë. Rogana në vitin 2020 ka 3 mijë banor, 210 biznese, shkollën nëntë
vjeçare, dhe shkollën e mesme, me rreth 1 mijë nxënës, dhe 70 mësues, arsimtarë
dhe profesorë i dijësojnë nxënësit e fshatit. Për 75 vjet të punës të shkollës
shqipe në Roganë, ajo është shembull për të mirë në Anamoravën e Hogoshtit, të
Vitisë dhe të Gjilanit.
Rogana
deri në 2020-ten, arsimit, shkencës dhe letërsisë shqipe në Kosovë i ka dhënë,
7 doktor shkencash, 21 magjistra, 13 shhkrimtarë, kompozitor, piktor, regjisor,
dhe mbi 100 profesorë të profesioneve të ndryshme. Rogana në vitin 2020,
shquhet për Klubin e Alpinistëve dhe të Atletikës, klub ky i cili Roganën dhe
Kosovën e nderoi në garat e Ballkanike si dhe në garat olimpike në Rio të
Brazilit, duke i sjellë Kosovës çmime e medale të panumërta. Ardhja e Abetares
nga Tirana e Shkodra në Roganë, ishte një ngjarje e madhe tregonte im at. Fara
e Abetares (pas pesëqind vjet të sundimit turk, e mëpastaj serb e bullgar) më
në fund po mbinte edhe në Roganë. Në
Roganë, na thoshte babai, pylli kurrë s´e ka fshehur diellin e as gjelbërimin!
Eseja vazhdon…
Atdhe Geci - Dortmund, 2020