E merkure, 06.11.2024, 09:30 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Bisedë me znj. Zelfina Sela kandidate për deputete në zonën 5, në Maqedoninë e Veriut

E merkure, 08.07.2020, 03:49 PM


Bisedë me znj. Zelfina Sela kandidate për deputete në zonën 5, në Maqedoninë e Veriut

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Zonja Sela ju po kandidoni për në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, cilat janë premtimet tuaja para votuesve dhe disa nga vështirësitë tuaja si kandidate?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Z.S.

Fillimisht ju falënderoj për punën e palodhshme që bëni, sidomos në këtë kohë fushate ku publikimet që potencohet opozita shihen me sy tendencioz nga pushteti që ka prioritet "kapjen" e mediave.

Po, unë jam e propozuar kandidate në njësinë zgjedhore numër 5 të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, ku si dibrane do përpiqem të jem një zë i fuqishëm jo vetëm për Dibrën, por edhe për qytetin e Manastirin, pasi përpos që jam mbesë në Manastir, atje e kam përfunduar shkollimin universitar, por gjithashtu edhe të qyteteve dhe vendbanimeve tjera në këtë zonë si Struga, Ohri, Resnja etj, pasi hallet i kemi të ngjashme.

Premtimi im para votuesve është programi i hartuar në bazë të nevojave të popullit i cili në vete ngërthen këta pika: Shtet për të gjithë; Barazi të plotë për të gjithë qytetarët pavarsisht ngjyrave, etnikumeve dhe konfesioneve; Shtet i së drejtës; Shtet qe kultivon dhe ruan kapitalin njerzor; Zhvillim të barabartë ekonomik dhe teritorial; Shtet zhvillimor të gjelbërt dhe të digjitalizuar; Shtet të integruar në rajon, Evropë dhe botë por edhe shumë projekte të tjera kapitale infrastrukturore që janë nevojë e kohës.

Vështirësitë e zgjedhjeve elektorale janë të mëdhaja dhe në një farë mënyre edhe të çuditshme. Përgjithësisht dallojnë nga sfidat e tjera sepse është një gjendje ku përzihet emocioni, frika, shpresa, dëshira, dhe kur tja shtojmë kësaj se unë për herë të parë ballafaqohem me kësi sfide në politikë kjo e bën emocionin akoma më të fortë.

Shqiptarët kanë  një vend të  rëndësishëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe tani në fushatën e zgjedhjeve janë tre parti shqiptarësh, ju jeni nominuar nga Partia Aleanca për Shqiptarët, cili është ndryshimi në programin tuaj midis partisë suaj dhe dy partive të  tjera?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Them duhet sepse jo çdoherë ka qenë kështu, fatkeqësisht. Jo çdoherë numrat e determinojnë edhe rolin që ka një subjekt i caktuar. Ajo që ne pretendojmë dhe mendojmë se dallojmë prej të tjerëve është këndvështrimi ynë konceptual i shtetit, dhe që është njëkohësisht edhe shtylla kryesore e programit e titulluar “shtet për të gjithë”. Kujdes, nuk thash “shoqëri për të gjithë” sepse në botë ka shumë shtete që kanë shoqëri multietnike, por që s’janë aspak demokratike, por them “shtet për të gjithë”, që nënkupton një shtet që të gjithë etnikumet e ndjejnë atë si të vetën. Fatkeqësisht shqiptarët shumë pak e ndjejnë të vetin Maqedoninë e Veriut dhe kjo pastaj bazuar në kauzalitet ndërlidhet edhe me aspektin ekonomik ku një popull që nuk ka besim në shtetin e vet ai edhe mund t’ju ik taksave, nuk investon aty, e shumë pasoja tjera.

Me këtë që them nuk dua t’i akuzoj shqiptarët, por sistemi në të kaluarën ashtu ka funksionuar dhe në instanca të caktuara ka indikacione për të njëjtat veprime edhe sot , psh: Në Maqedoninë e Veriut ndarja buxhetore është diskriminuese dhe jo proporcionale kur vijnë në shprehje vendbanimet shqiptare dhe maqedone, pra sistemi është i tillë që për maqedonët vepron si nënë dhe për shqiptarët si njerkë. Pra, për të mos e zgjatur, ajo që ne si koalicion “Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa” dallojmë nga të tjerët është se ne dëshirojmë ta ndryshojmë kulturën politike të vendit duke vetëdijesuar shqiptarët, por edhe të tjerët për shqiptarët, dhe pastaj duke qenë zëri i tyre në Parlament dhe qeveri ta kërkojmë hisen tonë si shqiptarë aq sa na takon dhe jo aq sa do na japin.

Gruaja shqiptare vazhdon të perballet me mentalitetin meskin të burrit me të fortëa e keni ndjerëju personalisht nëshpinë këtë përbuzje?  Ju jeni e besimit mysliman, veshja dhe mbulimi i kokës me shami ju ka bërë të bëheni pre e sulmeve nga njerëz të ndryshëm që paragjykojnënjerëzit nga veshja dhe jo nga veprat?

Mund të them lirshëm se unë në rrugëtimin tim, mbështetjen kryesore e gjeta te bashkëshorti që pavarësisht punës së tij, ishte një ndihmesë e madhe për mua në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Prandaj personalisht nuk kam përjetuar stereotipe të tilla të dhunës ndaj femrës, përkundrazi ai ka qenë motivi im kryesor në çdo cep të jetës. Gjithësesi, sikur të kishte në familjen time diskriminime të tilla, unë sot s’do guxoja të dal edhe kandidate për deputete.

Sa i takon këtij fenomeni, është e vertetë se gruaja shqiptare akoma sot e kësaj dite, në disa vende përballet me mentalitet të tillë denigrues ndaj femrës, por pasi jetoj në Dibër, me krenari të madhe mund të them se populli dibran është popull i kulturuar dhe i arsimuar dhe e ka flakur moti një antivlerë të tillë kundrejt femrës. Në fakt, pjesa e dytë e kësaj pyetjeve, ndërlidhet pak edhe me shqetësimin që e theksova në fillim të intervistës. Duke qenë se jam praktikuese e besimit Islam, në një moment të caktuar të jetës, me dëshirë dhe pa imponim vendosa mbulesën islame ose siç njihet ndryshe – hixhab. Për mua hixhabi është vetëm mbulim i kokës, por jo edhe i trurit, por duke patur një pamje më ndryshe, gjegjësisht një shami mbi kokë, s’mund të them se nuk kam qenë e paragjykuar nga dikushi, megjithatë si karakter jam tolerante dhe falëse, prandaj gjithmonë mundohem t’i arsyetojë dhe gjithmonë e them se ndoshta e kanë nga mosdija.

Mendoj se për të paragjykuar tjetrin duhet ta njohësh mirë atë si person dhe bindjet e tij. Kurse në raport me kandidaturën time politike, ndoshta në instanca të caktuara edhe mund të më penalizojë pak nga ata që s’më njohin, por uroj që të kem rast dhe mundësi që të takojë sa më shumë njerëz, dhe duke më njohur mua dhe programin tim të përfitojë zemrat e tyre dhe votat e tyre.

Nëse ju do të zgjidheni në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut cilat do të jenë prioritetet tuaja për të mbrojtur votën e shqiptarëve dhe si do të bashkëpunoni me deputetët maqedonas për qeverisjen e vendit?

Fillimisht shqiptarët do duhet të dijnë të bashkëpunojnë mes veti para se të bashkëpunojmë me partnerët maqedon. Nëse shihni bllokun maqedon, ato kanë dy parti të fuqishme, ideologjikisht të ndryshme dhe parti të vogla që u bashkangjiten dy të parave. Këto dy parti konkurrojnë me njëra tjetrën dhe pësojnë rotacione në qeveri dhe e gjitha kjo është në dobi të reformimit brenda partiak dhe në fund në dobi të elektoratit të vet. Mendoj se kjo do duheshte të ndodhën edhe me bllokun shqiptar. Në shumë raste kemi dëgjuar se krijimi apo përçarja e një subjekti të caktuar shqiptar është iniciuar nga eksponentë politik maqedon. Kjo nënkupton se politikanët maqedonas çdoherë janë një hap para nesh në strategjitë politike. Për t’u përgjigjur në mënyrë eksplicite, ne jemi për bashkëpunime konceptuale dhe ideologjike brenda bllokut shqiptar, por kur vjen çështja për koalicionime me bllokun maqedonas, të mos bëhet koalicion parazgjedhor, por vetëm pas zgjedhor, me atë parti që përmbush kriteret dhe programin tonë fitues në kampin shqiptar. Pasi për ne pushteti është mjet për realizmin e qëllimit tonë final – avancimin e shqiptarit në të gjitha sferat.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, si po e përballon populli i Dibrës këtë luftë dhe a keni pasur raste vdekjeje ndër njerëz?

Dibra ishte ndër qytetet e para që u përball me armikun e pa dukshem COVID19. Ishte mjaft stresuese situata. Qyteti ishte 5 javë në karantinë dhe njerëzit ishin të frikësuar. Gjithcka pushoi së funksionuari, në qytet hynin vetëm furnizuesit e ushqimeve dhe auto ambulancat, kishte edhe raste vdekjesh. Me e dhimbshme ishte se kufomat percilleshin pa ritualet mortore. Megjithatë popullata dibrane është per t’u mare shembull, ata respektuan te gjitha normat mbrojtese qe i ishin vënë. I lutem Zotit qe te na ndihmojë që sa më shpejtë dhe pa viktima te tjera ta kalojmë këtë kohë pandemie. Prandaj shfrytëzoj rastin t’i apelojë popullit tim që pavarësisht se jemi kohë fushate të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ruajnë masat në raport me këtë virus të rrezikshëm.

Cili ë shtë  shkollimi juaj dhe a keni pasur diskriminim në  ushtrimin e profesionit tuaj si shqiptare?

Siç theksova në fillim, unë kam mbaruar shkollimin në fakultetin Bioteknologjik në qytetin e Manastirit, ku dhe jam e emëruar si "Inxhiniere bioteknologe e ushqimit". Nuk kam mundur ta ushtroj si profesion, jo se jam diskriminuar, sepse jam  shqiptare, por kam ngelur e papunë nga diskriminimi partiak.

Një diçka që më pengon jashtëzakonisht shumë dhe dua ta ndaj me ju është kritika e oponentëve politik se unë gjoja jam vetëm një amvise e papunë. E vërteta është se duke qenë një karakter që nuk dorëzohet asnjëherë, pamundësia ime për t’u punësuar në profesionin tim si inxhiniere e teknologjisë ushqimore për shkak të vetëm se familja ime çdoherë ka qenë me qëndrime kundër pushtetit të BDI-së, nuk më ka mposhtur asnjëherë, falë edhe ndihmës së bashkëshortit që ka bërë sakrifica të mëdha për kujdesin e fëmijëve tanë, unë arrita të hapi një rrobaqepësi dhe të trashëgojë zanatin e nënës sime dhe me ato fitime të shkolloj fëmijët. Pra ajo që konsiderohet si kritika më e fuqishme ndaj meje është në fakt edhe arma ime më e fortë, gjegjësisht nëse pushteti nuk më vlersoi asnjëherë dhe m’i mbylli të gjitha dyertë e avancimit profesional, kjo nuk më mposhti asnjëherë që të kem aspirata dhe dëshira për të mbijetuar vetë. Rasti im është si historia e shumë të rinjve dhe të rejave që arritën të mbijetojnë në forma të ndryshme, por fatkeqësisht jo të gjithë e kishin fatin që të mbijetojnë këtu prandaj u detyruan të migrojnë për një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Ju flisni një gjuhë të pastër shqipe si e keni ruajtur atë në familje dhe në fëmijët tuaj?

Dibra si qytet në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e perbërë nga popullatë kryesisht shqiptare kështu që këtu gjuha shqipe është gjuhë primare.

Autorja e intervistës është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York Ambasador i Kombit.

8 Korrik, 2020

Staten Island, New York



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora