Kulturë
Selman Etemi: Opusi historiografik edhe me një libër
E diele, 05.07.2020, 08:22 AM
OPUSI HISTORIOGRAFIK EDHE ME NJË LIBËR
Recension nga redaktori Selman Etemi për
librin »Vitet e krenarisë kombëtare» të
autorit Florim Zeqa
Të
shkruash apo të flasësh për një libër, siç na është libri i titulluar “Vitet e
krenarisë kombëtare”, i autorit Florim Zeqa, nuk është lehtë, por për mua të
gjitha shtjellimet apo të paraqiturat në të me janë më se të njohura. Se, me
autorin i bashkëjetuam edhe ditët e rinisë por dhe kohën të cilës i referohet
autori Zeqa lidhur me shumicën e ngjarjeve të prezantuara, dhe të cilat na e
përbëjnë brumin shtjellues të këtij libri. Ngjarjet ballafaquese dhe rezistuese
të kohës na bënë bashkë në shumë aktivitete përballë sunduesit. E them këtë, se
me autorin më lidhin kohërat dhe shumë bashkëveprime, pos etapës së veprimeve
të ilegalës, të cilat shumëherë duhej kryer edhe vetëm, të cilat vetë koha dhe
rrethanat në njëfarë mënyre na i diktonte, por ja tani na i paraqet edhe në
këtë përmbledhje shkrimore konkrete dhe faktografike. Paraqitjen dhe
përshkrimin e ngjarjeve por dhe aktivitetin e tij, autori nuk e bën me qëllimin
që të na njoftojë vetem lidhur me punën që e ka bërë, por shfletimi ndër
gjenerata si pasardhës të jenë në dijeni me aktivitetin e gjithmbarshëm që
dikur është bërë për t’u çliruar nga katrahura shekullore e armikut.
Autori
me vetë titullin “Vitet e krenarisë kombëtare” na bën të kuptojmë paraprakisht,
se kemi të bëjmë me zhvillim veprimesh dhe ngjarjesh në një kohë dhe rrethanë
të caktuar, por dhe që na bëhën pjesë e historiografisë së lavdishme kombëtare.
Ngjarjet
e shtjelluara përfshijnë përiudhën e viteve të nëntëdhjeta, që për autorin
çmohen si vitet e krenarisë dhe të lavdisë kombëtare, e, që sot për të i janë
pasuri shpirtërore, e për ne edhe kombëtare.
Volumi
i këtij libri në vete ka nëntë kapituj me gjithsejtë tridhjetë nëntituj.
Në
kapitullin e parë autori veçon kohën e vjeshtës së vitit 1989. Kohë kjo ku
dhuna e pushtetit serbosllav kishte arritur shkallën e padurueshmërisë tek
shqiptarët autoktonë në trojet e veta. Autori këtë kohë na e paraqet si
pikënisje e fillimit mobilizues kundrejt këtij armiku, qoftë edhe në formë të
armatosur. Fillimisht kishte nisur me formë protestash, shkruarje parullash e
deri tek fillimorganizimi i angazhimit të potencialit luftarak. Në po këtë
kapitull kemi shpërfaqjen edhe shpirtërore të autorit për çlirim, liri të plotë
dhe shtetndërtim. Në mënyrë konkrete na e përshkruan aktivitetin e vet prej një
patrioti të bindshëm dhe kënaqësinë që ndjente për suksesin e arritur,
përkundër rrezikut përmanent që e ndjekte kudo.
Në
fillim të kapitullit të dytë, Rilindja shpirtërore, autori na e paraqet lindjen
e një epoke të re me paraqitjen e pluralizmit politik, ku bartëse e atij
aktiviteti (në Kosovë) ishte LDK-ja si një lëvizje gjithëpopullore. Kjo edhe
bëri të mundur që, e gjithë bota demokratike të njihej me gjendjen e Kosovës së
okupuar. Dhe kështu filloi njohja e Bashkësisë ndërkombëtare me të vërtetën e
shqiptarëve nën okupim. U shpërfaq për botën demokratike dhuna fizike dhe ajo
psikologjike kundër një populli të tërë. Si e veçanta e këtij kapitulli autori
Zeqa paraqet edhe pajtimin dhe përbashkimin ndërshqiptar, siç ishte aksioni për
Pajtim të gjaqeve, e, që kundër armikut ishte arma më e fortë. Dhe, autori këtë
e vlerëson si periudha e artë e kombit shqiptar.
Autori
në kapitullin e tretë përshkruan shumë aktivitete të kohës në nivel të komunës
së Klinës, e që ndërlidhen ngushtë me vendlindjen e tij, pra me fshatin
Bokshiq. Përkundër rrezikut, këtu u mbajten shumë aktivitete dhe tubime me plot
vlerë kombëtare, e, që autori në këtë kapitull na i prezanton në mënyrë
konkrete dhe bindëse. Po ashtu, na e reflekton kyqjen e tij në politikë si një
rastësi por me plot angazhim dhe sukses, përkundër vështirësive të ngjyrave të
ndryshme.
Autori
Zeqa në kapitullin e katërt bën fjalë për aktivitetin e tij në Forumin Rinor.
Punën dhe angazhimin e tij në të dhe me përplot vështirësi përcjellëse përgjatë
kohës përsa veproi në këtë organ. Si e veçantë e problemeve, për autorin, i
ishin edhe ato të ideologjive të ndryshme, por që binin ndesh me qëllimin final
të kombit. Dhe, këto autori i dëshmon me thënjen „Njerëzit që nuk kanë të kaluar
të ndritshme nuk mund të kanë vizion të shëndoshë për të ardhmën“. Pra, nga kjo
autori reflekton zhgënjim përgjatë punës dhe përpjekjeve të tij që e mira të
shpjente në qëllimin e duhur. Forma të tilla destruktive, edhe pse evidente, do
të krijonin anarki të sërvuar dhe disi errësi totale në veprim dhe në konceptim
të çështjes madhore, por dhe duke krijuar dhe lënë pabesueshmëri tek elektorati
i gjerë jo vetëm në komunën e Klinës.
Si
qetësim shpirtëror për autorin, në kapitullin e pestë, na është puna në dhënje
diturie tek nxënësit. Kjo për autorin është e veçanta e jetës së tij. Shkollën
„Azem Bejta“ në Grabanicë na e paraqet tempull të diturisë por dhe të
rezistencës kundër pushtetit të instaluar serbosllav dhe sërvilëve të tij. Po
ashtu, autori veçon emra konkretë që u përballën me epshet e pushtetarëve, që
emri i heroit të kombit Azem Bejta të hiqej si emërtim i kësaj shkolle.
Bokshiqi
dhe rezistenca e 23 Shkurtit 1993, autori e përshkruan në kapitullin e gjashtë.
Në mënyrë konkrete shtjellon ngjarjen dhe zhvillimin e një dhune të paparë e
ushtruar nga ana e policisë serbe, por dhe qëndresa burrnore e bashkëvendasve
të autorit si përgjigje përballë saj. Dhunë kjo e ushtruar me pretekstin e
dorëzimit të armëve. Ngjarje kjo, të cilën autori e paraqet si alarm i cili
jehoi gjithandej botës demokratike. Në këtë kapitull kemi emra të veçuar, të
cilët u përballën me policinë serbe duke i penguar për të mos hy në fshat. Po
ashtu, i paraqet të viktimizuarit nga ajo polici. Pra, vetë rrjedha dhe pesha e
kësaj ngjarjeje, e veçantisht rezistenca e qytetarëve të kësaj ane, na
përshkruhen si pasuri kombëtare, e cila i shtoi vlerë historiografisë së
mirëfilltë kombëtare.
Kapitulli
i shtatë ka në vete gjendjen e Arsimit shqip nën okupim. E gjithë plejada
dijëdhënëse bashkë me institucionet përkatëse shqiptare na e kanë epitetin si
shtetformuese të shtetit të Kosovës. Si faktorë dominant veçon LASH-in, LDK,
Forumin Rinor, etj, bashkë me faktorë udhëheqës të tyre.
Shkolla
fillore „Azem Bejta“ në Grabanicë, sipas autorit, na çmohet si vatër e diturisë
dhe si bastion i rezistencës përballë pushtuesit shekullor. Përgjatë këtij
shtjellimi lehtë vërejmë gatishmërinë por dhe kënaqësinë njëkohësisht të kyqjes
së tij në Arsimin shqip në ditët më të vështira. Po ashtu gatishmëria e tij dhe
rezultatet e prekshme na paraqiten edhe në krijimin e kushteve për mbarëvajtje
të procesit arsimor edhe në shkolla të tjera në nivel të komunës. Vend të
veçantë në këtë kapitull ka edhe elementi i shprehjes së vetëdijes kombëtare
qytetare të këtij lokaliteti.
Kapitulli
i tetë përfshinë përjetime dhe kujtime duke përshkruar lëvizjen demokratike
përgjatë viteve të nëntëdhjeta, por dhe vetëdijesimin qytetar për mobilizim
kundër makinerisë millosheviçiane. Si e veçantë e kësaj periudhe autori reflekton
raste, familje dhe individë që u përballen me dhunën vrastare. Në vazhdimësi
autori Zeqa paraqet ngjarjet e vitit ‘92, duke përfshi organizimin e ‚Rojës së
Natës‘ në nivel të BL të Grabanicës, armatosja dhe gatishmëria për veprim.
Pastaj, besueshmëria e ndërsjellë e këtyre pjesëtarëve zë vend të posaqëm si
faktor rezistues. Të veçantën në këtë kapitull kemi edhe ‚Amanetin e babës‘ për
autorin, të cilin e përcjell si porosi shoqëruese përgjatë tërë veprimtarisë së
tij me plot sakrifica.
Përsonalitete
të veçanta nga autori na përbëjnë kapitullin e nëntë. Këtu kemi emra konkretë
të cilët në nivel të BL të Grabanicës dhe të shkollës së këtij lokaliteti, të
cilët me këmbëngulësinë e tyre dhe gatishmërinë e treguar na paraqiten si digë
mbrojtëse përballë pushtetit të instaluar serbosllav të kohës. Si shembull
autori veçon moslejimin e ndërrimit të emrit në shkollën „Azem Bejta“, e cila
mbeti, siç thotë autori, sinonim i mosndërrimit të emrit edhe në QAMO „Luigj
Gurakuqi“ në Klinë.
Pra,
ngjarjet të cilat dominojnë në volumin e ketij Libri janë, vuajtja e gjithë
popullatës së kësaj ane karrshi dhunës së pushtetit instalues, por dhe
mobilizimi i saj për qëndresë dhe kundërvënje. Na është i zbërthyer në mënyrë
konkrete aktiviteti i autorin në aspektin kombëtar, duke e përfshi kohën prej
viteve më të hershme e deri në emigrim. Besnikëria dhe besueshmëria
ndënjerëzore në këtë mes (BL e Grabanicës) nga autori na prezantohen si element
shembull edhe për regjione të tjera. Si bastion i shumë aktiviteteve në nivel
komune na veçohet fshati Bokshiq, i cili kualifikohej si halë në syrin e
armikut, ku ngjarja e Shkurtit 1993 është dëshmuesja më e mirë e një vlere të
tillë. Vend të posaçëm në libër ka edhe aktiviteti edukativ e arsimor si dhe ai
politik i autorit përgjatë viteve të nëntëdhjeta. Autori po ashtu rëndësi i
kushton edhe disa figurave dëshmuese të kohës, e, të cilat ishin bartëse të
shumë aktiviteteve në këtë mes. Figura e babait të autorit na është e zbërthyer
dhe e vlerësuar si më dominantja në gatishmërinë dhe edukatën patriotike të
autorit Zeqa, si dhe ektiviteti në ilegale ta ketë mënyrën e veprimit më të
sigurtë dhe të suksesshme. Edhe elementi zhgënjyes i autorit përgjatë
aktivitetit politik na paraqitet si faktor vështirësues në arritjen e synimit
të parashikuar.
Sipas
paraqitjes së autorit, elementi kombëtar dhe ai patriotik na janë të
gërshëtuara pandashëm njëra me tjetrën, duke mos e përjashtuar në paraqitje
edhe vuajtjen dhe dhunën e shkaktuar nga sunduesi shekullor.
E
veçanta në këtë libër na është shprehja e kënaqësisë së autorit për punën e
kryer, e cila ishte përplotë me rreziqe por dhe reflektimi i krenarisë në mesin
ku vepronte, dhe, që po kryhej diç në të mirën e atdheut na janë elementi
dominues në përshkrimin dhe paraqitjen e rasteve vepruese.
Zhgënjimi
i autorit dhe shprehja e pakënaqësisë në bashkëveprim, në segmente dhe forma
veprimi, duke u përballur me neglizhencë por dhe, siç i quan ai, me
destruktivitet thuaja të padukshëm, zënë vend në një kapitull të veçantë të
këtij libri. Pra, duke mos i lënë anash edhe mediokritët e paktë si pengesë në
realizim qëllimesh të caktuara gjatë përditshmërisë në veprim, e, që si pasojë
shkaktonin vështirësi në arritje tek qëllimi gjithëpopullor për mobilizim dhe
çlirim.
Libri
në vete ngërthen optimizmin patriotik dhe porosinë ndër gjenerata, se atdheu
dhe kombi na janë vlera për të cilat duhet sakrifikuar dhe flijuar.
Ky
libër na u bë vlerë dhe pasuri e historiografisë së mirëfilltë kombëtare, i
cili dëshmon për një pjesë të ngjarjeve me të cilat u përballën pjesëtarë të
kombit por dhe vetë autori.
Këtë
recensim apo rezyme përshkruese të shkurtër për librin e autorit Florim Zeqa,
me titull “Vitet e krenarisë kombëtare”, e bëra duke ia përshtatur gjuhës dhe
stilit të të shprehurit të autorit, libër i cili ka kapshmërinë e të kuptuarit
për çdo lexues, e që na mbetet porosi dhe dëshmues ndër breza.