E merkure, 24.04.2024, 10:51 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Resurrectio

E shtune, 27.06.2020, 10:13 AM


Resurrectio

Nga Edison Ypi

-Zotërinj, ja nisi Fishta, në këtë komunikim postum, ne të vdekurit e gjallë do bëjmë sa të mundemi të kjartësojmë si të gjallët e vdekur po ashtu dhe të vdekurit e vdekur për të zezën që i ka gjetur. Lutem bëni kujdes të paraqitemi si kemi qenë, pra njerëz prej mishi e gjaku, e jo prej allçini, si na përfytyron shumica e budallenjve që vargjet tona i mësojnë përmendësh. Tani, pa humbur kohë, se varret na presin, ju lutem të nisim.

-Ju zoti Migjen, ju aq delicatissimo e raffinatissimo në ndjenja, në mendime e shpërthime, ç'mendoni Ju për Shqipërinë e sotme, posaçërisht për atë; "Këtu fillimi është mbarim" ?

Migjeni,

-Ah Shqipëri-Shqipëri, Ti më e hirshme se hëna, më e menduar se muzgu, më e lehtë se mjegulla, më delikate se vesa. Unë që hallet Ty t'i di, veremli jam, mezi flas, por dy fjalë po t'i them; Thatë e ç'nuk thatë për mua. Më shatë e kusur s'më latë. Deri edhe soc-realist edhe "Niçean" më quajtët. Soc-realist nuk kam qënë e nuk jam. Niçean jam. Madje, jo vetëm jam, por si Zoti Lasgush e thotë në një përkthim të tijin, "jam dhe e kam për nder, q'ato që vuan çdo njeri, më mbushin plot me helm e vrer". Hiç mos u çudisni tani që po ju them se që andej nga varri çka vërtet admiroj në Shqipërinë e sotme janë të gjithë ata që propagojnë mbinjeriun, shpëtimtarin. Sa për "Këtu, fillimi është mbarim", kjo, në Shqipëri, ku kur të vrasin si qen natën nën hënë dhe në mëngjes të shpallin shenjtor, është, ishte, dhe do jetë gjithmonë e vërtetë. E provova në lëkurën time; Linda, pra fillova, kuq si molla, dhe po aty u nxiva, u kalba, mbarova, u turbekulova. Pastaj, "duke parë çdo dit' e ma mirë e duke vuejtun thellë e ma thellë" një të ikur në Itali. Kam edhe të tjera, sa shpirti ma di, por kaq kisha tani për tani.

Naimi,

-Juve zoti Lasgush ju jam borxhli. E them këtë, sepse në varr kam marrë vesh se pasi vdiqa, Ju më ngritët edhe disa qiej më lart se isha. Si e kuptoni Ju atë "Këtu pasoja vjen para shkakut" ë?

Lasgushi,

-Eh moj Shqipëri që ta kafshofsha gushën e vullkanit të pasionit nga shpërthen llava e dashurisë që djeg, ta puthsha aeroportin e ballit të nurit ku ngrihen e ulen tajaret e mallëngjimit, ta mbledhsha hirin e zjarrit të nën barkut, ta hëngsha bebzën e syrit të shkrepëtimës. Eh moj Shqipëri, që më bëre të ngrihem nga varri të vij këtu si në mbledhjen e kolektivit në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Lidhur me pyetjes që më bëtë zoti Naim, përgjigje sapo e dhatë vetë; Ju, "pasoja", u bëtë aq i madh sepse unë "shkaku", ju bekova nja njëzet vite më vonë. Ti zoti Migjen mos u kollit aq tepër, përmbahu pak. Duke u kollitur bezdis të tjerët që duan të dëgjojnë. Mbledhja është mulli. S'duroj dot më. Pas pak un' Sovrani do iki. Ju vazhdoni se atë punë keni.

Migjeni,

-Ndjehem i prekur që perfeksionisti Zoti Lasgush e mbylli me një kunj për mua që jam i racës së Tij. Zoti Lasgush mbi kapelën republikë kishte një cikërr balte varri. Unë s'ia vura në dukje. Nejse. T'i lemë këto. Dini të na e shpjegoni Ju zoti Zef Serembe pradoksin tjetër të Shqipërisë së sotme; "Këtu mbarimi është fillim" ?

Zefi duke u dridhur,

-Un' i mjeri që e dua Shqipërinë më hollë se teli tingullin, më dridhshëm se italiani Danten, më bukur se Dantia Beatriçen, më verbtas se besimtari Altarin, më madhërishëm se prifti Kishën, ah sa i desha katundarkat arbëreshe. Aq i desha sa veten vrava. Veten e vrava, pra mbarova, dhe në qiell fluturova, pra fillova. Kaq përgjigja. Tjetër s'di.

Lasgushi,

-Ju zoti Nol, ju që jeni aq i madh sa çdo mëngjes puthni veten në pasqyrë, ju që haberin për të ardhur këtu e morët kur ndërkohë ishit duke luajtur në flaut një "Triste apassionato" që e keni kompozuar vetë, ju që keni shkruar e përkthyer kryevepra me krime që s'i rrok mendja me të gjallë dyshimtarë gjer në lemeri, të vdekur që përpëliten, fantazma që ecin, magjistrica që profetizojnë këndshëm por rrejshëm, a jeni Ju në gjendje ta çthurni çorapin; "Këtu të gjallët e vdekur vlejnë më tepër se të vdekurit e gjallë ?

Noli,

-Po. Por para shthurjes duhet të bëj një skjarim; Shqipëria ka në themel një krim. Jo krim dosido. Krim divin. Perëndia u a ka marrë të gjitha nuret, të gjitha hiret, të gjitha bukurirat, të gjitha pasurirat, të gjitha të tjerave, dhe ja ka dhënë të gjitha Shqipërisë. Ky është filli që duhet kapur për të bërë të mundur të gjitha çthurjet, çorapet, trikot, zgjedhjet, votimet, numërimet. Pas këtij skjarimi, përgjigja për pyetjen Tuaj del vetvetiu; Vet prezenca jonë këtu provon se ne të vdekurit e gjallë të Shqipërisë vlejmë dhe do të vlejmë...etj., etj.

Serembe,

-O Naim Bej, o njeri, o qiri, a s'më thua diçka ? Diçka që në fyt më ka ngecur, diçka që nuk e kuptoj dot kurrsesi, atë; "Këtu pjesëza është me e madhe se e tëra"? S'kam lënë libër dhe enciklopedi pa shfletuar dhe s'e gjej dot.

Naimi,

-Kjo o zoti lirik arbëresh aq i përmalluar, spjegohet me faktin që Shqipëria është një vend me cilësi të veçanta. Shqipëria është një palcë pa kockë, një nyjë pa dru, një mish pa rrasht. Në Shqipëri ka shumë më tepër kunguj se sqetulla. Unë i marri me mall të shkari këto i kam ditur, por nuk i kam shkrojtur, sepse kur unë rrova lypseshin të tjera gjëra. Sa i përket pyetjes Tuaj, them se një poezi e vetme e Lasgushit, pra një "pjesë" e Tij është më e madhe se "e tërë" poezia e ndonjë tjetri, apo disa të tjerëve së bashku. S'do ment se për ta besuar këtë, redaktorëve të vjershëtorëve u duhet të thithin paraprakisht krejt Hashishin e Afganistanit. Por s'kam ç'bëj, kjo është e vërteta. Po të ishte ndryshe këllirat s'do ishin lëtyra, por Poeta.

Noli,

-Ju lutem prisni. Mos u ngutni të ktheheni. Varret aty janë. Ende nuk kemi mbaruar. Sapo më erdhën dy SMS nga dy mbretër. Të parin ma dërgon Ahmeti nga Mati. Ja teksti;

unë e dua shqipërinë më tepër se fanatiku mitingun, rapsodi çiftelinë, burokrati skrivaninë, xhelati litarin, litari skllavin, skllavi skllavopronarin, kamikazi kuranin, anglia diplomacinë, amerika naftën. ju them dëgjoni këshillat e mia. mos u merrni me dokrra. merrini anglisë borxh ca shi' për të mbushur digat, ca asfalt për të shtruar rrugët, dhe ndonjë muze për histori. të tjerat më vonë, se tani po më bie bateria.

Të dytin ma ka dërguar Skënderbeu. Ja çfarë shkruan Mbreti;

mua, si i shpatës që jam, nuk më intereson a është a s'është e bukur shqipëria, më quani kaur apo mysliman, kam qënë trim apo frikacak, kush i fiton zgjedhjet, i kapni peshkaqenat e korrupsionit me rrjeta me tel me gjemba nga i kufirit apo me rrjeta nepotike e të tjera e të tjera. me këto merruni ju. mendja mua më ka ngecur te një punë e pa kryer, një merak i mbetur pezull i homologut tim ahmetit kur ahmeti i kërkoi sejfi vllamasit t'i mblidhte në një sallë cubat që donin të bëheshin të gjithë ministra, pastaj sejfiu të rrinte i qetë se me ta do merrej ahmeti, mirpo s'di pse s'u bë, kunj më ka mbetur, të dalë sot ndonjë trim atë kunj tja shkuli ahmetit të nolit tja nguli hamletit të matit, kaq, pardon për gabimet drejtshkrimore, s'vazhdoj dot, m’u mbarua krediti i celularit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora