Shtesë » Lajme
Fitër Bajrami: Myftiu Saqipi, priti një delegacion të lartë institucional
E hene, 25.05.2020, 04:16 PM
Bujanoc:
Myftiu Saqipi, priti solemnisht për përgëzime me rastin e festës së Fitër
Bajramit, një delegacion të lartë institucional lokal dhe qendror
Sot,
me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin
ef. Saqipi, priti zyrtarisht për përgëzime në rezidencën e tij, një delegacion
të lartë institucional në krye me prefektin e Komunës së Bujanocit Shaip
Kamberi, pastaj kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa, deputeti
popullor në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetari i Degës së Partisë
për Veprim Demokratik, dr. Burhan Halili, kandidati i mundshëm për kryetar
komune në Bujanoc, Driton Rexhepi dhe anëtari i kryesisë së PVD-së Gafurr
Fazliu.
Gjatë
pritjes së ngrohtë miqësore Myftiu Saqipi, i njoftoi të pranishmit me
veprimtaritë e këtij institucioni të lartë fetar lidhur me organizimin e festës
së Fitër Bajramit dhe zhvillimet e tjera gjatë muajit të shenjtë të agjërimit,
duke falënderuar krerët institucionalë për lejen e organizimit të faljes së
Namazit të Fitër Bajramit dhe ceremonive të tjera fetare sipas rrethanave të
parapara në kohë pandemie dhe betejës së përbashkët kundër virusit Korona dhe
Covid - 19.
Gjithashtu,
i pari i Komunës së Bujanocit z. Kamberi dhe bashkëpunëtorët e tij, e
falënderuan Myftiun Saqipi për bashkëpunim në realizimin e kërkesave të
qytetarëve, sidomos në kohën e pandemisë, përmes solidaritetit dhe veprimeve të
tjera në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve, konform rekomandimeve të
institucioneve të larta të shëndetësisë.
Në
fund, Myftiu Saqipi i dhuroi delegacionit nga një Kur'an, në shenjë respekti
dhe bashkëpunimi, gjithnjë duke shprehur gatishmëri që në të ardhmen takimet e
tilla të jenë më të shpeshta, jo vetëm për festa fetare, njofton Jetapress.