Editorial
Ilir Çumani: Gjinjtë e pushtetit korruptiv!
E premte, 01.05.2020, 10:04 AM
GJINJTË E PUSHTETIT KORRUPTIV…!
NGA
ILIR ÇUMANI
Në rrjetet sociale, është bërë virale lajmi se dy gazetare të njohura të botës mediatike rezultojnë të jenë të punësuara edhe në ndërrmarjen shtetërore të Ujësjellës Kanalizimeve në Tirane (UKT). Sipas burimit të lajmit, njëra prej tyre drejton dhe menaxhon një portal lajmesh dhe informacioni, ndërkohë që ushtron edhe një profesion tjetër. Kjo gazetare është punësuar në (UKT) si këshilltare ekonomike, me një pagë mujore prej 83.000 lekë të rinj. Të dyja punët që kryen kjo gazetare, edhe pse pa ndonjë lidhje me njëra tjetrën nga pikëpamja profesionale, e vetmja gjë që i bashkon, është dashuria e madhe për kryeqytetin. Pra, nga njëra anë gazetarja, përmes portalin që drejton si administratore mban të informuar popullin se ç’farë ndodh në Tiranë, dhe nga ana tjetër, këshillon për punët e ekonomisë në një institucion që financohet nga buxheti i shteti përmes taksapaguesve shqiptarë. Po kështu, nga i njëjti burim i lajmit thuhet se, kolegia tjetër gazetare që punon në një televizion publik kombëtar, është e punësuar në të njëjtën ndërrmarje (UKT) me detyrën si specialiste, me një pagë mujore 55.000 lekë të reja. Edhe kjo gazetare, bën intervista pasditeve në televizion, dhe paradite punon si specialiste për ujin dhe kanalizimet e Tiranës…(!!!) E gjithë kjo histori qarkullon përmes rrjeteve sociale, dhe ka ngjall një reagim qytetar për shkak të sensibilitetit dhe impaktit që përcjell në perceptimin qytetar tek njerëzit e zakonshëm, të cilët sot, në këtë kohë të pandemisë po llogarisin bukën e gojës. Shumë prej tyre, këtë histori marëdhëniesh nepotizimi dhe interesash okulte nuk mund ta kalojnë thjesht dhe pa u vënë re si një lajm rutinë. Në fakt, në një shtet ligjor dhe funksional, ky lajm, minimalisht do të përbënte një skandal publik dhe shtysë për një hulumtim të shpejtë dhe profesional nga autoritetet e ligjitzbatues, që, sipas gjasave nuk ka për të ndodh. Sepse kjo paligjshmëri, në kufijtë e dyshimeve të arsyeshme flet qartazi për një marëdhënie të pastër konflikti interesi, dhe e gjitha kjo, padyshim ka ndodh përmes një procedure administrative aspak transparente, pse jo, edhe përmes një korrupsioni pasiv dhe aktiv rekrutimi mes punëdhënësit e punëmarrësit. Padyshim, edhe me bekimin e politikës, ngase shërbestarët, servilët dhe vasalët e rekrutuar të babëzitur dhe kleptoman, e konsiderojnë pushtetin politik si një baxho ku milen gjijntë e sistemit korruptiv. Ja edhe një provë e fortë dhe e pakontestueshme përse despotët autokratë në vëndet si ky i yni, me demokraci të brishtë dhe të zhytur në paligjshmëri e korrupsion, jetojnë kaq gjatë në pushtet. Ata e përdorin dhe e keqpërdorin pushtetin politik duke rekrutuar dhe joshur me superpaga opinionbërës dhe përcjellës të informacionit me impakt të gjerë në publik, me synimin e vetëm manipulimin e turmave përmes propagandës. Qëllimi i këtij pushteti korruptiv dhe nepotik është që, përmes mercenarëve të territ informatik dhe teorisë gëlbesiane të paraqesë para opinionit publik dhe elektoratit të manipuluar një tjetër realitet nga ajo e Shqipërisë reale. Përmes modeleve të autokracisë dhe tiranisë që burojnë prej pushtetit absolut e të paligjshëm, këta despotë i përzgjedhin dhe i rekrutojnë me kujdes jeniçerët dhe vasalët e tyre besnik, lëpirësit dhe shërbestarët e tyre, individë pa integritet dhe pa dinjitet profesional, të cilët, për interesa të ngushta personale, e shpërdorojnë besimin e publikut në hapësirat mediatike duke i’u shërbyer pushtetit korruptiv. Dhe ky shërbim që këta të fundit i bëjnë pushtetit të korruptuar, i’u shpërblehet kundrejt 2, 3, 4, ose më shumë paga të majme përmes bordeve e borderove të ndryshme, duke përfituar makutërisht nga paratë e taksapaguesve më të varfër në Evropë...! Ja përse KLSH, SPAK dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, urgjentisht duhet të nisi një hetim të thellë e të detajuar në të gjithë piramidën administrative shtetërore, lokale dhe qëndrore, në të gjitha nivelet, për të zbuluar një nga gropat më të mëdha të paligjshmërisë me përdorimin e fondeve publike në këto 7 vitet e fundit, të cilat përdoren abuzivisht si shpërblim për mercenarët e propagandës gëlbesiane në shërbim të Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Kur një pushtet politik, kompromenton me paratë e taksapaguesve më të varfër në evropë individë nga pushteti i katërt, (media), atëherë, rreziku për instalimin e diktaturës, bjerrja dhe degradimi i demokracisë përfaqësuese, i vlerave që duhet të mbarti një shoqëri e civilizuar, bëhet e rrezikshme dhe e pashmangshme. Një popull që është i nëpërkëmbur prej padrejtësive të pushtetit politik, dhe nga ana tjetër, i neglizuar dhe i pa përfaqësuar realisht prej pushtetit të katërt për shkak të konfliktit të interesit që të dyja këto pushtete kanë më njëra tjetrën, kjo, realisht e kërcënon dhe e degradon në një mjerim moral, material dhe shpirtëror me pasoja të rënda çdo shoqëri…Shikoni ku është katandisur pjesa më e madhe e popullit, si vuajnë njerëzit e thjeshtë, ata më të dobëtit, më të pamundurit. Shikoni në të katër anët e Shqipërisë se në ç’farë mjerimi dhe derexheje e ka çuar pushteti luksokrat dhe kakistokrat i PPP - ve, i Konçensioneve dhe organizata e KÇK - ve që qeveriset përmes masave represive nga një sundimtar i cili i ka përqëndruar në një dorë të vetme të gjitha pushtetet....! Ju kujtohet 7 vjet më parë, sapo mori pushtetin, se ç’farë tha në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë Kryeministri Edi Rama...!? A ju kujtohet klithma e tij lebetitëse, ulëritëse dhe e frikshme me kërcënime që u bënte deputetëve në tempullin e sovranit kur u tha se: “....S’keni parë gjë akoma...!!”. Dhe në fakt, të gjithë shqiptarët tashmë e dinë dhe e kanë provuar në kurrizin e tyre se ç’farë kanë hequr dhe sa po vuajnë në këto 7 vjet të keqqeverisjes përmes politikave represive të KM. Rama! Por, prisni edhe pak, sepse nuk keni parë gjë akoma nga kryeministri dhe sekti i tij i rilindjes...(!!!) Deri atëherë, për vasalët dhe shërbestarët e despotëve tanë, bekuar qofshin gjijntë e pushtetit tiranik dhe korruptiv…!