Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Manjola
E diele, 26.01.2020, 11:27 AM
Manjola
Nga
Edison Ypi
Manjola
kalonte rrugës dhe nuk kuptohej nëse vinte apo ikte, vallzonte apo fluturonte.
Manjola nuk ishte shtatlartë, me sy të jeshilta, me gjoks të kërcyer, këmbë të
drejta, fytyrë vezake, tipare të rregullta, dhe të tjera si këto. Manjola ishte
mpleksje qiellore e një pafundësie hiresh femërore. Manjola ishte e bukur e
tëra. Manjola ishte vetë bukuria.
Shkollari,
studenti, nëpunësi, inginieri, profesori, doktori, oficeri, ushtari, polici,
pensionisti, komunisti, disidenti, spiuni, pijaneci, kur kalonte Manjola u
ndalte fryma, u ngadalësohej zemra, mpiheshin, ngrinin. Manjola ishte një Circe
që kush i dilte para e luante nga fiqiri. Para Manjolës nuk e dalloje dot
komunistin nga disidenti, ishullarin nga spiuni, injorantin nga akademiku.
Manjolën
e lakmonin por askush nuk e kishte të qartë çfarë priste nga Manjola, pse i
duhej Manjola.
Manjola
nuk i duhej askujt për ta bërë, ta zemë, shoqe. Manjola s'kishte asgjë prej
shoqe klase, shoqe konvikti, shoqe pune, shoqe aksioni, shoqe ideali, aq më pak
shoqe armësh, e kurrën e kurrës shoqe partie.
Ta
bëje Manjolën mikeshë, as kjo s'mund të pretendohej. Atëhere s'kishte miq e
mikesha, kishte vetëm shokë e shoqe.
Të
synoje ta merrje për grua, Manjola eterike nuk mund të përfytyrohej duke larë
kova dhe legena, trazuar groshë, tëhollur petë, shtruar byrek.
Për
ta pasur të dashur po. Por me një kusht, vetëm si meritonte Manjola. Si nëpër
libra, si nëpër filma. Këtu sharra ngecte. Ku ta sajdisje, t'i flisje, ta
puthje, ta përkëdhelje Manjolën eterike ? Lokale s'kishte. Kinematë ishin plot
me zhulsa. Rrugët plot me ulçerozë që mburreshin se ishin "klasë në
fuqi", spiuna që të ndiqnin këmba këmbës, ushtarë që të ngjiteshin e s'të
shqiteshin. Pra Manjolën e fundbotshme s'mund ta kishe as të dashur.
Megjithatë
nuk epeshin. Secili betohej se sado të larta të ishin pengesat, sado e vështirë
të ishte rruga, sado i gjatë të ishte kalvari, një ditë Manjolën do ta kishte,
një ditë Manjolën do ta gëzonte, një ditë Manjolën do ta puthte. Në mos, do ta
rrëmbente. Do ikte përtej diellit për ta gjetur te Rruga e Qumështit një skutë,
një lokal, një kafene, një shetitore, një park të gjelbër, një stol për tu
ulur, një rast për ta përkëdhelur, një moment për ta puthur Manjolën magjike.
Një
ishullar thoshte; Do arratisem. Do më vrasin mbi telin me gjëmba. Do ma flakin
kufomën e mbytur në gjak "jashtë shtetit" matanë telave me gjëmba në
një hendek. Do ngrihem natën nga hendeku me baltë varri nëpër trup. Do
pastrohem në një përrua. Do kthehem "brenda shtetit" ta rrëmbej
Manjolën si vëllai i vdekur motrën e gjallë...
Kot
e lodhnin mendjen. Për ta patur Manjolën nuk ishin problem rrethanat, problem
ishte koha.
Ta
bëje Manjolën tënden "tani" ishte e pamundur se Manjola e fundbotshme
nuk mund të mos kishte një të dashur.
Manjolën
nuk mund ta kishe as "pak më vonë" kur Manjolës s'dihej si mund t'i
vente filli.
As
"shumë më vonë" atëhere kur ta gjeje me ment çfarë do ndodhte
imagjinata nuk mjafton.
Kohët
për ta pasur Manjolën, mbeteshin dy; Para se të lindëte, ose pasi të vdiste.
Pra Manjolën nuk mund ta dashuroje. Manjolën nuk mund ta prekje. Manjolën nuk
mund ta puthje. Manjolën vetëm mund ta ëndërroje.
Adhuruesit
e Manjolës, pasi i nënështroheshin këtij Fati të zi, arratiseshin nëpër qiejt e
ëmbël të vetmjaftueshmërisë që Perëndia ja fal çdo mashkulli që një femër e
dëshiron por nuk mund ta ketë.
Kishte
dhe të paduruar që fill pasi shihnin Manjolën fluide u vërsuleshin nënave të
kalamajve. Ua mbulonin fytyrën me Zërin e Popullit i mbarsnin mes gulçeve duke
lexuar habere mbi fitoret, tejkalimin e planeve, urratë e turmave. Të tjerë, në
mungesë të gruas, iknin për të rënë përmbys ku të mundnin, mbi zuska, kurva,
lavire, karaputana.
Një
i marrosur pas Manjolës, pasi u rropat disa muaj mbi regjistrat anagrafikë,
doli në përfundimin mahnitës se një numuri të konsiderueshëm datëlindjesh po
t'i zbrisje nëntë muaj koincidonte me datat e daljeve të Manjolës shetitje. Çka
do të thoshte se bijtë dhe bijat në fjalë ishin ngjizur me pasionin e babait
për Manjolën, ndërsa nënat e tyre kishin qënë thjesht kontenitore të spermës
dhe fetusit. Hulumtuesi, duke i lënë me gojë hapur, ja kishte treguar këtë fakt
disa miqve me emra dhe mbiemra etërish të lumtur që kalamajtë nuk i kishin me
gratë por me Manjolën, si dhe bij dhe bija të ngazëllyera nga fakti lumturues
se nuk ishin bastardë të ngjizur me shurrë mëngjezi por bij dhe bija pasioni të
babait me Manjolën drithëruese. Nënat ndjeheshin gjithashtu të lumtura që nuk
ishin mbarsur nën duhma fërneti të skaduar rrëkëllyer te barraka e lagjes, por
nën gulçe me përfytyrim Manjole.
Më
llaftarisëse se udhëtimet me të vdekur të gjallë, më makabër se Zëri i Popullit
mbi fytyrën e gruas gjatë mbarsjes, ishte diçka tjetër që bënte djemtë të
vajtonin fshehtas dhe burrat të ftoheshin me gratë; Pamundësia absolute për ta
shkurtuar distancën me Manjolën. Manjolën, sa më tepër ta lakmoje aq më qartë
shihje se një tjetër si ty bënte të njëjtën gjë. Që do të thoshte se kishe
zbuluar hasmin. Të cilin edhe mund ta vrisje. Por nuk ishte 1. Në gjysmën
lindore të Tiranës ku Manjola ishte më e magjishmja, hasmët ishin mijëra. Nuk i
vrisje dot të gjithë. Çfarë të mbetej të bëje ishte të qaje, të ulurije, të
çirrje fytyrën me thonj, ose të vazhdoje ta ëndërroje Manjolën brenda ndonjë
bunkeri.
Ku
ndodhet tani Manjola ?
Ca
thonë përtej shtatë deteve me dallgë. Ca tetë male kaptuar. Të tjerë, nëntë
qiej një mbi një. Ka dhe që thonë se është e kotë ta kërkosh. Ishte një flu' që
duket kur ikën dhe zhduket kur vjen, një rënkim i ëmbël, një dhimbje e
këndshme, një ankth i bukur që ke qef ta vuash.