E marte, 19.03.2024, 11:10 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë

E shtune, 07.12.2019, 06:09 PM


Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë

Nga Elvi Sidheri

Kushdo që ta njohë sadopak karakterin, lëvrimin jo vetëm letrar, e veçanërisht penën e mendjen krijuese të Gjergj Jozef Kolës, nuk do të habitet aspak kur lexon një krijim të tij letrar, sakaq, kush akoma nuk e njeh Gjergjin, këtë emër të spikatur në përmbajtje etimologjike (veçanërisht për neve shqiptarët përmes epopesë Kastriotase, por edhe botën e krishterë gjithsesi, falë figurës së Shën Gjergjit), sidoqoftë do të grishet menjëherë qysh në titullin kuptimplotë të këtij libri.

Vetë Krishtlindjet dhe Golgota, në pamje të parë mund të përbëjnë njëfarë kundërthënie, por duke ditur ndërkaq se mendjet e mprehta të shkrimtarëve - njerëzit që aspak rastësisht kanë shtyrë përpara rrotullimin e globit tokësor, edhe në kohë të errta kur gjindja trutharë pandehte se jetonim majë ndonjëfarë tepsie bakllavaje të sheshtë, kanë hapur sytë e njerëzisë dhe kanë shpënë në të tjera dimensione botëkuptimin tonë brez pas brezi nëpër shekuj – kapin frekuenca të tjera më të epërme të diturisë dhe intelektit e krijueshmërisë së pashtershme, atëherë kësaj kundërthënie, apo “controsenso” siç do të thoshin kushërinjtë tanë mijëravjeçarë italianë, i mvishet roli i saj tepër i mirëqenë në këtë vepër të çmuar letrare.

Në Golgota në Jeruzalem, Biri i Hyut, Jezusi do të kryqëzohej, për t’u ringjallur paskëtaj, duke i dhuruar botës shpresën e përhershme nëpërmjet blatimit të jetës tokësore të Krishtit.

Është e vetëkuptueshme se Golgota anon natyrshëm nga Pashkët më shumë pra, kur kremtojmë ngjalljen pas vdekjes, ditën mbas natës, jetën qiellore ndërthurur me mbrothësinë tokësore, por këtu qëndron pikërisht mjeshtëria e autorit të këtij libri, që arrin t’i përplasë ngjarjet që kanë shenjuar historinë e njerëzimit mbarë, me të tjera ndodhi të zymta, vrastare, çnjerëzore, që kanë goditur rëndë shpirtin dhe qenësinë e shqiptarëve në shekullin XX, gjatë diktaturës monisto-ateiste.

Krishtlindje në Golgota është një libër-dëshmi, një kalvar (kuptimi tjetër i fjalës aramaike Golgota, që në shqip do të përkthehej “kafkë”) në kuptimin e plotë të fjalës, ku përshkruhen me besnikëri mynxyrat e kobshme të regjimit monist ndaj njerëzve të pafajshëm, që u torturuan për dhjetëvjeçarë me radhë në mënyrën më mizore, për fajin e vetëm të të qenët të papërputhshëm me diktaturën.

Po pra, të papërputhshëm, në ADN të papërputhshëm, në formim kulturor të papërputhshëm, në gjak të papërputhshëm, sepse siç thonë gjithmonë italianët tanë të pamungueshëm, që përherë të vijnë në ndihmë për shprehje të mençura: “buon sangue non mente”, “gjaku i mirë kurrë s’gënjen”.

Gjaku blu i këtyre njerëzve të përvuajtur, nuk është thjesht një gjak fisnik për nga origjina shumëbrezëshe, siç faktikisht ishte i këtillë gjaku dhe origjina e shumë prej njerëzve të fisëm që regjimi i degdisi burgjeve shfarësose, i varrosi të gjallë nëpër tharje kënetash e minierash të pamundura ndër shpate të thepisura malesh apo thjesht i hoqi qafe zgëqeve e cepave më të humbura të Shqipërisë pa mëshirën më të vogël.

Këta njerëz të paepur, të pamposhtur në dinjitetin e tyre njerëzor, kishin gjakun blu të fisnikërisë që shpërfaq njeriu i patrembur, i pamëkat, pikërisht në çastet më të vështira, atëherë kur gjendet para dënimeve më të pashpirta, kur shikon përballë togën vrastare, kur horizonti i vetëm që kundrojnë sytë e tij, janë telat me gjemba të kampeve të internimit, barakat e telendisura, puna e detyruar dhe ndjesia e lemeritshme se Gulagët e Siberisë janë fushë me lule para vendit ku regjimi mund ta ketë plandosur “armikun e popullit”.

Gjaku i tyre blu kontrastonte fuqimisht me zbehjen, nemitjen, spurdhjakërinë e përndjekësve të tyre, që nuk skuqeshin, as zverdheshin, përballë dhunës fizike e mendore që ushtronin, drejtpërdrejtë apo si pjesë e zinxhirit shtypës, ndaj këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm, që iu nënshtruan shtypjes së makinerisë brutale moniste, pa i ulur kurrë kryet, pa u ndier aspak në faj për diçka që nuk i bënte kurrsesi fajtorë, për fajin e vetëm se regjimi i shihte vëngër, e kjo përkthehej me çfarëdolloj përndjekje, përfshirë kampin famëkeq të Tepelenës, protagonistin jonjerëzor të këtij libri.

Në këtë kamp janë plot 33 fëmijët që kanë humbur jetën në kthetrat e regjimit!

33, numri i viteve të Birit të Hyut në ditën e Kryqëzimit.

Një tjetër përkitje tejet domethënëse, e qëllimshme apo jo, që na ofron autori në këtë libër, ku tokësorja, megjithëse shpesh në sfondin e vuajtjeve mbinjerëzore, takohet me të hyjshmen, në një bashkërendim të përkryer të këtyre dy frymave paralele të dimensionit tonë jetësor.

Kohë më parë, kam patur të fatin, që rrëfenjën e njohur të Konstandinit dhe Doruntinës, që kam bindjen se gjithkush, pak a shumë e njeh, ka dëgjuar apo lexuar për të, ta qëmtoj ndërkaq edhe në një dokument të vjetër, mbi njëshekullor, ku dëshmohet edhe përmes kësaj rrëfenje të moçme popullore, dialekti juglindor korçar i folur nga shqiptarët vendas ortodoksë të qytetit dhe zonës së Krushevës në Maqedoninë e sotme, vatër kulture dhe pikë nevralgjike për historinë e bullgarëve/maqedonasve, vllehëve dhe shqiptarëve në fundin e sundimit të errët osman.

Konstandini dhe Doruntina në atë version të rrallë, regjistruar nga një grua zonjë e vjetër shqiptare nga Krusheva, shkruar me gërma bullgare, treguar në shqipen e pastër toske-korçare të atyre viseve, atëherë më qe dukur paksa e rëndë, e mugët, ligështuese, në historinë e vëllait që çohet nga varri për të shpënë motrën te nëna e tyre, duke mbajtur besën e pashkelshme.

U deshën vite të tjera të kalonin, e kur lexova Krishtlindjet në Golgota të Gjergj Jozef Kolës, kur nëna gjëmon mbas eshtrave të ngrata të birit të mitur, për ta mbajtur fjalën e dhënë për t’i kaluar Krishtlindjet pranë tij, gjeta përsëri të njëjtën frymë, të njëjtën dhimbje, të njëjtën prekje të thellë, të njëjtin trishtim, të njëjtin admirim për krijuesin që ka ditur të përshkruajë gjithçka, veçanërisht këtë pasazh, këtë skenë rrëqethëse, me një qartësi çarmatosëse, duke e lënë lexuesin krejt të shtangur, nga dhimbja dhe mahnitja.

Dialekti ndryshon, por thelbi mbetet!

Ashtu siç gruaja e moshuar shqiptare nga Krusheva, rreth viteve 1880, i tregonte një etnologu e dijetari bullgar me origjinë shqiptare, Konstandinin dhe Doruntinën, me fjalët therëse e shprehjet e vyera frazeologjike të dialektit të saj korçaro-krushevas, njëlloj 140 vite më vonë, Gjergj Jozef Kola na e përçon si shkodran ferrin e kësaj nëne epike, sa edhe të vërtetë, që orvatet të zvarritet gjer pranë të birit, përkundër gjithçkaje, për Krishtlindje, për të mbajtur fjalën, besën e dhënë, në Golgotën ku fshikulloheshin, dhunoheshin në kalvarin e këtij kampi shfarosje, armiqtë e regjimit, vetëm ngaqë ishin malësorë, shkodranë apo ngado të vinin, mjafton që regjimi t’u kish vënë një kryq përmbi emër, duke i kryqëzuar në altarin e qëndresës shqiptare ndaj diktaturës.

Në këtë roman, kush dëshiron ta njohë shpirtin e mykur të regjimit, ka rastin të lexojë, të zdritet e t’i hapë sytë dhe mendjen njëherë e mirë, duke njohur njëkohësisht shumë njerëz të mrekullueshëm, mundimet e tyre biblike, duke mos mohuar kurrë vetveten, pa iu përkulur asnjëherë përndjekësve dhe rrethanave të llahtarshme.

E në fund kjo Golgotë përballë Krishtlindjeve, këto Krishtlindje në Golgota, marrin vetvetiu edhe kuptimin e tyre të mirëfilltë, meqënëse befas Krishtlindja dhe Pashkët bëhen bashkë në këtë libër gjatë shtjellimit të tij faqe pas faqe, duke u njësuar tërësisht, duke kremtuar një ngjallje Pashkësh, përmes shpirtrave të plot të pafajshmëve, të mitur e të rritur, të vdekur mizorisht në këtë kamp, por edhe lindjen e Shpresës së Krishtlindjeve, duke pritur që lexuesit të kuptojnë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit Elvi Sidheri: Gjuha e fshehtë 'Meshtrovski' e muratorëve bullgarë, një dialekt i panjohur i shqipes Elvi Sidheri: Shqiptarët e rajonit të Odesës në Ukrainë, një gjurmë tjetër e mërgatës mesjetare shqiptare Elvi Sidheri: Lefter Andonyadis, legjenda e futbollit turk me origjinë shqiptare dhe pastiçerët e shquar shqiptarë të metropolit dykontinentësh Elvi Sidheri: Ngulimi historik shqiptar Arbanasi në Bullgari

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora