E enjte, 14.11.2019, 04:44 AM (GMT)

Reportazh

Ymer Keta: Lura feston

E diele, 20.10.2019, 05:00 PM


LURA FESTON

“...Luras, jemi gjethet e një peme,

të shpërndarë nga flladi i vjeshtës larg njeri-tjetrit,

por kemi rrënjë të përbashkët

e cila na mban të bashkuar e që quhet Lurë...”.

Nga Ymer Keta

Lura, duke qenë një nga vendbanimet më të vjetra, është cilësuar si   ” perlë e Evropës”  Është një krahinë shqiptare e  shtrirë në zemër të Gegnisë. Njohur si mal i parë në malet e Gegnisë. Këto male  janë emërtuar  që në shekullin e XII në kohën e shtetit të Arbrit dhe atë të Skenderbeut, ku malet, njiheshin si shtyllat e shtetit. Në  trevën e Dibrës që nga vitet 1700 e deri në vitin 1912, në qeverisjen vendore njihet si Bajrak. Si njësi administrative në vartesi të Dibrës.Lura është e njohur dhe për “Kararet e dheut” dhe Harmoninë Fetare”. Në ketë krahinë jeton një popullsi prej dy besimesh fetare. Ne një shtëpi jetojnë bijtë e së njejtës Nënë, gjysma të krishterë e gjysma Muhamedanë. Si të tillë, përveç festave Pagane, si  ata të krishtere dhe ato myslimane si; Dita e Verës,Novruzi,Shën Marku,Shengjergji, Fitër  Barjrami,Kurban Bajrami, Dreka e Dhenve,Dita e Gjoshtarëve, Shën Mitrin, Pashkët.               Kohët e fundit në shtatorin e vitit 2018, Lurës iu shtua dhe një festë ; ajo e krijimit të “SHOQATËS LURA”   ku për veprimtarinë e Shoqatës u botua dhe Gazeta “Lura” e se çdo vit, festohet përvjetori.  Në dt.26 shtator 2019, me vjen një imel në adresën time nga Kryetari i Shoqatës Lura, Gezim Loka, ku me ftonin të merrja pjesë në ketë eveniment.                   E vlerësova, shfletova disa materiale që në vitet e shkuara, kur i kisha shkruar në shtyp,  dhe   njoftoj (kryesinë e shoqatës) se unë do marr pjesë, por desha të dij per intenerarin dhe programin e këtij evenimenti. Ata ma shpjegun në telefon. Duke qenë se unë e kam vizituar Lurën disa herë dhe kisha njohje pasi kam patur dhe kam goxha miq e shokë të hershëm, që në vitet 1970, kur punoja në Minjerën e Kromit në Bulqizë edhe aktualisht.Edhe pse  ata janë larguar nga Lura dhe jetojnë në zonat e ulta, si Lezhë, Laç, Mamurras, Fush-Krujë,Tiranë e Durrës, unë i kam mbajtur të freskëta lidhjet  shoqërore e miqësore.   Ju Bashkangjita grupit në Milot në furgonin e linjës Tiranë - Lurë pasi më kishin rezervuar një vend për të udhëtuar së bashku. Pasi u akomodova, me uruan mirëseardhjen edhe unë ju urova një udhëtim të mbarë, ku kryetari i shoqatës Gezimi me prezantoi me udhëtarët.  Ndëmorëm atë udhëtim me dëshirën e mirë per të festuar me Lurjanët.

Përgjatë udhëtimit nga Miloti në drejtim të Rubikut vëreja me  kurreshtje pishnajat e mbjelluna tridhjetë vite më parë që jeshilonin, vegjetonin në shpate të pjerrta, biles edhe të gërryera vende-vende. E sot jetonin për bukuri me bisqet e simjetme me të gjelburën e çelur dhe rrënjët e futura në tokë e kurorat degëhapura të harlisura. Edhe dushnajat tani më atë shtat mesatar por me një shpërndarje uniformë kishin zbukuruar peisazhet në të anët e luginës, ku lumi Fan udhëtonte përmes, duke turfulluar drejt Rubikut e Milotit në relieve të valëzuara. Pasi lamë rrugën e Kombit, furgoni mori kthesën djathtas në atë kthesë të gjarpëruar, duke kaluar përmes qytetit të Rreshenit.

  dalje  të Qytetit të Rreshenit u ndalua furgoni dhe pimë një kafe ashtu të grupuar, ku Gezimi beri dhe prazantimin tim pasi kishte dhe nga ata që nuk më njihnin. Lurasve ju ka lezet jo vetëm kafja por edhe muhabeti, pasi ia gjejnë vendin fjalës, e fjala ka peshen e vet. Pas atij pushimi gjysëm orësh,  nisëm udhëtimin në rrugën e asfaltuAR Tarazh-Prosek-Perlat, ku në hyrje të Perlatit-Qendër, ne të majtë, nxirrte tym oxhaku i lokalit Ermal Duka, në kodrën e rrethuar me pisha ku dielli i mëngjezit lëshonte rrëzet e argjenta. Kuptohet nga Perlati, ku origjina e hershme e Ermal Dukës ishte nga Dukagjini i Shkodrës me të njejtin fis  me komandantin e betejës së Sfetigradit Pjetër Perlatin.Në vazhdim furgoni i drejtuar nga Lurasi Shpëtim Buci, po merrte kthesë tek Livadhi i Turkut  lamë asfaltin e lëmuar e  pas një devijimi befasues , përmes ferrave mori drejtimin Kurbnesh- Lurë. Ndësa shikonim  pyjet e dushqeve  faqeve të kodrave të Rrënjollës e kodrinave dhe përrenjëve, dushqet na shoqëronin vazhdimisht duke na ndjellë kënaqësi. Ngjitemi shpateve duke vështruar poshtë si në një humnerë natyrale gjigande,  në fshatin Kthellë e Epër . Vazhdojmë udhëtimin  përgjatë një shpati me plot kthesa, ku pishnajat dhe dushqet, po merrnin formën e një pylli, në atë rrugë me gropa pa asnjëlloj mirëmbajtje. Edhe dikur kjo rrugë ka qenë e pa asfaltuar, por kishte puntorë që mirëmbanin pasi lëviznin makinat e  transportit të Bakrit për tek Uzina në Kurnbesh, autobusët që transportonin puntorët, makinat e lëndës drusore, atë të ndërmarjes Tregtare e të NFP-së. Me goxha vështirsi furgoni  ngjitej Lekunës, ku në faqen lindore shfaqej një pamje e dhimbëshme e një sipërfaqie pylli me dushk, ku dukeshin skelete drurësh, pishash ngjyrë kafe ose të zeza, sepse në Janar 2019, kishte rënë zjarr, por fatmirsisht ishte fikur shpejt. Këto pishnaja kishin futur   në gjirin e tyre, në të gjelbërtën e thellë, mbeturinat e kafejta e betonime të fabrikës së Pasurimit të Bakrit. Në ketë fabrikë dikur  punonin dhjetra puntorë e kalonin qindra tonelata  bakër. Zbritëm  më pas  në qytezën e minatorëve në Kurbnesh,në (Nahijen e Bajrakut të Selitës) ku dikur gumzhinte puna jo vetëm në nëntokë, por dhe në sipërfaqe, në transport, në Fabrikë, në mbrotjen e pyjeve, në  Kooperativa bujqësore etj.

Sapo zbritëm  në kuotën më të ulët, ku na shfaq papritmas një ndërtesë një katëshe prej betoni, me dy dritare. Njerëz të moshave të ndryshme, që kishin gotat e rakisë përpara, bisedonin qetsisht. Në këtë (Kafe)dhe ne, bëmë një pushim të shkurtër. Dikush kafe, dikush një pije, ndersa unë po vëzhgoja atë vend përralloreqë më parë e kisha shijuar, me pasuri nëntoksore,  e ata njerëz fisnikë sot gati të braktisur.

Përballë , matanë atij përroi  (Zalli) të thellë mbuluar me verrij e shelgje ngrihej gjigand një peisazh gri i një masivi gëlqeror, “Guri Gjon” , monument natyre që për mua ishte parë e  dëgjuar dhe më parë. Pas këti Pushimi, u ngjitëm zallit-ujmbledhës që nga Kreja e Kunora, e se në njëvend një pjesë e këtij uji,bie në një shpellë, ku del në fshatin Bruç të Matit që quhet Shutreja me një sasi të madhe uji,ku me ketë ujë në vitet 1960-1970 u be një hidrocentral që i dha dritë krahinës së Matit, ku rapsoi i këndoi :

“Laçi,Bruçi dhe Uraka se ç’na janë  bashku, një hidrocentral të bukur na e kanë ndërtu...” Pjesa tjetër e ujit të këtij zalli udhëton  për në Flim, ku shërben për vaditje për fshatrat Zajs, Lufaj, Prell, Rukaj dhe  Bruç.Duke ulur vështrimin në të gjelbërtën qetsuese e mrekulluese shtrihet qyteza e vdekur, gërmadhë Kurbneshi  me një rryp toke prej afërsisht 3 km, që dikur  gumzhinte nga klasa puntore plot gjallëri e bukuri, i vizituar nga unë në vitet 1976-1983. Ngërdheshje ndërtesash të madhësive e formave të ndryshme me çati të rrëzuara që i kishin braktisur. Vazhduam udhëtimin, por gropat e shumta, kanalet përgjat rrugës na spostonin zemrimet, revoltën, plagosjen shpirtërore nga personazhet e dhimbëshme në mallkimet ndaj qeverisjes e deputetëve që nuk kishin investuar asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e rrugës automobilistike.

Një pyetje e thjeshtë më lindi : A nuk mund të rindertoheshin e riparoheshin duke i përshtatur keto godina për hotele, apo muze historik i asaj miniere që për katër dekada nxorri nga nëntoka mijëra ton Bakër ? ku nga sëmundja e Silikozës vdiqen dhjetra minatore në mosha të reja ?! Ndërsa shikojmë lart Kreshtave hijeranda, duke u argëtuar e ndjerë kënaqësi me pamjet e majë maleve të Mullit,Didhjes,majës së Zezë,Kujgjatës shkëmbore me njollat margaritar të gjëlberta të disa shkurreve,barishteve duke i shtuar madhështinë natyrore të kësaj lugine. Malësorët e këtyre vendbanimeve të thella të këtyre anëve janë zhvendosur nga arsye të forta, pasi me ndryshimin e sistemit, u larguan, mësuesit, mjekët, shërbimi social e kështu që këto anë u boshatisën.Duke udhëtuar humbëm  pa dashje atyre peisazheve arkitekturore shumëformëshe, ku ishte shkrirë e gjelbërta  e bimësisë barishtore, drunore e shkurrore.                   Ecim përpara, ku pa pritur na shfaqet  fshati Mërkurth me shtëpiat gërmadha, çati të shqyera , sikur të kishte kaluar  Totila i Gotëve me trupat shkatrrimtare. Në qafën e Mërkurthit hapet para nesh një fushë e madhe  me një gjelbrim luleshumtë që të mrekullon. Nga këtu ndahet rruga automobilistike që të çon në fshatin Kumbull e te “Kroi i Bardhë”, tani me i njohur edhe nga vizitorët e huaj, si një burim me vlera kuruese të disa sëmundjeve. Por siç e shprehën banorët”udha asht  për dreq, mos na pyet ma...” Kalojmë anash Fushës së Krej-Lurës u ndalëm, zbritëm nga furgoni, bëmë foto, ku pamë që po kullosnin një tufë delesh, që gjatë gjithë udhëtimit s’pamë bagëti.    Të parët tanë thoshin : “...Fshatar pa stan, e qytetar pa dyqan s’kan jetë...  “. E si do të bëhet stan kur s’mbajnë e mbarështrojnë bageti ?!

Shtrova pyetjen : Kur do të kemi shtëpi pushimi , prej druri për pushime verore e dimërore si në Bosnje e në Serbi ? ! Rruga automobilistike i ngjante një tuneli të gjelbërt. Sapo mbërritëm në Krejë, u ndalëm përsëri, të binte në sy ai gjelbrim vjeshtor karakteristik, objekti i kultit Kisha Katolike si investim i banorëve vendas, edhe aty të grupuar dikush bënte foto, dikush sodiste natyrën etj. Tragjedia  tridhjetëvjeçare duket qartë me gjurmët e saja shkretuese, rjepa-rjepa në panaramat e pshtira të këtyre shpatinave. Këto peisazhe të shpërfytyruara, jo vetëm që janë shëmtyre e pa përfytyrueshme, por, edhe i pakthyeshëm ish pylli uniformë me pishnaja. Ndërsa  po vazhdonim  udhëtimin për në qendër të Lurës, mua pa pritur më erdhi një ofshamë e madhe, keqardhje,çudije, tragjedi mjedisore e njerëzore. Ç’të shikoje ! Fatkeqësisht si kudo në peisazhe fshatrash shqiptare, ngrehina shtëpishë të çara, me mure gjysëm të shembura, çatit dukeshin si tollumbacet e Lulit të vocër Migjenian. Përpjekjet e Lurjanëve për dije ka qenë i hershëm, kështu që në vitin 1908 Kolë Bibë Doçi hapi shkollën e parë shqipe, ku vatra e dijes u bë kulla Lurjane. Kol Bib Doçi i ri, në gjurmët e të parëve të tij, ishte kryeplaku i Lurës, i cili tentoi të promovojë vlerat e konakut  dhe të fisit DOÇI. Ishte viti 1914, ku Lurën e vizitoi Poeti i Madh i shqiptarizmës Gjergj Fishta, erdhi si mik në kullën e tre poda të Doçëve, ku gjatë gjithë natës ushtoi kënga e qiftelia për nder të mikut të shquar. Apostulli unik, i mrekulluar nga kjo pritje, ç’ka pa dhe dëgjoi në ketë kullë bujare e qëndrestare, tha se ; në Lurë takova plakun folozof autodidakt.   Zbritëm nga furgoni ku kishin dalë per të pritur veteranët  Dali Gjoçi, Nikoll Vladi dhe Gani Bruçi, etj. Pimë nga një kafe, u pyetëm me njeri tjetrin, të binin  në sy disa objekte si Xhamia, sponsorizuar nga Lurasi Mersim Koçeku edhe pse është larguar nga Lura që në vitin 1970 në Bulqizë e më pas në Tiranë, ai beri një investim të rëndësishëm. Gjithashtu dhe  pallati (Hotel) ndërtuar  nga biznesmeni  H.Hoti(kompleks)që ke çfar të shikosh edhe pse shërbimi social, vlen për të dëshiruar. Në këto 10 vitet e fundit po lulëzojnë  disa Bujtina  si ajo e  Lazër Koçekut, Bujtinat e Llesh Doçit dhe  e Skender Doçit në ndërtim e sipër, të cilët presin e përcjellin turistë të huaj dhe vendas,ku Lura me gjithë shkatrrimet që pësoj me ndrrimin e sistemit duke  prerë e djegur  pyjet  tek liqenet, përsëri ka një një rikthim ose më mirë  me thënë, një ringjallje e përkujdesje të banesave të lëna (që ishin abondonuar). Por, përsëri të binte në sy banesa pa çati, pasi faktorët atmosferik kanë bërë punën e vet.  Po të bësh një evidentim del që ; Lura sot ka 10 fshatra Gurë-Lura, Arthi,Borie-Lura, Fushë-Lura,Lura e Vjetër,Krej-Lura, Pregj-Lura, Arrmolla, Sume dheVlashe. Ka 6 njësi tregtare tre dyqane dhe tre bare, dy hotele, tri bujtina. Gjithsej sot 320 shtëpi me 1580 banorë, nga këto 250 familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Ka 200 pensionistë. Emigrantët janë burimi kryesor i të ardhurave, të cilët shumica e tyre punojnë në Itali-Greqi dhe Angli.   Atë mbas dite së bashku me Gzim Lokën e kaluam me vizita në familjen e veteranit Nikoll Vladi, i cili edhe pse në moshë madhore, gëzon goxha shendet, ka një memorie per të admiruar.     Më pas u akomoduam në hotelin në qender tek Hoti. Gjatë darkës ndodhej dhe një çift të moshuarish nga Tirana, Skender e Nadire Farka, ku kishin disa ditë në Lurë , të kënaqur me bukuritë e natyrës të kesaj krahine. Gjatë bisedës veteran Skender Farka, ne beri një kritike që duhet të punojmë më shumë për Lurën , me qëllim jo ta çoni Lurën në Tiranë, por, ta bini Tiranën në Lurë.

Skenderi kishte përgatitur edhe një bisedë që në dt.29 shtator ta bënte me Lurianët. Kaluam atë natë në hotel si në pallatin e Ëndrave  edhe pse kishte ndonjë mangësi në sherbimin social, pasi nuk kishte shumë turistë e se  çdo gjë duhej pronotuar. Të nesërmen në mëngjez dolëm në mjediset e Hotelit, ku të binte në sy dielli me rrezet e argjenda po zbriste majave të maleve e më pas pushtoi dhe Fushë-Lurën. Në atë mëngjes takuam edhe Lurasit që kishin ardhur nga Tirana per të festuar, si Kadri e Ylber Aldeda, Xhelal e Ligor Murati, Skënder e Nadire Farka, e të tjerë. Në orën 10 të mëngjesit u mblodhën banorë e të ardhur në sheshin afër Komunës, e këtë mbledhje e hapi veteran Dali Gjoç, duke na uruar mirëse ardhjen  e se sot Lura po festoon  një vjetorin e krijimit të Shoqatës dhe të Gazetës Lura. Më pas Kryetari i Shoqatës  Gëzim Loka beri një panorama të shkurtër per rrugën njëveçare të Shoqatës dhe të Gazetës Lura e cila do të ngelet në histori. Gjithashtu falenderoi sponsorit (Biznesmenët) Luras si Dodë Doçi,Ramazan dhe Ali Kalia, Kadri Haldeda  që bëjnë të mundur botimin e Gazetës Lura.  Më pas u shtrua një koktej në ambjentet e Hotel Hotit, ku pushuesit Skënder e Nadire Farka, dhanë një mesazh falenderimi, si dhe premtuan që do të investojmë për të mjellur pemë gjelbëruese ne hapsirën urbane të qendrës së Lurë. Në  vazhdim, edhe unë përshendeta  të pranishmit,duke mbajtur dhe një kumtesë, si dhe duke uruar që “Shoqata dhe Gazeta Lura” të mos varfërohen port ë rritet e të rrisë presionet ndaj pushtetit Lokal e Qëndror për rrugën Automobilistike, duke bërë kërkesa e peticione të here pashershme që të dëgjohet zëri i këtij Komuniteti aq të përgjegjshëm. Gjithashtu ngrita një problem që Lurasit të mos shesin asnjë pëllembë tokë apo troje, port ë investojnë vetë në pronat e tyre. Legjendat e Lurës .           Liqeni i Luleve.Ishte  një majë mali e thepisur që i thonin maja e Shkallares, sepse mali    prej dy tre mijë metrash  zbriste poshtë shkallë-shkallë,neper thepa . Askush  nuk mund të zbriste atij mali edhe pse ishte me shkallë, sepse thepat e gurëve  ishin taman si thika. Në fund të këtij mali ishte një gropë e madhe sa dy ha vend. Sipër malit të Shkallares ishte Fusha e Veladisë, me barë jeshil dimër-verë, plot kroje dhe burime të kulluara, me hije lisash shekullor, që, sikur  të ishin mbjellë nga dora e njeriut, ishin tuba-tuba nepër lëndinë. Në të gjitha anët e kësaj hapsire kishte pyll me pisha të bukura, kurora e të cilave përflakeshin nga dielli i mëngjesit. Fusha e Veladisë  lidhej me fshatrat poshtë, në luginë, me  një rrugë të hollë këmbësore      që e dinin vetëm vendasit. Asaj rruge ngjiteshin me bagëti për në fushën e Veladisë pesëmbëdhjetë baresha të bukura, më e madhja tetëmbëdhjetë vjeç, më e vogla katëmbëdhjetë. Ato merrnin drekën me vete, me çfarë të kishte dhënë Zoti dhe , si lëshonin delet nepër fushën e Veladisë, merreshin me lojrat e tyre rinore : mblidhnin lule,i bënin kurorë e me to zbukuronin kokat si të ishin  mbretëresha. Ku secila të kishte bërë kurorën e vet, ngriheshin e hynin në valle.

Kërcenin e këndonin.   “Kush është   më e bukura, Kumtira, kumtira, kumtira. Ajo është Diella, kumtira,kumtira, kumtira. Kush është më fisnikja  kumtira,kumtira, kumtira. Ajo është Ngjelina, kumtira, kumtira, kumtira. Kush asht e dashuruemekumtira, kumtira,kumtira. Ajo është Dalina    kumtira, kumtira, kumtira.” Dalinë Përkolgjinin e dashuronte Erno Kashtani, një djalë i ri nga lagjia Ndërmallë. Atë e dashuronte  edhe   çobani Tonin Kacabunji, nga lagjia e Kacabunjëve. Ky ja kishte shfaqur dashurinë Dalinës, por ajo nuk e kishte pranuar. I kishte thënë se zemra e saj rrihte  për Erno Kashtanin. Erno për nga pamja, nuk krahasohej me Toninin, se Tonini ishte shtatlartë, shpatullgjërë, me këmbët e drejta si dy shtylla mermeri. Një ditë ai doli në atë shtegun që të çonte tek vreshta e madhe, dhe i tha : - Do më duash moj Dalinë, ndryshe do të duesh dheun e Zi. Dalinë Përkolgjini nuk foli. I ra këmbës që të largohej sa më shpejt dhe sa më larg prej tij, se vështrimi i Toninit nuk i pëlqeu fare. Çfar nuk bënte ky Tonin për të plotësuar dëshirat e veta ! Një muaj më vonë  Dalinë Përkolgjini u përball me Toninin në rrugën e hollë  që të çonte tek Fusha e Veladisë. Kjo nuk qe një rastësi. Tonini e kishte ruajtur, ai e kishte përgatitur këtë takim. Që nga përballja e parë me Toninin, Dalina mbante thikë me vete. Madje ajo nuk ishte thikë, por një fije gërsherësh, me të cilat qethnin delet. I kishte bërë një këllef në formë xhepi në xhupin e shajaktë që e mbante veshur verë-dimër. Dalinë Përkolgjini e preku dorezën me dorën donte të sigurohej nëse e kishte apo jo. Me një mashkull të fortë dhe të egër si Tonin Kacabunji nuk e kishte të lehtë të matej asnjë mashkull, pa lere më një femër e brishtë dhe e njomë si Dalina. Gjithçka varej nga befasia. Duhej vepruar shpejt dhe në fshehtësi, tha me vete. -Hë, nga do kalosh, Dalinë Përkolgjini ?- e pyeti Tonini vajzën dhe atë shikimin zhbirues, hileqar dhe si të përllangur nga balta nuk ia ndante fytyrës. – Liromë rrugën, o Tonin, - i tha Dalina butë me dëshirën për t’u marrë vesh. – Ti ke vetë motër, po sikur t’i dalë dikush motrës tënde kështu në rrugë ? - Nuk dua të të bëj asgjë, Dalinë Përkolgjini. Unë të dua aq shumë, sa nuk tregohet. Jepmë besën se do të jesh e imja. Ja , kaq kërkoj prej teje. – Nuk të shaj si djalë, Tonin, por unë nuk mundem. Ia kam dhenë besën dhe zemrën tjetërkujt. Në vjeshtë do martohemi.               Kur i përmendi martesën me Ernon, Tonin Kacabunji u ndez nga një zemrim i egër, që nuk kishte kufi. Tani ai e vendosi përfundimisht : do ta zhvishte lakuriq, do të bënte me të çfar t’i donte qejfi, pastaj do ta linte të lirë, të martohej me Erno Kashtanin. Tonini nuk do ta mbante të fshehtë këtë që do të ndodhte : do të hapte fjalën se kështu e kështu ia kishte bërë gruas së Ernos. Le ta vriste, po të ishte burrë. Dalinë Përkolgjini pa vendosmërinë në sytë e Tonin Kacabunjit. – Një herë të vjen zogu në dorë, Dalinë Përkolgjini, dhe unë nuk kam ndërment ta lëshoj.  Ishin ballë për ballë, vetëm një hap larg njeri-tjetrit. Tonin Kacabunji i mbërtheu sytë në gjinjtë e gufuar dhe të virgjër të Dalinë Përkolgjinit. Tonin Kacabunji iu lëshua që ta kapte për flokësh. Dalina nxori si vetëtimë fijen e gërsherëve dhe me tërë forcën deshi tia fuste në gërmaz. Tonin iu shmang, por nuk shpëtoi pa gjë. Kur ai u përdrodh për të ruajtur fytin, u kërrus pak dhe goditjen e mori në shpatullën e djathtë. Gjaku vrulloi sikur të ishte shpuar një kacek vere. Tonini nuk u rrëzua por u nis teposhtë rrugës duke u kalamendur. Në Majën e Ariut Dalina u ndal dhe shikoi poshtë, nga kishte zbritur Tonini.

Ai vazhdonte të ecte i kërrusur, por fare ngadalë. Dalina nuk u tregoi shoqeve çfar i kishte ndodhur. As njerëzve të shtëpisë nuk u tregoi. Tonini mund të vdiste dhe ajo jetonte me një ankth të madh në zemër që nuk e kishte provuar kurrë Nga çasti në çast priste të dëgjonte vajin në lagjen e Kacabunjëve. Tonini, edhe sikur të ishte duke vdekur, nuk do të tregonte se vdekja po i vinte nga plaga e Dalinë Përkolgjinit. Nuk e ulte veten ai. Nga ajo plagë Tonin Kacabunji vuajti katër javë nuk e pa dritën e diellit. Dalina nuk e mësoi kurrë se si u kishte thenë ai njerëzve të vet.   Lart, në Fushën e Pelave , nga ana e majtë e rrugës së hollë këmbësore ngjiteshin vashat për në Fushën   e Veladisë, kishte ngritur çadrat ushtria e huaj. Një ditë në drekë, një kompani me ushtarë hyri befas në Fushën e Veladisë dhe i rrethoi vashat që u gjendën befasi. Vashat e njihnin vendin më mirë se ushtarët e huaj. Kur e panë se nuk kishin rrugë tjetër, ato u kapën dorëpërdore dhe shkuan buzë greminës së malit të Shkallares, ku dukeshin vetëm thikat e kuqe të gurëve.     Ushtarët e huaj u afroheshin ngadalë për të mos i trembur. Ata nuk donin që të hidheshin në greminë. E dinin që, me pak durim, do t’i futnin në dorë, do të benin qejf me to, pastaj do t’i çonin në kamp Dalinë Përkolgjinit iu duk se tutje, atje ku zinte fill ajo rruga e ngushtë që të fuste në Fushën e Veladisë, i kap sytë Tonin Kacabunjin që rrinte i fshehur pas drurëve. Ai donte të shikonte çfar do të ndodhte me vashat, por nuk donte të shikohej prej tyre. Ai i paska parë ushtarët e huaj, tha ajo me vete. Sa i poshtër !   Dalinë Përkolgjini hyri mes vashave dhe u tha të kapeshin dore për dore. Ashtu të bashkuara, u afruan deri në buzë të greminës ku vetëm po të bëje gjysëm hapi, bije poshtë dhe nuk shikoheshe më me sy. Ushtarët afroheshin ngadalë. Ata nuk e dinin ç’greminë e llahtarshme ishte ajo. Njeri prej tyre doli anash, si nja dhjetë metra larg vashave, nga e majta e tyre, dhe pa teposhtë. Ai u largua i lemerisur. Nuk kanë për t’u hedhur, tha ai, nuk jua mban. Duan të na friksojnë. Me të thënë ai këtoo fjalë, ushtarët u sulën mbi vashat që t’i kapnin me dorë. Ata nuk patën nevojë të bënin vrap për të ikur, për të shpëtuar prej tyre, Bënë gjysëm hapi nga e majta dhe .... .  Të nesërmen u muar vesh ç’kishte ndodhur. Por katundarët kur shkuan të shikojnë, nuk panë asgjë nga ajo që tregohej... Gjakun në Malin e Shkallares dhe grimcat e vogla të mishit dhe të kockave të thërmuara i kishte larë shiu i natës, kurse poshtë, në gropë nuk kishte asgjë tjetër veçse një liqen, ku kishin mbirë lule.

E quajtën Liqeni i Luleve, se lulet u rritën brenda natës nga gjaku i vashave.

Fotot – Lura:





(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT