Kulturë
Elvi Sidheri: Nënë Tereza - gjyshja tipike shqiptare
E hene, 26.08.2019, 12:50 PM
Nënë Terezës gjithmonë kam dashur t'ia kujtoj ditëlindjen në vend të ditës kur vajti në amshim, pranë Hyut, të cilit ia kushtoi jetën e shëlbimin, mundin e vetëmohimin e saj të skajshëm, nga Shkupi në rrugët e ndotura të Kalkutës.
Nënë
Tereza ishte një grua, një shqiptare imcake, shtatmpakur dhe kërrusur nga
vitet, por vigane e paepur në zemër e shpirt, ndërsa pa nevojë britmash e
mburrjesh vetëlëvduese iliro-pellazge, diti t'i dëshmonte botës përmes
shëmbëlltyrës së veprës së saj, më të mirën absolute të shpirtit shqiptar, me
thjeshtësinë e sjelljes, me qëndrimin e përvuajtur dhe jetën e saj në çdo ditë
e çast kur pati frymuar.
Kjo
e bëri Shenjtore,
Ajo
ishte gjyshja tipike shqiptare, që shumëkujt nga ne i kujton gratë e mençura e
të urta që na patën rritur, me të njëjtën dhembshuri, përkushtim e mirësi, siç
Nën Tereza përqafoi të skamurit e krejt globit, si sinonim i të mirës e
dashurisë.