Editorial
Enver Bytyçi: Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë
E hene, 19.08.2019, 09:08 AM
Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!
Nga Enver
Bytyçi
Autoritetet
e Beogradit njoftuan të martën e shkuar se agjencitë e huaja të zbulimit po
përgjojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç si dhe familjarët e tij. Ky
lajm i përhapur me aq zell në Serbi dhe proklamuar si skup nga disa media
shqiptare kishte si objektiv të rritë autoritetin dhe prestigjin e kreut të
shtetit serb në elektoratin përkatës, por njëkohësisht duhet trajtuar edhe si
një fenomen që lidhet me sjelljen dhe performancën e liderëve politikë të
Serbisë e të Ballkanit Perendimor.
Nëse
studiojmë këto sjellje, në tërësinë e tyre ato mund të përmblidhen me një fjali
– Janë sjellje me shumë fytyra, janë sjellje prej servilësh, hipokritësh dhe
shtetarësh që bashkëpunojnë me shumë partnerë, ortakë e padronë, me llogari
specifike për secilin prej tyre. Dhe ky lloj diskursi po zhvillohet edhe në
Prishtinë, debat i cili ka evidentuar sjelljet servile të shumicës së kastës
politike dhe jo servile të ndonjë politikani. Në kategorinë e jo servilëve
veçohet kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. Ndërsa në kategorinë e
servilëve trajtohen presidenti Thaçi, Kadri Veseli e tw tjerw politikanë.
Po
në Tiranë?! Etalon i shumë fytyrësisë në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë
është dhe mbetet kryeministri Rama. Jo thjesht për marrëdhëniet e ngushta të
tij me presidentin autokrat të Turqisë, por më së shumti kjo lidhet me
akrobacitë dhe megalomaninë e tij politike e diplomatike. Këto akrobaci të
kryeministrit të Shqipërisë janë të njohura, të shpallura publikisht, përmes
preferencave të tij në marrëdhëniet me krerët e shteteve tjera, sidomos në
rajon. Janë shpallur gjithashtu përmes ideve dhe nismave destabilizuese
rajonale e shumë aspekte të tjera.
Ajo
që bën përshtypje ka të bëjë me një praktikë kontradiktore në qëndrimet
politike përballë publikut dhe ndërkombëtarëve. Rasti i taksës për mallrat
serbe e boshnjake është vërtet trishtues. Ndërsa në takimet me personalitetet
ndërkombëtare, si Rama dhe Thaçi pajtohen me heqjen e taksës, në deklarimet
publike janë të tërhequr e madje, sipas Thaçit, taksa prej 100 përqind duhet të
ruhet. Samiti i Berlinit i 29 prillit të këtij viti ishte dëshmi e një shëmtie
deri në absurd, kur kreu i ekzekutivit të Shqipërisë dhe kreu i shtetit të
Kosovës iu bashkuan ankesës së presidentit të Serbisë para Merkel e Macron për
heqjen e taksës në fjalë dhe sulmuan ashpër kryeministrin e Kosovës, duke e
lënë atë të vetëm në këmbënguljen e tij për ruajtjen e saj deri në njohjen nga
Serbia.
Një
hulumtim i sipërfaqshëm i këtij qëndrimi hipokrit të udhëheqësve ballkanikë çon
në përfundimin se shkaqet e dyfytyrësisë së liderëve politikë e shtetërorë
ballkanikë lidhen me disa faktorë.
Së
pari me shkallën e korrupsionit dhe implikimin e tyre në vepra kriminale. Të
korruptuarit dhe inkriminuarit si Rama, Thaçi dhe Vuçiç nuk ushtrojnë pushtet
sipas parimeve. Të tillë udhëheqës bëhen autoritarë dhe sundojnë me dorë të
fortë. Prodhojnë armiq, jo kundërshtarë. Kësisoj shkojnë drejt demonizimit të
autoritetit dhe pushtetit që kanë, me qëllim që duke qenë faktorë në vendet që
drejtojnë të imponojnë mbështetjen ndërkombëtare. Kur hasin në kritikat e
Perendimit ata u tregojnë derën e Lindjes, pra mundësitë dhe marrjen në
mbrojtje psh nga Turqia ose nga Rusia.
Të
kësaj kategorie tipike janë Rama dhe Thaçi, ndërsa Vuçiç përveç përfitimeve
prej pushtetit, përdor gjithashtu nacionalizmin ekstrem serb si mundësi dhe urë
lidhjeje me Rusinë. Fakti i publikuar për përgjimin që atij i bëhet ka lidhje
lidhjet e ngushta që ai ruan me Rusinë e Putinit. Serbia është një vend që
dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por ndërkohë ajo dëshiron të
ruajë lidhje e marrëdhënie strategjike me Rusinë. Në këto kushte është në
interes të BE-së dhe SHBA-ve të njohin shkallën e lidhjeve serbo-ruse, me
qëllim që të mos sjellin në bashkësinë perendimore një vend satelit të Moskës.
Së
dyti, dyfytyrësia ose shumë fytyrësia e Vuçiç nuk lidhet vetëm me implikimin e
tij në korrupsion, por dhe me bindjet dhe idetë nacionaliste që ai dëshiron t’i
ruajë në raport me aleatin tradicional të Serbisë, Rusinë. Ndërsa Rama dhe
Thaçi kanë vendosur që në planin strategjik të mbrojnë korrupsionin dhe krimin
antishqiptar të tyre përmes kërcënimit të Perendimit me një aleancë
tradicionale me autokratin turk, Rexhep Tayp Erdogan. Kësisoj dy liderët
shqiptarë kërcënojnë Brukselin dhe Uashingtonin, njësoj siç bën Vuçiç me
presionin e lidhjeve të tij me Moskën. Ndërsa të tre këta me metodën e
servilizmit para ndërkombëtarëve në sy dhe bashkëpunimit me udhëheqës lindorë
autoritarë shndërrohen kësisoj në rrezik për paqen e stabilitetin rajonal.