Editorial
Nikë Gashaj: Politika e kuadrove
E hene, 12.08.2019, 08:46 PM
POLITIKA
E KUADROVE
Nga
Nikë Gashaj
Njohjet
empirike dhe teorike tregojnë se
drejtimi i politikës së kuadrove në Ballkanin Prëndimor, në shumë raste
bëhet me mjete të tilla të cilat etika normative i ka hedhur poshtë si jomorale
dhe të cilat janë të etiketuara në kodin e civilizimit (karrierizëm,
oportunizëm, pranimi në statusin e “përcjellësit oborrtar“ të funksionarëve me
influencë, pranimi i të gjitha formave dhe mënyrave të sjelljeve dhe të
veprimeve të cilat janë të domosdoshme para investiturës apo inagurimit në një
pozitë si kuadër dhe dëshmimi i cilësive të tilla pas marrjes së detyrës në
formë të konfirmimit të dëgjueshmërisë absolute, vetëmohimi i individualitetit,
madje edhe në situata të parrezikshme dhe pa pasoja për autoritetin e
promotorëve të tyre si kuadro dhe prirjeve të tyre të shumta, të cilat
tradicionalisht konsiderohen si të padenja për njeriun si “qënie publike“).
Ndërkaq,
sipas kritikuesve të politikës së kuadrove, pikërisht mjetet publikisht të
anatemuara më së tepërmi kontribuojnë dhe kanë efekte në karrierën personale të
kuadrove. Për këto efekte negative promotorët e kuadrove shpeshherë heshtin.
Për ata është me rëndësi që të vijnë deri te kuadrot e dëgjueshëm.
Ata
të gjithë atyre që i zgjedhin në poste të ndryshme ua vënë në dijeni domosdoshmërinë
e sjelljeve të tyre dhe konsekuencat e mosbesimit ndaj klaneve të tyre. Këtu
është fjala për një pantomimë të llojit të vet apo të aktorëve imitues.
Kuadrove
të zgjedhur në këtë mënyrë iu duhet të kyçen në një lojë memece për të cilën
janë të “përgatitur“ mirë dhe me lehtësi bëjnë publikisht deshifrimin e
gjesteve të promotorëve të tyre, respektivisht të politikës, dëshirave,
synimeve dhe qëllimeve të dirigjentëve të tyre politikë. Nga kuadrot e zgjedhur
vetëm se kërkohet të jenë lojalë ndaj aksioneve dhe veprimeve të promotorëve të
tyre, si çështje a priori të rëndësishme dhe të arsyeshme.
Politika
e kuadrove e mbështetur mbi këto baza dhe parime nuk mund të jetë lëndë e
objektivitetit shkencor, por mbahet në suaza të voluntarizmit politik, ku nuk
mund të vendosen kurrfarë rregullash racionale të lojës. Sipas njohjeve
shkencore baraspesha e politikës adekuate të kuadrove, do të duhej kërkuar në
parimet konstante.
Qëllimi
është së paku vendosja e dy kritereve ekzakte të zgjedhjes së kuadrove. I pari
do të përfshijë veçoritë, cilësitë dhe vetitë personale të kandidatit për
funksion publik, kurse i dyti do të përmbajë programin dhe garancinë të cilën
kandidati duhet ta ofrojë për realizimin e tij.
Në
qoftë se nisemi nga kriteri i parë, do të vërehet lehtë se ai bën pjesë në
standarde për të cilat mendimi politik ka luftuar qysh nga modelet antike deri
te pikëpamjet bashkëkohore mbi “njeriun politik“ si personalitet publik.
Pa
marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme se cili do të ishte tipi ideal i personalitetit
për kuadër politik, gjatë historisë në vazhdimësi janë nënvizuar cilësitë e
“përshtatshmërisë publike“.
Në
atë kuptim dhe drejtim më së pari janë përcaktuar cilësitë e dëshirueshme të
kuadrove politikë (nderi, thjeshtësia dhe modestia, gatishmëria për sakrifica
personale në emër të interesit publik, vetëmohimi nga privilegjet materiale, të
cilat do t’ua sjellë funksioni publik, arritja e popullaritetit me
shëmbëlltyrën e vet personale etj.).
Në daullen e kuadrove
Ndërkaq, kërkohet edhe struktura mentale, e cila
ideologjisë përkatëse i ka garantuar se e ka fituar njeriun e duhur (lojal ndaj
programit partiak dhe aksioneve vijuese, prijës dhe avangardist, i shquar dhe i
dalluar me veti dhe cilësi të dëshiruara morale dhe politike, i vendosur dhe
guximtar, si dhe optimist ndaj misionit të vet profetik). Sot nuk ka parti
politike e cila politikën e kuadrove nuk do ta mbështesë në kërkesën që
anëtarët e udhëheqësisë së saj të posedojnë tërësinë e këtyre cilësive dhe që
në opinionin publik njëkohësisht të quhen dhe si “qytetarë të respektuar“, si
dhe “njerëz partiakë“.
Këto
statuse nuk janë të pajtueshme dhe të paarritshme në qoftë se opinioni publik
bindet se “njerëzit partiakë“ kontribuojnë në ngritjen e interesave shoqërore
në një nivel më të lartë dhe njëheri të mos përfaqësojnë vetëm interesat
grupore dhe personale, të cilat për momentin do të jenë të përdorshme, por në
esencë me një përcaktim jo të vërtetë, do të mund të prezantohen si historike.
Është normale që të parashtrohet pyetja:
Çka
ndodhë në qoftë se raportet reale paraqiten në një projeksion të kundërt? Kjo
pyetje na drejton në një psikologji të tillë, ku thuhet: “Merre tërë atë çka
funksioni ta mundëson dhe ofron në një afat të shkurtër apo të gjatë.
Një
psikologji e tillë është e pranishme te një numër i madh i kuadrove politikë në
vende të Ballkanit Perëndimor, prandaj kryesisht dhe tek kuadrat politik
shqiptar. Te kuadrot e tillë është humbur besimi në mundësinë e ndikimit real
në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore dhe është rrënjosur një bindje se promovimi i
mëtejshëm i kuadrove varet vetëm nga dëgjueshmëria dhe servilizmi poltronik në
raport ndaj strukturave dirigjuese politike, respektivisht nga qendrat e
forcave politike joformale.
Është
fatkeqësi, mjerim, brengosje dhe shqetësim kur në opinionin publik dëgjohet që
dikush ka ecur përpara dhe është promovuar në politikën e kuadrove vetëm e
vetëm se është djalë apo dhëndër i “Zotit me influencë“, ose për faktin se
është shumë i dëgjueshëm, poltron dhe animues.
Shpeshherë
për ndonjë funksionar politik dëgjohet komenti se e ka “shkrirë dijen“.
Ajo
në mënyrë paradoksale përputhet me të vërtetën prozaike se ajo “dije“ nuk është
teorike, profesionale dhe shkencore, por ka një karakter utilitar-praktik dhe
se deri te promovimi si kuadër ka ardhur më tepër në bazë të “konstruktivizmit“
personal në raport ndaj percepsionit të grupeve dhe kuadrove dirigjues dhe me
influencë, si dhe në bazë të prirjes për delendisje dhe shpifje “ndërmjet katër
mureve“, e shumë më pak ose aspak sipas cilësive të vlerës personale dhe
aftësive profesionale.
Në
horizontin politik ka qenë dhe është i pranishëm preokupimi i vetëm relevant:
“për t’u bërë funksionar, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë“. Nën presionin
e një psikoze të tillë, apinioni merrë pjesë në investiturat apo inaugurimet
groteske, qesharake dhe hierarkike, të cilat në “forumet koordinuese të
kuadrove“ janë të përcjella dhe të shoqëruara me një opurtunizëm të dukshëm dhe
të prirë nga dëshira dhe kërkesa e një rrethi të ngushtë të atyre që kanë
influencë në politikën e kuadrove në mjedisin përkatës.
Kurse,
opinioni publik i cili ka mundësi që të
vie në shprehje, politikën e tillë të kuadrove e pret me përqeshje dhe tallje,
shpoti e ironi, karikaturizëm dhe injorim. Edhe pa një lamentacion emotiv mbi
situata të tilla të neveritshme dhe të gërditshme, gjithmonë ka qenë dhe është
vështirë të kuptohet racionalisht se si “kadroviku“ i zgjedhur në dikasterin e
komunikacionit në rëndin e ardhshëm të zgjedhjeve mund të kalojë në dikasterin
e shëndetësisë, ose nga sektori i arsimit të kalojë në sektorin e industrisë
apo të bujqësisë dhe pikërisht në të gjitha nivelet e “establishmentit të
kuadrove“?
Nuk është ecur larg
Nën
presione të shumta, pretendimet e personave gjysmakë dhe karrieristë për
funksione si e drejtë natyrore, e cila nënkuptohet me hyrjen në “rrethin e të
zgjedhurve dhe të dalluarve”, me kohë i fiton format e investiture apo
inaugurimeve masive hierarkike. Ritualet e tilla përsëriten prej një periudhe zgjedhore në
tjetrën dhe kaherë kanë fituar veçori ceremonial dhe kanë filluar të
konsiderohen si “normale”. Shqyrtimi kritik i tyre, në rastet më të mira,
konsiderohet jo me vend nga pikëpamja e bontonit zgjedhor partiak dhe
shtetëror, respektivisht të miratimit të heshtur të rregullave të lojës.
Mirëpo,
rregullat e tilla për kurrkënd më nuk janë sekrete, meqënëse opinion publik e
ka hetuar se në implementimin e politikës së kuadrove më tepër ka ardhur në
shprehje parimi i dëgjueshmërisë absolute, vetëmohimi i personalitetit,
lojaliteti i verbët dhe cilësi të tjera të ulëta morale dhe politike, ndërsa,
në anën tjetër, më pak është respektuar dhe respektohet parimi i aftësisë
profesionale në punë dhe virtytet morale e njerëzore. Nuk ka vlerësim objektiv
periodik të suksesit të punës së tyre politike.
Lënda
e vërtetë e interesit nuk ka qenë sendërtimi i programit të marrë përsipër,
ndonëse kuadrot politike kanë qenë dhe janë të preokupuar me luftën e brendshme
për pushtet ndërmjet grupacioneve të ndryshme partiake dhe shtetërore.
Filozofia
i liberalizimit borgjez ka qenë e bindur se me sistemin shumëpartiak është
gjetur definitivisht modeli adekuat dhe i drejtë i politikës së kuadrove.
Mirëpo,
në Europën Juglindore, andaj dhe në vendet shqiptare, sikurse e vërejnë
studiuesit e politologjisë në vend të njohjes burimore të elektoratit me
cilësitë dhe karakteristikat e kandidatëve politikë, shtabet partiake me
zhurmën dhe agresivitetin e reklamave, me politikë mashtruese arrijnë të
tejkalojnë në një masë të madhe mundësinë e vlerësimit dhe gjykimit racional të
trupit votues.
Liderët
politikë, të cilët bashkëpunëtorët e vet gjithnjë e më tepër i zgjedhin sipas lojalitetit të dëshmuar dhe më
pak sipas aftësive të tyre, sikurse thotë H. Markuze, votuesit i kanë prurë në
një situatë, që atyre t’u ofrojnë të zgjedhin midis shkallëve të ndryshme të
“mediokërve”, që ua oforojnë partitë politike nëpërmjet të listave të kuadrove,
por kurrsesi ato nuk e gjejnë mënyrën e kapërcimit të atyre “kufizimeve dhe
dobësive evidente kolektive”.
Vlera
e vërtetë (e jo ideologjike) e demokracisë në fushën e politikës së kuadrove
vërehet në aftësinë e saj për një qasje radikale të inovacionit të cilësive dhe
përmbajtjeve të saj.
Një
inovacion të tillë paraqet ideja mbi “programet zgjedhore”, si parakusht i
kandidimit për funksion publik. Programet e tilla duhet të kalojnë nëpër një
verifikim të vërtetë profesional dhe politik. Mbi përshtatshmërinë politike dhe
profesionale të projekteve të afruara duhet të debatojnë subjektet e ndryshme,
e në rend të parë ato profesionale, autoritative dhe kompetente. Në këtë mënyrë
do të zbritet ndikimi i qarqeve të ngushta politike, ku gjithmonë është e
mundshme prania e subjektivizmit të vlerësimeve të programeve zgjedhore të
sipërpërmendura. Kështuqë para një tribunal të gjerë vështirë se do të mund të
falsifikohen dhe të kalojnë bartësit e alternativave arkaike, të platformave
dogmatiko-burokratike, politikat joreale, interest personale si dhe ithtarët e
marrjes jokritike dhe të verbët të zgjidhjeve të huaja.
Ndërkaq,
nuk do të kalonin as “bandidët në radhët e veta”, gjysmakët, mediokërt dhe
karrieristet e sëmurë, të cilët deri më tani e kanë pasur përkrahjen e
dirigjentëve të piramidës politike, që gjatë tërë kohës së punës së tyre
politike, nuk janë përmendur për kurrgjë tjetër veç për prishjen e çdo gjëje që
e kanë prekur.
Përshtatshmëria
ideologjike dhe profesionale e projektit dhe vlerësimi politiko-moral i
personalitetit të kandidatit për funksion publik nga ana e një rrethi të gjerë
shoqëror, në thelb do të dallohej nga koncepti i “përshtatshmërisë
politiko-morale” që bëhet më së shumti
në rrethe të mbyllura dhe që kryesisht caktohet dhe vlerësohet nga këndi dhe
prizmi i lojalitetit dhe i dëgjueshmërisë personale.
Raporti ndaj
përgjegjësisë
Reformat
shoqërore, ekonomike dhe politike si prezumime të veta kryesore kanë
profesionalizmin, eksperiencën, motivimin, me fjalë të tjera kuadrot e afta dhe
profesionale, e jo zgjedhjen e tyre sipas simpatisë së promotorëve kuadrovikë.
Jemi
të mendimit se përcaktimi për programe zgjedhore dhe për individë me aftësi dhe
përgatitje profesionale, si dhe moralisht të pastër, e jo a priori për persona
politikisht të “besuar” dhe të “përshtatshëm”, do të mund të ishte një hap
përpara në evitimin e dobësive evidente në drejtimin e politikës së kuadrove.
Prezantimi i programit është veprim dhe akt publik. Ai në pikëpamje
profesionale dhe morale i obligon mbartësit e tij. Implementimi i programit
krijon një bazë ekzakte për promovimin e mëtejshëm eventual të kuadrove, kurse
në anën tjetër mosrealizimi i programit ka si rrjedhim dorëheqjen nga
funksioni, votimin e mosbesimit, ose mospërsëritjen e mandatit.
Personaliteti
i cili vjen në ndonjë post udhëheqës, nëpërmjet investiturës hierarkike nga
“lart”, pa obligim që ta arsyetojë dhe ta shpjegojë programin e vet, nuk e ka
një raport adekuat ndaj përgjegjësisë.
Madje
edhe në qoftë se e kthen prapa dhe e shkatërron “firmën” në krye të së cilës
vie, ai e ka në dijeni se megjithatë, vetëm me kusht që të mos bëjë ndonjë
gabim politik serioz, se përndryshe në vend të bursës së punës, e pret një
avancim kuadrovik edhe më i mirë e më i lartë.
Kundërshtimet
e “programeve zgjedhore”, të cilat duhet të vlerësohen nga organet dhe
institucionet kompetente dhe autoritative – profesionale, sigurisht do të
rrjedhin nga ajo kategori e njerëzve nga strukturat të cilat për novacione të
tilla nuk kanë afinitet as energji, ose, ç’është më e keqe, më e dëmshme dhe më
fatale, ata nuk kanë dije as njohuri elementare. Ata nuk e shohin (ose nuk duan
ta dinë) se rutina e inercia, mosha dhe topitja, plogështia e apatia, ngurrimi
dhe indiferenca, si dhe ngulimi mbi mënyrën e mendimit arkaik, nuk janë cilësi
të përshtatshme për zgjidhjen e asnjë problem dhe çështjeje shoqërore dhe për
tejkalimin e krizës shoqërore, meqënëse rrjedhin nga “papërgjegjësia e
organizuar” dhe nga “jomoraliteti struktural” (Mils).
Karakteristikat
e lartpërmendura negative janë pengesë në rrugën e zhvillimit të kulturës
materiale dhe shpirtërore, respektivisht ato nuk mund të jenë alternativë e
inovacioneve të reja programore dhe sfidave kohore, dhe as të rëndësisë së
marrjes përsipër të përgjegjësisë personale.
Mirëpo,
në anën tjetër, nuk ka arsye që të mos besojmë se pikërisht këto cilësi të
inovacionit të “programeve zgjedhore”, edhe përkundër obstruksionit të
ithtarëve të ideologjisë së vjetër burokratike, do të hasim në përkrahjen e një
pjese kreative dhe dinamike të kuadrove politike.
Në
të ardhmen, është e domosdoshme që të krijohet një vetëdije e tillë politike se
në postet për vende udhëheqëse në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore,
kandidatët duhet që cilësitë e veta profesionale, entuziazmin, etosin e punës
dhe patosin moral ta vërtetojnë dhe ta dëshmojnë në konkurencën e barabartë,
duke mos iu referuar
“përshtatshmërisë
politike” neokomuniste.
Ajo
do të ishte një paralajmërim se kriza morale mund të tejkalohet dhe se prej saj
mund të dilet me parimet e reja të politikës së kuadrove.
Në
atë mënyrë do të zhdukej tipi i padenjë “xhoker-funksionarit”, i cili mund të
paraqitet në çdo post me një seriozitet të dukshëm pas të cilit fshihet në një
shkallë edhe më të madhe e më të dukshme mosdija e tij e përgjithshme dhe
profesinale. Me fjalë të tjera, do të
eliminohen kandidatët të pa aftë, jo profesional, kuazi intelektual, si dhe
personat e pamoralshëm, mbartës të krimeve dhe punëve të shëmtuara, të korrupcionit dhe dukurive të tjera negative.
Fatkeqësisht ka raste që personat e tillë janë të kyçur në politikë dhe gjoja
duan me u marr me çështjen kombëtare. Në filozofin politike, kuadrat e tillë
quhen”malli prej materialit të dobët”, kurse në gjuhën popullore për ta thuhe
se janë”as ujë as vënë”.
Është
e njohur se kuadrot në çdo sistem politik paraqesin një faktor kryesor të
zhvillimit të mëtejshëm, prandaj dhe tek shqiptarët, politika e kuadrove ka një
rëndësi të madhe, meqënëse përmes saj duhet të sigurohen kushtet për
sendërtimin e detyrave dhe qëllimeve të transicionit shoqëror dhe të
konsolidimit politik.
Promovimi i personave
“kameleonë”
Në
ndërtimin dhe sendërtimin e politikës së kuadrove në shoqërinë shqiptare duhet
të nisemi veçanërisht, nga këto parime:
a)
planifikimi afatgjatë dhe drejtimi adekuat mbi politikën e kuadrove;
b)uniteti
i qëllimeve dhe terësia e parimeve të politikës së kuadrove, demokratizimi dhe
konsekuenca në realizimin e tyre;
c)transformimet
demokratike, rotacioni dhe lëvizja e kuadrove.
Ndërkaq,
propozimi i kandidatëve për poste përgjegjëse të punës dhe për funksione duhet
të rrjedhë nga një debat demokratik dhe i argumentuar, mbi baza të parimeve dhe
kritereve të përcaktuara në organe dhe institucione përkatëse. Në këtë mënyrë
duhet të pamundësohen tendencat e privatizimit, të monopolizimit, të
familjarizimit dhe grupimit mbi baza jo të
shëndosha dhe primitive të politikës së kuadrove.
Nga
ajo, se si drejtohet politika e kuadrove, në një masë të madhe varen edhe
rezultatet në sendërtimin e reformave shoqërore, ekonomike e politike, sepse
këto procese të tranzicionit nuk mund të realizohen me anë të deklaratave,
frazave, rezolutave dhe me mashtrime, e me kopili e dinakëri reciproke, por
vetëm me njerëz të rinj, me ide të reja dhe rezultate konkrete.
Për
një kohë të gjatë, politika e kuadrove nuk është përpjekur, por edhe tani nuk
synon që personat kompetentë të zgjedhen në vende udhëheqëse të punës, por i
kanë angazhuar dhe i angazhojnë individët poltronë, animues dhe gjysmakë.
Mu
për këtë arsye shoqëria jonë ka përjetuar një krizë ekonomike, sociale dhe
politike. Mund të konstatohet se një politikë e tillë e pavolitshme e kuadrove
ka qenë edhe pasojë e rënies së vlerave morale në shoqëri.
Kriza
e moralit padyshim ka ndikuar në sistemin e arsimit dhe të kulturës. Është e
njohur se pa një sistem të vlefshëm juridik dhe moral, nuk mund të flitet për
ndërtimin dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe progresive. Ndonëse, në
shumë tubime dhe në fjalën e shkruar janë bërë dënime dhe kritika të shumta të
moralit të dyfishtë. Megjithatë, jemi dëshmitarë se edhe në shoqërinë shqiptare ekziston një moral i tillë.
Atij,
pa dyshim, i kontribuojnë dukuritë e korrupsionit, mitit, krijimit të
“lidhjeve” mbi parimin “do ut des” (unë ty, e ti mua), si dhe një sërë dukurish
të tjera negative.
Rreziqet
më të mëdha të një shoqërie janë: burokratizmi dhe primitivizmi politik.
Zgjedhja në ndonjë funksion, parimisht,
ka qenë dhe është ikja nga puna prodhuese, synimi për privilegje sa më të mëdha
dhe të ndryshme (vetura e re, kabineti i ri dhe luksoz, sekretarja elegante,
reprezentimet e shtrenjta etj.).
Shpeshherë
personat në udhëheqësi janë identifikuar dhe identifikohen me funksionet që
kanë ushtruar apo ushtrojnë, duke i keqpërdorur ato, para së gjithash për
kënaqjen e interesave personale, grupore, të klaneve që u takojnë, duke i lënë
shpesh interesat e përgjithshme në planin sekondar.