Editorial
Nikë Gashaj: Imigrantët dhe fati i tyre
E diele, 28.07.2019, 06:16 PM
Imigrantët
dhe fati i tyre
Nga
Nikë Gashaj
Me
nocionin “imigrantët” nënkuptohen bashkësitë e formuara në bazë të vendimeve
individuale dhe familjare që braktisin vendlindjen e vet dhe shpërngulen e
vendosen në një vend dhe shtet tjetër, shpesh herë duke ia kthyer shpinën të
afërmve të vet, prindërve, vëllezërve e motrave, kushërinjve e miqve e shokëve,
trojeve të veta etnike, kulturës dhe kombit të vet. Ata këtë vendim e marrin
për shkaqe ekonomike, përgjithësisht për arsye të varfëris familjarë, të
papunësis, dhe më pak politike etj. Ata vendosin që të jetojnë në një mjedis
tjetër, ku flitet një gjuhë tjetër, ku kultura dhe tradita e tyre kurrë nuk ka
qenë e pranishme. Mirëpo, ata vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë që ta ndërrojnë
mjedisin kulturor dhe në pikën e fundit, kryesisht të asimilohen, ata apo
pasardhësit e tyre, çka paraqet çështje shqetësuese për ruajtjen e identitetit
të tyre kombëtar, në rend të parë të nacionalitetit shqiptar. Kështu ka
ndodhur, edhe me një pjesë të shqiptarëve të Malit të Zi, që janë shpërngulur në vendet e Europës Perëndimore, Australi,
SHBA dhe gjetiu.
Ndërkaq,
është e domosdoshme që të bëhet dallimi ndërmjet dy grupeve të imigrantëve: në
ata që kanë të drejtë të bëhen nënshtetas të shtetit të ri dhe ata të cilëve
nuk e kanë këtë të drejtë. Pikërisht,
lënia pas dore e këtyre dallimeve është shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, si
në literaturën relevante ashtu edhe në debatet publike. Në kuptimin e parë
përdoret termi imigrantët, ndërsa për kategorinë e dytë përdoret “metikët“.
Kush janë imigrantët?
Imigrantët
janë persona të cilët janë vendosur në një shtet tjetër në pajtim me dispozitat
e imigrimit të atij vendi dhe të cilët kanë të drejtë për ta fituar
nënshtetësinë, pas një periudhe relativisht të shkurtër (3-5 vjet), në dakordim
me kushtet e tjera minimale të përcaktuara (p.sh.njohja e gjuhës zyrtare dhe
njohja elementare e institucioneve politike dhe të historisë së vendit). Këto
janë kushtet themelore për ta fituar nënshtetësinë e shteteve në të cilat janë
më së tepërmi përqëndruar imigrantët: SHBA, Kanadaja dhe Australia.
Shikuar
historikisht, raporti i imigrantëve ndaj procesit të ndërtimit të kombit
shumicë ka qenë i ndryshëm në krahasim me pakicat kombëtare. Për dallim prej
pakicave kombëtare, “garat“ në ndërtimin e identitetit nacional nuk kanë qenë
as të dëshirueshme, as të mundshme për imigrantët në demokracitë perëndimore.
Grupet imigruese janë, parimisht, tepër të vogla dhe territorialisht të përçara
dhe të thërrmuara për përpjekjen e rekonstruimit të kulturës së tyre burimore
në shtetin e ri. Në vend të asaj, ata tradicionalisht pranojnë që të integrohen
në kulturën e shumicës societale. Janë të rralla rastet që imigrantët janë
ankuar se njohja e gjuhës zyrtare është kusht për të fituar nënshtetësinë e
shtetit të tyre të ri, apo që fëmijëve të tyre iu duhet të mësojnë gjuhën
zyrtare në shkolla. Ata e kanë pranuar që perspektiva e tyre, e veçanërisht
perspektiva e fëmijëve të tyre varet nga participimi i tyre në institucionet
themelore sociale, ekonomike dhe politike (të cilat funksionojnë në gjuhën zyrtare
të shtetit përkatës).
Demokracitë perëndimore
dhe imigrantët
Demokracitë
perëndimore sot kanë më shumë se dy shekuj eksperiencë me imigrantët dhe ka
fare pak fakte që imigrantët të cilët kanë të drejtë në fitimin e nënshtetësisë
paraqesin ndonjë kërcënim për stabilitetin dhe kohezionin e shteteve të tyre të
reja, në të cilat jetojnë. Në gishtërinj mund të numërohen shembujt e grupeve
imigruese, që kanë organizuar lëvizje separatiste ose parti nacionaliste, ose
kanë përkrahur lëvizjet revolucionare për rrëzimin e qeverive demokratikisht të
zgjedhura në shtetet përkatëse.
Në
vend të kësaj, imigrantët integrohen në sistemin politik, ekonomik dhe social
të shtetit të tyre të ri. Këtu po cekim se në vendet me një vërshim të madh të
imigrantëve, si dhe në numrin më të madh të shteteve të tjera të Perëndimit, refugjatët që e kanë
fituar azilin politik po ashtu e kanë statusin e imigrantëve me të drejtë
nënshtetësie.
Analizuar
historikisht, qeveritë e Perëndimit nuk i kanë dalluar refugjatët nga
imigrantët ekonomikë, duke patur dhe
drejtuar një raport politik, pak a shumë identike në lidhje me pranimin dhe
asimilimin e tyre.
Imigrantët
nuk i kanë kundërshtuar aksionet e drejtuara për integrimin e tyre. Mirëpo, ajo
nuk do të thotë, se ata nuk janë përpjekur që të bëjnë negociata mbi kushtet e
integrimit. Debati aktual mbi “multikulturalizmin“ në vendet e imigrimit
paraqet në të vërtetë shqyrtimin mbi redefinimin e kushteve të integrimit.
Imigrantët kërkojnë një qasje më tolerante (“më multikulturore“) të integrimit,
që do t’iu lejojë, madje, do t’i inkurajojë, për t’i ruajtur aspektet e
ndryshme të trashëgimisë së tyre
kombëtare, madje edhe pas integrimit të tyre në institucione të përbashkëta, ku
përdoret gjuha zyrtare e shumicës.
Imigrantët
insistojnë mbi të drejtën e ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar, të
kulturës dhe të zakoneve (kuzhina kombëtare, veshja, religjioni), si dhe për të
drejtat të shoqërohen me qëllim të ruajtjes së identitetit të vet.
Synimet
e tilla janë legjitime dhe nuk konsiderohen sipas teorive politike perëndimore
“jopatriotike“, ose “antiamerikane“, ose “antiperëndimore“. Aq më tepër,
institucionet shtetërore, mendojnë teoricienët perëndimorë, do të duhej t’u
përshtateshin këtyre synimeve - p.sh.shkollat dhe institucionet e tjera publike
punën e vet do të duhej t’ua përshtatnin festave religjioze të imigrantëve,
mënyrës së veshjes së tyre, kufizimit në ushqim etj.
Sigurimi i kushteve të
drejta të integrimit
Si
përgjigjen demokracitë liberale në këto kërkesa për multikulturalizmin e
imigrantëve? Edhe këtu demokracitë liberale, shikuar historikisht, u kanë
kundërshtuar kërkesave të tilla. Deri në vitet gjashtëdhjetë, shtetet kryesore
të imigrimit (SHBA, Kanadaja dhe Australia) e kanë zbatuar një politikë të
asimilimit të plotë. Nga imigrantët është pritur që të përvetësojnë normat dhe
vlerat ekzistuese kulturore të shtetit ku jetojnë, çka gradualisht, në
pikëpamje të të folurit, të veshjes, të shfrytëzimit të kohës së lirë, të
mënyrës së ushqimit, në madhësinë familjare etj. Ata do t’i bëjnë të padalluar
në krahasim me njerëzit e lindur në atdheun e tyre të ri.
Është
konsideruar që një politikë e tillë do të sigurojë lojalitetin e tyre ndaj
shtetit ku kanë vendosur të jetojnë dhe dotë garantojë që imigrantët të bëhen
anëtarë produktivë të shoqërisë.
Ndërkaq,
në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar fillohet të shihet se
politika e një asimilimi total është joreale, e papranueshme dhe e padrejtë.
Ajo është joreale për arsye se, pavarësisht nga intensiteti i asimilimit,
imigrantët kurrë nuk e humbin identitetin e vet kombëtar dhe kulturor në
terësi. Andaj, paraqitja e “veshit për shkrirje“ kurrë nuk e ka shprehur
gjendjen e vërtetë; fakti se imigrantët janë integruar në institucionet
shoqërore dhe se e kanë mësuar gjuhen zyrtare të shtetit të ri, nuk do të thotë
se ata me atë e kanë humbur identitetin e vet kombëtar dhe kulturor.
Politika
e asimilimit është po ashtu e paarsyeshme, duke marrë parasysh se faktet
tregojnë se imigrantët, që e kanë ruajtur në mënyrë të dukshme identitetin
kombëtar dhe kulturor mund të jenë anëtarë lojalë dhe produktivë të shoqërisë.
Integrimi i drejtë i
imigrantëve në shtetin e ri
Definitivisht,
politika e asimilimit është e padrejtë, sepse i diskriminon imigrantët dhe e
bën integrimin proces të dhunshëm. Sipas disa autorëve perëndimorë, kërkesa e
imigrantëve për modelin “multikulturor“ të integrimit është kërkesë e drejtë
dhe me rëndësi për procesin e konstituimit të kombit shumicë. Në qoftëse
demokracitë liberale kërkojnë nga imigrantët që të integrohen në institucionet
shoqërore ku përdoret gjuha zyrtare e shtetit, atëherë si detyrë e shumicës
etnike është sigurimi i kushteve të drejta të integrimit.
Sipas
teorisë politike, integrimi i drejtë supozon ekzistimin e elementeve siç
vijojnë:
(a)
Duhet të shmanget integrimi “përkrye nate“, se ka të bëhet mbi një proces të
komplikuar dhe afatgjatë, i cili kyçë gjenerata të shumta dhe të ndryshme.
Plotësimi i kësaj kërkese supozon, ndër të tjera, që të jetë e mundshme që shërbimet
e caktuara të bëhen në shumë gjuhë, si dhe përkrahjen e pushtetit shtetëror,
atyre organizatave dhe grupeve brenda bashkësive imigruese që ndihmojnë
integrimin e imigrantëve në mjedisin e ri shoqëror.
(b)
Është e domosdoshme të sigurohet që institucionet sociale, në të cilat
imigrantët integrohen mundësojnë dhe
garantojnë një nivel të njëjtë të respektimit dhe njohjes së identitetit
kombëtar dhe kulturor, sikurse edhe ndaj pjesëtarëve të kombit shumicë.
Kjo
kërkon kontrollimin sistemor të institucioneve sociale, për ta vërtetuar se
rregullat e tyre, organizimi i brendshëm dhe simbolet – a i diskriminojnë
imigrantët apo jo? Po ashtu, sipas teorisë politike, është e domosdoshme të
kontrollohen programet shkollore për t’u vërtetuar se ato a i nxisin stereotipet
mbi pakicat, ose e nënçmojnë kontributin e tyre historisë nacionale dhe
botërore.
Këto
janë masa të domosdoshme, se si imigrantëve do të iu ofrojnë kushte të drejta
për integrim.
Politika e
multikulturalizmit dhe imigrantët
Politika
e “multikulturalizmit” e qeverive të Australisë dhe Kanadasë, paraqet përpjekje
që të definohen kushte të drejta dhe adekuate të integrimit. Kritikuesit e
multikulturalizmit, ndërkaq, theksojnë se kërkesa e imigrantëve për
multikulturalizëm nuk do të thotë vetëm redefinim të kushteve të integrimit,
por në thelb paraqet refuzimin e vetë idesë së integrimit, si dhe mospranimin e
participimit në institucione të përbashkëta, që funksionojnë në gjuhën e
shumicës etnike. Mirëpo, sipas teoricienëve demokratikë kjo nuk është e
vërtetë. Para së gjithash, imigrantët janë të vetëdijshëm se është në interesin
e tyre - e në veçanti në interes të fëmijëve të tyre – që të integrohen në
shoqërinë e re. Vetëm të integruar ata mund t’i shfrytëzojnë plotësisht mundësitë
për prosperitet të cilat ua ofron shteti i ri. Sikurse imigrantët t’i kishin
dhënë më tepër rëndësi dhe ta kishin nderuar dhe respektuar identitetin
kombëtar dhe kulturor më tepër sesa prosperitetin ekonomik nuk do të kishin
shkuar në imigrim.
Natyrisht
se këtu ka edhe përjashtime. Duke pasur parasysh, se shkaqet kryesore për
imigrim janë kryesisht ekonomike kërkesa e imigrantëve për multikulturalizëm
është racionale dhe e arsyeshme vetëm në qoftëse ajo është në pajtim me
integrimin e tyre ekonomiko-shoqëror në një bashkësi të gjerë. Me fjalë të
tjera, multikulturalizmi duhet të mundësojë një integrim më të lehtë të
imigrantëve në shoqëri, e jo të pengojë integrimin e tyre.
Dhe
më të vërtetë, kur të analizohen kërkesat aktuale të imigrantëve, vërehet se
ato nuk janë të drejtuara për refuzimin, por për ndërrimin e kushteve të
integrimit. Imigrantët kërkojnë ndërrime në institucionet themelore – shkolla,
vende të punës, gjyqe, polici dhe në shërbimet sociale- se si më lehtë të
participojnë në punën e tyre.
Ata
insistojnë për reformat i institucioneve në fjalë, me qëllim që identiteti i
tyre kombëtar dhe kulturor më tepër të respektohet. P.sh. ata dëshirojnë që
shkollat të japin më shumë informacione
mbi jetën e imigrantëve; që festat e tyre kombëtare dhe fetare si dhe
mënyra e veshjes të pranohen në vendin e punës; që ndihma sociale të jepet në
mënyrë që te kihen parasysh dallimet kulturore, etj. Larg asaj që këto kërkesa
e pengojnë integrimin, ato përkundrazi e nxisin.