Editorial
Alma Lama: Fitorja diplomatike e Kosovës në GJND dhe rreziku i sotëm i kufijve
E hene, 22.07.2019, 09:06 PM
Fitorja diplomatike e Kosovës në GJND dhe rreziku i sotëm i kufijve
Shkruan
Alma Lama
Vendimi
i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëntë vjet më parë ishte fitorja
diplomatike më e madhe në lidhje me çështjen e Kosovës. Ky vendim që në të
vërtetë është opinion ligjor jo i detyrueshëm për tu zbatuar nga ana e
shteteve, ishte kurorëzimi i të gjithë aksionit diplomatik të ndërmarrë nga
shtetet përkrahëse të Kosovës për të zgjidhur statusin, aksion që kaloi përmes
negociatave të vështira e të tensionuara mes përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë.
Ishin
shtetet e botës përendimore, SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, austria,
Norvegjia, Zvicra që paraqiten argumentet e tyre se pse shpallja e pavarësisë
së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ata sollën
para Gjykatës argumente të fuqishme nga historia e Kosovës, aneksimi i dhunshëm
i saj, dëshmi rrënqethëse nga dhuna, diskriminimi dhe dhe represioni që
përjetuan shqiptarët përgjatë një shekulli nga regjimet e ndryshme serbe;
sollën argumente të pakontestueshme, të studiuara nga ekspertët më të mirë
botërorë në lidhje me statusin juridik e Kosovës si entitet konstituiv i
Jugosllavisë, luftën për liri, administrimin ndërkombëtar dhe rezultatin e
bisedimeve të drejtuara nga OKB-ja, ku pavarësia ishte e vetmja zgjidhje
realiste për Kosovën.
Me
pak fjalë, pyetja e drejtuar nga pala serbe në këtë Gjykatë, ishte autogol për
ta, sepse i dhanë mundësi Kosovës të konfirmonte të drejtën e saj për pavarësi
dhe vetëvendosje, por kushdo që mendon se kjo ishte një betejë e lehtë,
gabohet. Një numër shumë i madh shtetesh dhanë komentet e tyre kundërshtuese,
përfshirë edhe Rusinë, Kinën, Brazilin dhe Spanjën.
Ky
vendim-opinion do të duhej të shërbente si një pikë kthese për të rritur numrin
e njohjeve për Kosovën, por shumica e shteteve vendosën ta injorojnë, të shtyrë
nga probleme të brendshme ose interesa që lidhen me bllokun që iu kundërvu
pavarësisë së Kosovës e që kryesohet nga Rusia.
Pavarësisht
se efekti i këtij vendimi nuk ishte ai i prituri, legjitimimi ndërkombëtar nga
GJND-ja i dha Kosovës argumentin më të fuqishëm diplomatik, për të kërkuar
njohje nga shtetet e tjera dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Si
ambasadore e Republikës në Kosovës në Itali, e kam përdorur këtë argument si
dhe argumentet e parashtruara që kanë çuar te ky vendim, në të gjitha takimet
lobuese për njohje që kam zhvilluar me diplomatë të vendeve të ndryshme të
botës. Mes tyre kishte nga ata që e njihnin mirë këtë vendim, pasi ishte
trajtuar gjërësisht nëpër ministritë e tyre, për të mbërritur deri në një
pozicion të caktuar në lidhje me njohjen.
Por
padyshim që kishte edhe të tjerë që nuk ishin të informuar, dhe një kërkesë për
të riprezantuar nëpër shtetet e tyre argumentet tona për njohje, të
legjitimuara nga GJND-ja mbetetet një veprim me rëndësi.
Diplomacia
e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar sa duhet këtë argument në favor të shtetit tonë,
dhe fatkeqësisht në vend që të jetë në një pozicion ofensiv, vitet e fundit ka
kaluar më shumë në një pozicion mbrojtës ndaj aksioneve të përditshme të
diplomacisë serbe. Kjo e fundit ka pak fakte por është shumë efektive në
propogandë.
Por
më shumë se propaganda serbe, mua më shqetëson vënia në pikëpyetje e të gjithë
proçesit që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nga vetë përfaqësuesit e
shtetit të Kosovës nëpërmjet rihapjes së çështjes së kufijve, gjë që iu ka dhënë
hapësirë të gjithë kundërshtarëve të pavarësisë që ta konsiderojnë ende të
pazgjidhur punën e statusit.
Këto
zhvillime kanë dobësuar në mënyrë të paimagjinueshme edhe fuqinë e vendimit të
GJND-së, që i vuri vulën pavarësisë së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008.
Kjo është e dukshme në kontaktet me diplomatët e huaj apo edhe politikanë që
ndjekin pak a shumë çështjet e rajonit. Për hir të vërtetës hapja e çështjes së
kufijve dhe diskutimi i tërësisë territoriale ka qenë një kthesë e papritur që
ka lënë shumë kënd gojëhapur dhe është evidente se vetë diplomatëve të Kosovës
i ka hequr nga goja një argument të fuqishëm.
Kosova
nuk e ka luksin të vërë në pikëpyetje arritjet e jashtëzakonshme që ka shënuar
në rrafshin diplomatik, arritje të cilat në radhë të parë i përkasin shteteve
mike që ndërhynë ushtarakisht për ta çliruar nga pushtimi serb dhe për ta
shpëtuar nga shfarosja. Përmes një angazhimi shumëdimensional, ku u bënë bashkë
shumica e vendeve përendimore, këto shtete ia dolën që t’i japin popullit të Kosovës
atë që i ishte mohuar për një shekull, pavarësinë dhe shtetin.
Prandaj
në këtë përvjetor të opinionit të GJND-së, dhe në një kontekst mjaft të
ndryshëm të politikës globale, përfshirë përçarjet e mëdha të viteve të fundit
ndërmjet vendeve përendimore dhe kokëçarjet e brendshme të BE-së, më shumë se
kurrë na duhet të mbahemi fort pas vendimit të GJND-së , i cili në planin
diplomatik ka vlerë të jashtëzakonshme.
Por
padyshim, argumenti më i pakontestueshëm për tu trajtuar si një subjekt serioz
nga shtetet e tjera, përfshirë ato që nuk na kanë njohur do të ishte ndërtimi i
një shteti të sukseshëm, gjë që e kemi vetë në dorë.