Kulturë
Kadri Tarelli: Në kuvend me shkrimtarin Kim Mehmeti
E enjte, 07.03.2019, 06:04 PM
NË KUVEND ME SHKRIMTARIN KIM MEHMETI
Nga Kadri Tarelli
Në mesin e muajit shkurt 2019, në qytetin Durrësit, pas një takimi me studentë të degës letërsi, në Universitetin “A. Moisiu”, u zhvillua edhe një bisedë interesante në librarinë “Hugo Book Club”. I ftuar ishte shkrimtari, publicisti dhe kritiku, Kim Mehmeti, shqiptar nga Maqedonia, i cili udhëtoi enkas për të zhvilluar një bisedë letrare me lexuesit e tij të shumtë edhe në qytetin e Durrësit. Të pranishëm në këtë takim, do të thosha kuvend të veçantë, ishin: shkrimtari dhe kritiku Fatmir Minguli, Naim Zoto, mik i shkrimtarit dhe botuesi i librit, Fadil Elezi mësues letërsie dhe ish drejtor në disa shkolla të Durrësit, Vasil Puci shkrimtar dhe publicist, i dashuruar pas librit të vjetër, Merita Thartori (Kuçi), poete dhe drejtore shkolle. Në këtë kuvend ndodheshin edhe disa studentë të Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, veç tyre të ftuar edhe lexues e dashamirës të letërsisë së bukur shqipe.
Takimin e hapi Dafina Likursi, studente në Universitetin “A. Moisiu”, dega letërsi. Asaj i takoi nderi që të drejtojë bisedën, duke qenë edhe nismëtare dhe autore e ftesës, drejtuar shkrimtarit të shumënjohur, i cili për të qenë i vërtetë, e kishte pranuar me shumë kënaqësi.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime interesante rreth letërsisë shqipe në trojet shqiptare, vështirësive dhe lehtësive me të cilën ndeshet sot edhe kjo pjesë e shqiptarizmit dhe botëkuptimit kombëtar shqiptar. Pyetjes, se në ç’raport ndodhet letërsia mbarë kombëtare, duke përfshirë kryesisht krijuesit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, shkrimtari dhe studiuesi Kim Mehmeti, duke iu shmangur politikës, që siç thotë një i ditur, gjithmonë i qëndron si gur në qafë të letërsisë, iu përgjigj shkurt dhe pa shumë komente:
- Ndarja e gjatë e kombit në disa shtete, gati një shekullore, gjithsesi ka lënë pasoja edhe në botëkuptimin mbarë shqiptar. Duhet pranuar nuk kapërcehet lehtë shkëputja, trysnia e pushtetit dhe ndrydhja jonë. I thonë katër breza shqiptarësh që nuk komunikonin mes njëri-tjetrit, kur në të njëjtën kohë, ne në Maqedoni shqip flisnim vetëm në shtëpi, brenda oborrit dhe avllisë sonë, pasi në mjediset publike, bie fjalë në autobus, e kishim të ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe. Me këtë rast, dua të them, se nënave tona shqiptare, u duhet ngritur monument, pasi janë ato që e mbajtën gjallë dhe e mbrojtën gjuhën shqipe, por krijuan dhe ushqyen qëndresën edhe burrërinë e shqiptarëve.
Jam i bindur se, nuk po them diçka të re, duke folur për vete, - vazhdoi ligjëratën shkrimtari, - Mendoj se kështu si unë, kanë vepruar edhe shumë krijues të tjerë në trojet shqiptare në Maqedoni. Ishim të detyruar të krijonim dhe shkruanim vetëm në gjuhën maqedonase. Ju këtu në Shqipëri flisnit shqip, gëzonit shqip dhe krijonit dhe lexonit shqip, pavarësisht se nuk u lejonin të hidhnit shikimin edhe në trojet shqiptare përtej kufijve, të ndara dhunshëm, këtu e një shekull më parë. Me pak fjalë, ju nuk e ndjenit shumë mungesën e krijuesve të vëllezërve tuaj përtej gardhit. Ne mendonim, se sa të lumtur ishit ju që flisnit shqip, përshëndeteshit mes vedit po shqip, sikur dielli, yjet dhe hëna ndriçonte veç Shqipërinë.
Besoj, se ato fjalë që thashë më lart, po na detyrojnë që edhe sot e kësaj dite, ne të mos mendojmë bashkërisht e shqiptarisht si shqiptarë, ku të ndajmë gëzimet, hidhërimet dhe shqetësimet, për t’u përballur e zgjidhur bashkërisht problemet që na ofron koha. Mbase e kam gabim, por më duket se kemi mbetur si në mesjetë, ku secili mendon vetëm për vilajetin, krahinën dhe çifligun e tij. Sot ndodh, që libri i Kadaresë, Agollit, apo Fatos Arapit, porsa del nga shtypi në Tiranë, pa kaluar as edhe një ditë, i gjen nëpër libraritë e Shkupit apo edhe të Prishtinës, ndërsa nuk ndodh po kështu edhe për autorët shqiptarë, që krijojnë në Maqedoni edhe në Kosovë. Asgjë nuk na pengon të kemi lidhje, njohje, shkëmbime, vizita, takime dhe leksione, në mënyrë që mendimi letrar të jetë i njëzëshëm, për ta bërë të prekshme ëndrrën tonë të kahershme, që kulturën letrare dhe kulturën tonë në tërësi, ta bëjmë dhe ta kemi tërësisht mbarëshqiptare. Na pengon, sepse na mungon veçse mentaliteti i të menduarit shqiptarisht, mbivlerësimi i vetvetes, xhelozia, mbase edhe nënçmimi i vlerave të krijuesve të tjerë. Keq që e mendoj kështu, por duhet thënë, andaj po e them, sepse ky është realiteti ynë, që s’ mund ta anashkalojmë, as ta fshehim dhe as të fshihem prej tij.
Në këtë kuvend të bukur letrar, u fol edhe për letërsinë në tërësi e përgjithësi, për tematikën, lexuesit dhe problemet me të cila ndeshem sot libri shqiptar. Edhe disa pyetje të tjera e shtynë bisesën, pa çarë kokën për kohën që kaloi si pa u ndjerë, pavarësisht se disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me librin “Anemonia”, vepër me tregime, të cilin vetë autorit na paraqiti sot:
1- Pse pikërisht titulli “Anemona”, kur asnjë nga tregimet nuk e mbart atë?
2- Simbolika e numrit 7 në vepër, ç’ përfaqson?
3- Sa je ndikuar nga shkrimtarët e huaj, duhet thënë nga shkrimtarët e tjerë, që ke pasur mundësi t’i studiosh?
Duke ndjekur rrjedhën e bisedës, gjatë shpjegimit të pyetjeve, vetiu mendimi dhe gjuha, herë-herë shkojnë drejt filozofisë, duke kaluar edhe në vështrimin filozofik mbi të bukurën e të shëmtuarën, përfshi edhe letërsinë, njëkohësisht edhe mbi nocionet: E shkuara dhe e ardhmja, realiteti dhe ëndrra, më tej edhe te etiketimi (emërtimi) i letërsisë: letërsi për pushuesit, letërsi burgu, letërsi e verdhë, apo letërsi emigracioni, etj, etj.
Unë autori i këtyre pak radhëve, them se më pëlqeu rrahja dhe shtjellimi i këtij mendimi, mbase sepse edhe unë jam në një mendje me shkrimtarin, se letërsia është letërsi, pavarësisht se ku shkruhet, nga e merr temën, kujt i drejtohet, ç’mesazhe dërgon, ç’ndjesi estetike dhe përjetime përcjell te lexuesi i të gjitha moshave. Letërsia nuk është raport i sekretares, që i paraqitet shefit të zyrës, i cili e lexon dhe vendos në dosjen e punës. Shkrimtari shkruan atë që ndjen, ashtu siç di, aq sa di dhe aq sa do, pa e ditur nëse do pëlqehet apo jo, sepse nuk ia kërkon kush. Madje nuk më pëlqejnë disa kritikë, që shkruajnë, se shkrimtari nuk e ka shkruar mirë, kur duhet të thonë, se mendimi i shkrimtarit mua nuk më pëlqen, apo nuk ma mbush shpirtin dhe mendjen. Sepse nuk është letërsia që e zgjedh apo e drejton lexuesin, është lexuesi ai që e kërkon dhe e përzgjedh librin, sipas shijes së tij. Më pas është po ai lexues, që e vlerëson atë, për ta lexuar deri në fund, ngadalë ose shpejt, për ta marrë në udhëtim apo në plazh, për ta mbajtur në tavolinën e punës, apo në çantën e leksioneve, ose për ta mbyllur nëpër raftet e bibliotekës, për të mos e shfletuar kurrë më.
Pasi kaluan pa u vënë re, për rreth dy orë bisedë, ku shkrimtari na zbuloi aq shumë fakte rreth krijimtarisë së tij, takimi duhesh mbyllur. S’ka pse çuditemi si ikën koha, kur dëgjon gjëra të bukura, të mençura dhe të dobishme. Si zakonisht në takime të tilla dhurohen ose shkëmbehen libra. Si fillim ishte Fatmir Minguli, që i dhuroi një nga librat e tij. Unë më pas, pa pritur që shkrimtari i ftuar të dhuronte librat e tij me autograf, i parapriva duke cituar një fjalën time, që i shkon përshtat punëtorëve të letrave, se: “Shkrimtarët nuk kanë pasuri, ndaj shkëmbejnë libra”. M’u duk sikur kjo fjalë u pëlqye. Kështu pata kënaqësinë t’i dhuroj shkrimtarit të ftuar Kim Mehmeti librin tim “Kur lexoj një libër”, ku përfshihen kritika, opinione, intervista, reportazhe, njëkohësishtt të marr prej tij librin “Anemonia”. Ndërkaq librarisë “Hugo Book Club”, i dhurova librin tim të parë, “Misionarë në udhën e dijes”.
Fjalë falënderimit të drejtueses Dafina, iu bashkuan edhe falënderimet dhe përshëndetjet tona, duke uruar që takime të tilla të bëhen sa më shpesh, pasi kemi nevojë të njohim njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë fjalën dhe zërin e mendimit mbarëshqiptar.
Kadri Tarelli
Durrës më: 04, të fillim pranverës, 2019.
Fotografoi: Xhesika Muska