Kulturë
Tahir Bezhani: Ripërtrihet klubi letrar Gjon Nikollë Kazazi
E marte, 05.03.2019, 08:17 PM
Të rejat nga Klubi letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës
RIPËRTRIHET KLUBI LETRAR “GJON NIKOLLË KAZAZI” NË GJAKOVË
Nga Tahir BEZHANI
Pas një amullie që dominoi kohë të gjatë në Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, nga data një mars të këtij viti, të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar do të ndihen mirë me lajmin se brenda këtij klubi, u bë një riorganizim i brendshëm, me krijues potencial, që janë të gatshëm që të bëjnë më të mirën për klubin dhe Mitingun e Poezisë famëmadh në trojet shqiptare, për Gjakovën si djep i kulturës në përgjithësi, e asaj letrare në vacanti.
Kryesia e punës: nga e majta, Engjëll Brisha, Agim Byci, Masar Kupa dhe Muharrem Kurti.
Për këtë arsye, mbrëmë, rreth orës 18-të, në sallën e Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, u mblodh Kuvendi i Klubit letrar, ”Gjon Nikollë Kazazi”, me të cilin rast u formua kryesia e punës nga anëtarët më të vjetër, si z. Masar Kupa, pjesëmarrës në themelimin e Klubit dhe të Mitingut në vitet 60-ta, Agim Byci dhe Engjëll Berisha, si pasues të këtij aktivitetit shumëvjeçar.
Anëtarësia e Kuvendit
Zoti Masar Kupa, foli për historikun e Klubit dhe vështirësitë që përjetoi gjatë okupimit klasik nga pushteti serb, por edhe për ecjen krenare e krenarinë që lanë poetët e mëdhenj, si Ali Podrimja, Din Mehmeti, Besim Bokshi, Teki Dervishi etj. Agim Byci, nga kryesia e punës, fjalën ia kaloi z. Engjëll Berisha, i cili raportoi me ndjesi për periudhën e kaluar mes dy mandateve, ku pati mjaft vështirësi të natyrave të ndryshme, por, megjithatë, një kontinuitet u mbajt për të mbijetuar, falë njerëzve entuziast të fjalës së shkruar dhe vullnetit të mirë.
Pas raportimit të pikës së parë të mbledhjes, raportit nga z. Engjëll Berisha, kryesia e punës kaloi në pikën e dytë, plotësimi i Kryesisë së Klubit Letrar me dy anëtarë të rij dhe zgjedhja e kryetarit të Klubit “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës. Për këtë qëllim, duke u bazuar në Statutin e punës, zgjedhja u bë e fshehtë për dy anëtarë të Kryesisë së Klubit.
Duke aplikuar plotësisht Statutin e Klubit, pas votimit të fshehtë, Kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, iu bashkëngjiten dy zonja të merituara, të dëshmuara me punën e deritanishme në fushën e letërsisë dhe aktiviteteve të tjera. Pra, z. Migena Arllati dhe z. Vjollca Kuqi, fituan besimin të jenë anëtare të Kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës. Pas formimit të kryesisë, Kuvendi dhe Kryesia, së bashku, u pajtuan që të zgjedhet edhe kryetari i këtij Klubit Letrar. Me propozimin e z. Muharrem Kurtit për kryetar të letrarëve të Gjakovës, pa asnjë mëdyshje, anëtarësia e gjerë e Kuvendit dhe Kryesia e këtij Klubi, dhanë votën e tyre, duke përshëndetur me aklamacion.
Z. Muharrem Kurti, tani e dyzetë vite është pjesëtar aktiv i klubit, kryetar, antar i Kryesisë në shumë mandate, poet e prozator i shquar, njeri me prestigj dhe përkrahje të qytetarëve, profesor i Gjuhës e letërsisë shqipe në Gjakove, është personi më adekuat për ta udhëhequr kulturën letrare të një qyteti, si është Gjakova.
Vlen të ceket se z. Kurti, para ca ditësh, pati dhënë dorëheqje nga Kryesia e Klubit dhe vet Klubi Letrar, si protestë për mos kënaqësinë e asaj amullie që ishte prezent disa vite me radhë. Por Kryesia e Klubit dhe strukturat tjera, duke vlerësuar punën e tërësishme të zotit Kurti, nuk ia aprovuan dorëheqjen e ofruar.
Poeti Muharrem Kurti, është vlerësuar edhe jashtë vendit tonë. Pos që është i përkthyer në disa gjuhë, ai, para dy vitesh, nga Greqia solli dy mirënjohje ndërkombëtare me vlera të jashtëzakonshme, për të cilat është i njoftuar i gjithë opinioni artdashës.
Kryesisë së re të Klubit letrar, “Gjon Nikllë Kazazi” në Gjakovë, i urojmë punë të mbarë dhe suksese të reja, rikthim në dimensionet e famës së mëparshme, sepse është dhe mbetët si porosi e poetëve të mëdhenj të Gjakovës e kombit tonë, që tani më janë në amshim.
Gjakovë, Mars, 2019