E merkure, 16.10.2024, 12:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Shahu: Gjithkush luftën e vet - gjithkush këngën e vet Havzi

E hene, 04.03.2019, 10:45 PM


GJITHKUSH LUFTËN E VET - GJITHKUSH KËNGËN E VET HAVZI

(Biseda e fundit – në vend të kronikës së promovimit të librit tënd Havzi Nela - Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje, organizuar nga Klubi i Poezisë me 22 shkurt 2019, në Akademinë e Shkencave në Tiranë)

NGA REXHEP SHAHU

Promovimi i librit tënd Havzi u bë. U bë shkëlqyer. Me publik elitë, me miq të shumtë, përsonalitete të spikatur. Erdhën shumë shkrimtarë edhe folën, kjo është themelore. Të nderuan, të çmuan, të vlerësuan shkrimtarët. Edhe ty edhe veten e tyre edhe mua.

Ndjehem shumë i nderuar Havzi prej shkrimtarëve që të nderuan ty për herë të pestë.

Një herë kur u vu busti yt, pastaj kur u bë sesioni përkujtimor për ty, pastaj kur u inagurua shtëpia jote në Kollovoz dhe aty tha Sadik Bejko, e bëtë Havzi Nelën me çati, me shtëpi, pastaj kur u promovua në Bar Kafe Luks revista speciale nr. 14 kushtuar ty dhe shkrimtarëve martirë dhe tani së pesti kur u promovua libri yt Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje. Nuk di ndonje rast tjeter qe shkrimtaret kryesore te vendit te kene nderuar ndonje shkrimtar tjeter kaq sa ty Havzi, qe te kene folur kaq shume shkrimtare e kaq mire e me kaq nderim sa per ty per jeten e vepren tende. Jane te gjitha brenda...

Shkurt po të them Havzi se shkoi shumë mirë. Pjesëmarrje e madhe përsonalitetesh, veprimtari dinjitoze. Ishte aktivitet me u marrë më sysh.

Unë e çela aktivitetin. Pa fjalë të mëdha, thjeshtë. Nuk kisha asnjë qëllim kësaj radhe përveçse të falenderoja pjesëmarrësit, të falenderoja shkrimtarët, gjithë të pranishmit, politikanët që erdhën. Doja të falenderoja edhe ata që nuk erdhën, të thoja na lehtësuan, s’na shtinë në borxhe por nuk e artikulova këtë. Falenderova Flamur Hoxhën që financoi botimin e tri librave për ty. Falenderova Bashkim Shehun që të bëri bustin e shtëpinë në Kollovoz.

Pas meje ia dhashë fjalën Izet Durakut si redaktor i librit tënd dhe si mik i imi. Ai foli gjërë për librin tënd, për të panjohurat e librit tënd, për gjërësinë e interesave tua letrare, per dimensionin tend letrar e kombetar.

Pastaj foli poeti Petrit Ruka. Ai si ai di të flasë bukur dhe i mëshoi mirënjohjes asaj që unë kisha dëshirë. Ai është oratori më i shkëlqyer që flet për institucionin e munguar të mirënjohjes Havzi. Ai e falenderoi Flamurin, mua e Izetin.

Pastaj, me fjalë që di ti zgjedhë me kujdes e dashuri për ty, foli Visari qe te ka njohur ne burg. Ai e çmoi librin dhe unë u ndjeva entuziast për këtë. E lavdëroi titullin e librit tënd Shtatë Fletore, titull që e ka zgjedhë Izeti. Si krijimin e botës në shtatë ditë ashtu e konsideroi ai librin tënd Shtatë Fletore...

Shkrimtari Mehmet Elezi mori vemendje maksimale të auditorit me fjalët që tha për ty e librin tënd Havzi. Fjalë të zgjedhura si të shkepme prej një mali graniti. Ai të çmoi të përveçëm për poezitë, disidencën, aktin e ekzekutimit tënd, për qartësinë, për kundërshtinë, për qëndresën, trimërinë, kthjelltësinë, për poezitë shkruar për Kosovën që janë sa gjithë letërsia e Shqipërisë për Kosovën deri kur ke shkruar ti në 1981. Lavdërimet e Mehmetit për Flamurin më emocionuan edhe mua dhe ndërsa ai fliste unë mendoja se pa sponsorizimin e Flamurit nuk do të ishin të botuara realisht këto tri libra që janë tuat e kanë lidhje me ty. Edhe mua e Izetin na falenderoi pasi ai e di se librin tënd nuk e ka përgatitë ndonjë jashtëtoksor por unë.

Pas Mehmetit doli në foltore poeti Sadik Bejko. Ta kam thënë edhe herë të tjera, Sadiku deri sot është treguar me mua më i gatshmi shkrimtar që të bëjmë aktivitetet për ty dhe ia kam artikuluar këtë mirënjohje. Ai foli për librin tënd dhe me pasionin që e karakterizon lexoi një poezi tëndën, një poezi dashurie dhe e ndriçoi më shumë sallën e Akademisë së Shkencave.

Poeti Agron Tufa bashkëpjesëmarrës gjatë këtyre muajve në gjithë veprimtaritë për ty me shkrime, prani e fjalime, foli me fjalë poetike për ty e librin tënd, për kontributin e Flamur Hoxha në mbështetjen e botimeve të rralla e cilësore si librat e tu dhe e quajti atë institucion, pothuaj njejtë siç e pati quajtë Flamurin shkrimtari Zija Cela, deputet të letërsisë, që sponsorizon revisten Illz, revistë letrare e Tiranës.

Studiuesi i njohur i letërsisë Behar Gjoka foli i fundit. Shkurt e qartë, me shpirt, me të njejtën dashuri, përkushtim e nderim për ty siç ka folë edhe në sesionin përkujtimor për ty me 12 qershorin e vitit të kaluar.

Havzi, kishte shumë të tjerë që donin të flisnin. E shihja, e ndjeja dhe ma thanë pasi e mbylla aktivitetin. Por mendoj se mjaft u fol sa për një prezantim libri, sa për një promovim.

Flamuri që nuk pranoi të ulej as në presidium nuk pranoi as të fliste. Nuk donte që as ta lavdëroja unë pasi më thotë gjithmonë të mos e lavdëroj për këto që bën, për sponsorizimin e librave të Havziut, të librave të tjerë por as për sponsorizimin e revistës Illz. Falenderova unë në emër të tij.

Kështu shkoi mirë Havzi. Por ti e di se unë shpesh shoh pikën e zezë te fleta e bardhë.

U dhane kronika nga televizionet. Ora News dhe ABC ishin dashamirese. Por askush nuk tha se kush e botoi këtë libër që nuk e kanë botuar tri dekada, askush nuk tha se kush e financoi këtë libër që nuk e financuan tri dekada. Askush nuk tha se kush merrte pjesë në promovim, kush dominonte në promovim, kush foli e përshëndeti.

Siç nuk i thanë këto gjëra edhe për bustin edhe për shtëpinë tënde se kush i bëri e kush i financoi por edhe për librin si për bust e shtëpi nuk u thanë ato që duhen thënë për korrektësi e etikë.

Gjithë çfarë është bërë sa përmenda më lart gjatë këtyre muajve për Havziun nuk janë meritë e familjes dhe e askujt, por meritat janë të Flamur Hoxhës për librat, të Bashkim Shehut për bustin e shtëpinë, të Ilmi Hoxhës që bëri bustin me fonde të Bashkisë, të Rexhep Shahut që përgatiti librat për Havziun, të Izet Durakut për redaktimin e librave.

Tjetra që u përsëritet Havzi edhe në këtë veprimtaritë për ty.

Ende ndokush mendon, ka guxim e më qorton hapur e fshehtas, privatisht e publikisht se pse në veprimtaritë për ty janë bërë bashkë njerëz që “nuk duhej të bëheshin bashkë”. Janë bërë bashkë ish zyrtarë të kohës së komunizmit dhe njerëz të ndëshkuar në atë kohë, janë bërë bashkë demokratë e socialistë, të përndjekur politikë dhe jo të përndjekur politikë, të burgosur politikë dhe jo të burgosur politikë. Ende ka qortime ndaj meje pse ka ndodhë e ndodhi kështu.

Disa duan që për ty Havzi të mblidhen vetëm të dënuarit dhe askush tjetër, sikur ti je pronë e të dënuarve, sikur je kockë që duhet të lëpijnë ata që e kanë biznes lëpirjen e eshtrave të të dënuarve politikë të vendit.

Unë kam zgjedhë që të bëhën bashkë të gjithë, që të nderohesh nga të gjithë sepse së pari meriton të nderohesh e të njihesh si shkrimtar nga shkrimtarët e vendit, pasi si antikomunist ti nuk merr dorë askund se je kampion, si i dënuar je kampion se nuk ka tjetër të varur në litar nga regjimi komunist si kundërshtar ekstrem dhe i hapur i tij.

Ata që janë të paplotë, inferiorë, hipokritë, gënjeshtarë e mashtrues, që shtiren si të përndjekur politikë, që janë deledash, që thonë jemi të përndjekur politikë dhe kur i pyet ku keni punuar gjatë diktaturës dalin zbuluar pasi kanë qenë kuadro të asaj kohe dhe ato që nuk i donte diktatura nuk i punësonte kuadro por i linte punëtorë krahu kur nuk i fuste në burg, nuk ua njihte as pranonte diplomat, i internonte e çonte larg në fshatra të humbura e nuk i punësonte në vendlindje e në qendra qytetesh e rajonesh.

Kur i pyet kë ke patur në burg politik, të përmendin ndokënd nga fisi i largët i nënës a tezes që ka folë keq për partinë dhe është dënuar për axhitacion për të fshehë ndonjë vepër tjetër penale... dhe nuk e kanë në shtëpi, në prindër përndjekjen, vuajtjen a dënimin.

Pak janë ato të përndjekur realë që kanë vuajtur direkt në familje, që kanë patur prindërit të dënuar ose bijtë të dënuar nga diktatura. Ata që kanë vuajtur direkt në kurriz ndëshkimet e rënda të diktaturës ata janë fisnikë dhe nuk i shtojnë as nuk i zbukurojnë me fjalë vuajtjet dhe fatkeqësitë e tyre të shkaktuara nga regjimi komunist.

Ato që nuk i donte diktatura që ishin me biografi të keqe, rrallë shkolloheshin. Dhe kur ndodhte, ata dërgoheshin në shkolla e degë të papreferuara si bujqësi e miniera, pasi diktatura nuk i kishte shkollat e mira që të shkollonte armiqtë e saj. Edhe kur i shkollonte i degtiste zonave të humbura në rrethe të largëta si dënime me debime e internime të padeklaruara, të pashpallura si të tillë.

Ende ka pra sot njerez që kërkojnë të jemi të ndarë, të jemi dy llogore, të mos pranohemi, të urrehemi, duke synuar vetem një gjë – pushtet, karrige pushteti me çdo çmim.

Nuk e di Havzi, por nje thenie e Frojdit me ka ngjite fort: “Të shumtët e njerëzve në të vërtetë nuk e duan lirinë, sepse liria presupozon marrje përgjegjësie, dhe të shumtët dridhen nga marrja e përgjegjësisë.” Ndoshta eshte nder te vertetat e medha.

Unë nuk kam qenë në burg Havzi. Por unë nuk kam faj pse nuk kam qenë në burg. Ti ke qenë në burg. Por unë nuk kam faj pse ti ke qenë në burg. Unë kam heshtur kur ti ke qenë në burg. Të gjithë kemi heshtur, ani se ka sot “trima” pas beteje e mashtrojnë sikur kanë reaguar pse të kanë varë ty dhe bëhen kështu karikatura kur dihet se edhe ëndrrat kanë qenë të kontrolluara...

Të gjithë kemi besuar se socializmi që jetonim e ndërtonim ishte parajsa dhe vonë disa e kuptuan se ishte ferri e jo parajsa, ishte skëterra. Unë më vonë se të tjerët mbase e kuptova se socializmi ishte ferri e jo parajsa. Ndërsa flas kështu Havzi më kujtohet një thënie lapidare e poetit Preç Zogaj që thotë se po të ishte gjallë Enveri edhe ai do të kërkonte të shkruhej në radhët e të përndjekurve politikë, të shkruhej disident...

Havzi, unë që i bëj bashkë shkrimtarët pa dallime, ata që duan të bëhen bashkë të të nderojnë ty, nuk ndaj grada, nuk caktoj eminenca politike, nuk fshihem pas gardhit me vra askënd, nuk bëj atë hedh gurin e fsheh dorën, nuk e kthej veten as miqtë tri dekada pas, nuk jetoj në socializëm por jetoj ditën e kohën sot në mënyrë të atillë që të mos më vijë kurrë turp nesër mua as fëmijëve të fëmijëve të mi.

I kuptoj edhe ata që më kanë qortuar. Edhe anonimët edhe ata me emra. I kuptoj mirë sepse përgjithësisht njerzit që flasin e më qortojnë sot janë ata fëmijët e dikurshëm të socializmit që janë rritë me këngën “Kam tri nëna o fëmijë / Një në kopësht, një në shpi / Një është nëna parti.../ dhe kjo këngë u jehon ende sot e gjithë ditën. Nuk patën mundësi të shkollohen mirë as në vend as jashtë as të punojnë nëpër Europë ku hapet mendja. Ky brez që është rritë me këtë këngë ka radhën sot të bëjë opinionin...

Kur të burgosurit politikë shqiptarë dolën nga burgjet e diktaturës nuk kapën pushkët kundër atyre që i kishin futë në burg sepse e dinin se i kishte futë në burg një sistem, një politikë dhe përgjithësisht jo individët por institucionet e diktaturës që funksiononin si një Big Brother dhe i shkonte koka kush prishte lojën me vdekje të shoqërisë dhe individëve rrebelë. Kur nuk u kapën pushkët atëhere, si ka mundësi sot të ketë nxitës, ngatërrestarë, ngucës që urrjetja të mbahet e gjallë e ndezur nga individë e shoqata anonimësh e pseudonimësh që antikomunizmin e kanë biznes fitimprurës.

Kanë kaluar 30 vite nga shembja e komunizmit, jo nga zhdukja, më shumë se një brez njerzor ka kaluar dhe ende njerëz jo seriozë rrinë duke sharë me nënë e babë, me motër e vëlla, me listë me rob shpie komunistët. Cili njeri, që dëgjon me veshë e lexon me sy, do t’i pranonte ato sharje kundër komunistëve dhe nuk do të ndjente neveri kur shahet dikush me nënë, me grua, me motër, me vajzë. Ky nivel antikomunistësh të bën me vjellë dhe këto lloj antikomunistësh tërheqin rrufetë e përbuzjes drejt shtresës së të përndjekurve të vërtetë politikë të cilët nuk e kanë mënyrë të mënduari e të sjelluri këtë lloj fushate sharjesh neveritëse, këtë lloj antikomunizmi.

Në veprimtaritë që kemi bërë për ty Havzi që nga 12 qershori 2018 kur u vu busti yt e deri në këtë promovim, ka patur njerëz që nuk jetojnë dot pa luftën e klasave, nuk jetojnë pa urrjejtje dhe mendojnë se janë ndërruar portat, të dënuarit duhet të shkojnë e të punësohen në Komitetin Qëndror të Partisë e të padënuarit duhet të shkojnë në burgje e kampe punë.

Por Havzi që ta dish, ne kemi folë me kohë për këtë gjë, unë kam këmbëngulur që shkrimtarët të jenë bashkë me ne në gjithë veprimtaritë për ty. Të gjithë shkojnë e vijnë në këtë botë por jo shkrimtarët, ata mbeten sot e mot aq sa mbetet libri. Shkrimtarët janë ndërgjegjja e një kombi, ndërgjegjja e njerzimit, gjërat tjera janë si stinët.

Përveç thashethemeve e ngacmimeve që më bëjnë njerez të ndryshëm, ca nga dashuria për mua e për ty, ca nga ligësia për ty e për mua, ajo që më trazoi ishte sërish mungesa e mediave...

Si ti Havzi nuk ka tjetër në Shqipëri e as në botë po dua të them. Je i vetmi i varur nga shkrimtarët, dhe ke botuar libër te rrallë me 5548 vargje, të shkruar në burg deri në vitin 1983, përveç katër poezive që i ke shkruar në internim në Arrën gjatë vitit 1987.

Pra ti je lajm për këtë libër në çdo kohë, nëse do të donin.

Nuk ka më rregulla të arta për lajmin, nuk vlejnë më 5 pyetjet e arta për lajmin.

Gjithë aktivitetet që janë bërë për ty Havzi nga qershori 2018 e deri ky me 22 shkurt 2019 nuk janë pasqyruar korrekt në media. Janë dhënë sikur janë bërë aktivitete familjare, janë anashkaluar ata që i kanë vendosë dhe i kanë bërë këto aktivitete, ata që i kanë financuar këto aktivitete, që i kanë drejtuar.

Ti ta dish, pa punë e madhe për të tjerët e për mediat. Busti yt dhe shtëpia jote janë bërë falë vullnetit e deshirës së mirë të kryetarit të bashkisë Kukës Bashkim Shehu. Po të mos i bënte ai këto dy vepra nuk do të bëheshin siç nuk janë bërë për tri dekada. Nuk bëhën vepra të mëdha me fjalë të mëdha rakie e birre klubeve të katundeve. Ndaj meriton mirënjohje kryetari i bashkisë Kukës Bashkim Shehu.

Tri librat përmendore pavdeksie, revista Illz 14 numër special ku ti je përsonazhi qëndror me Vilson Blloshnim, Genc Lekën e Trifon Xhaxhikën që i ka pushkatuar partia, libri i jashtëzakonshëm, Shkrimtarët për Havzi Nelën - shpirti i lirë i Lumës dhe libri yt Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje, përmendorja që ti ia ke ngritë vetes, janë bërë falë dashamirësisë së humanistit Flamur Hoxha, i cili me gjithë kontributin e madh në botime të zgjedhura, nuk rri duke u mburrë ekraneve si ndonjë biznesmen tjetër që e shet shumë shtrenjtë politikisht bamirësinë duke e përmendë bukën që jep.

I dashur Havzi,

Fjalët tona nuk sosën kurrë, fjalët e mia nuk sosën kurrë. Por do ta mbyllim këtë bisedë se do ta botojmë tashmë librin tonë Bisëdë me Havzi Nelën. Ato gjëra që nuk ti kam thënë dot me fjalë do ti shohësh në fotografi. Ato njerëz për të cilët nuk të kam folë do ti shohësh në fotografi.

Unë nuk caktoj, gradoj apo shpalli miq apo armiq.

Në librin tonë, veç shkrimeve e kronikave të mia për ty, si ky shkrim, do të jenë kronikat bashkë me fotografi nga gjithë aktivitetet që janë bërë për ty, do të jetë udhëtimi i bustit tënd me mua për në Spaç, vendosja e bustit tënd në Kukës, sesioni përkujtimor që bënë shkrimtarët për ty, ndërtimi e inagurimi i shtëpisë tënde, botimi i numrit special 14 të revistës Illz për ty e shkrimtarët martirë, libri i rrallë Shkrimtarët për Havzi Nelën – shpirti i lirë i Lumës, do të jetë veprimtaria e vendosjes së memorialit të kujtesës në Kukës në nderim e kujtim të martirëve të Lumës masakruar nga trupat e ushtrisë serbe në vjeshtë 1913, do të jetë aktiviteti për Trifon Xhaxhikën, në Peshtan të Tepelenës, do të jetë promovimi i nr. 14 të revistës Illz në Kafe Luksi në Tiranë, do të jetë kronika e panairit të librit i nëntorit 2018 kur doli libri yt Shtatë Fletore dhe erdhën shumë shkrimtarë e figura dhe e morën librin tënd në panair, dhe ky promovim i librit tënd Shtatë Fletore, kronikë e zgjeruar me fotografi. Do të jetë një libër besoj mjaft i pasur i dashur Havzi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora