E shtune, 05.10.2024, 12:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Kobellari: Osman Myderrizi, Mësuesi i Popullit

E enjte, 28.02.2019, 08:33 PM


OSMAN MYDERRIZI (1891-1973), - MËSUESI I POPULLIT, VEPRIMTARI ATDHETAR, STUDIUESI I SHKËLQYER …

Nga Dr. Hysen Kobellari

“Osman Myderrizi i përket atij brezi intelektualësh, prej të cilëve koha kërkoi të jepnin në disa fusha të dijes dhe të jetës. Ai ka meritën e pionierit, shkencëtarit të parë që çeli rrugën e gjerë të studimit të Letërsisë shqipe me alfabet arab.”

Prof.Dr. J.Bulo

Fakti kuptimplotë se një shkolle dhe një rruge në Tiranë u është vënë emri i nderuar “Osman Myderrizi”, më bën të besoj se historia dhe ndërgjegjja kombëtare e sociale “mënon (vonon) por nuk harron !”…

Osman Myderrizi renditet me dinjitet në radhët e para, ndër intelektualët më të shquar të vendit tonë; në personalitetin e tij qëndrojnë harmonikisht figura e nderuar e mësuesit të popullit, vendosmëria e veprimtarit atdhetar, tejpashmëria vështrimore e gazetarit me kulturë të gjerë, pasioni dhe këmbëngulja e studiuesit të shkëlqyer të gjuhës, letërsisë e traditave më të vyera të popullit tonë…

Disa radhë për jetën dhe veprimtarinë e O.Myderrizit.

O.Sali Myderrizi u lind në Tiranë, më 1891 në një familje me tradita atdhetare e fetare. Të parët e tij janë marrë me arsimin e kohës, prandaj kishin mbajtur mbiemrin Myderrizi (Yrfi myderriz – mësues, profesor i zakonshëm). Mësimet e para i mori në vendlindje, ku u njoh me elementë fillestarë të gjuhëve shqip, turqisht, arabisht dhe persisht. Të mesmen e kreu në Shkodër, në gjuhën turke, ku u thellua në gjuhësi, teologji dhe shkenca. Mësoi bazat e osmanishtes, gjuhës së vjetër turke me alfabet arab. Duke shkëlqyer në mësime dhe sjellje, djaloshit të zellshëm iu krijua mundësia të shkonte në Stamboll, kryeqendër e Perandorisë Osmane, në Shkollën e Lartë të Studimeve Islame, ku u specializua për pedagogji, histori dhe gjuhësi, duke përvetësuar bazat shkencore dhe metodat më bashkëkohore në këto fusha. Filloi të hedhë në letër shënimet e para të orientalistit të ardhshëm …

Pas kthimit nga Turqia ku studioi për disa vjet, më 1913 hapi në Ndroq, në rrethinat e Tiranës, të parën shkollë të rregullt shqipe në këtë Qark. Më vonë, më 1917, me nismën e Osmanit u krijua Shoqëria Politike Sociale edhe Atdhetare “Dituria” dhe pas disa vitesh, në 1920 ai botoi e drejtoi të parën gazetë në Tiranë “Zani i Ri”; ndërsa më 1923 botoi gazetën “Populli”, organ i Partisë Popullore, si antar i asaj partie që ishte.

Veprimtaria politike e Osman Muderrizit kalon në disa faza, kur më 5 prill 1921 u zgjodh deputet i Tiranës në Këshillin Kombëtar, pas Kongresit të Lushnjës, ku Tirana u caktua për Kryeqytet. Më vonë, më 27 dhjetor 1923 u bë anëtar i Kuvendit Kushtetues, në mes të 100 deputetëve nga i gjithë vendi. Kryengritja e Qeshorit 1924 e gjeti në krahun opozitar dhe pas dështimit të saj dënohet dhe emigron. Amnistia e pas disa viteve e kthen në atdhe, të frikur, të rrezikuar dhe të kërcënuar nga rreziqe të shumta, por të armatosur me më shumë dije dhe kulture.

Më 1928 bëhet nëndrejtor i gazetës “Telegraf” në Tiranë dhe më vonë drejton gazetën “Shekulli i Ri “ në Durrës, ku shkruan e ndreq qindra artikuj, shkrime dhe studime. Punon gjithashtu për dhjetra studime në gjuhësi, letërsi, histori, fjalorë, etj.

Viti 1934 e gjen mësues në Berat, vendbanim i lashtë, ku pat jetuar e shërbyer Nezim Frakulla, nga Berati, shekuj më pare...

Frytet e punës së O.Myderrizit u dukën me botimin e artikullit “Albanopolis- Kryeqendra e Shtetit të Arbërit”, viti 1933

Në vitin 1937 boton të parën histori të shkruar për Tiranën, një liber me 75 faqe, tip guide, “Tirana 1604-1937”, pastaj vjen në Hylli i Dritës, Shkodër 1943 studimi “Emni i Shqipnisë në Kohën e Mesme.”, i cili pasohet nga libri “Fonologjia dhe Morfologjia” e mësuesit, i cili hartoi shqipen e re.

Nga viti 1939 deri në 1943 Osman Myderrizi internohet si antifashist në Arezzo in Tuscany.

Me rendësi të veçantë janë botimet e librave “Fonologjia dhe Morfologjia” si dhe teksti mësimor “Gramatika e Re e Shqipes.”

Më vonë u bë pionier i Studimeve Orientale Shqiptare, zbulues i shkrimeve të Bejtexhinjve (vjershëtorëve), tekstet e vjetra shqipe me alfabet arab, por pas vendosjes së The Atheist Campaign (Fushatës Ateiste), më 1967, punët e tij u nënvleftësuan dhe u shkatërruan nga harresa.

Më 1997, si mësuesi i parë i Tiranës, mori titullin “Mësues i Popullit” dhe më 2000-ën u titullua “Simbol i Qytetit të Tiranës”

Kërkues shkencor me rëndësi kombëtare.

Në fushat e studimeve të gjuhësisë emri i Osman Myderrizit renditej përkrah emrave të njohur A.Xhuvani, E.Çabej, Sh.Demiraj, etj.

Lufta e Dytë e Përbotshme e gjeti Osman Myderrizin në valën e punës kërkimore – shkencore, pasi ishte kthyer nga internimi ku vuajti shumë, por edhe u njoh me gjuhët dhe kulturën bashkëkohore europiane. Fill sapo mbërriti në atdhe hartoi dhe botoi më 1944 “Gramatika e Gjuhës Shqipe” në versionin gegnisht.

Nga viti 1947 deri më 1966, shkencëtari dhe studiuesi i talentuar O.Myderrizi ishte kërkues shkencor në Institutin e Shkencave ( më vonë Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, më vonë pjesë e Akademisë së Shkencave). Më 1954 u krijua një grup pune shkencëtarësh të gjuhësisë për hartimin e një Fjalori të Gjuhës Shqipe bashkëkohore, pjesë e të cilit ishte edhe Osmani, ndërkohë që sapo kishin dalë nga shtypi “Fajlori i vjetër shqip-turqisht” dhe “Fjalori Filologjik”, të cilat i përkasin vitit 1950.

Fusha kryesore e studimeve të tij ishte : Analiza e teksteve të Bejtexhinjve (vjershëtorëve), - grupim i shkrimtarëve shqiptarë me tradita islame. Ai i gjurmoi, kërkoi, gjeti, transliteroi, transkriptoi, analizoi dhe i studioi thellësisht ato.

Drejt zbulimeve të mëdha…

Interesat e gjera shkencore të Osman Myderrizit dhe formimi i tij i plotë si orientalist, e drejtuan dhe orjentuan vetëvetishëm shkencëtarin e zellshëm në një fushë dierrë, shumë pak të lëvruar të kulturës shqiptare : Letërsia shqipe me alfabet arab. Gjuhëtari i shquar kishte përparësinë e zotërimit të mirë të osmanishtes së vjetër, gjuhës turke me alfabet arab. Për të kuptuar dhe studiuar letërsinë e vjetër, filologët janë të detyruar të mësojnë gjuhë të tilla si latinishten, greqishten e vjetër, osmanishten, etj., sepse krijimtaria e asaj kohe është realizuar në ato gjuhë. Në fushën e studimeve shqiptare, studimi i kësaj letërsie e kulture përbëjnë kontributin themelor të këtij shkencëtari, për të cilën ai harxhoi pjesën më të madhe të energjive të tij, me punë të palodhur për të nxjerrë në dritë përpara botës dhe për të studiuar një krijimtari gati të harruar, dorëshkrime të nënvlerësuara e të braktisura, të mbuluara nga pluhuri i kohës nëpër xhami, teqe e tylbe, ku kishte rrezik që ato të humbisnin përgjithmonë, sidomos pas shpërthimit të fushatës famëkeqe të luftës kundër fesë e institucioneve fetare. Kjo letërsi kishte qënë dukuri mbizotëruese e procesit kulturor gjatë shekujve XVII, XIII e në vazhdim dhe njihet si zbulim i Osman Myderrizit.

Pararendës të këtij zbulimi ishin korifenjtë e Rilindjes sonë Kombëtare Naim e Sami Frashëri. Në qershor 1882 ishte Sami Frashëri që u orvat të botonte Bejtexhinjtë, duke përdorur kopje të Divanit të Nezim Farkullës, gjetur nga Abdullah Ferhati, të kopjuar nga dervish Sali Ashiku në Tepelenë, më 1847. Vjershëtorë të shkëlqyer e të vërtetë, i pati quajtur poeti i madh Naim Frashëri, Bejtexhinjtë.

Po ashtu, të dhënat që ka sjellë Hahni e Mejeri dhe më vonë Z.Jubani e J.Vreto për disa shkrimtarë bejtexhinj, janë të gjetura nga burime të tjera dhe shpesh fragmentare, të shkëputura. Kërkimet, zbulimet, analizën dhe studimin e tyre O.Myderrizi i vuri mbi baza të shëndosha shkencore filologjike.

Më 1941 Namik Selmani dhe Filip Fishta botuan veprën përgjithësuese “Shkrimtarë shqiptarë” v.I-rë, ku në kapitullin “Shkrimtarë të vjetër myslimanë” shënuan disa të dhëna për N.Frakullën dhe M.Çamin, duke riprodhuar disa tekste të shkurtra nga krijimtaria e tyre, ndërkohë që nga paralufta “Dituria” e Selanikut, më 1916, e cila doli edhe në Tiranë më 1926, si dhe “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame” botuan disa të dhëna dhe fragmente tekstesh nga Bejtexhinjtë, për meritë të Abdullah Ferhatit…

Afro 20 vite të jetës së tij shkencore O.Myderrizi i shpenzoi me dashuri, përkushtim dhe pasion për gjurmimin, botimin dhe studimin e Letërsisë së vjetër myslimane, të shpërndarë në të gjithë vendin dhe jashtë kufijve tanë shtetërorë, nga jugu në veri : Konispol, Frashër, Kolonjë, Berat, Elbasan, Tiranë, Shkodër, tetovë, Gjakovë, Vuçitërnë, Prishtinë, etj., duke kërkuar jo vetëm në konakët e teqeve, por edhe nëpër arkiva e biblioteka, në kujtesën e hoxhallarëve, dervishëve, shehlerëve dhe njerëzve të tjerë, të cilët mbanin mend vargje nga divanet, mevludet, ilahitë, gazelet, kasidetë, të përhapura nga rrymat e kohëve.

Kjo punë rraskapitëse, plot mund e passion nuk e pati fatin të botohej sistematikishte dhe e plotë.

Fillimisht O.Myderrizi hulumtoi, komentoi, transliteroi dhe transkriptoi variante të Divanit nga N.Frakulla (Berati), pastaj Mevludin e H.Z.Kamberit dhe vjersha të tjera me rëndësi të këtij poeti mjaft kritik për kohën; vargje të S.Naipit, të M.Çamit, poemat “Muftarnameja” dhe “Hadikaja” të Shahin e Dalip Frashërit. Më vonë dolën dorëshkrime të autorëve të panjohur nga gjirokastra, nga H.Ali Ulqinaku u gjend Fjalori shqip-turqisht dhe shumë tekste të tjera në poezi e prozë fetar shqipe. Me mijëra faqe janë dorëshkrimet e përpunuara filologjikisht nga shkencëtari ynë i shquar, të cilat ndodhen të ruajtura në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, fragmente nga veprat e Muçi Zadesë, Zenel Bastarit, Sheh Sulejman Temanit, Ismail Pasha Velabishtit, Sh.Ahmet Elbasanit, Tahir Skënderasit, H.Et’hem Tiranës, Tahir Popovës, Mulla Hysen Dobraçit, M.Sali Patës, Mehmet Margëlliçit, etj., duke përbërë një numur të madh emrash dhe veprash të gjetura dhe komentuara.

Më 1954 O.Myderrizi përfundoi monografinë “Literatura shqipe me alfabet arab”, e cila mbeti dorëshkrim që ruhet në Arkivin e I.H.L. Një pjesë e kapitujve të studimit u botuan në revistat shkencore të kohës, që zgjuan mjaft interes dhe shërbyen si bazë për hartimin e librit të parë të “Historia e Letërsisë Shqipe”, që doli më 1959.

Më pas shkencëtari i shquar përgatiti për shtyp korpusin e veprave më të shquara të shkrimtarëve myslimanë, prej të cilës botoi një pjesë të vogël, për shkak të paragjykimeve të kohës.

Pas O.Myderrizit, ose njëkohësisht me të, të tjerë studiues u morën me studimin e prodhimtarisë letrare të bejtexhinjve, pak prej tyre në Shqipëri, si Hafiz Ibrahim Dalliu, Ibrahim Hasanaj, etj., por më së shumti nga studiues të njohur kosovarë si I.Ajeti, M.Krasniqi, Hajdar Salihu, Muharrem Piraku, etj., të cilët e zgjeruan dukshëm gjeografinë e kësaj prodhimtarie me rendësi historike e kulturore.

U takon studiuesve të rinj dhe shkencëtarëve të së ardhmes ta bëjnë objekt të një shqyrtimi tërësor letërsinë myslimane të shqiptarëve, si një hallkë me rëndësi të procesit letrar, kulturor e social,,si një krijimtari që me lidhjet e saj të brendëshme me kulturat e mëdha të orientit dhe me filozofinë islame, e pasuroi dhe zbukuroi letërsinë dhe kulturën shqiptare në tërësi. Kjo do të ishte një shenjë e shprehjes së nderimit dhe respektit për jetën dhe veprën e Osman Myderrizit, këtij shkencëtari të shkëlqyer e të përkushtuar, të cilit i takon merita e të qënit pionier, rrugëçelës në udhën e gjerë të studimeve në këtë fushë.



(Vota: 45 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora