E premte, 26.04.2024, 01:20 AM (GMT+1)

Speciale

Lumnije Kadriu: Kontributi etnolinguistik i prof. Eqrem Çabejt

E hene, 22.09.2008, 08:59 PM


Eqrem Çabej
Kontributi etnolinguistik i prof. Eqrem Çabejt

Nga Lumnije Kadriu

Duke marrë parasysh se etnologjia është shkencë, e cila merret, në mënyrë më të përgjithësuar, me studimin e kulturës së popujve, pra për objekt ka njeriun dhe unieversumin e tij, atëherë është i kuptueshëm dhe madje shumë i arsyeshëm gërshetimi i interesave, i aplikimit të metodave dhe i mënyrës së trajtimit të këtyre objekteve mes shkencave të ndryshme shoqërore. Kur është fjala për etnologjinë janë të theksuara këto gërshetime (natyrisht, duke ndikuar këtu shumë, në periudhat e ndryshme kohore, me të cilat karakerizohen rrymat e ndryshme në metodologji të punës), me historinë, me gjeografinë, me sociologjinë dhe gjuhësinë e përgjithshme apo linguistikën, etj. Me rastin e sotëm kushtuar studiuesit tonë të shquar Prof. E. Çabej, shtrohet si imperativ theksimi i gërshetimeve ndërmjet etnolojisë dhe gjuhësisë së përgjithshme, dhe nëse nisemi sipas kon­statimit se: “asnjë studim, dhe asnjë njohje nuk mund të kup­to­het jasht kulturës dhe kohës në të cilën janë paraqitur, sepse ja­në gjithmonë pjesë ose shprehje e kulturës dhe e kohës“[1], atë­herë vlen të theksohet kur u shpreh së pari nevoja pë ba­sh­kë­punim mes këtyre dy drejtimeve. Në linguistikën amerikane, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, hulumtuesit ame­ri­ka­në të gjuhës, e në radhë të parë studiuesi Franz Boas, vërejtën se gjuhët e indianëve të Amerikës duhet studiuar me një metodë spe­cifike dhe krejt tjetër nga ajo tradicionalja si për arsye se në ato gjuhë nuk ekziston dëshmi të shkruara për stadet e tyre të më­hershme,ashtu edhe pse struktura e tyre e brendshme ndry­shon qenësisht prej atyre indoeuropiane.[2] Si rrjedhim i kësaj vë­rejtjeje lind mësimi të cilin të cilin disa e quajnë edhe et­no­lin­gui­stikë që e plasoi nxënësi i Boasit, Eduard Sapir. Ky men­don­te se gjuhën duhet shpjeguar në korniza të univerzumit të plotë nje­rëzor dhe sidomos të determinantëve kulturorë të ndonjë ci­vi­li­zimi.[3] Këtë teori e mbështet edhe bashkëpunëtori i tij Be­nja­min Lee Whorf i cili e plasoi hipotezën e quajtur Hipoteza Sa­pir-Whorf që thotë se gjuha qenësisht e përcakton botën e nje­riut,kështu që univerzumi i njohur është i strukturuar sikurse gju­ha me anë të të cilit ai njihet, pra ndryshe nga njëra gjuhë në tjetrën[4]. Pa analizuar më tej saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre hi­po­tezave dhe atyre, të cilat i kundërshtuan këto, mund të kon­klu­dojmë se në shkollën amerikane të gjuhësisë, u shpreh nevoja dhe domosdoshmëria për gërshetimin e këtyre dy drejtimeve, pra edhe e aplikimit të metodave të ndërsjellta në hulumtimin e kul­turave të ndryshme, me qëllim të kuptimit sa më të saktë të po­pujve të ndryshëm. Pikëpamje të ngjashme, por megjithatë tjera kishte edhe linguistika etnografike apo kontekstuale an­gle­ze, përfaqësues kryesor të së cilës ishin antropologu Bronislav Ma­linovski dhe linguisti John Firth, të hulumtuan ndikimin e kon­tekstit civilizues në gjuhë[5]. Hap shumë të rëndësishëm në gër­shetimin e aplikimit të metodave bëri antropologu i njohur fra­ncez Claude Levi-Strauss, i cili shfrytëzoi strukturalizimin e zbu­luar nga linguistët në hulumtimet e mëtejshme të tij ant­ro­po­lo­gjike, duke e përdorur atë sidomos në studimin e miteve, por edhe në lëmi të tjera si p.sh. në analizimin e marrëdhënieve gji­no­re (fisnore). Pra, siç shihet, kjo metodë hulumtuese ishte mjaft e popullarizuar edhe në Evropë, kështu që një teori të ngjashme e përpunoi edhe R. Mesinger dhe e quajti “Fjalët dhe sendet”[6] për­krahës të së cilës ishin edhe Norbert Jokli dhe nxënësi i tij Eq­rem Çabej[7]. Prof. Eqrem Çabej mund të radhitet në mesin e studiuesve të një orientimi etnolinguistik dhe këtë e dëshmojnë shumë fakte. Madje një qëndrim i tillë shprehet qartë edhe në shkrimet e tij, kur flet për çështjen e përcaktimit të karakterit të kulturës thotë: ”etnografia është e caktuar të thotë fjalën e vet në këtë çështje, por në anën tjetër është dëshmia autoritative e gjuhës,si një element vendimtar në përcaktimin e një kulture[8]. Dëshmi se në përcaktimin e veçorive kulturore etnike Çabej shërbehet me metodologji të punës së linguistikës, është edhe fakti se ai fjalët, pra edhe dukuritë kulturore që nënkuptojnë ato fjalë, i vështron në sinkroni dhe në diakroni, por edhe në raport krahasues me elementet ekzistuese te popujt dhe gjuhët e tjera, pra marrëdhëniet reciproke që mund të kushtëzonin njëra-tjetrën, për të arritur në këtë mënyrë të paraqesë strukturën e kulturës sonë në përgjithësi.Në mesin e punimeve të shumta të Eqrem Çabejt, janë të shumta ato që ndihmojnë në mënyrë të mirëfilltë dhe domethënëse shkencën e etnologjisë,siç janë punimet: “Disa eufemizma të shqipes “, “Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës e të emrave të vendeve “, “Disa figura të besimeve popullore shqiptare “, “Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrim gjuhësor “ si dhe “Zakone dhe doke të shqiptarëve “.Por,mund të themi se përveç këtu, edhe një numër shumë më të madh punimesh e trajtesash gjejmë elemente që ndriçojnë edhe fenomene të ndryshme kulturore, siç është psh. sqarimi i fjalëve të ndryshme në fjalorin etimologjik, me ç’rast gjatë një analize të një fjale zbulohen shtresime të ndryshme kulturore apo qoftë ndoshta edhe vetëm një evolucion kulturor përbrenda një fenomeni dhe një emërtimi. Me këtë rast do të veçoja disa prej punimeve të Eqrem Çabejt, të cilat bëjnë pjesë në mesin e atyre punimeve që i kontribuojnë interdisiplinës së quajtur etnolinguistikë. Të fillojmë nga punimi “Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrim gjuhësor“. Është ky një punim i mirëfilltë etnolinguistik meqë, me anë të analizimeve që i bën fjalëve të veçanta me të cilat emërohen dukuri të ndryshme kulturore si nga fusha shoqërore ashtu edhe nga ato materiale e shpirtërore, me anë të krahasimeve të atyre fjalëve edhe me gjuhë të tjera ballkanike, duke arritur deri te një shpjegim etimologjik, e madje edhe semantik të tyre (siç është psh. rasti me shpjegimin që i bën ai fjalës së përgjithshme të banimit, banoj, banim, banesë, banorë, të cilin e sheh si formim të ri prej popullores ban kasolle, stanarësh, të bana shm. ndërtesa si dhe fjalëve këpucë, tirq etj.), vërteton elementet e mirëfillta, elementet autentike shqiptare, me çka dëshmohet veçantia e kulturës shqiptare dhe përcaktohet vlera e saj në mesin e kulturave të tjera fqinje apo edhe më të largëta. Një gjë të tillë ai e realizon duke e përcaktuar fillimisht vendin,në të cilin u formua ky popull, duke marrë parasysh rrjedhat historike e kulturore qysh nga koha antike e deri te koha e Perandorisë Osmane, pra duke pasë konsideratë për ndikimiet kulturore të ndërsjellta të popullit shqiptar me popujt e tjerë,të cilët i kontaktuan gjatë shekujve. Në shqyrtimet e përcaktimit të karakterit të kulturës shqiptare, Çabej thekson nevojën e bashkëpunimit ndërmjet disiplinave të ndryshme me qëllim të vlersimeve sa më të drejta dhe të sakta, duke mbështetur njëra tjetrën, por duke ruajtur gjithsecila autonominë e vet. Në këtë punim vlera e Çabejt si etnolinguist më së miri shihet në shqyrtimin e zhvillimit të kulturës popullore shqiptare, nëpër proceset e brendshme dhe të jashtme. Duke analizuar raportin mes elementit trashëgim e elementit huazim dhe bashkëveprimit të tyre, Çabej plason tezën se me depërtimin e një huazimi në gjuhë, nuk don të thotë se kemi edhe depërtimin e sendit ose konceptit përkatës në fushën e kulturës materiale ose mendore. Si shembull për këtë mund të shërbej shpjegimi i fjalëve gjyq e gjykoj, të cilat janë huazuar prej latinishtes iudicum e iudicare, por, ndërkaq fjalët gjykim, gjykatë, gjykatës dhe gjyqtar janë formimetë brnedshme të gjuhës me pikënisje nga gjyq e gjykoj. Në këtë punim, autori u kushton rëndësi fjalëve të lashta me origjinë shqipe, për të dëshmuar autenticitetin kulturor shqiptar, por edhe aktivitetin ndikues të kulturës sonë në kultura fqinje. Këtë autencitet kultuor ai e vërteton edhe me analizën e emrave të banimeve nga aspekti semantik, gjuhësor dhe social, siç janë për shembull emrat Gardhiq, Zgërdhesh, Fikas, Misras apo Kudhës, Lëkurës, Lopës, etj. pastaj Markat, Vugalat, Bularat, Vuthajt, Bogajt, ku theksohet shumësi. Gjithashtu, me anë të fja­lë­ve me origjinë shqipe jepen dëshmi jo vetëm të autenticitetit, por edhe të ndikimit në gjuhë dhe kulturë të popujve tjerë të Ba­ll­kanit, siç është rasti me fjalët katund, çiflik, vatra etj., nga kul­tura e banimit, pastaj bathë, bishtajë, thjerr, përshesh, bacarak, etj., nga kultura e ushqimit si dhe shark, bërruc, flokata, fustan, etj., nga kultura e veshjes. Dihet se marrja me blegtori e popullit tonë u shërbeu disa qarqeve shkencore, për ta karakterizuar kulturën tonë si nomade apo edhe të ardhur nga troje të largëta, por edhe me këtë rast, Çabej suksesshëm dhe bindshëm, duke argumentuar me fakte, si me anë të pranisë së fjalëve shqipe për emërtimin e kafshëve,ngjyrave e mjeteve që shërbehen në një kul­turë blegtorale,ashtu edhe me anë të fjalëve të huazuara nga gre­qishtja për të emërtuar bimët dhe kulturat e tjera bujqësore, si dhe me anë të objekteve të gjetura antike dhe të dhënave his­to­ri­ke me shkrim qysh nga ajo kohë,Çabej i vë kapak supozimeve li­dhur me origjinën, karakterin dhe autenticitetin e kulturës shqi­p­tare. Si punim të rëndësishëm, ta quajmë etnolinguistik, mund të numërojmë edhe “Disa eufemizma të shqipes”, ku gjatë stu­di­mit të fjalëve, që ai i quan “pjesë të të folurit figurativ”[9] pra­k­ti­kisht studion edhe një element të rëndësishëm etnopsikologjik, pra atë të tabuve, të cilat janë prezente pothuai në të gjitha kul­tu­rat dhe janë të lidhura me sfera të ndryshme të jetës. Kështu ai, du­ke theksuar aspektin etnologjik të eufemizmave dhe lidhjen e ty­re me tabu, duke bërë krahasime me të njëjtat prani edhe të gju­hët dhe kulturat e tjera ballkanike dhe jashtballkanike, shqy­r­ton ato që kanë të bëjnë me botën e kafshëve dhe insekteve. Gja­të të dhënave që i jep për eufemizmat, të cilat ekzistojnë në gju­hën tonë por edhe në shumë gjuhë të tjera evropiane, për kaf­shën Nusja e lalës, thua se arrin të bëjë një komparacion in­doev­ro­pian me ç’rast të themi rekonstruktohet një relikt i mendësisë së përbashkët inddoevropiane.

Në vazhdim, në po të njëjtën mënyrë, trajtohen eufe­miz­mat nga lëmi i demonologjisë si dhe e sëmundjeve, kurse si eufe­mizma karakteristikë shqiptare në të cilat zbulohet uni­ver­su­mi specifik i tyre, trajtohen ato eufemizma, që paraqiten, siç shpre­het ai, në punë të vogla të jetës së përditshme (psh. procesi i të shuarit), për vezët, për lypset (dukuri sociale), për krypën si dhe eufemizmat nga sfera seksuale.

Si punim tjetër me rëndësi etnolinguistike mund të veçojmë njësinë – “Rum. Craciun “Kërshëndella”, në të cilin, siç shihet edhe nga vet titulli, analizohet prejardhja e fjalës rumunecraciun që do të thotë “kërshëndella”. Analizën e bën me metodën e tij tash të njohur, e cila thotë se historia e fjalëve dhe gjurmimi i sendeve ndriçojnë njëra tjetrën[10]. Në këtë mënyrë Çabej, duke i bërë një analizë të hollësishme ritit të buzmit në natën e kërshëndellave, i cili në fakt paraqet një vazhdimësi të një riti të lashtë pagan i lidhu me focën e pjellorisë, begatisë e mirëqenies së familjes, përfundon se te shumë popuj rezultoi emërtimi i kësaj nate me emrin e buzmit apo kërcurit, meqë gjatë kësaj nate rëndësia e këtij kërcuri ishte qëndrore. Kështu, Çabej në fjalën rumune craciun gjen refleksin e kërcurit të shqipes dhe në seara craciunului të “nata e kërshëndellave”, e cilat në thelb është “nata e kërcunit” që është shprehje e cila i përgjigjet shprehjes “nata e buzmit” të shqipes.[11]

Më parë supozohej se fjala rumune craciun, kishte pejardhjen prej latinishtes apo edhe prej gjuhëve sllave, por Çabej suksesshëm argumenton të kundërtën. Me anë të analizës gjuhësore që i bën formave të kësaj fjale në gjuhën shqipe dhe atë rumune, duke u munduar që më fakte të argumentojë zhvillimin e saj në shprehje të caktuar, po duke analizuar edhe mënyrën e bartjes së kuptimit të saj prej një sendi në një kremte, duke u bazuar në forma të pranishme të kësaj fjale edhe në dialektet e ndryshme të rumunishtes, ai vjen në përfundim se huazimi është bërë ne një kohë mjaft të lashtë, në periudhën e rumunishtes së përbashkët. Ai madje shkon edhe me tej në argumentimin e faktit se prej gjuhës rumune, këtë fjalë e huazuan pastaj sllavët (rusët, sllovakët, çekët) dhe këtë fakt e shpjegon jo vetëm në bazë të ligjeve gramatikore e fonetike të këtyre gjuhëve, por edhe në baza semantike.

Këto ishin vetëm disa prej punimevetë Eqrem Çabejt të cilat i kontribuan etnolinguistikës, po duhet gjithsesi të theksohet se radha e punimeve dhe trajtesave të Çabejt të cilat mund të konsiderohen si konribut etnolinguistikë

Është mjaft gjatë dhe një kontribut të tillë mund të zbulojnë, siç kemi theksuar edhe më lartë, madje edhe në vetë fjalorin e tij të mirënjohjur etimologjik, ku gjatë ndriçimit të historisë së fjalës, ndriçohen edhe elementet kulturore, stadet e ndyshme kulturore dhe raportet e ndryshme ndërkulturore.

Kështu, si të tilla mund të numërohen edhe punimet “Kontribut i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike”.”Disa izoglosa kelto-shqiptare”, “Mbi disa elemente ballkanike të lashta në Italinë Jugore e në Sicili”, “Ilirishtja e shqipja” e shumë, shumë të tjera.

Mund të themi se kontributi i Çabejt si etnolinguist është shumë i madh, i rëndësishëm dhe i çmuar për kulturën tonë, e madje për fat të keq, deri më tash i papërsëritshëm.



[1] Eduard Kale: “Uvod u znanost o kulturi”,SK,Zagreb 1977, f.23.

[2] Dubravsko Skiljan:” Kraj Lingvistike”,Zagreb 1991,f.56-57

[3] D.Skiljan:”Pogled u Lingvistiku”, SK Zagreb 1987, f. 75.

 

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Mark Tirta: Franc Nopça- studiues i mirënjohur i etnokulturës shqiptare, Kultura Popullore 1-2,1993,Tiranë, f.155.

[7] E. Çabej, Studime Gjuhësore I, Parathënie f. VIII.

8. E. Çabej. Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrim gjuhësor,Studime Gjuhësore?,f. 3.

[8] E. Çabej. Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrim gjuhësor,Studime Gjuhësore?,f. 3

 

[9] E. Çabej. Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrim gjuhësor, Studime Gjuhësore?, f. 3

 

[10] E. ]abej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976.

[11] E. ]abej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora