E shtune, 27.04.2024, 01:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahtijar Kryeziu: Krizë e standardit të shqipes apo krizë e mendësisë sonë

E marte, 26.08.2008, 07:58 PM


KRIZË E STANDARDIT TË SHQIPES  APO  KRIZË E MENDËSISË SONË

 

Nga Dr. Bahtijar Kryeziu*

 

 

Nuk është hera e parë që thuhet se gjuha letrare ose gjuha standarde, siç cilësohet më fort sot, është një madhështi kulturore që formohet në një etapë të caktuar të zhvillimit politik e shoqëror të një kombi dhe u shërben kërkesave të komunikimit të asaj bashkësie, duke u bërë edhe shprehëse e njësisë kombëtare[1], treguese e identitetit e gjallërisë së atij kombi, baza mbi të cilën ngrihet dhe përcillet kultura dhe përvoja e tij. 

Megjithëkëtë sot, gjuha shqipe si njëra ndër më të vjetrat e më të mëdhatë të kontinentit, të cilën Kadare e rendit madje ndër 10-12 gjuhët më të rëndësishme të rruzullit, vazhdon të jetë një gjuhë mjaft e nënvleftësuar, e shpërfillur dhe e vënë në dyshim nga një pjesë e intelektualëve tanë, si në Kosovë, ashtu, në qoftë se jo edhe më tepër në Republikën e Shqipërisë dhe shtizat ka kohë që kanë filluar të thyhen, sidomos kur është fjala për jetësimin e standardit të saj, i cili për një palë (për fat të mirë jo me numër të madh njerëzish) është një punë e shëmtuar dhe e dështuar, kurse për palën tjetër e arritura më e madhe në arsimin dhe kulturën shqiptare, por që kërkon plotësime, krahas ecjes dhe zhvillimit edhe të vetë kombit shqiptar.  

 

Ku qëndrojnë “argumentet” e nihilistëve ndaj këtij standardi?

 

Shembja “e murit gjuhësor të Berlinit” më 1968, përkatësisht më 1972 dhe dëshmia e ditëve dramatike të pranverës së 1999-ës, pa hyrë më thellë në histori, i treguan botës se shqiptarët janë një komb, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me një aspiratë kombëtare, por këtë sikur nuk e kuptuan ose nuk duan ta kuptojnë të gjithë shqiptarët, sidomos atë segment që ka të bëjë me gjuhën, njësimin e saj – me shqipen standarde. Ata të cilët për çdo ditë e më shumë po e kontestojnë dhe mohojnë qëndrueshmërinë dhe përdorimin e këtij standardit (të 1972-shes), duke pritur ditën se diçka do të ndodhë me këtë standard, mbështeten në këto “argumente”, për ne kundërshkencore dhe kundërfilologjike:

 

-          se Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ishte një vendim politik, në të cilin shkenca gjuhësore dhe kriteret e saj të përcaktimit të gjuhës letrare kombëtare i nënshtroheshin vullnetit “sipëror” të Partisë e të drejtuesit të saj;

-          se kjo ishte një iniciativë e një dore pleqsh komunistë, të cilët kanë pësuar një teptisje iracionale atavizmash enverianë, dhe në vend se të ballafaqohen me fuqinë e argumentit kundër tërë atyre që e kontestojnë Standardin e vitit 1972, kërkojnë të kapen për ‘alltia’ pushtetare;

-          se gjuhëtarët shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte shkencëtarë të rrafshit evropian si Çabej apo Domi, kishin gojën të “qepur” nga mundësia e përfundimit në qeli apo në varr, ndërkaq gjuhëtarët kosovarë nuk patën kurajën të kundërshtonin vendimin e Tiranës zyrtare e jo shkencore, për të mos ia imponuar me forcë shqiptarëve e kulturës së tyre të folurit e më pak se një të tretës së tyre;

-          se  burri më “i madh" i atij Kongresi i cili edhe ishte ideatori kryesor për njësimin e gjuhës shqipe ka qenë Androkli Kostallari që nga vetë emri kuptohet lehtë se sa shqiptar ishte;

-          se po u mor vetëm një dialekt për bazë të gjuhës letrare, atëherë folësit e atij dialekti e marrin epitetin dhe ndjenjën e njëfarë superioriteti si “bartës të normës” dhe pastaj gjithmonë kanë përparësi në luftën për pushtet, për pozita, për punë, për prestigj shoqëror dhe se këtë mendim të Haugenit, ata që kanë vendosur, nuk e kanë pasur parasysh në vitin 1972;

-          se gjuha letrare krahasohet me një pilaf të piperosur ku pilafi është toskërishtja dhe piperi është gegërishtja (Prof. Arshi Pipa);

-          se gegërishtja ka qenë e ndaluar dhe përdorimi i saj në media ishte dhe është tabu;

-          se edhe 35 vjet pas vendosjes së standardit dhe propagandimit të gjithanshëm të tij, një pjesë e mirë e shqiptarëve të Shqipërisë dhe thuaja të gjithë ata të Kosovës vazhdojnë të flasin ndryshe, prandaj ky standard, sipas tyre, edhe duhet  shembur siç është shembur edhe vetë diktatura!  etj., etj.

 

Ku mbështeten përkrahësit e këtij standardi?

 

         Ndërkaq shumica e inteligjencies sonë, institucionet arsimore e shkencore, si dhe ato shtetërore, kanë një pikëpamje dhe qasje tjetër ndaj letrarishtes dhe standardit të saj, duke u mbështetur, natyrisht, në fakte të tjera:

 

-se sot zhvillimi i hapësirës shqiptare në Ballkan karakterizohet nga dendësimi i lidhjeve e i marrëdhënieve të gjithanshme, pra nga konvergjenca, ashtu siç është edhe prirja e zhvillimit të gjuhës konvergjente – synim drejt së përbashkëtës duke lënë mënjanë tiparet e ngushta krahinore;

-se përpunimi dhe kodifikimi i shqipes letrare ka nisur shumë më herët se të mbinë komunizmi dhe nuk është punë e një a disa personave, por rezultat i punës së kryer nga disa breza intelektualësh, duke nisur me rilindësit tanë të shquar, si Kristoforidhi, Naimi, Samiu e duke vazhduar me Konicën, Nolin e të tjerë;

-se në Kongresin e 1972-shes, ku kishte përfaqësues jo vetëm nga Republika e Shqipërisë, por dhe nga viset shqiptare të ish- federatës jugosllave si dhe nga arbëreshët e Italisë, u vendos që të gjithë shqiptarët ta përdorin një gjuhë letrare të vetme dhe pikërisht atë që kemi sot në përdorim;

-se në parapërgatitjen e Kongresit kanë marrë pjesë edhe institucionet shkencore jashtë Shqipërisë,    p.sh. "Konsulta e Prishtinës" e vitit 1968, pra katër vjet para marrjes së vendimit definitiv për standardizimit e gjuhës;

-se edhe dialekti verior mund të kishte shërbyer si bazë për shqipen letrare të përbashkët, natyrisht duke iu nënshtruar një procesi standardizimi që me siguri do të kërkonte më shumë punë për shkak të dallimeve midis të folmeve të ndryshme të atij dialekti, sidomos në rrafshin fonetik, krahasuar me dialektin jugor;

-se në këto rrethana mendimi i shprehur nga disa intelektualë për t'u kthyer prapa tek gjendja e dikurshme e dy varianteve letrare të gjuhës shqipe është i papërligjur dhe për më tepër do të ngjallte frymën e përçarjes në një kohë kur kombi shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim dhe se kërkesa për ribërjen e standardit nuk është gjë tjetër veçse mëtim për çstandardizim, e  çstandardizimi është rruga më e shkurtër për veçim kombëtar;

-se tek e fundit, kjo gjuhë letrare e përbashkët nuk duhet marrë si diçka e bërë një herë e përgjithmonë. Diskutimet për standardin bëhen pareshtur edhe në vende të tjera, për gjuhë të mëdha e me traditë të gjatë standardizimi, si anglishtja, gjermanishtja etj., por që nuk kërkohen baza të reja dialektore;

 

Në vend të rrënimit a paprekshmërisë – pasurimi dhe avancimi i standardit të gjuhës

 

Për sot nuk mund të thuhet se standardi gjuhësor po respektohet e përdoret në shkallë të kënaqshme nga të gjithë dhe në të gjitha trojet shqiptare, ashtu si do të dëshironim të përdoret. Madje në ligjërimin e folur variantet dialektore, me pak përjashtime, janë mjeti dhe forma e vetme e komunikimit (siç ndodh thuaja edhe në të gjitha gjuhët e botës), por në ligjërimin e shkruar të arriturat janë të pamohueshme. Me këtë standard sot botohen me mija e mija kopje gazetash, revistash, librash, që nga institucionet parashkollore e deri tek akademitë e shkencave; mësojnë me mija e mija nxënës, studentë; flasin e shkruajnë punëtorët e administratës e punëtorë të veprimtarive të tjera. Në këtë gjuhë emitohen lajme nga shumë qendra informative, në të katër anët e botës, ku sot shqiptarët jetojnë e punojnë. Këtë e dinë mirë të gjithë: si ithtarët e optimistët më të mëdhenj të standardit të gjuhës sonë, ashtu edhe nihilistët më të zëshëm të tij.

Shqipja e sotme standarde, siç shprehet prof. Emil Lafe, është autostrada e zhvillimit kulturor të shqiptarëve, e afrimit dhe e bashkimit të mëtejshëm të vlerave të tyre. Sot është koha e autostradave, jo e rrugëve të ngushta e me kthesa! Këtë autostradë të gjuhës duhet ta ndërtojnë shpejt e mirë mësuesit e gjuhës e të letërsisë. Ne gjuhëtarët kemi bërë si të thuash projektin; lëndën e ndërtimit e ka vetë gjuha shqipe, nga veriu në jug. Për dallimet që vihen re sot në të folur “ndërmjet grupeve”, shprehet më tej profesor E. Lafe, nuk është faji i normës, se një normë në fund të fundit do të ketë. E cila qenka ajo normë që do të zvogëlonte dallimet “ndërmjet grupeve”? Gjithmonë dallimet ndërmjet grupeve zvogëlohen kur grupet kulturohen dhe shkollohen, pra kur përhapet gjerësisht kultura dhe arsimi[2]. Andaj, duke pasur parasysh mendimin e çmuar e të drejtë edhe të profesorit Lafe, ata të cilët propozojnë ndryshimin rrënjësor të këtij standardi ose dy gjuhë, ne do t’i pyetnim: a do të rishkollohen edhe një herë të gjitha ato kuadro që për 35 vjet kanë përdorur këtë standard? A do të ftohen në seminare e kurse për të mësuar një gjuhë letrare tjetër edhe ato kuadro të huaja që sot punojnë nëpër katedra e lektorate të gjuhës shqipe anembanë botës? A do të ndryshohen me mija e mija tekste shkollore e literaturë tjetër profesionale e shkencore? Dhe jo vetëm kaq. Atyre të cilët e shohin dështimin e jetësimit të standardit të shqipes dhe kërkojnë kthim prapa apo një variantizim a viktimizim të shqipes letrare, duke u mbështetur në “argumentet” e përmendura më sipër dhe duke pasur si alibi moszotërimin dhe moszbatimin e letrarishtes në shkallë të duhur për këto vite, duhet shtruar së paku edhe këto pyetje: Sa prindërit tanë interesohen që ata vet e pastaj edhe fëmijët e tyre ta përvetësojnë e përdorin standardin gjuhësor të letrarishtes? Sa është duke e luajtur rolin e saj shkolla në mësimin dhe përvetësimin e gjuhës? Sa mësimdhënësit në shkollë (përveç atyre të gjuhës) e zbatojnë normën letrare? Në ç’ masë gjuha është e përfaqësuar me orë mësimi në shkallë të ndryshme të arsimit tonë? Ç’ tregon shembulli, bie fjala, i Fakultetit të Shkencave Natyrore në Prishtinë, e ky s’është i vetmi rast, që në 5 degët arsimore: biologji, matematikë, gjeografi, kimi, fizikë, të mos ketë asnjë orë gjuhe, as kulturë gjuhe e as shkrim akademik për studentë, sikur ato kuadro të përgatiten për punë në laboratorë e jo për punë me nxënës? Sa nxënës ndjekin ndonjë kurs të gjuhës shqipe (krahasuar me ata të cilët vazhdojnë kurset e gjuhëve të huaja)? Sa dhe çfarë emisionesh shkollore radio-televizive kemi për mësimin e shqipes? Çfarë gjuhe përdoret në emisionet e ndryshme zbavitëse televizive, të cilat edhe më së shumti i ndjekin fëmijët? A mund të edukohen fëmijët (në aspektin gjuhësor) duke shikuar e dëgjuar emisione alla-kullerçe, të cilat emisione edhe i kemi më të shpeshtat në ekranet televizive? Ç’ standard gjuhe përdorin televizionet tona në spotet e tyre? Ç’standard gjuhe ndeshim në mbishkrimet e tabelave të dyqaneve, të rrugëve e të shesheve tona? Ç’disiplinë kemi ndaj gjuhës si shoqëri? Cilat janë përgjegjësitë dhe sanksionet për shkelësit dhe shpërdoruesit e standardit gjuhësor në jetën publike? etj., etj.

 

Probleme standardologjike që duhen diskutuar

 

Pavarësisht nga përgjigjet pozitive apo negative që do të jepeshin, ne duhet të gjejmë rrugët tona për të ecur përpara, si në të gjitha fushat e tjera të jetës, ashtu edhe në atë të gjuhësisë.

Nëse është vlerësim i pranuar se gjuha nuk është një proces i përfunduar (një ergon), por (një energeia), strukturë e hapur në kuptimin modern të konceptit të Humboldit, duke nënkuptuar me këtë punën që duhet bërë në vazhdimësi në fushën e planifikimit gjuhësor, me zbatimin e një strategjie të re, e cila do të marrë parasysh të gjithë faktorët e rinj gjuhësorë e shoqërorë, ndihmues e pengues, gjithnjë me qëllim të përpunimit e të përparimit të saj e jo të veprimit sipas mendimit të disave: rrëno e ndërto, si në legjendën e Rozafës, edhe ne mendojmë se disa çështje, duhet të kihen parasysh me rastin e ndërhyrjes në këtë standard, qoftë nga Këshilli Ndërakademik (i krijuar në Tiranë, më 27 tetor 2004, nga 15 anëtarët e tij: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj.)[3], qoftë nga institucionet e tjera kombëtare shkencore. Madje edhe botimet e ndryshme për standardin gjuhësor nga ekspertë të kësaj fushe*, intervistat dhe opinionet e tyre, tryezat shkencore, konferencat, simpoziumet, seminaret, si ai  për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po i zhvillon punimet e tij në Prishtinë për më shumë se një çerek shekulli, ai  që u mbajt vitin e kaluar në Tetovë – Ohër (17.9.-23.9.2007), si dhe sa e sa tubime të tjera të mbajtura në Shqipëri, janë shans i mirë për të ndihmuar në ngritjen e këtij standardi, në avancimin e tij. Pra, sipas nesh, standardi ka nevojë të pasurohet e plotësohet në vazhdimësi. Kështu ka ndodhur dikur e kështu ndodh edhe sot me gjuhët e popujve edhe më të përparuar të botës, si te gjermanët, te grekët, te italianët etj.  Çabej nuk e ka thënë më kot se “Një popull, siç ndërron në rrymë të kohëve..., zhvillon dhe pasuron edhe gjuhën që flet”. Fundja, edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ka porositur që “duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr politika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura”[4], duke vazhduar më tutje me konstatimin se: “studiuesit e shqipes standarde do të kenë për detyrë që të përcaktojnë prirjet e zhvillimit në ndërthurje të varieteteve të gjuhës së folur mbi bazën e gjuhës së shkruar unike dhe të mundësojnë që të përfshihen në normë ato elemente që ndihmojnë që gjuha standarde të fitojë gjithnjë në spontanitet e t’i pasurojë mundësitë e saj shprehëse”[5]. Në kontekst të kësaj, pikërisht, edhe ne në këtë shkrim të shkurtër po shprehim disa nga opinionet tona rreth këtij problemi shumë të rëndësishëm, jo vetëm për sot.

Një çështje e shtruar dhe e diskutuar kaherë, jo vetëm në rrethe joformale të ngushta ekspertësh, është ajo e përdorimit të l-së në vend të ll-së te disa emra sllavë në gjuhën shqipe. Ç’është e vërteta, në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe thuhet: “Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse...[6], por te shënimi nr.1, kur bëhet fjalë për emrat e përveçëm të gjuhëve sllave citohet se “pavarësisht nga mënyra e shqiptimit të l-së në këto gjuhë (këta emra në gjuhën shqipe – nënvizimi ynë) shkruhen përgjithësisht me l, si: ...Milan, Milorad, Milosh, Mladenov...”[7], edhe pse dihet se këto fjalë dhe shumë të tjera si këto, në gjuhët burimore (sllavojugore) dhe nga folës të atyre gjuhëve, nuk përdoren me l por me ll. Edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, por edhe të disa krahinave të Shqipërisë këta emra i shqiptojnë kryesisht me ll, sado që në të shkruar, për të respektuar paragrafin e cituar të standardit tonë gjuhësor, i shkruajnë me l. Arsyeja për të bërë një korrigjim në këtë pikë është se edhe gjuhët sllave me të cilat shqipja ka kontakte më të shpeshta, kanë fonemat l e ll, të cilat në disa raste formojnë edhe kundërvënie fonologjike (ludi “njerëz” – lludi “budallenj, të marrë” etj.). Pra l e ll janë dy fonema të ndryshme me të cilat, bie fjala, serbishtja dhe kroatishtja formojnë alfabetin e tyre prej 29 fonemash. Një argument më shumë për mosrrafshim të ll-së së sllavishtes në l të shqipes (edhe te një numër emrash të përveçëm) është edhe fakti se me ll shqipfolësit kudo që janë i përdorin fjalët: Jugosllavi, jugosllav, sllav..., e jo Jugoslavi, jugoslav, slav etj. Prandaj emrat e tillë, kujtojmë se pa pengesë mund të normëzohen dhe të shqiptohen e të shkruhen si: Millan, Millorad, Millosh, Mlladenov..., ashtu sikurse që do të duhej të përdoreshin dhe përdoren me l e jo me ll emrat e përveçëm: Lubomir,  Lilana, Lublana e jo Llubomir, Llillana, Llubllana.

          Kishim dashur të tërheqim vëmendjen e ekspertëve të gjuhës dhe të atyre që do t’u takojë te merren me këto probleme, se disa emra të përgjithshëm, siç dihet, si: çam, lab, prind, nip e ndonjë tjetër i këtij lloje, kanë dy trajta të shumësit. Njëra trajtë sajohet duke i prapavënë njëjësit të tyre mbaresën -ë ose -a (çamë, labë, prindë, nipa), kurse trajta tjetër e shumësit të këtyre emrave sajohet me mbaresën -ër (çamër, labër, prindër, nipër etj.). Po në dy mënyra e sajojnë shumësin edhe një tip emrash të tjerë të përgjithshëm: drapër, gjarpër dhe gisht, që në shumësin e pashquar dalin si: drapinj dhe drapërinj, gjarpinj dhe gjarpërinj, gishta dhe gishtërinj. Përdorimi i këtyre dy mënyrave nuk bie ndesh me normën letrare[8], megjithëkëtë, sado që trajtat e shumësit të tipit të parë të këtyre emrave: çamër, labër, prindër, nipër, ose të tipit të dytë: drapërinj, gjarpërinj dhe gishtërinj, kanë fituar një përdorim të gjerë, si në mjetet e shkruara dhe elektronike, ashtu edhe në tekstet shkollore, më mirë është të kodifikohen me trajtat që i karakterizon një ekonomizim gjuhësor. Pra, sipas nesh, më mirë është të thuhet: një çam - disa çamë, një lab – disa labë, një prind – disa prindë, një nip – disa nipa, sesa: disa çamër, labër, prindër, nipër. Ky parim mund zbatohet edhe te shumësi i emrave: drapinj, gjarpinj, gishta dhe është mirë të normëzohen me këto trajta, në vend të: drapërinj, gjarpërinj, gishtërinj etj.     

Edhe disa forma dysore (dublete) të cilat i ka Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si: borë dhe dëborë[9], e para - formë e gegërishtes, kurse e dyta - e toskërishtes, ne mendojmë se formë më e lehtë përdorimi nga këto, si shënjuese për të njëjtën gjë, mund të jetë forma borë (e gegërishtes), e cila do të ishte më e arsyeshme të normëzohet, si trajtë e vetme. Po themi kështu ngase këtu s’është rasti për fjalë sinonimike që do ta pasuronin dhe do t’i shtonin koloritin gjuhës shqipe, si bie fjala: qumësht – tambël, fshat – katund, vajzë – gocë..., por për një fjalë të njëjtë e cila, e përdorur në dy format e saj, vetëm sa krijon ngatërrime dhe pështjellime të normës së gjuhës shqipe, sidomos te filloristët të cilët me aq entuziazëm e dëshirë ia mësyjnë shkollës fillore, mësimit të gjuhës shqipe, gjuhës së nënës dhe nuk kanë nevojë për shpjegime të dyfishta e stërngarkime , me këto ose fjalë të ngjashme.

Nuk na u duk i drejtë mendimi i një gjuhëtari i cili pak ditë më parë te “Koha ditore”, duke folur për gjuhën standarde, kërkoi që te nxënësit të ngremë atë që Dell Hymes e quan “kompetencë komunikatave” që nënkupton “aftësinë për të komunikuar me kode të ndryshme, varësisht prej situatave, bashkëbiseduesve dhe domeneve, edhe pse dikush mund të thotë se në këtë mënyrë krijohet një mishmash gjuhësor, por nëse një mishmash i tillë pranohet nga bashkësia folëse, atëherë pse të mos bëhet një gjë e tillë” – thotë studiuesi ynë[10]. Kurse ne mendojmë se standardi, norma, parimi, janë mjetet më të mira për të luftuar e mënjanuar mishmashet dhe anarkitë në jetën dhe në punën tonë, pra edhe në fushën e gjuhësisë, por pa mohuar dot aspektin elastik të normës gjuhësore për të krijuar “hapësirë të mjaftueshme për format e ndryshme kulturore” – siç shprehet edhe akademik Rexhep Ismajli[11].       

Në bisedat e zhvilluara ndërmjet anëtarëve të Këshillit (Komisionit) Ndërakademik, me sa kemi lexuar në shtypin e ditës, është folur, përveç tjerash, edhe për mundësinë e zëvendësimit të trajtave të fjalëve basmë, dasmë etj., me ato basëm e dasëm. Format e fundit, siç dihet, në gegërishte përdoren në vazhdimësi. Andaj, edhe këto fjalë të përdoruara kështu (basëm e dasëm - në të pashquarën) janë të pranueshme për t’u përdorur nga të gjithë shqipfolësit, që nga veriu gjer në jug, e të cilat shumë shpejt do të mund të fitonin qytetarinë në standardin e gjuhës së sotme – siç thuhet nganjëherë.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Evropë dhe në botë dhe një lloj globalizimi gjuhësor, i cili ka përfshirë edhe gjuhën shqipe, është mirë që edhe fjala Evropë, të cilën formë përdorimi e ka Drejtshkrimi i gjuhës shqipe[12] dhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe[13], mund të zëvendësohet me formën Europë.

Në një shkrim të gazetës “Shekulli” të datës 20 maj 2006, autorja Elsa Demo, duke shkruar për takimin e Këshillit Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde (12 maj 2006), e zë ngojë qëndrimin e anëtarëve të këtij këshilli për mundësinë kodifikimit të fjalës Europë për Evropë[14], rast ky i cili vetëm sa edhe më tepër na e përforcoi bindjen që e kemi pasur edhe më parë për një ndryshim të tillë, ngase edhe fakti se në mbishkrime të ndryshme anembanë Evropës, në gazeta e mjete elektronike të shumë vendeve, jo vetëm evropiane, e madje edhe përdorimi i valutës në gati të gjitha vendet evropiane, të cilin mjet qarkullimi valutor tanimë e kemi në dorë për çdo ditë edhe ne, e shënuar si euro e jo evro, është një dëshmi më shumë për këtë korrigjim. Marrë parasysh të gjitha këto, kujtojmë se forma Evropë, me rastin e korrigjimeve eventuale, sado të pakta qofshin ato, emri i kontinentit tonë të vjetër - Evropë mund dhe duhet të zëvendësohet me atë Europë.

Është po ashtu detyrë e ekspertëve të gjuhës që fenomenet e kultit, festat dhe objektet e kultit, emrat e popujve, siç veprohet edhe te gati të gjithë popujt e tjerë, t’i parashohin që të shënohen me shkronja të mëdha, ashtu si edhe titujt e institucioneve, e jo vetëm atributet e tyre; pastaj të kodifikohet mënyra e të shkruarit të titujve e të gradave shkencore etj., te të cilat raste sot e tërë ditën ndeshim laramani të shumta.

Në kuadër të këtyre shqyrtimeve do të shtonim se është mirë të meditohet edhe për një përshtatje tjetër që mund të bëhet te të shkruarit e datave, ashtu siç përdoren sot në shumë gjuhë të botës, për dallim nga shqipja, po qe ky edhe si një korrigjim teknik, me ç’rast te shënimi i ditës dhe i muajit, kur numri është njëshifror, të përdoret zeroja përpara.

Dhe në fund do të shtonim vetëm edhe këtë se, standardi i shqipes, as nuk duhet t’i përjashtojë e mohojë dialektet dhe prurjet e reja, por as të krijohen nga ai “statuse të reja dialektore”. Ai duhet të jetë një mjet njësimi, mjet bashkimi për kombin dhe kulturën tonë e të cilin mendim më së miri e përligj një thënie e shkurtër e ikonës së albanologjisë - akademik Idriz Ajetit, kur thotë se “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë sonë”[15].

 

TERAMT KRYESORË: KONGRES, DREJTSHKRIM, STANDARD,VARIANTI­ZIM, DIALEKT, KUNDËRSHKENCOR, PRINDËR, EVROPË, MILAN, LABËR

 

R e z y m e

 

Gjuha letrare ose gjuha standarde, siç cilësohet më fort sot, është varianti më i përpunuar i gjuhës së një populli. Është një madhështi kulturore që formohet në një etapë të caktuar të zhvillimit politik e shoqëror të një kombi dhe u shërben kërkesave të komunikimit të asaj bashkësie, duke u bërë edhe shprehëse e njësisë kombëtare dhe si e tillë kërkon kujdesin e veçantë të të gjitha niveleve shtetërore e institucionale. Por a qëndron puna kështu me gjuhën shqipe, si njëra ndër më të vjetrat e më të mëdhatë të kontinentit, të cilën Kadare e rendit madje ndër 10-12 gjuhët më të rëndësishme të rruzullit.? Përgjigja do të ishte gjithsesi negative. Ajo vazhdon të jetë një gjuhë mjaft e nënvleftësuar, e shpërfillur dhe e vënë në dyshim nga një pjesë e intelektualëve tanë, si në Kosovë, ashtu edhe nga ata në Republikën e Shqipërisë dhe shtizat ka kohë që kanë filluar të thyhen, sidomos kur është fjala për jetësimin e standardit të saj. Ky standard  për disa (për fat të mirë jo me numër të madh njerëzish) është një punë e shëmtuar dhe e dështuar, kurse për palën tjetër e arritura më e madhe në arsimin dhe kulturën shqiptare.

Ne kujtojmë se për normën e përbashkët gjuhësore (standardin e gjuhës) nuk ka alternativë tjetër. Parimi: një gjuhë, një komb ka qenë dhe mbetet kërkesë e popullit tonë, si në Konsultën IV të Prishtinës (Prishtinë, 1968), përkatësisht në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), ashtu edhe sot, por pa përjashtuar mundësinë e përmirësimeve e të plotësimeve të caktuara. Fundja, edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që atëherë ka porositur se “duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr politika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit mund t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura, me qëllim që të përfshihen në normë ato elemente që ndihmojnë që gjuha standarde të fitojë gjithnjë në spontanitet e t’i pasurojë mundësitë e saj shprehëse”. Në kontekst të kësaj edhe kemi  përmendur disa korrigjime e plotësime të mundshme, të cilat i kemi paraqitur në variantin më të gjatë të punimit tonë.

 

 

A b s t r a c t

 

Literary Language or, as we call it more these days, Standard Language is the most sophisticated language version of a nation. It is a cultural grandiosity that is developed at certain phase of political and social development of a nation, and it meets the communication needs of a particular communion by becoming an expressive national whole, thus it requires a special attention from all country and institutional levels. But is this the case with Albanian Language, as one of the oldest and biggest in the continent, as Kadare ranks it as one of the 10-12 most significant languages in the world? The answer would definitely be negative. It continues to be a language that is underestimated, disregarded and disputed by a number of our intellectuals in Kosova and in the Republic of Albania and it has been long time since the quarrel has started, especially with regards to implementing its standard. This standard for some people (fortunately not a large number of them) is a disfigured and failed effort, whereas for the other side this is considered to be the major achievement in Albanian Education and Culture.

We think that there is no alternative to the common language norm (language standard). The principal: one language, one nation has been and continues to be our nation’s request, not only in the Council IV of Prishtina (Prishtinë, 1968) and in the Congress of Orthography of the Albanian Language (Tiranë, 1972) but even today and including some possible improvements and additions. After all at the Congress of Orthography of the Albanian Language it was stated that “bearing in mind changes that literary language faces during its development including the new issues raised by language policy, the orthography rules in the future and when necessary could be changed with an aim to include within the norm all the elements and aspects that enable the standard language to continuously and spontaneously enrich its expressive abilities.” In this context we have mentioned e few possible corrections and fulfillments that are further detailed in our comprehensive presentation. (O.B.)

 


* Profesor i asocuar i shkencave filologjike dhe prodekan në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të

   Prishtinës. 

[1] Emil Lafe, Disiplina gjuhësore e shtetit, Gjuha shqipe, nr.2, IAP, Prishtinë, 2005, faqe 84.

[2] Emil Lafe, Gjuha dhe shkrimi, Gjuha shqipe, nr. 3, IAP, Prishtinë, 2007, faqe 11.

[3] Elsa Demo, Do ta quajmë Europë e jo Evropë, gazeta “Shekulli” (internet), Tiranë, 20 maj 2006.

* Dr. Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes IV, Prishtinë, 1989; Androkli Kostallari: Gjuha e sotme letrare shqipe dhe drejtshkrimi i saj, Tiranë, 1973, Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë, Tiranë, 1988; Rexhep Ismajli: Gjuhë dhe etni, Prishtinë, 1991, Drejtshkrimet e shqipes, AShAK, Prishtinë, 2005; Emil Lafe, Kultura e gjuhës, në FESH (f.571), Tiranë, 1985; Gjovalin Shkurtaj: Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran, Tiranë, 1988, Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tone të bukur, Tiranë, 1998; Xhevat Lloshi, Mbështetje për gjuhën letrare, Tiranë, 1998; Mehmet Çeliku, Çështje të shqipes standarde, Tiranë, 2001; Bahri Beci, Probleme të politikës guhësore të planifikimit gjuhësor në Shqipëri, Pejë, 2000; Fadil Raka, Çështje të shqipes letrare, Shkup, 1998; Dr. Qemal Murati: Probleme të gjuhës së sotme dhe historike të shqipes, Shkup, 1994, Drejtpërdorimi i shqipes dhe kultura gjuhësore, Shkup, 1996, Gramatika e gabimeve, Shkup, 2000, Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes, Prishtinë, 2004, Trajtesa albanologjike, Prishtinë, 2005; Shefkije Islamaj, Gjuha, ligjërimi dhe fjala, Prishtinë, 2004; Kristina Jorgaqi, Leksikone xhepi për gjuhën, Tiranë, 2000; Rami Memushaj, Shqipja standarde, Tiranë, 2005; Dr. Bahtijar Kryeziu, Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt, Prishtinë, 2006 etj., etj.   

[4] Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Prishtinë, 1974, faqe 27.

[5] Drejtshkrimi ..., Po aty.

[6] Drejtshkrimi ..., faqe 10.4

[7] Drejtshkrimi..., faqe 105.

[8] Gjuha letrare shqipe për të gjithë, Tiranë, 1976, faqe 27 dhe 28.

[9] Drejtshkrimi ..., faqe 224 dhe 230.

[10] Dr. Shkumbin Munishi, Gjuha standarde nuk është varieteti i vetëm i shqipes (intervistë), “Koha Ditore”,

    16 gusht 2007,  faqe 14.

[11] Qemal Murati, Gjashtë pyetje për akademik Rexhep Ismajlin (intervistë), Gjuha shqipe, nr. 3, Prishtinë,

    2006,  faqe, 11.       

[12] Drejtshkrimi …, faqe 237.

[13] Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Tiranë, faqe 739.

[14] Elsa Demo, Punimi i cituar..

[15] Idriz Ajeti, Sami Frashëri në vijën e krijimit të gjuhës letarer shqipe, Vepra, AShK, Prishtinë, 1998, faqe    

    194.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora