E hene, 29.04.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Horoskopi

E diele, 24.08.2008, 07:18 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Horoskopi

Nuk e di përse, çdo mëngjes kafenë e pi para televizorit për të dëgjuar oroskopin. Dhe të thuash se i besoj ? Aspak. Megjithatë e dëgjoj çdo ditë duke filluar që nga shenja e tim biri, e mamasë , e tim shoqi , timen , të vajzës e të vëllait tim.Dhe me sa kam kuptuar e dëgjojnë të gjithë ose pothuaj të gjithë. Disa e besojnë e unë vras mendjen se ku e ka bazën ky besim.Nuk mund t'u them atyre të mos e besojnë , sepse ka raste që u del, madje edhe mua nganjëherë më të rrall , por nuk mund t'u imponohem. Eshtë gjëja më e fundit që mund të bëj, zakonisht i shpreh idetë e mia si më vijnë , por nuk i imponohem askujt.Mosbesimi im i ka rrënjët jo në kohë shumë të largëta , aty e nja pesë a gjashtë vjet më parë , tri ditë para ditëlindjes sime. Isha pushim në shtëpi e për fat dhe burri i dashur ishte pushim. Më pat premtuar një dhurtë të cilën unë mezi po e prisja, kështu që vendoseëm të bënim pak përjashtim, ta blinim atë ditë edhe se... Oroskopin e kisha të mrekullueshëm atë mëngjes, sipas tij të gjitha yjet që ka qielli ishin në favorin tim. Tërë qejf  u nisa me tim shoq për të blerë paradhënie dhuratën. Pas nja dyqint metrash , si për dreq policia rrugore, kish dalë për inspektim. E dini ju si bëhet, zenë një cep rruge e ngrenë tabelën duke ndaluar makinat. Jo se i ndalojnë të gjitha jo, e bëjnë ashtu si t'u teket. Policja që ishte në shërbim , pa e çarë kokën për oroskopin tim , na nxorri tabelën përpara hundës.

            - Patentën ! Librin e qarkullimit !

Por... nuk e di si na kish shpëtuar, burrit i kish skaduar patenta... para dy javësh, nuk e kishte vënë ujin në zjarr për t'a rinovuar...

          - Po ju zonjë keni patentë ?

          - Jo ! - ja kthej unë e habitur me këtë pyetje pasi unë nuk isha në timon.

         - Ju lutem dokumentat , pasaportat , lejet e qëndrimit !

Si për dreq unë asnjë dokument me vete. Burri pasaportën, pa leje qëndrimi . Nuk di si i kishte mbetur në portofol një fotokopje e leje qëndrimit të vjetër, atij që kish tri vjet që kishte skaduar. E të mendosh se lejet e qëndrimit i kishim të rregullta , të sistemuara mirë e mirë në një sirtar të komosë në shtëpi...

          - Zbrisni nga makina !

Zbritëm . Policëve u ishte zhdukur ajo buzëqeshja e mirësjelljes së përciptë që mbajnë zakonisht. Fytyrat e tyre ishin të ngrysura ndërsa kapos së tyre i shkëlqenin ethshëm syte . Jo vetëm , m'u duk euforik. Kish qëlluar më në fund , kish kapur klandestinë , edhe pse të parrezikshëm pasi nuk gjetën gjë në kontrollin e imët që i bënë makinës , prapë ishim klandestinë. Hyri në makinën e tij e filloi të flasë në telefon e fjalët të cilat ne nuk kishim se si t'i dëgjonim , i shoqëronte me xheste a thua se personin me të cilin po fliste e kish aty përpara. Unë dhe im shoq , më këmbë, mirë që nuk na kishin vënë prangat aty, e mirë e kishin bërë pasi do të më vinte turp të dilja nëpër qytet. Nuk ndaluan më asnjë makinë tjetër , tërë vëmëndja e tyre ishte përqëndruar tek ne. Makinat që kalonin rrugës ulnin shpejtësinë në atë copë rruge e na vështronin me kurreshtje . Kushedi se ç'pamje merrnim në fantazinë e tyre. Pas pak ja behu makina e kuesturës. Prej saj zbritën katër policë civilë, por nuk e morën mundimin të na afroheshin . Shkuan drejt e tek makina e policisë rrugore , me atë shprehje bezdie në fytyrë që do t'a kishte çdokush, kur dikush tjetër i fut hundët në punën e tij.. Kaluan nëpër duar atë fotokopje të vjetër e të zhubrosur e pastaj në telefon edhe ata. Më pas i hipën makinës së tyre e u larguan pa na hedhur as sytë. Morëm frymë të lehtësuar. E kishin zgjidhur problemin, kompjuteri i kuesturës siç dukej emrat tanë ne leje qëndrimi të rregullta. E bënë mirë që nuk na  u afruan pasi do të hanim ndonjë gjobë, unë nuk e dija atë kohë por e mora vesh më vonë kur më humbi bankomati. Shkoj në bankë të bëja denoncimin , nuk ishte shaka, bankomati është i rëndësishëm. Larg qoftë bie në duart e ndokujt... E ata më thanë të shkoja të bëja denoncim edhe në Kuesturë. E unë u paraqita vetëm me kartën e identitetit tek oficeri i shërbimit , i cili zgurdulloi sytë e kur pa se unë që isha e huaj , vërtet nuk e dija se duhej të mbaja me vete edhe pasaportën edhe lejen e qëndrimit. U zbut , më fali por më porositi që të mos i lija më kurrë në shtëpi sepse haja gjobë...se mos bëri efekt, nga një vesh më hyri e tjetri më doli . Akoma edhe sot rrinë në sirtar e presin që të haj ndonjë gjobë. Që të mos e zgjas , Kuestura nuk më vuri gjobë , ju përmbajt oroskopit tim , ama policia rrugore... jo vetëm na theu brinjët me gjobën që na vuri, por ... na mori dhe makinën , e pezulloi për tre muaj...Nuk kish si të bënte ndryshe i shkreti kapo , i cili për një moment , një moment të vetëm e kish parë veten në faqen e parë të gazetës në rolin e heroit që kap klandestinë, ëndrrës së vjetër të tij...C'ti bësh një zhgënjim tjetër në karvanin e zhgënjimeve të policit dhe një zhgënjim i plotë i imi për oroskopin. Më thoni a kam faj ? Jo, aspak e megjithatë rri dhe e dëgjoj. Më pëlqen shumë t'a dëgjoj të djelave , kur im shoq është në shtëpi dhe e dëgjojmë bashkë. Vdes t'i krahasojmë pak oroskopet. Por edhe këtë të djelë ishte një zhgënjim i plotë , jo nga ana e oroskopit por nga ana e ... burrit.

Ai e kishte pak a shumë kështu : "Mos kundërshto sot se e ke të humbur davanë, armiqtë e tu janë superiorë . Ndërsa përsa i përket njeriut të zemrës, raporti do të jetë i magjishëm " Eh, psherëtiva ndërsa prisja rradhën e oroskopit tim, të paktën me mua i ka në rregull punët. Do të kaloj një ditë të bukur. Ja dhe oroskopi im pak a shumë kështu :" sot mund të kërkoni e të thoni çfarë të doni, asnjë nuk do t'ju kundërshtojë dot " Ta merr mendja them unë me vete , më don aq shumë, jam personi i zemrës , i miri im nuk ma prish kurrë ...

             - E mor burre , e pe sa të bukur e kisha oroskopin ? - i them me një buzëqeshje të lumtur në fytyrë.

             - E pse mos t'a kesh, nuk e dëgjove timin, armiqtë e mij janë ...

Nuk e dëgjova më, rrëmbeva filxhanin e kafesë e dola nga dhoma duke bërë përpjekje të përbindëshme që të mos ja hidhja kokës. Fundja nuk ka faj ai, as oroskopi, e ka mendja ime që më gënjen se jam personi i zemrës së tij , e ai...pa pikë turpi , në një moment sublim, kur mundohem t'i shfaq ndjenjat e mia...E lë filxhanin mbi tryezën e kuzhines e rrotullohem nja dy a tri herë duke bluar ndjesitë e mia. Një mendje më thosh bëje, tjetra më thosh jo... Si përfundim e vendosa , rrëmbej filxhanin e sulem në dhomë të gjumit. E ka me hak, le të vejë ku të vejë , vetë me deshi armik , se mos e desha unë...Hyj brenda e ngre dorën, por... koka e tim shoqi ishte zhdukur...në vend të saj  një jastëk që tundej dhe tingulli i mbytur i të qeshurave të tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora