E shtune, 27.04.2024, 04:00 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Wall Street Journal: Rusia, një perandori e pangopur

E merkure, 20.08.2008, 05:03 PM


Rusia, një perandori e pangopur

Wall Street Journal

Pamjet e tankeve ruse, që rrokulliseshin në Gjeorgji, ishin shokuese, por të njohura. Kujtimet kthehen prapë në Çeçeni në vitet 1994 dhe ‘99, Vilnius ‘91, Afganistan ‘79, Pragë ‘68, Hungari ‘56. Para invazioneve sovjetike, si dhuratë nga pakti Ribentrop-Molotov, në vitet ‘39 dhe ‘40, nënshtrimin rus e njohën edhe Polonia dhe vendet Baltike, ndërsa më vonë kazakët, azerët, taxhikët dhe ukrainasit. Rusia është një vend relativisht i ri. Gjeorgjianët madje me mburrje thonë se historia e tyre shkon shumë më larg se e Rusisë. Duke u nisur nga një fshat relativisht i vogël, moskovitët u rritën duke pushtuar, duke gëlltitur toka dhe njerëz të tjerë, sidomos prej shekullit 18 e këndej.

Megjithëse nacionalistët rusë e pohojnë të kundërtën, rusët si komb janë përzierje e sllavëve, aziatikëve dhe etnive të tjera evropiane. Kjo përzierje natyrore u bë bashkë nën carin autoritar, i cili të drejtën për të sunduar e pretendonte nga qielli. Sovjetët madje ishin ndërtues më të mirë të perandorisë. Nga kjo traditë vjen edhe Vladimir Putin, i cili vitet e formimit të tij i kaloi në Dresden, duke spiunuar në koloninë e Gjermanisë Lindore. Asnjëherë në historinë e perandorive, periferia nuk ka qenë më e rëndësishme se qendra.

Me çdo lëvizje drejt Evropës, nga ndarja e Polonisë e deri te triumfi i Stalinit në Jalta, Rusia e ka kërkuar atë që nuk e ka pasur - bazën e industrializuar ekonomike, infrastrukturën më të mirë dhe mbi të gjitha, kontaktin me qytetërimin perëndimor.

Përveç Shën Peterburgut dhe pak qyteteve të tjera, vetë Rusia kryesisht mbeti rurale në ujërat e Ortodoksisë Lindore.

Në ditët sovjetike, kultura, gjuha dhe historia ruse u imponoheshin popujve të robëruar. Por, këta popuj, brenda dhe jashtë BRSS-së, asnjëherë nuk hoqën dorë nga ëndrrat e tyre për liri.

Duke filluar prej Baltikut dhe pastaj duke u përhapur në Kaukaz dhe Ukrainë, ishte kryengritja e tyre, ndoshta më shumë se vetë Mihail Gorbaçovi, ajo forcë e brendshme e cila solli kolapsin e Bashkimit Sovjetik.

Ata shumë lehtë e paramenduan jetën pa Nënën Rusi. Rusia nuk mundi të përgjigjej.

Boris Jelcin u përpoq t‘u japë rusëve një alternativë narrative. Për mbijetesën e vet politike, ai duhej ta ushqejë ringjalljen ruse kundër monstrës sovjetike.

Pasi u priu akuzave kundër puçit në vitin 1991, Jelcin e vuri përpara demokracinë si ide unifikuese dhe legjitime për shtetin e ri të Rusisë. Por, ajo u bë tym me bombardimin e parlamentit rus në vitin 1993, me luftën e parë në Çeçeni dhe ngritjen e oligarkëve.

Jelcinizmi u diskreditua plotësisht kur erdhi Vladimir Putini. Ai nuk linte përshtypjen se ndonjëherë ka besuar në partneritetin me Perëndimin apo lirinë në shtëpi. Për pak kohë, Putin shtyu disa modernizime ekonomike, por instinkti e çoi në të kaluarën.

Të ashtuquajturat përbuzje nga epoka e Jelcinit, bënin thirrje për hakmarrje. Demokracitë e reja përreth Rusisë, të cilat e zgjodhën të ardhmen në Perëndim, ishin të detyruara të kthehen në sferën e ndikimit të Moskës.

Është interesant të dëgjohet Rusia kur e përmend precedentin e Kosovës për të justifikuar invazionin e saj në Gjeorgji. Këtu ka një paralele të paqëllimshme.

Dy ish-aparatçikët komunistë, Putini dhe Millosheviçi, të cilët morën drejtimin e vendeve të dobësuara dhe të demoralizuara, menduan se nacionalizmi ekspansionist do t‘i shpjerë drejt lavdisë.

Lufta e Dytë në Çeçeni e konsolidoi pushtetin e Putinit në vitin 1999, ashtu siç bënin serbët në Kosovë për Millosheviçin nga fundi i viteve ‘80.

Serbët e asaj kohe ishin si rusët e sotëm. Një popull evropian, mbase pak të ndarë nga krishterizmi ortodoks, i cili zgjodhi të jetë jashtë rrjedhës kryesore perëndimore.

Kjo zgjedhje kërkonte viktima, ashtu siç ishin shqiptarët e Kosovës apo gjeorgjianët, popuj të vegjël, fatin e të cilëve bota ndoshta mund ta injoronte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora