E diele, 28.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Havana: qyteti magjik

E hene, 11.08.2008, 01:11 AM


Ritmet e ngadalta, gati dembele, seksi mercenar, muzika, kinemaja, letërsia... të përshkuara në një udhëtim virtual përmes revistës ONE. Kryeqyteti kuban nën dritën e rrezeve X

Koha dhe jeta

Havana është një qytet zgjimesh të ngadalta dhe mesditash të nxehta e indiferente. Ndoshta ngaqë jeton me fytyrë të kthyer drejt detit të tropikut dhe ka temperaturat më të mira të universit: 32 gradë celsius gjatë verës dhe 20 në dimër.  Në të rrallat ditë kur bën “ftohtë”, kënaqësitë historike të të fjeturit deri në mëngjes vonë dhe të dremiturit pas dreke u kanë mbijetuar sulmeve konkurruese të sistemit socialist dhe stresit galopant të shoqërisë moderne.

Banorët e Havanës, tepër sensualë për mentalitetin evropian, priren ta konsiderojnë nxitimin si agresion dhe ngadalësinë si virtyt, që e shfaqin me një farë mburrjeje. Jo rastësisht, dy nga shprehjet më të përdorura nga banorët e Havanës janë “Hay más tiempo que vida” (“Ka më shumë kohë sesa jetë”) dhe “No cojas lucha” (“Mos e vrit mendjen”). Dhe në fakt nuk u vjen keq të humbin kohë apo ta shtyjnë për të nesërmen atë që mund të bëhet sot, vetëm e vetëm për të shijuar jetën ose “ëmbëlsinë e të mos bërit asgjë”, që e kanë adoptuar më së miri tashmë. Pavarësisht se realiteti ekonomik i viteve të fundit e ka sulmuar pa mëshirë këtë filozofi jete, duke detyruar shumë qytetarë të Havanës në luftën e përditshme të mbijetesës, kanë arritur të ruajnë hedonizmin e paraardhësve, që i dallon ndër popujt e tjerë.

Ende sot, shumë prej tyre ndjekin rregullin e artë, të shpallur tashmë disa dhjetëvjeçarë të shkuar, nga shkrimtari

José Lezama Lima: asnjë banor i respektuar i Havanës nuk del nga shtëpia në intervalin kohor mes orës 1 deri në 4 pasdite. Janë orët e shenjta të dremitjes, të plogështisë dembele dhe të kafes së sapobërë. Besoj se në shumë pak qytete të botës ka më shumë karrige lëkundëse dhe porta të hapura në rrugë, që favorizojnë një bashkëbisedim të qetë dhe pa kufij kohorë. Dhe me siguri që nuk ekziston asnjë qytet tjetër ku, pasi ka kaluar ngathtësia mëngjesore, mund të shihen aq shumë njerëz në qoshet apo rrugicat thjesht duke biseduar apo ku dëgjohet aq shumë muzikë.

Nëse aroma e Havanës është ajo e kafes së sapobërë, ajri në të cilin shëtit ajo aromë është e yjëzuar nga akordet muzikore. Në fakt, sapo dielli nis të nxehë, Havana mbushet me muzikë. Edhe pse nuk ka qumësht për mëngjes, muzika nuk mund të mungojë, por banorët e saj, me shpirtin e shoqërueshëm dhe të harbuar që i karakterizon, nuk e konceptojnë muzikën si një akt privat përmbushjeje: muzika është demokratike ose më mirë anarkike dhe kush vendos ta shijojë nga magnetofoni i shtëpisë apo i makinës, duket i bindur se muzika e tij duhet të arrijë tek të gjithë, te pallati, te lagjja, qyteti dhe më tutje...

Ritmet këmbëngulëse dhe deri në acarim të regueton-it (regueton është shqiptimi spanjoll i regatonit – një lloj muzike dance, shumë popullore mes të rinjve latino-amerikanë në fillim të viteve ’90, një përzierje e muzikës së Xhamajkës  me ndikime të reges, me ritmet e Amerikës latine dhe tinguj tipikë të muzikës hip-hop), me tekstet agresive dhe provokuese, në ditët e sotme janë një prani që pushton qytetin, duke e mbështjellë nga zgjimi i pasdites vonë, derisa nata të gdhijë. Për klimën, që ka ndikuar aq shumë në temperamentin e banorëve të saj, Havana është një qytet që jeton duke parë rrugën. Me të kaluar orët përtace të mëngjesit të parë dhe ato të nxehtat e mesditës, të gjithë dynden nëpër rrugë dhe nuk ka rëndësi për çfarë arsye.

Bashkëjetesa në rrugët e mbipopulluara është dimensioni i preferuar i një qyteti të kufizuar nga deti, i cili kërkon gjithnjë të shkelë kufijtë. Ndoshta pikërisht për këtë, vendi që e përfaqëson më mirë Havanën në vokacionin e saj të dyndjeve në rrugë është “ El Malecón”, që për rreth dhjetë kilometra përqafon bregdetin, nga zemra e Havanës së vjetër deri te parmakët e lagjes dikur aristokratike të Vedado-s. Është për t’u habitur që kjo hapësirë gati e derdhur mbi det është e mbyllur mes dy fortesash të vjetra koloniale: kështjella e “La Punta”-s në lindje dhe “Torrelon de la Chorerra” në perëndim. Dy kulla vrojtuese qindravjeçare, që në kohët e shkuara janë përpjekur t’i mbrojnë banorët pa ndonjë sukses të madh nga piratët dhe pushtuesit. Natën El Malecon-i shndërrohet në pasqyrën më besnike të nevojave dhe anktheve të qytetit. Me flladin e parfumin detar – dhurata të natyrës – çdo mbrëmje, me mijëra banorë mbështeten mbi murin e gjatë prej çimentoje, që kufizon qytetin nga deti (nuk është kuptuar kurrë nëse Malecon-i është fillimi apo fundi i qytetit) për t’iu përkushtuar çdo lloj aktiviteti të imagjinueshëm. Dikush shijon flladin në mënyrë të pafajshme dhe familjare, dikush tjetër e bën për të vrarë kohën – tashmë do ta keni kuptuar se banorët e Havanës janë vrasës profesionistë të kohës – dhe ka nga ata që janë në kërkim të argëtimeve të errëta, të cilat e tejkalojnë të gjithë gamën e mëkateve: që nga ushtrimi i prostitucionit e shpërndarja e konsumi i drogës, deri te më pak të kritikuarat mbledhje të tribuve gay.

Përgjatë Malecon-it është e pamundur të mos kryqëzohesh me shikime të plogështa, buzëqeshje të qarta apo të mos tërhiqesh nga thirrje dashakeqe. “Sa është ora?” është pyetja e zakonshme që përdorin për të gjetur ndonjë klient. Kur kuptojnë se kanë përpara ndonjë të huaj, vijojnë me pyetje të tjera. Janë përherë të njëjtat, me sekuencë identike: “Nga cili qytet je?”, “Kur ke ardhur këtu?”, “Hera e parë në Kubë?”, “Të pëlqejnë vajzat kubane?”, “Hotel apo ndonjë shtëpi e veçantë?”, kjo e fundit për të kuptuar nëse mund të mirëpresësh ose jo dikë për një natë seksi (në hotele nuk lejojnë të hyjë asnjë kuban, qoftë edhe për të kthyer një gotë). Ndërsa në shumë shtëpi të veçanta (do të thotë të marrësh me qira një dhomë në një shtëpi private) mbyllin një sy. Pastaj, të vazhdosh të thuash se në Kubë shkohet vetëm sepse është një ishull i bukur apo për motive ideologjike, është hipokrizi e pastër: janë gjithnjë në rritje ata që kapërcejnë Atlantikun për të bërë një javë turizëm seksual.

Të gjitha orekset, sjelljet, këndvështrimet e jetës dhe të kalimit të kohës duken të përqendruara në dhjetë kilometrat e  asaj barriere të fundme apo të parme, mbi të cilën prezantohet qyteti dekadent, që ka frymëzuar ëndrra dhe poezi, buzë detit të premtimeve dhe arratisjeve. Dhe, si një kolonë zanore, gjithnjë muzika: magnetofona me gjithë volumin dhe instrumentistë ambulantë i japin prekjen finale asaj atmosfere të shkëputur, ku e vetmja gjë që  ka rëndësi është të shijosh jetën. Të vetëdijshëm se koha nuk është gjë tjetër vetëm një rrjedhje drejt hiçit dhe se asnjë përpjekje për ta ndalur nuk do të ketë kurrë sukses. Për popullin e Havanës, koha – më shumë se e çmuar – është pjesë e jetës, ashtu si kafeja, cigaret, rumi dhe të bërit dashuri – të gjitha dhurata të natyrës, që i shijojmë në të mirë e në të keq. E sidomos në kohë të këqija...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora