E diele, 28.04.2024, 02:20 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjeorgji-Rusi, shpërthen lufta për Osetinë e Jugut

E shtune, 09.08.2008, 08:57 PM


Tanket ruse hyjnë në pjesën veriore. Mijëra civilë të vdekur

Gjeorgjia dhe Rusia janë në prag të luftës për shkak të Osetisë Jugore, provincës separatiste gjeorgjiane. Tanket ruse kanë hyrë në pjesën veriore të kryeqytetit të Osetisë Jugore dhe artileria e tyre ka qëlluar mbi forcat gjeorgjiane, i pari konfrontim i konfirmuar mes trupave të të dyja vendeve. Gjithçka filloi mëngjesin e së premtes kur trupat gjeorgjiane sulmuan kryeqendrën e Osetisë Jugore, Tskhinvali. Sipas shefit të ushtarakëve rusë të forcës paqeruajtëse të vendosur në Oseti, qyteti "është shkatërruar thuajse tërësisht". Viktimat janë dhjetëra, ndërsa sipas zërave të paverifikuara, bëhet fjalë për qindra të vrarë. Një ministër i republikës separatiste, Teimuraz Kasaev, ka deklaruar në anën tjetër se bilanci i viktimave civile të përleshjeve, vetëm në kryeqytet, ka shkuar në mbi një mijë. Qeveria ruse, në anën tjetër, dërgoi në Osetinë e Jugut një kolonë tankesh që kanë hapur zjarr mbi pozicionet gjeorgjiane. Këta të fundit, sipas mediave ruse, janë detyruar të tërhiqen nga pozicionet. Në këtë pikë, Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili, deklaroi: Rusët kanë hyrë në territorin tonë. E konsiderojmë tani veten në gjendje lufte. Presidenti urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm, duke thirrur edhe rezervistët dhe në një intervistë dhënë CNN-it, i kërkoi Shteteve të Bashkuara, të ndërhyjnë. "Nuk është vetëm çështje gjeorgjiane. Bëhet fjalë për Amerikën dhe vlerat e saj. Ne jemi një komb që e duam lirinë dhe që aktualisht jemi të sulmuar". Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rreth 120 ushtarakë në Gjeorgji, që stërvitin forcat vendase. Po sipas Presidentit gjeorgjian, të paktën pesë avionë luftarakë rusë, janë rrëzuar. Reagimet e Moskës nuk kanë munguar gjithashtu. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka akuzuar gjeorgjianët se kanë kryer në Osetinë Jugore "një spastrim etnik". Presidenti rus, Dimitri Medvedev, lëshoi më pas një akuzë të rëndë: "Ushtarët e forcës paqeruajtëse gjeorgjiane kanë qëlluar kundër kolegëve rusë. Në Osetinë e Jugut po vdesin civilë, gra, fëmijë dhe të moshuar rusë". E në përfundim, Kryeministri rus, Vladimir Putin, që gjendet në Pekin, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës, duke folur me Presidentin amerikan, Bush, ka deklaruar se "vullnetarët rusë janë gati të nisen për në Oseti dhe ne nuk do të jemi në gjendje që t‘i ndalojmë". Në Moskë, disa qindra persona (në pjesën më të madhe osetianë), manifestuan pasdite para Ministrisë së Jashtme, duke kërkuar një ndërhyrje ushtarake në Osetinë e Jugut. U zhvilluan gjithashtu edhe manifestime të tjera para ambasadës gjeorgjiane. Konflikti rrezikon të zgjerohet akoma më tej pas sulmit ajror rus në qytetin e Gorit (vendlindje e Stalinit), ndoshta edhe në provincën tjetër separatiste proruse të Abkhazisë, që është paralajmëruar nga Tbilisi të qëndrojë jashtë një konflikti që nuk i përket. Në një fjalim në televizion, Presidenti Sakashvili, e kishte quajtur operacionin ushtarak "një përgjigje kundër regjimit kriminal" të separatistëve dhe "një përpjekje për rikthimin e rendit". Ndërhyrjen ruse, Sakashvili e përcaktoi "një operacion ushtarak të një shkalle të gjerë". Ai i kërkoi Rusisë që të ndalte bombardimet mbi zonat paqësore të Gjeorgjisë. Sipas qeverisë së Gjeorgjisë, tre avionë rusë dhunuan hapësirën ajrore gjeorgjiane, duke lëshuar disa bomba e duke shkaktuar disa të plagosur mes civilëve. Pas kësaj, është bombarduar edhe Gori. Sipas Gjeorgjisë, dy avionë rusë janë rrëzuar, por ky lajm nuk është konfirmuar nga Moska. Një kazermë e forcave paqeruajtëse ruse është goditur nga artileria dhe rusët thonë se rreth 10 ushtarë kanë vdekur e 30 të tjerë janë plagosur. Ata flasin edhe për viktima të tjera civile. Është shkatërruar spitali kryesor i Tskhinvalit e në flakë është parë edhe godina e universitetit. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi nisjen e trupave për në Osetinë Jugore, zyrtarisht, me qëllim që të ndihmojnë ushtarët rusë të forcës paqeruajtëse dhe qytetarët rusë në Oseti. Me kërkesë të Rusisë është mbledhur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe ambasadori belg, President i radhës, ka thënë se për momentin, Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje që të shprehë një opinion mbi konfliktin. SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera, nuk kanë votuar një dokument në të cilin i kërkohej të gjitha palëve në konflikt që të hiqnin dorë nga përdorimi i forcës. Ambasadori rus ka thënë se qëndrimi i Perëndimit është një gabim i madh. BE-ja ndërkohë ka kërkuar pushimin e menjëhershëm të luftimeve. OSBE-ja ka nisur në Gjeorgji të dërguarin e saj të posaçëm. Presidenti gjeorgjian Sakashvili ka folur në telefon me sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoleca Rajs e sekretarin e NATO-s, Jap de Hop Shefer. Në Tbilisi kanë mbërritur ndërkohë edhe ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Lituanisë. Në anën tjetër, bursa ruse ka pësuar menjëherë rënie për shkak të sulmit gjeorgjian në Osetinë e Jugut. Një milion fuçi naftë në ditë, të drejtuara për në Perëndim, janë vënë në rrezik nga konflikti. Naftësjellësi Baku-Cejhan, në funksion prej më shumë se një viti, ka rreth 249 kilometra në territorin gjeorgjian dhe është i vetmi që shmang Iranin e Rusinë e furnizon Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Në Turqi, javën e shkuar, një atentat që mbante firmën e kurdëve, kishte shkaktuar një zjarr, si edhe ndërprerjen e fluksit e nuk pritet që dëmi të riparohet para dhjetë ditësh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora