E diele, 28.04.2024, 10:06 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Parulla anti-shqiptare në takimin e Bollanos

E hene, 11.08.2008, 04:24 PM


Nga Enrik Mehmeti

 

HIMARË Abuzimet e shumta me pronat në zonën bregdetare në jug të vendit tonë, kanë pasuar dje me protesta në Himarë, ku nuk munguan thirrjet e parullat antikombëtare në greqisht. Tubimi i parë është organizuar nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano në bashkëpunim me shoqatën “Bregdeti” dhe organizatën OMONIA. Burime të besueshme të Gazetës, bëjnë me dije se në protestë ishte i pranishëm dhe një deputet grek. Takimi është zhvilluar rreth orës 10:00, në sallën e madhe të Bashkisë së Himarës. Qindra vetë, kryesisht emigrantë të ardhur nga Greqia, kanë mbushur ambientet e jashtme dhe të brendshme të godinës së Bashkisë. Mësohet se emigrantët që morën pjesë në këtë protestë të iniciuar nga kryebashkiaku Bollano, ishin sjellë me autobus nga vendi fqinj, enkas për këtë rast. Në fokus të këtij takimi të paralajmëruar disa ditë më parë, ishte kërkesa për abrogimin e ligjit 7501, i cili u cilësua nga drejtuesit e shoqatës “Bregdeti”, si një ligj komunist, që Himara as nuk e ka zbatuar dhe as nuk do ta zbatojë ndonjëherë. Qëllimi i tubimit ishte hartimi i një strategjie për zgjidhjen një herë e mirë të çështjes së pronave. Organizatorët e protestës kanë deklaruar se abuzimet me pronat gjatë 18 viteve të fundit vazhdojnë të mbajnë peng zhvillimin e Himarës, e cila është një nga perlat e turizmit në Shqipëri. Takimi ka shënuar dhe “incidentin” e radhës. Pjesëmarrës në sallë kanë nisur në kor të hedhin parulla antishqiptare. Ndryshe nga herët e tjera, çuditërisht Bollano nga një antishqiptar i thekur e agresiv, është munduar të qetësojë sallën. Ai u ka bërë thirrje të pranishmëve në sallë që të qetësohen, pasi ishin mbledhur vetëm për zgjidhjen e çështjes së pronave. “Jemi mbledhur këtu për të diskutuar hartimin e një strategjie për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe të merremi vesh me njëri-tjetrin, pasi ky nuk është takim vetëm i Bashkisë së Himarës, por edhe i shoqatës “Bregdeti” dhe OMONIA-s”, - është shprehur Bollano. Pas ndërhyrjes së këtij të fundit, të pranishmit propozuan ngritjen e komisioneve të tokave në çdo fshat, të cilat do të shqyrtojnë me hollësi gjithë dokumentacionin e pronave. Organizatorët e protestës së djeshme kanë deklaruar se deri më 30 nëntor të këtij viti, komisionet që do ngrihen nëpër fshatra, do bëjnë dokumentimin real të pronave, të cilat më pas do t’i prezantohen qeverisë shqiptare. Sipas tyre, qeveria nuk do të japë asnjë lek për këtë proces, pasi financimet do merren përsipër nga Bashkia e Himarës dhe vetë banorët e kësaj zone. Ndërkohë, drejtues të shoqatës “Bregdeti” kërcënuan se dosja e pronave do të dërgohet deri në gjykatat europiane për shqyrtim, pasi nuk kanë më besim tek qeveria dhe politikanët shqiptarë, të cilët i gënjejnë që prej 18 vitesh.

 

Takimi në Bashki, flitet greqisht

 

Hiqni duart nga Himara”; “Himara është toka jonë, shpirti ynë”. Këto thirrje në greqisht, kanë “plasur” në kor në sallën e Bashkisë së Himarës, teksa një student shqiptar (Spiro) në Greqi dhe njëkohësisht anëtar i organizatës OMONIA, ka nisur të flasë para gjithë të pranishmëve në gjuhën greke. Në moment ka ndërhyrë njëri nga personat që bënte pjesë në panelin drejtues, duke përkthyer fjalët e të riut në shqip. Kjo ndërhyrje e “padëshirueshme” ka indinjuar shumë veta në sallë, të cilët kanë kërkuar me insistim që të flitej vetëm në greqisht. Ndërsa, pjesëmarrësit në sallë kanë nisur të hedhin në kor parulla antikombëtare, ka ndërhyrë kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Por fatkeqësisht, ndërhyrja e Bollanos ka funksionuar vetëm për gjatë kohës që u zhvillua takimi. Menjëherë pas “kuvendit të Bollanos”, të gjithë pjesëmarrësit kanë dalë me banderola të shkruara në greqisht: “Duam shkolla greke në Himarë”; “Larg duart nga Himara” etj. Duke brohoritur në kor, pjesëmarrësit në tubimin e kryebashkiakut Vasil Bollano kanë vazhduar marshimin e tyre përgjatë sheshit kryesor deri tek zyra e organizatës OMONIA. Mesazhi u drejtohej politikanëve shqiptarë. Nuk munguan dhe akuzat ndaj mediave shqiptare. Sipas protestuesve, gazetat shqiptare vetëm sa harxhojnë bojë kot për të nxirë historinë e Himarës.

 

“Pronat, Bollano e grekët prishën mitingun”

 

Dy grupe himarjotësh janë përplasur dje në qendër të Himarës, ndërsa ishte vendosur që të kishte një miting të përgjithshëm për çështjen e pronave në këtë qytet. Kështu, njëri nga takimet u zhvillua nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, shoqata “Omonia”, shoqata “Bregdeti”, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe me pjesëmarrjen e një deputeti grek. Një tjetër aktivitet, i organizuar nga deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, duhet të zhvillohej në qendër të qytetit, por që siç duket nuk shkoi sipas parashikimeve.
 Përplasja
 Deputeti Neranxi thotë se ka qenë shoqata “Bregdeti”, që i ka kërkuar atij mbështetjen për një takim për pronat që duhet të zhvillohej në Himarë. “U dhashë OK-in, madje isha unë që financova edhe banderolat e tyre, por edhe podiumin dhe foninë në qendër të qytetit. Por vetëm 10 ditë më parë, drejtuesit e shoqatës “Bregdeti” më morën në telefon dhe më thanë se nuk mund të dilnin në këtë takim vetëm me mua dhe nuk mund të bëhej ky takim pa prezencën e kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano”.
 Po ju, ç’bëtë në këtë kohë?
 Sigurisht nuk pranova. Sepse Bollano është kryesori që është pjesëmarrës në vjedhjen e pronave në Himarë.
 Dhe shoqata u distancua nga mitingu juaj?
 Po, përfaqësuesit e shoqatës “Bregdeti” morën pjesë në takimin që u bë në një sallë në qytetin e Himarës dhe nuk erdhën në takimin e organizuar prej nesh për çështjen e pronave.
 Po pse nuk kishte podium?
 Në fakt, kisha kërkuar leje për mitingun nga Policia e Rendit dhe e kisha marrë. Por sot (dje) në orën 5:30 të mëngjesit më lajmëruan se ishte prishur podiumi dhe ishin hequr banderolat nga ana e Policisë Bashkiake. Bollano donte me çdo kusht të prishej ky tubim.
 Po në fakt, prezenca nuk ishte e madhe...
 Kjo është normale kur pjesës më të madhe të njerëzve u thanë se nëse do të ishin pjesë e këtij tubimi, do t’u hiqnin pensionet që marrin nga grekët.
 Kush ua tha këtë?
 Përfaqësuesit e shoqatës “Omonia”, që ishin prezent në takim. Në po të njëjtin takim ku ishte edhe deputeti grek. Madje edhe mua personalisht më erdhi një avokat grek dhe më tha se nuk duhet të merresha më me këtë punë dhe se duhet të mos interesohesha për këtë çështje. Bëra debat edhe me avokatin grek.
 Atëherë, edhe pse të gjithë u bashkuan bashkë, ju vazhdoni të mbroni tezën që edhe shoqata “Bregdeti” është e përfshirë në çështjen e pronave?
 
E them prapë, Vasil Bollano së bashku me kryekomunarë të bregdetit, drejtues të shoqatës “Bregdeti”, kanë qenë nga më kryesorët që kanë ndihmuar grabitësit e pronave të trashëguara në Himarë. Dhe pasi u bë publike që ata hipotekuan pronat, filluan të kërkojnë një tubim qytetar për t’i treguar opinionit se ata nuk janë pjesë e kësaj vjedhjeje. Ndërkohë që unë çështjen e vjedhjes së pronave e kam denoncuar që një vit më parë në parlament.

 

Neranxi: Bollano bëri pronarë me tapi false

 

Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi denoncoi abuzime dhe shkelje të bëra nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano. Sipas Neranxit, Bollano dhe mafiozët e pronave që ai kryeson, po abuzojnë çdo ditë me pronat në Himarë. “Janë tre raste flagrante të vjedhjeve të bëra nga Bollano. Rasti i Porto Palermos, ku bëhet fjalë për 860 hektarë, të përvetësuar me dokumente false nga familja Cani, familje kjo që është e lidhur me fije shumë të holla me qarqe të caktuara të politikës shqiptare, por edhe jashtë vendit”, - tha Neranxi. Ndërkohë, rast të dytë Neranxi rreshtoi atë në bregdetin e Jalës, ku kryebashkiaku i Himarës ka firmosur prishjen e shtëpive të paktën qindravjeçare, dhe prona i ka kaluar një personi nga Tragjasi i Vlorës. Rasti i tretë sipas deputetit Neranxi, është në Vuno. “Ai u deklaroi himarjotëve se do t’u kthente pronën e tyre dhe do të punonte për pronat e tyre, por ai nuk e mbajti fjalën për himarjotët, por për të tjerë, të cilët i bëri pronarë me tapi false e vendime të përshpejtuara”, - u shpreh Neranxi.

 

Ngjela: Lob parlamentar për çështjen e Himarës

 

Protestës së himarjotëve, të zhvilluar ditën e djeshme, i është bashkuar dhe deputeti Spartak Ngjela, i cili gjatë fjalës së mbajtur ka bërë të ditur iniciativën për ngritjen e një lobi parlamentar për çështjen e Himarës. “Unë ju bëj me dije se së bashku me deputetin Neranxi po punojmë seriozisht për të ngritur një lob parlamentar për çështjen e Himarës. Janë 8 milionë shqiptarë në gjithë botën, e nuk ka forcë të tallet me pronat dhe hipotekat e himarjotëve shqiptarëve”, - u shpreh Ngjela. Ai u ka bërë thirrje djemve vlonjatë dhe himarjotë, që të merren seriozisht me kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. “Tokat tuaja janë tuajat, e ju them që nga Llogoraja e deri në Sarandë është diamant i ekonomisë së ardhme të Shqipërisë e është detyrë e juaja ta kuroni dhe ta mbroni në të ardhmen”, - nënvizoi ai. Ai u ka premtuar qytetarëve të Himarës, se edhe kreu i Bashkisë do të përballet me ligjin për të gjitha veprimet e jashtëligjshme të kryera prej tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora