E premte, 26.04.2024, 03:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Libër me pak mbikqyrje

E hene, 08.06.2015, 07:15 PM


LIBËR ME PAK MBIKËQYRJE E ME PAK PËRGJEGJËSI

Tefik Selimi, «Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit , 1945 – 2015», Gjilan, 2015.

NGA SHEFIK SHKODRA

Pas viteve të nëntëdhjeta u botuan, më shumë se zakonisht, shkrime e studime të ndryshme. Përveç  nga lëmi i krijimtarisë letrare artistike edhe tituj më pak të njohur, si monografi për vendbanime, për institucione, për figura historike e kulturore. Dhe kjo është një qasje civilizuese dhe pasuri shpirtërore kombëtare. Vlugu i këtyre shkrimeve nis pas ndarjes së institucioneve tona nga ato serbe. Krejt kjo vjen  pas një lirie nga censura politike i sistemit monist dhe diktatorial.

Guximi për një shkrim gjithëpërfshirës të një institucioni shtatëdhjetëvjeçar

Monografia “Gjimnazi ‘Zenel Hajdini’ i Gjilanit, 1945 – 2015”, e shkruar nga Tefik Selimi, është botimi i dytë. Në këtë çështje, përveç autorit ishin angazhuar edhe personat të tjerë, të cilët e ndihmuan dhe e bën të realizueshëm  këtë libër. Njëri prej atyre ishte drejtori aktual i këtij gjimnazi, z. Sami Hoxha. Ai bëri mjaft jo veç për daljen në dritë të kësaj monografie, në këtë vazhdë edhe me aktivitete tjera shënoj suksesshëm manifestimin shtatëdhjetëvjeçar të këtij gjimnazi – vatër arsimore e çmueshme e kësaj ane.

Nga botimi i parë i librit të lartshënuar (më 2013), kemi disa ndryshime dhe plotësime të vogla, e që do të duhej të kishte mjaft korrigjime, të cilat kishin shpëtuar rastësisht, apo edhe në mungesë të fakteve. Ky ribotim, prej më tepër se 390 faqesh, është libër i kushtueshëm. Teknikisht shumë i pëlqyeshëm. Fotografi me ngjyra e ilustrime tjera, me një letër e kopertina të bukura. Dhe kjo vlen për monografinë shtatëdhjetëvjeçare të këtij gjimnazi. Materia është seleksionuar e ndarë në kapituj. Një tekst për hyrje e kemi nga drejtori i shkollës. Një tjetër nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan.

Përshkrimi monografik i tërësishëm i një institucioni prej shtatëdhjetë vite veprimtarie është diçka shumë e guximshme, sidomos kur bëhet fjalë për një autor që merret me këtë lëndë gjithëpërfshirëse. Qëllimi ishte i mirë i autorit në parim për ribotim të një teksti të tillë, siç e kemi këtë  me shënime  për një shkollë “elitare”,  për shtatë dekada që nga themelimi, por është dashur angazhim shumë serioz. Pa mëdyshje që vështirësitë janë të shumta të lëvizjeve të kuadrit arsimor, por edhe të numrit të nxënësve, aktiviteti i tyre kulturor, artistik e sportiv në këtë institucion arsimor. I kemi parasysh edhe zhvillimet  politike si në gjithë Kosovën, rrethana tashmë të njohura. Me një fjalë, materie  e shumanshme. E, nga dëshira që të bëjmë vetë (ego sum) këtë projekt gjerë e gjatë, na del pak si iluzion. Me këtë, dua të them se, plotësimi  dhe evitimi i shumë lëshimeve dhe gabimeve, do të duhej të bëhej me më shumë autorë ose, ekip të përgatitur dhe tepër përgjegjës për çdo rast. Të shënuar në këtë libër kemi një redaktor, një lektor dhe dy recensentë, por nuk duket se janë bërë punë të duhura për këtë publikim, i cili do të ishte shembull edhe për të tjerët. E them këtë duke pasur parasysh se, ky libër do të mbetet për t’u shfrytëzuar edhe nga pasardhësit. Dhe kjo do të ishte një lëndë shumë lehtësuese për vazhdimin e kësaj vepre në të ardhmen.

Ngutje dhe pakujdesi

I jam shumë mirënjohës autorit për punën që ka bërë. Më mirë të bëhet diçka se të lihen punët që do duhej nesër të kujdeset dikush tjetër. Monografi është mirë të bëhet për secilin institucion, vendbanim urban, për personalitete historike, kulturore, etj.

Po, në rastin e monografisë për gjimnazin e Gjilanit, janë bërë disa lëshime, jo gjithnjë krejt teknike, si p.sh. shumë fjali, qoftë te biografitë, qoftë te tekstet tjera, dalin klishe  për të gjithë. Një përsëritje teksti pak sa monoton. E ky tekst shpeshherë duket i manipuluar e në shumë raste si personifikim autorial, duke potencuar shpesh me fjalët: “...këtu edhe autori i kësaj monografie”, “...në këtë foto edhe autori i këtij libri...” etj. Kjo s’ka rëndësi fare të shqiptohet në këtë rast, sepse, autori i këtij libri ishte edhe mësimdhënës i kësaj shkolle. Nga botimi i parë (më 2013) ka pasur tekste që i janë përsëritur komplet prej faqe në faqe. Por, edhe në këtë botim i ndodh sërish, shih tekstin biografik si shënohet në f. 318, i njëjti edhe në f. 320. Në faqe 259, “ka qenë zëvendës drejtor...”, na duket se ky ishte edhe drejtor, nëse nuk gaboj.  Nuk na del aq i arsyeshëm përkushtimi një faqe e më tepër personit, i cili nuk ka më tepër vjet shërbimi se sa tjetri, i cili është gjatë kohë në atë shkollë. Madje, nuk ka kontribuar aq. Te këta persona shton fjalë e fjali, por nuk duket se i bën më të meritueshëm. Lexuesi do ta sheh më mirë vetë. Vërehen nga pak anime lokalizmi e subjektivizëm, që nuk lejohet absolutisht në një libër serioz për një institucion gjithashtu të njohur nga opinionin publik, e që përfshinë shumë gjithë lëvizjet e një numri të madh mësimdhënësish, nxënësish. Bie fjala, për njërin prof. shkruan 58 rreshta, f. 216/17/18. Ndërsa për tjetrin, me specializim dhe njeri që ka dhënë kontribut konkret, vetëm 18 rreshta, etj. Pa keqkuptim, në këtë qytet, ata që jetojnë dhe veprojnë, dikush prej lindjes, janë shumë çështje të njohura. Ato do të duhej të shënohen realisht, ose të bëhej shkurtimi i fjalive të dyfishuara e të tepërta.

Nuk e di pse nuk kanë hyrë edhe disa njerëz të tjerë që kanë punuar këtu në këtë gjimnaz?! Të lëmë atë  se, dikush ka qenë me një vjet a dy, po njeriu që ka përcjellë gjenerata, deri në fillimin e luftës, në këtë libër as në botimin e parë e as në atë të ribotuar, nuk shihet fare një fjalë për të. Ai tash ndodhet në Francë, po kjo nuk është dashur ta pengoj autorin që të shënoj disa rreshta, se ky ishte mësimdhënës këtu për disa vite, madje mjaft aktiv. Shpeshherë ai është kthye për pushime...

Gabime logjike janë përsëritur si në f. 197, po e riprodhojmë në këtë rast një pjesë: “...Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Frënge dhe Gjuhë Latine i kreu në Sarajevë, më 1964. Në vitet 1971/72 e më vonë ka punuar në Gjimnazin ‘Zenel Hadini’ në Gjilan.” Ai ka punuar më herët në këtë gjimnaz. Ky profesor, prej viteve të shtatëdhjeta ishte në themelimin e Katedrës së Gjuhës Frënge në Prishtinë dhe aty ishte mësimdhënës i rregullt.

Deformime dhe lëshime gjuhësore, sintaksë e pakuptimtë, pse përsëritet aq shumë shprehja: “...për herë të parë me ditar në dorë...”. ose fjali të tilla vështirë kuptohen, “Ka udhëtuar çdo ditë nga Gumnishta gjer në vendlindje, ...” , f. 234. Këtu shihet kujdesi shumë i vogël për një tekst që do të dalë në opionin publik! Gumnishta ishte vendlindja e tij. Dhe ne këtu nuk do t’i sjellim të gjitha për shkaqe monotonie te lexuesit tanë. Një tjetër fjali: “...iku... në Cyrih të Zvicrës. Jeton me familje në diasporë.” Ose, “...në shtator të vitit 1964 hapet shkolla Normale ‘Skënderbeu’..., ai regjistrohet këtu dhe e mbaron me kohë (1964)”. Më 1964 del gjenerata e parë nga Shkolla Normale. Kjo shkollë nuk ka pasur emër deri vonë...

Përkundër shumë shënimeve të dobishme

Në aktivitetet e lira të kësaj shkolle që ishin të shumta me siguri e që janë shënuar, autori i jep përparësi disa shkrimeve publicistike gazetareske, si informata për këto veprime. Me siguri që këto edhe janë kronikë e nevojshme për ilustrim në këtë rast. Po është e tepërt, duke potencuar pa modesti autorësinë e tij, edhe pse kjo shihet qartë dhe nuk ka nevojë të bëj marketing fare për këto publikime rreth shkollës dhe nxënësve të saj. Ato janë të mirëseardhura, ashtu si që janë fotokopjuar, pa përforcime dhe shpjegime tjera siç nënvizohet, ‘unë isha ai që i bëra’, sepse si të tilla ato janë të dukshme. Kështu, veç sa humbin shijen dhe kureshtjen e lexuesit...

Është e çuditshme, pse nuk shënohet revista për shkolla të mesme “Poliglot” (Polyglotte), e shtypur dhe e ilustruar në(anglisht, frëngjisht e shqip), e cila doli në disa numra gjatë vitit 1998. Redaksia të shumtën ishte nga ky gjimnaz, nxënës e arsimtarë. Vetëm një kryeredaktor ishte i jashtëm.

Në këtë monografi, T. Selimi e vendos ballinën e revistës shkollore “Horizonte’, fletushkë për shkollat e mesme në Gjilan, v. 1980, nr. 2”, por nuk tregon se, përgjegjës nxjerrjen e saj e bën njëri nga mësimdhënësit e Shkollës Teknike në Gjilan. Tefiku ishte vetëm ilustrues i atij numri.

Nuk ka libër që del pa të meta, por sa më pak duhet të lejojmë. Pa bërë analiza të gjera, ky libër është për shumë çka i nevojshëm dhe praktik. Ndoshta, me një redaktim të mirë te një ribotim (?!) i tretë do të mënjanoheshin gabimet dhe të plotësohej edhe më. Sidoqoftë është libër i nevojshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora