E premte, 25.06.2021, 10:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Ngjarje me interes për prozën tonë

E enjte, 04.06.2015, 07:55 PM


NJË NGJARJE ME INTERES PËR PROZËN TONË

(Albert Shala: Arkeologu dhe hijet, roman, botoi “Bogdani”, Prizren, 2015)

NGA BESIM MUHADRI

Albert Shala po del para lexuesit me romanin e tij të parë, ndonëse më parë ka botuar disa tregime, të cilat edhe janë shpërblyer. Dihet se Alberti më parë është afirmuar si poet dhe publicist, ndërkaq, romani “Arkelogu dhe hijet”, është e para vepër e tij në fushën e prozës së gjatë, në të cilën shpërfaqet talenti dhe përkushtimi i pakontestueshëm edhe në këtë fushë.

Tema e romanit zhvillohet në dy kohë, që ngërthejnë brenda vetes tragjedinë shqiptare të viteve gjashtëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar, të shkaktuar nga regjimi serbollsllav, nëpërmjet mekanizmit të tij shfarosës, siç ishte sigurimi fantom i quajtur UDB. Në qendër të romanit është Skënderi, një mësues i gjuhës shqipe i një zone të thellë malore, diku në një mjedis të Kosovës, i cili për shkak të aktivitetit të tij kombëtar, bie në sy të organeve të sigurimit dhe ekzekutohet në mënyrën më barbare, madje duke ia humbur edhe gjurmët e varrit të tij për disa vite, deri në kohën kur i biri i tij, Armendi, arkelog, një ditë arrin t’i zbulojë eshtrtat dhe gjithë të vërtetën rreth vrasjes dhe eleminimit të babait të tij.

I tërë romani i Albert Shalës është i përshkuar nga situata tejet dramatike dhe rrëqethëse, me plot të pritura e të papritura, të cilat lexuesin e bëjnë kurreshtar për të ditur se ç’do të ngjet me fatin e protagonistëve dhe se si do të rrjedhë fundi. Përveç kësaj, autori, gjatë shtjellimit të ngjarjeve dhe tërë brumit romanor, shquhet për një gjuhë të pastër dhe mjaft poetike, e cila prozës së tij i jep vlera të pakontestueshme, që e bëjnë të vlerësohet qoftë nga lexuesi, i cili nuk do të bezdiset së lexuari, qoftë edhe nga ana e kritikës letrare, e cila me siguri se nuk do të heshtë dhe do ta thotë fjalën e vet.

Romani i Albert Shalës, qoftë me tematikën e tij interesante, siç është ajo e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, e periudhës 1956-1966, që është një periudhë e golgotës së gjatë të vuajtjeve të shqiptarëve, të shpërfaqur përmes protagonistëve të romanit mbi kurrizin e të cilin bien këto vuajtje (Skënderit dhe bashkohësve të tij), apo edhe të ngjarjeve të vitit 1981, që prezantohet përmes Armendit, djalit të Skënderit, qoftë edhe për shkak të aspekteve të tjera, është një roman që në mënyrë tipike shpalos një periudhë apo periudha dhe aspekte mjaft delikate të historisë sonë. Por nuk është vetëm tematika apo ngjarjet që e karakterzojnë dhe e shquajnë romanin e Shalës, sepse, tek e fundit, një tematikë dhe ngjarje të tilla janë trajtuar edhe më herët nga autorë të tjerë të letërsisë sonë që u krijua dhe vazhdon të krijohet tek ne, mirëpo është pikërisht mënyra e trajtimit, e qasjes dhe ajo e ngjizjes së këtyre ngjarjeve me një gjuhë mjaft të pasur dhe tejet poetike, madje edhe mjaft figuartive. Me një sintaksë interesante, të ndërtuar nga fjali të shkurtëra dhe koncize, me dialogje të qarta dhe tejet dinamike, por edhe me aspekte të tjera e bëjnë prozën e Shalës të lexueseshme, aspak monotone dhe të admirueshme, madje edhe nga pena tashmë të afirmuara të letërsisë sonë.

Duke qenë i brumosur me të gjitha elementet e një proze të mirëfilltë dhe moderne, romani i Albert Shalës, “Arkelogu dhe hijet” padyshim që paraqet një eveniment të rëndësishëm letrar, në përgjithësi, dhe, të prozës romanore, në veçanti. Sikur të ishte botuar në kohën kur pretendohet të jetë shkruar (autori pohon të jetë shkruar në vitin 1993), më siguri se do të kishte një jehonë më të madhe. Megjithatë, i ardhur edhe në këtë kohë dhe në këtë formë, romani në fjalë paraqet një ngjarje me interes për prozën tonë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora