| E enjte, 04.06.2015, 07:55 PM |
NJË NGJARJE ME INTERES PËR PROZËN
TONË
(Albert Shala: Arkeologu dhe hijet, roman, botoi “Bogdani”, Prizren, 2015)
NGA BESIM MUHADRI
Albert
Shala po
Tema e romanit zhvillohet në dy kohë, që ngërthejnë brenda vetes tragjedinë shqiptare të viteve gjashtëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar, të shkaktuar nga regjimi serbollsllav, nëpërmjet mekanizmit të tij shfarosës, siç ishte sigurimi fantom i quajtur UDB. Në qendër të romanit është Skënderi, një mësues i gjuhës shqipe i një zone të thellë malore, diku në një mjedis të Kosovës, i cili për shkak të aktivitetit të tij kombëtar, bie në sy të organeve të sigurimit dhe ekzekutohet në mënyrën më barbare, madje duke ia humbur edhe gjurmët e varrit të tij për disa vite, deri në kohën kur i biri i tij, Armendi, arkelog, një ditë arrin t’i zbulojë eshtrtat dhe gjithë të vërtetën rreth vrasjes dhe eleminimit të babait të tij.
I tërë romani i Albert Shalës është i përshkuar nga situata tejet dramatike dhe rrëqethëse, me plot të pritura e të papritura, të cilat lexuesin e bëjnë kurreshtar për të ditur se ç’do të ngjet me fatin e protagonistëve dhe se si do të rrjedhë fundi. Përveç kësaj, autori, gjatë shtjellimit të ngjarjeve dhe tërë brumit romanor, shquhet për një gjuhë të pastër dhe mjaft poetike, e cila prozës së tij i jep vlera të pakontestueshme, që e bëjnë të vlerësohet qoftë nga lexuesi, i cili nuk do të bezdiset së lexuari, qoftë edhe nga ana e kritikës letrare, e cila me siguri se nuk do të heshtë dhe do ta thotë fjalën e vet.
Romani i
Albert Shalës, qoftë me tematikën e tij interesante, siç është ajo e aksionit
famëkeq të mbledhjes së armëve, e periudhës 1956-1966, që është një periudhë e
golgotës së gjatë të vuajtjeve të shqiptarëve, të shpërfaqur përmes
protagonistëve të romanit mbi kurrizin e të cilin bien këto vuajtje (Skënderit
dhe bashkohësve të tij), apo edhe të ngjarjeve të vitit 1981, që prezantohet
përmes Armendit, djalit të Skënderit, qoftë edhe për shkak të aspekteve të
tjera, është një roman që në mënyrë tipike shpalos një periudhë apo periudha
dhe aspekte mjaft delikate të historisë sonë. Por nuk është vetëm tematika apo
ngjarjet që e karakterzojnë dhe e shquajnë romanin e Shalës, sepse, tek e
fundit, një tematikë dhe ngjarje të tilla janë trajtuar edhe më herët nga
autorë të tjerë të letërsisë sonë që u krijua dhe vazhdon të krijohet tek ne,
mirëpo është pikërisht mënyra e trajtimit, e qasjes dhe ajo e ngjizjes së
këtyre ngjarjeve me një gjuhë mjaft të pasur dhe tejet poetike, madje edhe
mjaft figuartive. Me një sintaksë interesante, të ndërtuar nga fjali të
shkurtëra dhe koncize, me dialogje të qarta dhe tejet dinamike, por edhe me
aspekte të tjera e bëjnë prozën e Shalës të lexueseshme, aspak monotone dhe të
admirueshme, madje edhe nga pena tashmë të afirmuara të letërsisë sonë.
Duke qenë i brumosur me të gjitha elementet e një proze të mirëfilltë dhe moderne, romani i Albert Shalës, “Arkelogu dhe hijet” padyshim që paraqet një eveniment të rëndësishëm letrar, në përgjithësi, dhe, të prozës romanore, në veçanti. Sikur të ishte botuar në kohën kur pretendohet të jetë shkruar (autori pohon të jetë shkruar në vitin 1993), më siguri se do të kishte një jehonë më të madhe. Megjithatë, i ardhur edhe në këtë kohë dhe në këtë formë, romani në fjalë paraqet një ngjarje me interes për prozën tonë.